Rruga e Arbërit me koncesion, ja sa para do të kushtojë

289

Ministria e Transporteve ka çelur zyrtarisht garën për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, aksi kryesor që pritet të lidhë Shqipërinë qëndrore me atë verilindore. Përmes Agjencisë së Prokurimit Publik, ftohen të gjitha kompanitë e interesuara të dorëzojnë ofertat e tyre për ndërtimin e këtij aksi rrugor, i gjatë 72 kilometra.
Kontrata do të jepet në formën e partneritetit publik privat, ku subjekti që do të rezultojë fitues do të ndërtojë, operojë dhe mirëmbajë këtë aks kombëtar.
Sipas njoftimit ofertat do të hapen në 2 tetor dhe punimet e para për këtë aks do të nisin menjëherë pas firmosjes së kontratës me firmën fituese.
Vlera e projektit është llogaritur 33.6 miliarde leke, apo rrreth 254 milionë euro. Ndërtimi i Rrugës së Arbrit do të financohet përmes partneritetit publik privat. Kompania fituese do të financojë ndërtimin, ndërsa qeveria do të shlyejë me këste për 13 vjet.
Në mesin e muajit prill qeveria shpërbleu me një “bonus” ofertën e pakërkuar të Kompanisë “Gjoka Konstruksion” për këtë projekt. Po në këtë muaj, qeveria deklaroi që kalimi në këtë aks rrugor do të jetë pa pagesë për të gjitha automjetet, duke hedhur poshtë propozimin e kompanisë shqiptare që në projektin e saj parashikonte tarifë për qytetarët.
Gjendja ekzistuese e Rrugës së Arbrit aktualisht është me 20.1 km të përfunduara dhe të vëna në funksionim dhe rreth 15 km të tjera të ndërtuara jo plotësisht.

DIBRANËT, 27 VJET NË PRITJE TË PROJEKTIT AMBICIOZ
Ka qenë një prej premtimeve më të mëdha në thuajse të gjitha fushatat që janë zhvilluar pas rënies së komunizmit, por për arsye të ndryshme, ka mbetur një projekt në sirtar. Bëhet fjalë për “Rrugën e Arbërit”, e cila ka qenë një prej kërkesave kryesore të komunitetit dibran.
Edhe në fushatën e fundit ajo zuri vendin kryesor në premtimet e të dy palëve. Tentativa për finalizimin e projektit ambicioz thuajse 27-vjeçar pati edhe në mandatin e shkuar të qeverisë “Rama 1”, por për arsye të ndryshme nuk u arrit të finalizohej. Një kompani kineze ishte e interesuar, por oferta e saj ishte tepër e ‘kripur’ për financat shqiptare. Ky projekt ka nisur që në vitin 2008 dhe parashikon një gjatësi rruge prej 72 km, 50 më pak se gjatësia aktuale, duke e shkurtuar ndjeshëm distancën deri në Dibër.  Tashmë, ashtu siç ishte premtuar, kanë nisur procedurat për finalizimin e projektit. Ministria e Transporteve ka çelur tenderin për kompanitë e interesuara për ndërtimin e ‘Rrugës së Arbrit”. Tenderi u çel në datën 10 Gusht në ora 08:00 dhe ofertat priten deri në datën 2 Tetor 2017. Fondi limit i përcaktuar nga ministria është 280,442,957,00 lekë.

“Gjoka Konstruksion”: Rruga do të kushtojë 33.6 miliardë lekë

Një nga kompanitë në garë për ndërtimin e rrugës është edhe “Gjoka Konstruksion”, të cilën qeveria e ka shpërblyer me një bonus sa dhjetë përqind të pikëve. Sipas ofertës së propozuar nga kompania “Gjoka Konstruksion”, rruga do të kushtojë 33.6 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro dhe ndërtimi i saj do të zgjasë 46 muaj. Vepra do të financohet përmes një skemë të përbashkët mes kompanisë private dhe buxhetit të shtetit. Më saktësisht, kompania do të financojë rreth 190 milionë euro nga paratë e veta, ndërkohë që shteti do të paguajë 60 milionë euro të tjera nga buxheti, gjatë periudhës së ndërtimit. Pasi të ketë përfunduar plotësisht ndërtimin, kompania do të paguhet me këste nga buxheti për një periudhë që mund të shkojë deri në 15 vjet, sipas programit 1 miliardë euro të rindërtimit që është lançuar nga Qeveria.
Aktualisht Rruga e Arbrit ka përfunduar plotësisht në 20.1 kilometër, ndërkohë që 15 kilometra të tjerë janë ndërtuar pjesërisht. Kompania private ka propozuar një variant, sipas të cilit gjatësia totale e rrugës është 69 kilometër dhe përfshin një tunel. Veç kostove të ndërtimit, në ofertë kompania ka marrë përsipër edhe mirëmbajtjen e rrugës dhe tunelit për një periudhë 10-vjeçare pas ndërtimit.

S'KA KOMENTE