Arsimimi i të rinjve, e drejtë kushtetuese apo luks i të paktëve?

62

Nga Edison Balla

Në vendet me demokraci të konsoliduar e kryesisht në bllokun perëndimor, ku ne synojmë kaq shumë të anëtarësohemi, arsimi është një nga shtyllat më të rëndësishme dhe që merr vëmendjen kryesore jo vetëm të qeverive të atyre vendeve, por në tërësi edhe të shoqërisë.
Duke e parë kontigjentin e të rinjve si mundësinë dhe shpresën pothuajse të vetme për të siguruar perspektivë dhe të ardhme të denjë, këto vende i kushtojnë një rëndësi gjithmonë e më të madhe arsimimit të tyre. Nuk është e tepruar, madje është shumë e llogjikshme të themi që arsimimi i të rinjve mbetet mundësia e vetme dhe më e mirë, për të siguruar derivatisht edhe një të ardhme më të mirë. Kjo nuk mjafton vetëm të thuhet, por kërkon mbështetje praktike dhe juridike së pari nga mekanizmat shtetërorë, por pa harruar edhe mbështetjen e masës, pra atë të shoqërisë. Me këtë të fundit, nënkuptoj pikërisht kulturën e një populli a shoqërie, për tu emancipuar dhe për të krijuar vetvetiu një shkallë ndërgjegjsmërie dhe kulture arsmimi. “Sa më i paarsimuar një popull, aq më i thjeshtë edhe nënshtrimi i tij nga qeverisja e keqe”.
Për ta vërtetuar këtë mund të sjellim në vëmendje plot popuj, të djeshëm e të sotëm, që janë shtypur e vazhdojnë të shtypen si pasojë e mungesës së kapacitetit të tyre intelektual për të kuptuar kur një qeverisje është në shërbim të tyre, dhe kur është në dëm të perspektivës së tyre. Eshtë katërcipërisht e e njohur dhe e vërtetueshme në kontekstin kohor, sesi popujt e civilizuar dhe që kanë një shkallë të kënaqshmë arsimimi, janë ngritur dhe kanë “shembur” qeveritë e korruptuara dhe diktaturat e instaluara në vendet e tyre. Madje, kemi raste edhe të fqinjëve tanë përtej Adriatikut, që kanë surprizuar politikanët dhe partitë e tyre shumëvjeçare, duke votuar kundër kastës së vjetër politike dhe duke legjitimuar subjekte të sapokrijuara dhe të rinj që kishin një vizion ndryshe. Kjo nuk është rastësore, por na vërteton mjaft mirë edhe nivelin arsimor e civilizues të këtyre popujve që janë vetëm pak kilometra larg nesh, por akoma më larg në aspektin e formimit dhe konceptimit të demokracisë.
Kur flas për arsimim të një populli, nuk kam si qëllim ta vë theksin tek i ashtëquajturi “masivizim i arsimit”. Nuk jam i mendimit që masivizimi sjell, rritjen e ndërgjegjshmërisë apo nivelit intelektual të një populli. Madje në shumë raste, priret të ndodhë e kundërta. Pa e tepruar, mund të marrim vendin tonë si shembull të këtij konstatimi. Pas vitit 2005 e në vazhdim, në Shqipëri u krijuan një numër i madh dhe deri diku i pakontrollueshëm Insitucionesh të arsimit të lartë privat.
Kjo solli si pasojë, që një numër gjithmonë e më i madh të rinjsh dhe jo vetëm që të pajiseshin me diploma, duke bërë që në pak vite numri i të arsimuarve të kalonte shifrën e 250 mijë studentëve.
Nga shumë politikanë dhe drejtues të vendit kjo u duartrokit si arritje, por më vonë u kritikua si politikë e gabuar. Kjo për një arsye të thjeshtë, aspekti kualitativ nuk korespondoi me atë kuantitativ. Madje jo vetëm që nuk korespondonin, por ndiqnin kahe asimetrike e komplet të kundërta. Pra, arsimimi nuk nënkupton detyrueshmërisht masivizim, por më shumë se kaq cilësi dhe efiçencë në arsim. Kjo është ajo që ka munguar dhe vazhdon të mungojë në vendin tonë.
Ashtu si çdo shtet tjetër demokratik, edhe vendi ynë e ka të sanksionuar në Kushtetutë të drejtën për arsimim.
Në këtë kontekst arsimimi prezumohet që t’u sigurohet të gjithë të rinjve pa përjashtim. Por çfarë ndodh me ata të rinj që janë të aftë, por janë në pamundësi financiare? A privohen ata nga e drejta për tu arsimuar? A kthehet kështu arsimi në një luks vetëm për ata që kanë mundësi financiare për të paguar?
Në këtë këndvështrim, edhe pse një e drejtë e garantuar në kushtetutë dhe e përligjur me akte të veçanta juridike, duke përmendur këtu edhe “Ligjin për Arsimin e Lartë” aq shumë të diskutuar së fundmi në Shqipëri. Madje, edhe në aspektin ligjor ka shumë boshllëqe, pasi akoma prej 2 vitesh ministria e linjës nuk ka nxjerrë aktet nënligjore në mbështetje e për zbatim të ligjit. Sidomos, ligji i miratuar së fundmi për arsimin e lartë në vend ka larguar shumë të rinj të aftë e meritorkratë, por në vështirësi finaciare për të paguar le të themi “produktin” që presupozohet tu ofrohet, duke e kther të drejtën për arsim në një luks të të paktëve, dhe vështirë ose të pamunduar për tu aksesuar nga të rinjtë e aftë në vëshirësi financiare.

EdisonBallablog.wordpress.com

S'KA KOMENTE