Sjellja e re politike, qasje në kontekstin shqiptar

73

Nga Dr. Hajri Mandri
Pedagog në Albanian University

Pritet që politika shqiptare të hyjë ne rrjedha të reja dhe të papara ndonjëherë. Konfigurimi i një fronti të ri opozitar do të vejë nën presion të madh qeverinë Rama 2 pasi situata ekonomike, është ende e rënduar, investitorët e huaj nuk duken në horizont, papunësia njeh nivele të papara dhe shpresa se ky vend do të ndryshojë eshtë e mjegullt. Nga ana tjetër pritet të rritet presioni mbi institucionet e drejtësisë me hyrjen në fuqi të SPAK-ut dhe reforma në drejtësi do të fillojë vetëspastrimin e organeve të drejtësisë nga elementi i korruptuar i instaluar prej dekadash në sistem. Ajo që tani presin shqiptarët janë reformat e thella në institucionet publike dhe që do të shoqërohet me përplasje politike të mëdha. Krimi dhe korrupsioni i majmur dhe i kamufluar, i lidhur me një mijë fije do të tronditet po kjo nuk do të thotë që nuk do të kundërqëndrojë. I lidhur me politikën, krimi dhe pushtetarë të korruptuar do të përdorin të gjitha instrumentet për të bllokuar reformat e thella dhe të dhimbshme. Mali i korrupsionit që pret grushtin e drejtësisë përbëhet nga dosjet e qeveritarëve që flejnë me vite.

Populli dhe zgjedhësit e thjeshtë që shohin pasuri përrallore fizike nga njerëzit e tyre dhe komshinjtë, që pak vite më parë, ishin të barabartë, ndërsa pas detyrave të rëndësishme në vendet ku “bëhet lek”, ngritën pasuri të patundshme, të pajustifikuara në asnjë rrethanë, si rrogëtarë të shtetit. Kjo pakënaqësi është akumuluar ndër vite dhe kjo tani ka ardhur në pikën e vlimit. Nëse dështon reforma, atëherë fati i shiptarëve vihet në pikpyetje.  Pak a shumë prioritet e qeverisë dihen pasi ato janë deklaruar edhe në fushatë dhe kudo njerëzit i kanë shpallur hapur kërkesat e tyre themelore komunitare dhe nuk është nevoja për të bërë shou sa për të shtyrë stinën e nxehtë të verës me dëgjesa publike.
Madje këto që dalin nga dëgjesat publike janë pika premtimi nga disa subjekte elektorale.  Modeli që shqiptarët zgjodhën për t’u qeverisur dhe alternativa që ata preferuan nuk jep shanse zhvillimi.
Ajo është po ai model i katër  viteve të shkuara ku mbolli varfëri dhe mjerim, papunësi dhe mungesë perspektive për të hapur punë të reja ndërtimtare. Edhe turizmi që ishte shpresë për gjallërimin e ekonomisë nuk dha rezultatin e pritur.  Partia socialiste u kërkoi shqiptarëve të qeverisë vetëm dhe tani ka votat për ta bërë një gjë të tillë. Të shikojmë performancën e saj. Duke parë miellin dihet buka si do të dalë. Ps-ja ka tani pushtet absolut. Dhe pushteti absolut rrezikon korrupsion absolut.  Ende nuk dihet fuqia opozitariste, hapat dhe strategjia e saj. Nëntori do të na tregojë matjen e forcave dhe balancën pozitë-opozitë. Nëse do të funksionojë, ka gjasa që vendi të fuqizojë demokracinë e brendshme dhe institucionet të marrin seriozitetin që kërkohet. Në horizont për momentin duket një ndarje më e qartë pushtetesh që veprojnë dhe kundërveprojnë dhe kjo është një shpresë e re që na bën të besojmë në konsolidim të shtetit ligjor dhe të demokracisë. Një rol të rëndësishëm do të ketë dhe formatimi i ri dhe pozicionimi i Partisë demokratike, e cila është partia kryesore opozitare. Roli i saj konstruktiv në mbrojtje të vlerave demokratike dhe qëndresa e saj pa u lëkundur dhe me zikzake, do të ishte një garante e fortë e reformave. Liria dhe shteti janë të kundërtat e domosdoshme për jetën e njeriut. Liria na duhet  për t’u mbrojtur nga abuzimet e shtetit, ndërsa shteti na  duhet për t’u mbrojtur të gjithë nga abuzimet me lirinë. PD-ja është para ristrukturimit të plotë dhe të gjithanshëm të saj ku po kalon një gjendje të vështirë të trazimit dhe çrregullimit të rendit të velrave dhe të sistemit oligarkik të kalsifikuar në dy dekada e gjysëm dhe pas dy votimesh refuzuese nga elektorati shqiptar 2013 dhe 2017 është i domosdoshëm shkundja dhe rifreskimi i saj. Duhet të rikonsiderojë strukturat e saj duke bërë një filtrim të thellë të të gjithë strukturave dhe programit e statutit me qëllim të motivohet maksimalisht një strukturë e re drejtuese e  motivuar dhe që nuk është konsumuar dhe majmur në kurriz të demokratëve të thjeshtë që votojnë nga dëshira për demokraci, pa ditur se kë ka në forume.

Gabimet, si shembëlltyra paradigmatike
Gabimet e PD-së përgjatë historisë së saj janë shembëlltyra paradigmatike , ( si njësi në procesin e qarkullimit) prandaj duhen nxjerrë mësime dhe nuk duhen përsëritur. Rol të rëndësishëm të marrë këshilli kombëtar, kryesia dhe të konsolidohet demokracia e brendshme. Të drejtojnë PD-në njerëzit që e duan atë edhe në kohë të mira edhe të vështira, që e duan atë edhe kur u jep karrige edhe kur dalin në punë private. Vështirë të motivosh në një front të përbashkët njerëz idealistë e të përkushtuar në kredin dhe misionin e tyre  dhe të atyre që “kanë lindur me lugë argjendi në gojë”.  U duhet dhënë fund aleancave me subjekte politike apo individë, pa miratim institucional. Natyrisht  partia është organizatë politike që hyn vullnetarisht për të kontribuar dhe mbështetur programin e saj por secili duhet  t’u bindet rregullave dhe të pranojë hierarkinë e vlerave. Pranimi i rendit të vlerave sa është i rëndësishëm është edhe i vështirë pasi ka të bëjë me raporte subjektive të vlerësimit të brendshëm dhe atij të jashtëm të anëtarit konkurues. Ndaj për të shpëtuar nga subjektivizmi dhe gabimet apriori duhet që të ndërtohen mekanizma dhe filtra që përcaktohen në statut dhe bëhen normë politike dhe juridike e anëtarësisë. Ndaj shëndoshja e situatës së brendshme të PD-së është një shpresë e re për demokracinë shqiptare. Politika është përgjegjësi. Në qoftëse merr përgjegjësi politike dhe nuk punon atëherë duhet të konsiderohet  kostoja  e të bërit asgjë. Prandaj analizat debatet dhe llogaridhënia janë forcë lëvizëse brenda një force politike. Nëse dikush merr përsipër të jetë kandidati deputet i Partisë më të madhe në vënd  duhet të jetë responsibël, të njejë përa ata poshtë që e votuan. Ta ilustrojmë me një shembull. Nënkryetari i Partisë Demokratike në degën e Bulqizës filloi një punë intensive për ristrukturimin e PD-së nga seksionet deri te kryesia e partisë dhe ajo kishte një motivim dhe mobilizim shumë të mirë. Konkurimi i Edmondit si kandidat për deputet në Zgjedhjet Parlamentare të 25 Qershorit, i treti në radhe në listën shumëemrore të PD-së për qarkun Dibër, ishte një zgjedhje e mirë nga kryetari Basha dhe në përputhje dhe me propozimin kryesor të degës PD-së Bulqizë. Me këtë fryme dhe objeksion fitorjeje, PD-ja zhvilloi në Bulqizë një fushatë të qetë dhe model, mbështetur në vlerat programore në rang qendror dhe lokal. Pati takime shumë të mira dhe mbresëlënëse të grupit elektoral të degës në çdo fshat dhe lagje votuesish. U arrit rezultati shumë i mirë sa Partia demokratike doli forcë e parë duke lënë pas PS-në që kishte mbështetjen e shtetit, LSI-në që kishte pushtetin vendor dhe strukturat bashkiake në gjithë rrethin. Pavarësisht kësaj PD-ja e qarkut Dibër doli dobët në Mat dhe Dibër dhe kjo bëri që nga tre deputetë që kishte PD-ja në 2013 të marrin dy. Kështu që Edmondi nuk fitoi mandatin për të cilin luftoi dhe punoi.  Një javë pas rezultatit të zgjedhjeve Edmond Isaku ndërmori në sërë takimesh në seksione dhe grupseksione të Partisë për t’i takuar anëtarët dhe simpatizantët. E para për t’i falenderuar për mbështetjen dhe e dyta për t’u qëndruar afër e për t’ju thënë që unë “jam këtu, me ju, përsëri dhe së bashku do vazhdojmë lufën. Kemi humbur betejën jo luftën. Nga strukturat pati një mirënjohje të thellë që shprehej kudo si një meszh që do të vlente për tërë politikën shqiptare në përgjithësi. “Ne -i thanë zgjedhësit, -kemi votuar dhe i kemi bërë deputetë dhe nuk kanë ardhur asnjëherë të na takojnë, dhe herën tjetër kanë ndërruar zonë dhe s’jemi parë me ta. Kurse Juve zoti Edmond, edhe humbët dhe jeni midis nesh këtu, kjo për ne është respekt për votën tonë, për besimin tonë dhe na detyron të punojmë dhe ta forcojmë më shumë punën për rritjen e Partisë Demokratike të Bulqizës.”  Ky është një mesazh që ka të bëjë me një sjellje të re politike që po afirmohet dalngadalë në PD dhe që duhet shkuar drejt lidhjes së fortë të strukturavë drejtuese me seksionet në bazë, atje ku buron mbështetja dhe vota për të cilën më shumë anatemojmë se punojmë. Shpirti nuk do vetëm bukë dhe ujë, do dhe njerëzoren, veprën e mirësisë për t’u përmbushur. Njëkohësisht njerëzit e mençur që drejtojnë Partinë Demokratike duhet që të kuptojnë qartë se cilët janë vlerat që preferon votuesi. Ata, atje larg, të varfërit në fshat, cili është statusi i tyre ekonomik social dhe shpirtëror.

Kriza që ka mbërthyer marrëdhëniet ndërvepruese të shtetarit dhe shtetasit
Cila është kriza që ka mbërthyer marrëdhëniet ndërvepruese të shtetarit dhe shtetasit, të politikanit dhe qytetarit, midis logos-it dhe pathos-it  E vërtata është se ka një ftohje të qytetarit me politikën.  E vërteta është se akoma kemi fshatra dhe lagje që nuk kanë të zgjidhur ujit e pishëm si nevojë jetike apo ujin vaditës si element progresi ekonomik.   Bëjmë mirë të pohojmë se në këto 25 vjet janë të panumërta arritjet dhe ndryshimet cilësore në përmirësimin e jetës së shqiptarëve por demokracia të hap oreksin dhe nuk të shuan urinë, pasi konsumi i vlerave dhe shija estetike e jetës ka arritur nuvele të reja dhe më të larta, prandaj politika duhet të mendojë dhe të punojë ditë e natë për zgjidhje të reja, për daljen nga kriza, për gjallërimin në radhë të parë të ekonomisë sonë që ende nuk po starton ngjitje.  Në hitorinë e politikës ka njerëz që lënë gjurmë në historinë e një komuniteti duke i bërë atij shërbime të shquara e përjashtimore. Kryetari Basha tani duhet të punojë për të maksimalizuar motivimin e intelektualëve që i japin partisë mbështetje reale. Pragmatizmi politik është para së gjithash interes për pushtet. Sipas Hobsit, e drejta natyrore është shuma e të drejtave të pakufizuara të njeriut, ndaj është e natyrshme që individët të bien në konflikt me njëri- tjetrin. Ndaj janë shpikur normat dhe ligjet për rregullimin e marrëdhënieve mes njerëzve. Ka ikur koha e rutinës organizatve, kur njerëzit vraponin pas partive dhe festonin kur pranoheshin anëtarë, tani vrapojnë partitë pas njerëzve, ndaj duhet komunikim i planifikuar, dialog dhe shkëmbim idesh, kërkimi i zgjidhjeve dhe përfshirjes të njerëzve konstruktivistë, që ndërtojnë ide, që prodhojnë ide dhe jo për hir të prezencës historike afatgjatë t’i mbajmë  duke i shndërruar në mite dhe idole, tashmë kur vota për ta po largohet  dhe “lëkura ju vlen pesë grosh”.  Njerëzit protestojnë nganjëherë edhe nga që janë mësuar me të mira pambarim.  Protesta e njeriut kur ka të drejtë, të shqetëson ndërsa protesta e atij që s’ka të drejtë të argëton.  Në fushatën për kryetarin e parties demokratike, u thanë arësyet dhe shkaqet e humbjes së PD-së.  Shitblerjen e votës, largimi i shqiptarëve në emigrim dhe kryesisht demokratë, dalja me vonesë në zgjedhje, ndërkohë që grupet e punës dhe kandidatët duhej të zbrisnin në zonë një vit përpara për të patur kontakte të gjalla me votuesit. Sondazhi italian i televizionit Ora Neës e nxirrte PD-në 36 për qind. Një javë më vonë, në sondazhin e dytë, 37 për qind. Në sondazhin e tretë regjistrohet rënia e parë e opozitës për të mbërritur te shifra 29 për qind e zgjedhjeve reale.

PD, e vetmja forcë politike që konkurroi me një program  konkret
PD ishte e vetmja forcë politike që konkurroi me një program  konkret, i hartuar në bashkëpunim me ekspertët e CDU-së. Kolonat bazë të programit u emetuan nga Çadra  ku u mbajtën për 90 ditë 180 ligjërata nga kryetari Basha dhe nga intelektualë brenda dhe jashtë PD-së. Faktori ndërkombëtar relevant ishte në mbështetje. Këshilltari i zonjës Merkel, mbështeti fuqimisht programin e PD-së. Por partnerët ndërkombëtarë nuk i shqetëson shumë me sa duket, shitblerja e votës. Vëzhguesit e OSBE-së, nënvizuan në raportin e tyre paraprak se pesë për qind e firmave në qendrat e vëzhguara ishin vënë nga një dorë.  Këto janë firma e kartave të bllokuara që nëse përkthehen në votë shkojnë mbi shtatëdhjetë mijë. Shitblerja është kompromisi më i pamoralshëm që u aplikua në atë masë sa cënoi procesin dhe deformoi rezultatin. U shfrytësua varfëria e njerëzve. Shitblerja e votës u shndërrua në një dukuri masive politiko-shoqërore. Pasuria dhe krenaria e të varfërit është nderi, por ai nuk e konceptoi të drejtën e votës si prestigj, apo si instrument për  të përmirësuar të ardhmen e tij, ndaj e shet lirë, e shpërdoron, shpesh herë voton pa ditur as program dhe pa njohur as kandidain për të cilin po voton. Kjo është fusha  ndërvepruese dhe terreni konkret i shitblerjes së votës. Ndaj këto zgjedhje nuk kanë si të konsiderohen si normale pavarësisht qetësisë që u zhvilluan.   Partnerë, amerikanë dhe gjermanë kanë përparësi Reformën në Drejtësi dhe pak vëmendje kanë në këtë problem elektoral.  Elektorati i majtë i regjistruar si fitues realisht i ka fiktive votat pasi ata janë lekë droge dhe krimi. Kjo të bën të mendosh se e djathta shqipatare duhet të rioganizohet dhe të dimensionohet në hapësirat e saja elektorale pasi ajo, edhe në ditën më të keqe, i kundërqëndroi drogës dhe krimit përballë duke mos u gjunjëzuar para tij  në 30 përqindshin e saj. Duhet vlerësuar çdo votë që vjen nga elektorati gri, pasi një kokërr gruri nuk e mbush hambarin por ndihmon të tjerat ta mbushin atë. Marrëveshja Rama-Basha nuk e ndaloi shitblerjen e votës. Skenari “Create the problem and come ëith the solution” (krijo problemin dhe të  dalë me zgjidhje), rezultoi si intrigë politike  në favor të PS-së. Kur të hysh në politikë, së pari duhet të mësosh hilet e saj.  Popujt kanë komplekset e veta. Në kthesa dhe tronditje të forta historike kthehen në psikoza kolektive. Ne duhet të besojmë në fuqinë dhe ristrukturimin e PD-së. Gjithmonë ka rezistencë ndaj ndryshimit. Rezistenca ndaj ndryshimit vjen nga frika se nuk përmbushen interesat e grupit. Duhet të reduktohet kjo frikë për të favorizuar shfaqjen e sjelljeve të reja, modelin e ri. Zakonet e një grupi modifikohen më lehtë se tek një individ. Përgjithsisht inteligjenca nuk motivon ndryshim radikal, ajo mbron interest e veta. Presim vjeshtën dhe shpresojmë në zvillime të reja demokratike me interes kombëtar dhe shoqëror mbarëshqiptar. Njeriu bën më mirë atë që beson më shumë. Jetojmë në shekullin e elipsës të natyrës njerëzore inteligjente.

S'KA KOMENTE