Programi i një qeverie që nuk përfaqëson shumicën e shqiptarëve

243

• Zoti Kryeministër! Do ju kerkoja të mbanit në vëmëndje si një kërkesë jetike për Dibranët, statusin e qarkut të Dibrës si qarku me prioritet të veçantë. Të trajtohet ky qark me fonde, me investime në infrastrukturë, në turizëm, në bujqësi apo pyje e kullota. Dhe mos të taksohet për një periudhë disa vjeçare. Të vetmet taksa të jenë të ardhurat nga shfrytëzimi i pasurive natyrore, të cilat të shërbejnë për rritjen e cilësisë së jetesës së këtyre banorëve.
Nga Dhurata ÇUPI

Programi i qeverisë “Rama 2”, është programi  i një qeverie  që nuk përfaqëson shumicën e shqiptarëve. Një qeveri e dalë nga zgjedhje që  nuk ishin të lira, nuk ishin të ndershme, nuk ishin të barabarta. Pa dyshim që Dibra ishte qarku ku politikën, të ashtuquajtura zgjedhje dhe fituesit i përcaktuan: krimi, droga, presionet për vendin e punës nga drejtorët dallaverexhi lokalë të qeverisë e të mbeshtetura nga ministra me koncesione, etj. Qytetarë nën presionin e bukës së gojës, të papunësisë, të përkrahjes sociale, të pamundësisë jetike, u blenë apo u shitën. “Mysafirët” e orëve të vona të muajit qershor i vendosnin famijarët të përbetohen për fëmjët e tyre  në shkëmbim të votës.

 

Grupe kriminale mbushnin rrugët  në orët e natës gjatë  një muaj pa ndalim. Këtë nuk e them vetëm unë, as ne si force politike, por opinioni mbarë brenda dhe jashtë vendit. Nuk ju votuan rreth 80 % e shqiptarëve. Që ta thjeshtojmë,  nga 100 qytetarë ju keni votat vetëm të 20 prej tyre. Kjo është qeveria që sot pret të votohet. Por edhe  Një qeveri që nuk perfaqëson as shumicën e socialistëve.
Qeveria e familjes, e konfidencës kryeministrore por jo e socialistëve të ndershëm.
E gjithë qeveria ka një të përbashkët:  ajo është e shkuara byroiste, qeveria e bllokut të djeshëm dhe e Surrelit të sotëm.
Të gjithë i bashkon filli i kuq komunist. Një gënjeshtër e madhe ishte programi i katër viteve më parë, i botuar në formën e nji libri të madh, me ngjyra, me fjalë të mëdha e të bukura, por në përmbajtje asgjë. Dhe ç’farë prisni sot ndonjë program për shqiptaret, ku dhe paraqitja është në formën e një fletpalosje reklame biznesi vetjak.
Në fakt kanë të drejtë, nuk ndjejnë asnjë detyrim ndaj qytetarëve, pasi mendojnë se me manipulimin e votës, nuk i detyrohemi askujt. Se nuk mundet të shpjegohet ndryshe papërgjegjshmeria e programit qeverisës.
Programi ka vetëm propagandë dhe propaganda sot është një nga format me korruptive qeveritare.
Katër vite morën pothuaj gjithçka nga ky vend dhe nuk ju ofruan asgjë, dhe përsëri në qeveri.
Ushtruan terror duke burgosur 38 mijë qytetarë hallexhinj për nji çati apo nji faturë të papaguar në kushtet e pamundësisë, instaluan frikën dhe nënshtrimin, dhe pasi u siguruan që s’ka zëra,  çmontuan shtetin në qelizë.
Koncesiunuat anë e kënd vendit, pasuri ujore, pasuri minerale, ndërtesa, troje, toka ara, pyje e kullota. Morët gjithçka dhe i përqëndruat në një dorë klienteliste, kliente të cilët vazhdoni ti mbani në qeveri  apo parlament. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit jo më shumë se një muaj më parë, shprehet për dëm ekonomik 1.8 miliard lekë në administratën kryesore të shtetit. Në dogana e tatime. Në prokurime e koncesione, në KESH e në çdo qelizë të qeverisë. Ky  ishte skandali i rradhës por jo më i madhi dhe jo i vetmi,  e  për qytetarët i papërtypshëm.
Përse pushtetin dhe pasurinë i doni vetëm për vete, i adhuroni, ndërsa të thjeshtët i përbuzni, i burgosni dhe i nëpërkëmbni megjithëse  jeni sipas jush me filozofi “të majtë”?
Vetëm në vëndin tonë dhe në qeverisjen tuaj ndodh që shqiptarët kanë më shumë buxhet nga taksat dhe me shumë varfëri, e si rrjedhojë edhe pabarazi  sociale. Ku është programi juaj për të përndjekurit ?
Tallje dhe vetëm tallje.
Rrënojat akoma të burgjeve të diktaturës janë nji gur i rëndë që ju rëndon në qënien  tuaj. 35 mijë burra e gra të burgosur, 1065 persona kanë vdekur në burg, kanë humbur aftësine mendore 410 persona, kanë vdekur në internim mbi 7 mijë persona, gjatë gjithë viteve të diktaturës janë 914 mijë vite burg dhe 256 mijë vite internim. 4000 varre nuk gjenden akoma…
Asnji fjali nga kryeministri për këtë shtresë…
Ka një material të KLSH për performancën e procesit të integrimit të persekutuarve, a ka sot qeveritar të na thotë çfarë bëhet me këtë material?  Përse nuk përmëndet në programin tuaj?
Ku jemi sot? Çfarë po bëhet me kompensimin financiar?.
Detyrimi i pashlyer deri tani është  miliona euro. Sot nuk u paraqit asnji grafik për kompensimin e tyre. Por jo vetëm kompensim financiar, të përndjekurit duan kompensim moral, tju kthehet dinjiteti jo të vazhdojnë të nëpërkëmben pas 27 vitesh demokraci në formën e hakmarrjes  duke ju kujtuar heshtjen  se do burgoseni përsëri.
Tjetër shtresë e tallur nga qeverisja juaj dhe pseudoprogramet tuaja, të shkuara dhe në vijim janë ish pronarët.
A mundet të deklarojë sot një qeveritar këtu që në kater vite, keni kthyer qofte një m2 truall një ish pronari?
Asnjë m2 deri më sot . Dhe gjasat tregojnë se nuk keni programuar asgjë.
Katër vite u morët si ta ndryshoni paketën ligjore sa më në disfavor të tyre, si ta implementoni; natyrisht me kleçkat e përfitimit klientelist dhe sot nuk ka një të dhënë statistikore që keni kthyer nji m2 pronë. Dhe ish pronarët vazhdojnë të qëndrojnë në dyert e institucioneve tuaja, ndërkohë që nga një institucion tjetër vazhdojnë privatizimet, shitjet, blerjet, koncesionet në tokat e ish pronarëve.
Dhe s’mund të ndodhë ndryshe. Shqipëria nuk mundet edhe të kënaqë klientët e pangopur për privatizime dhe ndërtime në trojet e tjetrit, edhe të kthejë të drejtën dhe pronën e sekuastruar nga të parët tuaj.
Kryeministri deklaroi se do të bëjmë inventarizimin e çdo prone publike.
Zoti Kryeminister! Të gjitha pronat publike i keni të inventarizuara, sipas të gjitha fushave dhe funksioneve. I keni të inventarizuara edhe sipas institucioneve qëndrore edhe atyre lokale.
Ky proces ka përfunduar në vitin 2012, dhe që vartësit tuaj e dinë mirë pasi katër vite nga ky inventar  kanë marrë informacione  për koncesionet qeveritare, apo tjetër.

REFORMA TERRITORIALE, DIFERENCIM  POLITIK NË FORMËN MË EKSTREME

Pranojeni se jeni të dështuar edhe në Reformën territoriale. Shkruajeni në program që dështuam me këtë reformë. Dhe qytetarëve t’ju sjellim shpresën se do vij dita ta përmirësojmë këtë gafë territoriale. E miratuat me kapriçion e kohës dhe të karriges.
• Si reforma më e rëndësishme, historike e të paktën 25 viteve të fundit, siç pretenduat;
• Si reforma që do të sjellë efekte pozitive buxhetore dhe ekonomike të dukëshme, pa qenë të parapërgatitur);
• Si reforma që do të fuqizojë e për pasojë do të largojë nga ndikimet politike QV dhe të zgjedhurit vendorë;
• Si reforma që do të luftojë korrupsionin dhe modelin e “komunarëve abuzues ” e të paaftë…
Në fakt çfarë ndodhi?
Formuat në mënyrë krejt mekanike pa asnjë kriter, por me prapavijë politike dhe përfitimi zgjedhor, 61 bashki.
Sot jeni jo vetëm të dështuar, por  dhe nuk keni shkruar asnji fjalë të vetme në programin tuaj si do të përmirësohet kjo situatë?!
• Argumentat e trajtuar për avantazhet që do të sillte i hiperbolizuat,  duke i shërbyer në të vërtetë justifikimit për një hartë të re administrative, që sipas mendimit të shumë specialistëve dhe analisteve, më shumë ju solli përfitime politike e zgjedhore, ju mazhorancës si dhe fuqizimit politik e ekonomik të disa individëve, se sa përmirësimit të qeverisjes në nivel lokal.
• Kalimi i funksioneve dhe kompetencave të reja nuk u konsultuan paraprakisht por u bënë fakt në vitin 2016 duke sjellë mos përgatitjen e administrates.
• Kalimi i këtyre funksioneve nuk u shoqërua me buxhetin respektiv duke pas sjellë shtimin e varfërisë së financave lokale.
• Nuk u miratua në kohën e duhur dhe vazhdon të mbetet e pa plotësuar në pjesën më të madhe baza ligjore.
• Nuk u bë asnjë parapërgatitje në kapacitetet administrative të ish njësive vendore, për bashkimin dhe funksionimin si të tillë.
Nuk ka shërbim të përmirësuar pranë qytetarit, nuk ka lehtësim procedurash, qytetarët duhet të ecin në disa raste deri edhe 100 km nga banesa e tij deri në zyrat e bashkisë për të marrë shërbimin minimal.
Instaluat  diferencimin politik në formën më ekstreme.
Të gjitha bashkitë e djathta të marra se bashku nuk kanë fondin e akorduar nga qeveria qoftë edhe sa  për një bashki të majtë, qoftë ajo  e Fierit apo Durrësit, apo çdo bashkie të majtë.
Nga fondi i zhvillimit të rajoneve, i përkasin bashkive te djathta vetëm 3 % të buxhetimit, ndërsa bashkitë e majta morën 97 % për vitin 2016.
Në vitin 2017 është përkeqësuar edhe më shumë. Klientelizmi dhe abuzimi me prokurimet publike në bashkitë e majta ishte veçoria kryesore e reformës tuaj.
Në tenderat e zhvilluar nga  bashkitë tuaja  për periudhën  korrik 2015 – shtator 2016, në 207 procedura ka marrë pjesë një operator i vetëm.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, njësitë vendore rritën shpenzimet për pagat me 35 për qind. Nga 4.6 miliardë lekë që ishin shpenzimet për paga në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, ato arritën në 6.3 miliardë lekë në janar-qershor 2016. Në të njëjtën masë u rritën edhe shpenzimet për sigurime shoqërore, ndërsa  fondet e dedikuara për infrastrukturën u ulen ndjeshëm.
Me reformën e re, sipas asaj që kishit llogaritur do të kursenit së paku 60 milionë euro vetëm nga shkurtimi i personelit, të cilat do të rishpërndaheshin për investime, në shkolla, rrugë etj.
Por tani kur ka kaluar dy vjet nga zbatimi i reformës së re, pritshmëritë kanë shkuar në të kundërtën. Bashkitë e reja kanë fryrë edhe më tej stafet, duke çuar 48 për qind të fondeve në dispozicion për rroga, teksa shihet se shpenzimet për shërbimet bazë janë ulur dukshëm.
Ndërkohë që vetëm në disa bashki, vetëm në vitin e parë  janë larguar nga puna 3059 punonjës, në kuadër të reformës territoriale.  Opozita por edhe Avokati i Popullit ka ngritur shqetësimin për largimet e shumta të punonjësve në bashkitë e vendit, në të shumtën në mënyrë të padrejtë. Kjo situatë krijoi paqëndrueshmëri për administratën e pushtetit vendor, duke larguar punonjës të trajnuar dhe të specializuar në funksionet e tyre, gjë që ndikoi në cilësinë e shërbimeve për qytetarët, por edhe efekte të pallogaritshme për financat vendore për shkak të humbjes nga institucioni të proceseve gjyqsore. Sot edhe një barrë tjetër mbi këto bashki,  shkaktuar nga paaftësia e drejtuesve.
Hiq një specialist dhe zëvëndësoje me një socialist. Kjo ishte i vetmi kriter i juaji.

DIBËR-TIRANË, SEGMENTE RRUGORE NË KUSHTE KATASTROFIKE

Në programin tuaj, sa i takon  infrastrukturës parashikoni koridore adriatiko-joniane, që uroj ti realizoni sepse në mandatin e kaluar i realizuat të gjitha sa premtuat, veçanërisht shkëlqyet te palmat, e meqë ra fjala edhe miliona eurot e palmave ishin një korrupsion edhe më  i madh në dëm të taksave të shqiptarëve.
Por ju them se sot keni segmente rrugore kombëtare gati në kushte katastrofike. Aksi  Milot-Ulez-Burrel-Klos-Bulqizë,  apo aksi  Rrëshen-Klos është në kushte katastrofe. Me keqardhje ju them dibranëve, që as si prioritete nuk janë përmendur në fletpalosjen qeveritare. Duket që mendimi i deputetëve socialistë dibranë nuk është konsideruar fare, duke dashur të refuzoj mendimin se deputetët  vetë nuk kanë ngritur zërin për këtë gjëndje mjerane të akseve kombëtare
Z. Kryeministër!
Duhet të merrni masa urgjente për këto akse pasi keni paralizuar një qark të tërë nga mungesa e investimeve të mirmbajtjes.
Ndërtimi i Rrugës së Arbërit duket sikur është fut në rrugë pa krye.
Nga buxheti nuk do jepni asnji lek, ndërkohë që koncesionari duket se do tua marrë qytetarëve dibranë taksën e ndërtimit dhe më pas edhe taksën e kalimit.
Dhe kjo ndodh në qarkun më të varfër, imagjinoni çfarë programi keni ju!!!
Nuk keni parashikuar dhe nuk keni shkruar asnjë gërmë në program mbi miratimin e statusit të minatorit dhe grupeve të ngjashme me kushte të rënda të punës që mundet të njësohen me minatorët.
Këta qytetarë janë shtresa më e lodhur dhe e rraskapitur e popullsisë dhe duhen trajtuar me kujdes dhe vëmëndje.
Me dhejtra minatorë  janë sot përpara ekranit të zhgënjyer dhe kërkojnë që ta ngrejë si shqetësim

NË TETË VITE, ASNJË
PËRKUJDESJE  TURISTIKE
QEVERITARE PËR DIBTËN
Për 4 vite nuk keni programuar asnji investim turistik për qarkun Dibër. Edhe 4 kaluan. Pra 8 vite Dibra nuk do të ketë asnji përkujdesje turistike qeveritare. Dhe të mbajmë në vëmëndje që Dibra ka pika turistike me bukuri natyrore të rralla, ashtu sic ka edhe traditën e mikpritjes së rrallë por duan vëmëndjen e qeverisë që si në cdo fushë ju mungon
Premtuat që vitin e ardhshëm do të kalojmë pushimet në vëndin tonë për shkak se qeveria do bëj mrekullira në turizëm
Z. Kryeministër edhe unë po ju ftoj që pushimet e verës së ardhshme ti kaloni në ato pikat turistike që do të ndertoni në Diber . Dhe do ju falenderoj publikisht.
Kjo verë ishte katastrofike për pyjet e kullotat për qarkun Dibër. U dogj dhe u shkatërrua pjesa më e madhe e pyjeve dhe kullotave. Duhen vite për zëvëndësimin e tyre dhe kjo është një humbje e madhe mjedisore por në fjalën tuaj dëgjova vetëm që do të modernizoni Emergjencat civile.
Ështe djegur gjithcka Z. Kryeministër!
Na thoni çfarë do të bëni për rikuperimin e pyjeve dhe kullotave, se emergjencat,  moderne apo tradicionale qofshin nuk mbjellin pyje.
Edhe pse me dhimbje sot statistikat tregojnë se numri i nxënësve që ndoqën arsimin 9-vjeçar në vitin 2016 ra me 5.4 për qind në raport me një vit më parë, rënia më e fortë në 26 vitet e fundit.
Dhe pa dyshim një perqindje e konsideruar e femijëve që nuk frekuentojnë shkollën është nga qarku Dibër.
Premtuat që do investoni në shkollat profesionale por duket e parealizueshme që kur deklaruat se do jetë përgjegjësi e Ministrisë së finacave. Se si mundet të qëndrojnë bashkë këto dy koncepte vetëm ju mundet ta dini!
Së fundmi do ju kerkoja të mbanit në vëmëndje si një kërkesë jetike për Dibranët, statusin e qarkut të Dibrës si qarku me prioritet të veçantë.

Po e përsëris Z. Kryeministër.
Statusin e qarkut të Dibrës si qarku me prioritet të veçantë, uroj që ta miratoni.
Të trajtohet ky qark me fonde, me investime në infrastrukturë, në turizëm, në bujqësi apo pyje e kullota. Dhe mos të taksohet për një periudhë disa vjeçare.
Të vetmet taksa të jenë të ardhurat nga shfrytëzimi i pasurive natyrore, të cilat të shërbejnë për rritjen e cilësisë së jetesës së këtyre banorëve.
Sot vendi yne ndodhet në një krizë morale, ekonomike dhe politike.
Dhe qeverisja juaj nuk jep shpresë për një jetë më të mirë apo për një zhvillim normal të vendit tonë.
Prandaj nuk do ta votoj programin tuaj.

*Fjala e deputetes të PD të Qarkut Dibër, në Kuvend për Programin e Qeverisë 2017-2021

S'KA KOMENTE