Ismail Keta: Titullin e kampionit të botës ua dedikoj të gjithë shqiptarëve

665

Janë të rrallë sportistët shqiptarë që kanë arritur një sukses të tillë në arenën ndërkombëtare sa ka korrur Ismail Keta, kampion i botës në Tai e Kik Boks. Kampioni 40 vjeçar, me origjinë nga Bulqiza ka mposhtur nëa duele konkurentë me peshë për titullin botëror. Kështu ai ka triumfuar duke marrë gjerdanin e kampionit të botës në këtë disiplinë. Edhe pse ka konkurruar me ngjyrat e flamurit gjerman, Ismaili ka deklaruar vazhdimisht se është shqiptar dhe fitoren, ia dedikon të gjithë shqiptarëve.

Si nisi dhe vazhdoi rruga e kampionit të tai dhe kik boksit?

Ismail Keta ka lindur në fshatin Koçaj të Bulqizës. Ai është ushtruar vazhdimisht me sport dhe në shtëpinë e tij gjen ende si relikte thasët e rërës, litarët dhe pjesë të vagonëve që shërbenin si shtangë. Në vitin 1997 kalon në Gjermani dhe punon fillimisht në një diskotekë në Vilzburg si “security”. Aty bie në sy të personaliteteve të sportit, që e nxisin të ushtrohet në disiplinën e tai e kik boksit. Fillon vrullshëm stërvitjen dhe shumë shpejt bëhet kampion i Gjermanisë, titull që e mban deri në vitin 2022, kur dëmtohet. Në vitin 2001 doli nënkampion bote në këtë disiplinë dhe ky ishte një sukses i madh për të. Në ndeshjen kur doli nënkampion bote nuk kishte në pallat të sportit asnjë shqiptar dhe ai paguan një austriak 100 dollarë që të mbante flamurin shqiptar.
Një gjest ky mjaft domethënës i një të riu që përveç suksesit të tij kërkonte të ndërgjegjësonte sportdashësit për identitetin e tij. Në vitin 2004 ndahet përkohësisht nga sporti si pasojë e dëmtimit dhe nis punën si trajner. Me ndihmën e miqve të shumtë gjermanë hap një akademi të tai e kik boksit, ku regjistrohen më shumë se 300 sportistë nga vende të ndryshme të botës, ndër të cilët shumë shqiptarë. “Deutchland Kick Box” është akademia e Ketës në Munih, ku klientë janë dhe figura të njohura gjermane. Ismail Keta ka reputacion të madh. Fallë vullnetit të tij të hekurt dhe një pasioni të jashtëzakonshëm për sportin, por edhe për të përmbushur një ëndërr të tij të hershmen për të qenë kampion i botës, pas shtatë vitesh ndërprerje ai i rikthehet dhe një herë ringut. E nis fillimisht me disa ndeshje të rëndësishme në Tajlandë (vendi ku ky sport është shumë masiv). Atje zhvillon tri ndeshje dhe i fiton të tria. Atje pa që kishte energji për të vazhduar dhe në kampionatin gjerman të kik boksit, që njihet dhe si K-1, Ismaili riktheu staturën e tij të një kampioni të vërtetë.
Federata botërore i besoi atij dhe kërkoi një sfidat për titull botëror. Gjatë stërvitjes Keta thyen hundën dhe i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, por kjo nuk e pengoi atë të vazhdonte rrugën të cilën e kishte ëndërr. Sfidanti, hungarezi Jozef Diklaund, mbante kurorën e kampionit të Europës në tre vite rresht, pra ishte shumë i fortë. Por në “Cirkus Arena”, karakteri shqiptar, besimi në vetvete dhe mbështetja e fuqishme e tifozëve kuqezi, bënë që Xhoni Keta (kështu njihet Ismaili në Gjermani), të shpërthente dhe ta shpartallonte kundërshtarin plotësisht në raundin e tretë, duke fituar sfidën me nokaut.
Në këtë duel të fortë, Keta përdori këmbët si armën e tij më të fortë dhe ia doli të shpallet kampion i botës, duke përmbushur kështu ëndrrën e tij. Ndeshja që u transmetua në SAT-1, bëri shumë bujë dhe ky ishte një imazh i madh për sportistin dhe shqiptarët në përgjithësi. Është e vërtetë që Ismail Keta garoi për Gjermaninë, por ai zbriti në ring me flamurin shqiptar. Pas fitores bëhet shqiptari i parë që fiton një duel final për titull botëror në këtë disiplinë sportive në peshat e rënda. Ndeshjen e kanë ndjekur live një numër i madh personalitetesh të sportit, të ardhur enkas nga Tirana, si ish-portieri i ekipit kombëtar Perlat Musta dhe mjeku i njohur shqiptar në Gjermani, Adnan Kastrati. Pas takimit një biznesmen nga Dibra e Madhe organizon në Munih “Nata Shqiptare”, ku ishte i ftuar dhe stafi i televizionit gjerman SAT-1. Pas ndeshjes kampioni i botës Ismail Keta u shpreh: “Ia di për nder Gjermanisë që më bëri sportist, por ia di shumë për nder Shqipërisë që më bëri njeri. Kthimi im në ring ishte jo vetëm një ëndërr e fëmijërisë time për të qenë kampion i botës, por një sukses të tillë ua kisha më së shumti borxh shqiptarëve. Ndihem i lumtur për suksesin dhe dua ta ndaj atë me të gjithë shqiptarët”. Ismail Keta është bërë kampion i botës në kik boks, por ai mbetet thellësisht një njeri modest, i duruar, shpirtmadh dhe një patriot i flaktë.

Vëllezërit Keta, një histori suksesi në sport

Bashkë me Ismailin është dhe vëllai i tij, Gjetan Keta, një tjetër sportist i talentuar, që në vitin 2007 fitoi turneun ndërkombëtar të tai e kik boksit në Tiranë. Ashtu si vëllai i tij më i madh Ismaili, edhe Gjetani dëshiron titullin botëror në boksin profesionist në peshën e tij trupore. Ajo që spikat te Gjetani është vullneti dhe ambicia për të qenë një kampion i madh. Në krahun e tij spikat një tatuazh i Skënderbeut, çka tregon fort për origjinën e tij dhe lidhjen me Shqipërinë. Përveç Gjetanit nga fisi Keta ka dhe shumë djem të tjerë që ushtrohen në sportet e rënda dhe po ndjekin rrugën e suksesit në këtë drejtim.

Akademia e Ketës në Gjermani, refuzohen vetëm serbët

Ismail Keta ka një akademi të përgatitjes së sportistëve dhe me kalimin e viteve ajo bëhet gjithnjë e më e frekuentuar. Në të stërviten njerëz me mosha të ndryshme, kryesisht të rinj, madje nga të gjitha vendet. Turq, kroatë, gjermanë, maqedonas etj, por natyrisht shumica janë shqiptarë. Në akademinë e Ketës refuzohen të stërviten serbët dhe kjo ka lidhje me ndjenjën e lartë nacionaliste të 34-vjeçarit, që flamurin shqiptar e ka simbol të shenjtë. Për shkak të krimeve të bëra nga serbët në Kosovë, sportistët serbë refuzohen në akademinë e Ismail Ketës.

Familja, gjithçka shqiptare

Ismail Keta është i martuar dhe ka një djalë. Emri Gjergj (Kastrioti Skënderbeu) i të birit është mjaft domethënës për qëndrimin e kampionit të ri të botës dhe origjinës së tij. Keta është mjaft i ndjeshëm ndaj vendlindjes së tij, Bulqizës dhe në të ardhmen ka në projekt të ndihmojë fëmijët që kanë mbetur jetimë si pasojë e humbjes së prindërve në minierën e Bulqizës. Respekti që gëzon Ismail Keta është shumë i madh dhe ai krenohet me përkatësinë e tij, duke qenë një shembull i familjarit të devotshëm dhe i dashurisë për vendlindjen.

Ndihmesa/ Keta, në ndihmë të shqiptarëve në Gjermani

Ismail Keta nuk është vetëm një kampion bote, por edhe një njeri shpirtmadh, me ndjesi të larta humane. Nuk janë të paktë shqiptarët që kanë gjetur strehë në shtëpinë e Ismailit në Mynih. Madje ai ka ndihmuar në të holla mjaft qytetarë shqiptarë që të vizitohen e mjekohen në spitalet e Gjermanisë, duke qenë një shembull model për të gjithë. Bulqiza, me të cilën Ismaili është fort i lidhur, ndihet krenare që ka një sportist kaq të talentuar të dalë nga gjiri i saj. Një kampion bote është nuk mund t’i përkasë gjithsesi vetëm një zone, por të gjithë shqiptarëve.

Adriatik BALLA

S'KA KOMENTE