45 kërkesat e dibranëve për kryeministrin

    368

    Pas dëgjesave publike, Rama: Rruga e Arbërit, shqetësimi më i madh i dibranëve

     

    Kreu i ekzekutivit publikon raportin e dëgjesave për Dibrën. Kryeministri: Presim sërish sugjerime

    Shqetësimet që dibranët i kanë shprehur gjatë dëgjesave për bashkëqeverisjen me qytetarët, kryeministri Edi Rama i ka përmbledhur në një raport të cilin e publikoi të shtunën  më 5 gusht 2017 në rrjetet sociale.
    Nga 15 dëgjesa publike të zhvilluara në këtë qark evidentohen problematika si infrastruktura e dobët në akse nacionale, mungesa e ujit të pijshëm, nevoja për investime në sistemin vaditës, investime në rrugët rurale, mungesa e mjekëve specialistë në spitale, etj.
    Infrastruktura e dobët rrugore në aksin nacional Peshkopi-Tiranë dhe në rrugët që lidhin njësitë administrative e fshatrat me rrugën kryesore është sipas këtij raporti problemi më i madh i qytetarëve dibranë.
    Ndërsa problemi i dytë më i madh është mungesa e ujit të pijshëm në disa njësi administrative në bashkitë Klos, Dibër, Burrel dhe Bulqizë. Gjatë dëgjesave me kryeministrin qytetarët kanë shprehur nevojën për investime në sistemin e vaditjes, investime në rrugët rurale, problemet me pronësinë e tokës dhe mbivendosjen e pronës.
    Në listë nuk mungon edhe kërkesa për riorganizimin e Partisë Socialiste. Qytetarët ankohen për mungesën e mjekëve specialistë në spitale rajonale dhe bashkiake dhe problemet me kanalizimin e ujërave të zeza.
    Politizimi i administratës dhe pengesat nga koalicionet LSI e PDIU, si dhe papunësia janë shqetësime të tjera të përfshira në raportin e dëgjesave të kryeministrit, që, siç ka deklaruar, do të kthehen në prioritet të qeverisjes gjatë këtij mandati katërvjeçar.
    Ankesa dhe ajo që është kërkuar më shumë nga dibranët ka qenë rregullimi i rrugëve, e veçanërisht segmentit Tiranë- Peshkopi.
    Ankesa e dytë më e artikuluar nga qytetarët e qarkut të Dibrës ka qenë mungesa e ujit dhe investimeve të mjaftueshme për të, përfshi këtu edhe mungesa e ujit për qëllime bujqësore.
    Por ajo që të bën përshtypje është kërkesa numër 6, ku qytetarët, përfshi dhe ata të qytetit kanë kërkuar riorganizimin e PS-së në këtë qark.
    Nga profili i tij në Facebook, kreu i qeverisë ka ftuar qytetarët që të japin sugjerimet e tyre për gjërat që mungojnë në këtë raport e që mund të shërbejnë në zgjidhjen e problemeve të tyre. “Miqtë e këtij rrjeti nga qarku i Dibrës, janë të lutur të bëjnë sugjerime apo ankesa që sipas tyre mund të mungojnë në këtë raport”-shkruan Rama.

    LISTA E 45 KËRKESAVE
    Problematikat e ngritura në këto takime publike janë me dhjetra, megjithatë, nisur nga shpeshtësia e ngritjes së shqetësimit, veçohen dhjetë çështje prioritare, shumica të lidhura me profilin rural të qarkut dhe përvojën personale të qytetarëve që i kanë ngritur këto çështje. Të renditura sipas prioriteteve, njëmbëdhjetë janë çështjet më shqetësuese të listuara nga stafi i kreut të ekzekutivit.

    1.    Infastruktura e dobët rrugore, aksi nacional Peshkopi-Tiranë, si dhe rrugët që lidhin fshatrat dhe njësitë e ndryshme administrative me rrugën kryesore;
    2.    Mungesa e investimeve në industrinë minerare, si dhe vendosja e taksave për transportin e mineraleve për të mirëmbajtur infrastrukturën rrugore;
    3.    Mungesa e ujit të pijshëm;
    4.    Nevoja për investime në sektorin e vaditjes;
    5.    Nevoja për investime në rrugët rurale/dytësore;
    6.    Problemet me pronësinë e tokës dhe mbivendosjen e pronës;
    7.    Nevoja për riorganizimin e Partisë Socialiste;
    8.    Mungesa e mjekëve specialist në spitale (rajonale dhe bashkiake);
    9.    Kanalizimet e ujërave të zeza;
    10.    Politizimi i administratës dhe pengesat nga koalicionet (LSI dhe PDIU);
    11.    Papunësia.

    STATUSI I MINATORIT DHE MUNGESA E  INVESTIMEVE NË TURIZMIN LOKAL
    Ndërkohë lista e 45 shqetësimeve të dibranëve vijon lidhur edhe me çështje të tjera si: Statusi i Minatorit, rezervuaret vaditëse, transporti i nxënësve në shkolla, rikonstruksion shkollash, përmirësim i ofrimit të shërbimit shëndetësor dhe i urgjencës mjekësore; shërbimi i ekstensionit, mungesa e tregjeve dhe pikave të grumbullimit të produkteve bujqësore, mungesa e investimeve në turizmin lokal, punësimi i mësuesve jo sipas kritereve etj. Ndër problematikat që dibranët i kanë relatuar kryeministrit janë edhe ato që lidhen me OSHEE-në. Këto problematika konsistojnë në kabinat elektrike dhe rrjetin shpërndarës të amortizuar etj. Po ashtu, gjatë dëgjesave publike qytetarë të Dibrës, Bulqizës, Klosit e Matit janë shprehur për mungesën e alternativave për strehim social, për nevojën e afrimit të zyrave të shërbimeve pranë qytetarëve (pagesat e tarifave të OSHEE, ndihma ekonomike, pensionet etj). Në listën e problematikave të evidentuara në rang qarku janë gjithashtu investimet në infrastrukturën sportive, afrimin e sipërmarrjeve private-fasone, hapjen e degëve të reja me fokus agro-pylltarinë si dhe investimet për mbrojtjen e mjedisit.
    Gama e çështjeve evidente për t’u zgjidhur në bashkitë Dibër, Bulqizë, Klos e Burrel, e përmbledhur në grafikët kryeministrorë përfshin gjithashtu nevojën për rritjen e pensioneve të fshatit; infrastrukturën e dëmtuar në institucionet arsimore si dhe diferencimin në pagesën e invaliditetit. Dhe ajo që është themelore, sidomos për Bulqizën është mungesa e investimeve në industrinë e minerave.

    PROBLEMET SOCIALE
    Dibranët janë shprehur gjatë dëgjesave publike me të dërguarit e kryeministrit edhe për mungesën e hapësirave rekreative, mungesën e një kinemaje, infastrukturën e prapambetur në institucionet arsimore dhe klasat kolektive. Ndërkohë nga këto dëgjesa janë evidentuar edhe problematika që lidhen me subvencionimin e energjisë për pompat që përdoren në kanalet vaditëse, çmimet e larta të imputeve dhe pesticideve si dhe çmimin e lartë të naftës. Në grafikët e hartuar nga stafi kryeministror, përsa i përket Qarkut Dibër janë listuar gjithashtu: mungesa e aksesit në shërbimin mjekësor parësor (mjekët në fshatra nuk shkojnë vazhdimisht); çështje të shpronësimit, rritje e kontrollit për lejet e shfrytëzimit të HEC-eve; mungesa e infrastrukturës për tregtimin e gjësë së gjallë/produkteve blegtorale; mungesa e tregjeve etj.
    Por dibranët i kërkojnë kryeministrit edhe rishikimin e largësisë së vendndodhjes të organeve administrative, ndërkohë që janë shprehur dhe për vonesa në përgatitjen e dosjeve të pensioneve, keqmenaxhimin e mbetjeve urbane si dhe për sistemin gjyqësor të korruptuar.

    RAPORTI MBI DËGJESAT
    Në kuadër të nismës “Bashkëqeverisje me njerëzit për Shqipërinë që duam”, gjatë muajit korrik në qarkun e Dibrës u organizuan disa takime të hapura me qytetarë të katër bashkive dhe të njësive administrative të tyre. Sipas kryeministrit Rama, janë zhvilluar 15 dëgjesa publike të hapura në qark (Peshkopi, Maqellarë, Melan, Tomin, Kastriot, Bulqizë, Shupenzë, Gjoricë, Klos, Burrel, Komsi). Në këto takime kanë marrë pjesë edhe banorë të fshatrave të largët. Stafi kryeministror ka evidentuar interesin e qytetarëve në këto dëgjesa, shumica prej të cilëve kanë qenë mjaftë aktivë në ngritjen dhe pasqyrimin e problematikave.
    Sa i takon metodologjisë së takimeve, ato kanë qenë takime të hapura, publike dhe të njoftuara paraprakisht si në media sociale, ashtu dhe në media konvencionale, për të mundësuar afrimin e një numri të madh qytetarësh të interesuar për të shprehur shqetësimet, nevojat dhe problemet e komuniteteve respektive.
    Ndërsa lidhur me tipologjinë e audiencës dhe pjesëmarrësve në turin e dëgjesave publike, stafi kryeministror thekson nivelin e lartë të heterogjenit partiak, si dhe grupeve të ndryshme të interesit, fakt ky që i bën ato më të përgjegjshëm ndaj shqetësimeve dhe neojave të tyre.
    Dhe padyshim, Rruga e Arbërit ka qenë shqetësimi më i madh i dibranëve, i shprehur edhe në këto dëgjesa publike me të dërguarit e kryeministrit Rama.

    S'KA KOMENTE