Gollobordasit, kontribut konkret në periudhën e shpalljes të pavarësisë

125

Nga Agim BEKTESHI

(Vijon nga nr.27, qershor 2017)

Golloborda dhe gollobordasit kanë dhënë kontribut konkret, me luftë e gjak në periudhën e shpalljes dhe konsolidimit të pavarësisë së Shqipërisë, duke rezistuar e luftuar trimërisht brenda krahinës, por dhe duke marrë pjesë me armë në dorë në ndeshjet luftarake kundër serbëve, gjer në Shkodër, Dibër, Topojan e Xibër, madje duke dhënë jetën edhe nëpër burgjet e tmerrshme të Zemunit të Serbisë, sikurse tregon gjeografia e vendeve ku kanë dhënë jetën dëshmorët e rezistencës antiserbe me origjinë nga Trebishti. Vetëm falë këtij kontributi luftarak me armë në dorë, bijtë e Trebishtit dhe Gollobordës kanë fituar të drejtën historike të kontributorëve të shpalljes dhe konsolidimit të shtetësisë shqiptare. Nuk janë pak, por janë dymbëdhjetë vjet luftërash e mundimesh të mëdha, që duhet të evidentohen, të vlerësohen e të nderohen ashtu siç e meritojnë. Është jeta, gjaku dhe mundimi i të parëve tanë, që na fton të jemi realistë e objektivë, që të kuptojmë se ai gjak nuk është derdhur nga njerëz që nuk dinin se çfarë bënin, sepse politika serbe nuk mund të mashtrohej aq lehtë, sikurse duan të na thonë disa njerëz sot. Serbia e më vonë Jugosllavia, u detyruan të respektojnë kufirin gjeostrategjik të kreshtës së lumit Drin i Zi, jo për arsye të disa makinacioneve të supozuara, por në radhë të parë sepse ashtu ishte vullneti i popullit të Gollobordës, i cili qysh në fillim bashkoi fatin e vet me fatin e gjithë Shqipërisë, duke i treguar gjoksin ushtrive serbo – jugosllave. Përçapjet e Shqipërisë lidhur me këtë çështje gjatë periudhës së rektifikimit të kufijve midis saj dhe Jugosllavisë, janë një faqe fitimtare e diplomacisë shqiptare, por që kurorëzon në radhë të parë gjakun e martirëve të shumtë të Gollobordës në themelet e Shqipërisë. Gjithmonë duhet të mbahet parasysh se rruga që i dhanë fatit tonë të parët tanë në vitet 1912 – 1924, ishte sintezë e mbi njëmijë viteve dhunë, vrasje e krime të shumta, që bëheshin kryesisht nga ushtri e banda serbe mbi popullin gollobordas. Kjo kishte ndodhur sepse gollobordasit në masë dërmuese kishin qenë heretikë bogomilë, e tani qenë të përkatësisë kryesisht islame. Gjer në fund të Luftës së Dytë Botërore, dora e zgjatur e Serbisë dhe Jugosllavisë është përpjekur parreshtur të përzihet në punët e Gollobordës. Puna e parë për të cilën u kujdes shteti i sapokrijuar jugosllav, ishte vendosja e Gollobordës nën një rrethim të hekurt ushtarak, duke instaluar në kufi me të trupa të shumta ushtarake. Një kompani ushtarake u vendos në fshatin Llabunisht, ndërsa një togë në fshatin Otishan, si një presion i drejtpërdrejtë, kurse një mori postash ushtarake u vendosën në fshatrat Lladomericë, Xhepisht (afër Trebishtit), Lloec (afër Trebishtit), Pollobordë (afër Trebishtit), në majë të malit të Torecit (afër Trebishtit), në Vetornik (midis Trebishtit e Steblevës), në Raduç (sipër Trebishtit), etj. Emrat e këtyre vendeve skicojnë darën e hekurt serbo – jugosllave rreth e rrotull Gollobordës, e posaçërisht përqark Trebishtit, që ka qëndruar dhe qëndron si një fortesë e pamposhtëshme e heroizmit gollobordas pranë brigjeve të Drinit të Zi. Pasojë e përzierjes së Serbisë dhe Jugosllavisë në Gollobordë, në vitet në vazhdim ishte një kryengritje në tentativë, për të cilën më 13 dhjetor 1926 zëvendës komandanti i Lindjes S. Libohova, njoftonte eprorët e vet se një informator i ardhur nga Dibra kishte dhënë informacion për një mbledhje në Veleshtë të Ohrit, dhe për një kryengritje nga Golloborda e Çermenika.

Shteti shqiptar kishte fituar aftësinë e mjaftueshme për t`ua  djegur nëpër duar planet dhe synimet serbo – jugosllavëve
Dështimi i asaj kryengritjeje në tentativë, e ideuar dhe drejtuar nga krerët më të lartë të shtetit jugosllav të asaj kohe, tregon se shteti shqiptar kishte fituar aftësinë e mjaftueshme për t`ua djegur nëpër duar planet dhe synimet serbo – jugosllavëve. Deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, serbët vepruan kryesisht përmes aktivizimit të disa priftërinjve. Rol aktiv në drejtim të Gollobordës ka luajtur prifti i fshatit Modriç; Andon Bllazhev, por dhe ai i Drenokut; Riste Marku, që të dy fshatra të Gollobordës në Jugosllavi. Në veprimtarinë e këtyre priftërinjve ndaj Gollobordës e kishte bazën urrejtja e njohur dhe legjendat që qarkullojnë edhe sot në Gollobordë, ndonjëherë jo krejt pa baza, por që implikonin padrejtësisht edhe priftërinjtë e tjerë të Gollobordës dhe fshatrave kufitare me të. Më 25 shtator 1936: “Prefekti i Dibrës njoftonte se atasheu ushtarak jugosllav në Tiranë kishte ardhur nga Dibra, dhe pasi vizitoi autoritetet ishte nisur drejt Gollobordës. Më 28 shtator 1936, prefekti Veli Vasjari njoftonte Zyrën Sekrete se atasheu i Legatës jugosllave pasi ka bërë takimet që përmenden më sipër, thotë se ka pyetur priftin e fshatit Gjinovec, të cilin e ka takuar në hotel, se çfarë gjuhe flisnin banorët e atyre anëve. Prifti i ka thënë: “shqip”. Edhe një herë tjetër është rasti të konstatojmë sesi nga një serb është tentuar të spekulohet me çështjen e gjuhës sllave, që fliste dhe flet popullsia e disa fshatrave të krahinës së Gollobordës, midis tyre edhe Gjinoveci. Në harkun kohor midis viteve 1912 – 1924, në Gollobordë vepronin dy linja antagoniste me njëra – tjetrën, në të cilat lëviznin shumë aktorë. Linja e parë ishte rezistenca e popullit nën drejtimin e elementit të shëndoshë atdhetar, kundër raprezaljeve të ushtrive serbo – malazeze. Linja e dytë ishte ajo e intrigave dhe prapaskenave të feudo – borgjezisë shqiptare, në luftë për konsolidimin e pushtetit të saj politik dhe ekonomik. Populli e pati të vështirë të kuptonte arsyen e marshimit të forcave ushtarake nëpër Gollobordë, të mbështetura me topa e mitralozë, që viheshin në veprim për të zgjidhur kontradiktat e brendshme politike, duke trembur popullin e pafajshëm. Mirëpo mentaliteti konfliktual e brigantesk, ishte karakteristika dalluese e aktorëve politikë. Eqerem bej Vlora, njëri nga aktorët politikë kryesorë të kohës, e përshkruan kështu situatën në prag të revolucionit të qershorit të vitit 1924, ngjarje e cila më shumë sesa një revolucion i vërtetë social, ishte një episod anarkik ku bien në sy përplasjet e egra për pushtet politik dhe ekonomik të feudo – borgjezisë shqiptare. -“Kryeministri i ri Iljaz bej Vrioni, – shkruante Eqerem bej Vlora, – i qëndroi besnik parimit të mosveprimit dhe dha urdhër të shmanget çdo gjakderdhje. Kështu ndodhi që rebelët i shpëtuan ndëshkimit të merituar, dhe më 2 qershor morën Beratin e Lezhën, më 8 qershor Lushnjën e Peshkopinë, më 9 qershor Kavajën, dhe më 10 qershor Tiranën. Dy ditë më parë, anëtarë të Qeverisë dhe deputetë kishin ikur në brendësi të vendit, ose nëpërmjet Durrësit jashtë vendit. Ndërsa Zogu vetëm atë ditë, bashkë me njerëzit e tij ishte larguar në Homesh. Kishte mbaruar kështu edhe akti i dytë i komedisë. Një turmë e mbledhur dosido, pa lidhje të brendshme, pa një ideal të përbashkët, pa një organizim, e shtyrë dhe e njësuar vetëm nga ambicia e lakmia, e panjohur dhe pa përvojë, kishte fituar dhe kishte marrë në dorë fatet e vendit, vetëm e vetëm ngaqë ish klasa e lartë nuk kishte arritur të luante rolin e saj”. Ky ishte këndvështrimi i njërit nga përfaqësuesit e klasës së “lartë” shqiptare, që gjykonte mbi veprimtarinë e klasës së “ulët” shqiptare.
Por gjendja e punëve në terrenin shqiptar ishte shumë më komplekse se këndvështrimi i tij, gjë që flet për miopinë e klasës së “lartë” shqiptare. Ahmet Zogu, nga Homeshi i Dibrës i shkruante Elez Isufit këto fjalë: “Elez Isufit, Sllovë. Deri sa jeni ju aty, luftën e konsideroj të fitueme”.

Elez Isufi vepronte siç e urdhëronte ndërgjegja dhe interest  kombëtare
Ndërkaq Elez Isufi kishte planet e veta, ndaj vepronte siç e urdhëronte ndërgjegja dhe interesat e tij, duke u bashkuar me Bajram Currin, kundërshtarin e Zogut, i cili po marshonte për në Tiranë. Plagosja e Ahmet Zogut më 23 shkurt 1924 në Asamblenë Kushtetuese nga Beqir Valteri dhe vrasja e Avni Rustemit, ishin dy ngjarje që e thelluan më tej humnerën e ndarjes dhe kontradiktat e ashpra midis dy blloqeve më të mëdha të politikës shqiptare, prapa të cilave qëndronin forca e shtete agresive që kishin synime të hapura aneksioniste ndaj Shqipërisë. Kriminelët dhe të arratisurit e shumtë, mercenarë të fuqive të huaja, sidomos të Serbisë e Jugosllavisë, si në gjithë situatat e tjera që kishte kaluar Shqipëria, Dibra e Golloborda, edhe në këtë situatë morën herë krahun e njërës palë, herë krahun e palës tjetër. Fakti që ata shfaqeshin si forca vepruese gjoja autonome dhe pranoheshin nga palët, tregon sesa larg interesave të popullit ishin aktorët e teatrit butaforik të pseudo patriotizmës shqiptare; bijtë e klasës së “lartë” shqiptare. Ndërsa kur prapa atyre forcave gjoja autonome qëndronte dora e fshehtë e Serbisë, nuk është e vështirë të kuptojmë atë që pritej të ndodhte në terrenin shqiptar.-“Në një pjekje që bani oficeri ynë me atë të Jugosllavisë sot në kufi të Bllatës, oficeri jugosllav ka thënë se të arratisurit shqiptarë sonte do të hyjnë në Shqipëri dhe s’mundemi me i ndalue. Paria, përveç Elez Isufit, e gjitha na tradhtoi. Elezi me Reçë e Dardhë ndodhet në Peshkopi. Të arratisurit sot do të mësyjnë prej tri anësh: Gollobordës, Maqellarës e Skërtecit. Gjendja e këtij qarku është fare e rrezikshme”. Kështu shkruhet në një dokument të kohës. Përsëri Golloborda do të përfshihet brenda teatrit të veprimeve luftarake të palëve të përfshira në konflikt, që është këtë radhë konflikt për pushtetin ekonomik e politik. Të arratisurit që do të mësynin nga Jugosllavia qenë pikërisht esadistët e djeshëm, ish mercenarët e llojit Xhelal Kosturi, Arif Hikmeti, etj; njerëz të hurit e të litarit, që pranuan të luftojnë për interesa të Serbisë në Gollobordë e Dibër. Këto forca regresive e antikombëtare mendonin se kishin arsye ti bashkëngjiten kujtdo, mjaft që të zhvatnin ndonjë llokmë nga pushteti. Në telegramin e nënprefekturës së Qukësit dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, me anë të cilit njoftohet mbi përgatitjen në Strugë të çetave zogiste për të sulmuar Qafë – Thanën, Gollobordën dhe Çermenikën, shkruhet: “Qukës, 8 dhjetor 1924. Tel. nr. 5, rezervat. Simbas informatave, Selaudin Blloshmi ka ardhur prapë në Radolisht të Strugës, ku ka zyrën që punon. Nëntoger Qerim Shkodra ka ardhë në Strugë me 1000 ushtarë kosovas e struganë, katër topa, dy për në Qaf – Thanë dhe dy për në Gollobordë. Kasem Alla prej Zgozhdës, si kryetar çeteje e kanë vendosur të sulmojë në Gollobordë, për me hy në Gollobordë”. Dihen mirë bëmat e disa cubave dhe brigantëve të Zgozhdës, Letmit, Sebishtes dhe ndonjë fshati tjetër të Dibrës e Librazhdit mbi gollobordasit “e popullit të urtë dhe punëtor”. Nuk ka qenë e vështirë të mësojmë se çfarë ishin edhe ata mijëra ushtarë kosovas e struganë që mësynin mbi tokën e Dibrës e të Gollobordës, pasi regjistroheshin, stërviteshin e financoheshin nga Serbia. Një burim i historisë, tregon se “Në Beograd ishin çelur një numër qendrash rekrutimi, në të cilat shkonin për tu regjistruar gjithë ata që dëshironin të merrnin pjesë si mercenarë (për 4 napolona) me ekspeditën që organizohej kundër qeverisë shqiptare. Në radhët e këtij tabori futeshin, veç bashibozukëve të ikur bashkë me Zogun, fundërrina nga popullsia shqiptare e Kosovës, aventurierë pa atdhe të tipit të “Legjionit të huaj”.
Prej dokumenteve historike të botuara merret vesh se të arratisurit dhe brigantët dibranë e librazhdas që e kishin torturuar popullin e Gollobordës në kohë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e në vijimësi, e konsideronin rutinë dhe normalitet që të vazhdonin paudhësitë e tyre mbi jetën e popullit të disa fshatrave të Gollobordës. Gollobordasit duke kuptuar qëllimin e palëve të përfshira në konflikt, refuzuan të përfshihen pas njërit ose tjetrit bllok, sikurse ndodhi edhe me disa krahina të tjera të vendit. Vazhdimi i konfliktit nuk lejonte prosperitetin e vendit dhe përmirësimin e jetës së popullit punëtor. Populli “i urtë dhe punëtor” i Gollobordës, si mbarë populli punonjës shqiptar, ishte i inetresuar për rendin, prosperitetin dhe qetësinë. Nga përvoja e vet, populli i Gollobordës e dinte se këto mund të bëheshin të realizueshme vetëm në zbatim të ligjit e përmes punës paqësore. Kështu i kishin kuptuar situatat edhe shumë vise të tjera dibrane, që nuk morën përsipër të kontribuojnë për palët e përfshira në konflikt, të cilat edhe ushqimin e vet e të trupave që komandonin, u detyruan ti sigurojnë në magjet e Serbisë dhe Jugosllavisë, ku më parë ishin paguar si mercenarë ordinerë që luftonin kundër popullit dhe Atdheut të vet. -“Informohemi prej njeriut që kishim dërguar në Zerqan, se Zogu me fuqinë e vet prej 200 vetash gjendet në Homesh, dhe ushqimin është tuj e marrë prej Serbisë. Gryka e Madhe e Bulqizës, një pjesë e Gollobordës dhe dy Grykat e Vogla, janë kundra Zogut dhe presin fuqinë qeveritare që të bashkohen. Vonimi i vajtjes së fuqisë mund të demoralizojë popullin kundërshtar të lart përmendur”, – thotë një burim tjetër i historisë. Edhe ky episod është një shembull tjetër që dëshmon qartë se gollobordasit kanë mbajtur gjithmonë qëndrime e veprime në përputhje me fuqitë progresive shqiptare, të cilat punonin e luftonin për sovranitetin dhe integritetin shtetëror shqiptar. Nga njohja e realizuar për historinë e Gollobordës, rezulton se gollobordasit si komunitet, në asnjë rast nuk u bënë ortakë apo vegla të shteteve që kishin synime aneksioniste ndaj Shqipërisë, e as të atyre rrymave që e shisnin Atdheun sa herë u voliste të vepronin ashtu.

1912 – 1924,  nga etapat më dramatike, por dhe më heroikja e jetës së gollobordasve
Periudha midis viteve 1912 – 1924, të cilën e vështruam në këtë punim, është njëra nga etapat më dramatike, por dhe më heroikja e jetës së gollobordasve. Janë dymbëdhjetë vite të njërit nga udhëkryqet më të rrezikshëm të historisë së popullit të Gollobordës, të cilët e kthyen vatrën tonë atërore në pellg gjaku dhe në ferr të tmerrit. Si e tillë, kjo periudhë ka lënë mbresa të thella në jetën dhe formimin e brezave njerëzorë të Gollobordës. Por ajo që mbetet si vlerë historike dhe krenari legjitime e brezave të sotëm e të ardhshëm gollobordas, është rezistenca dhe kontributi heroik i popullit të Gollobordës krah për krah me popullin e gjithë viseve të Dibrës e të Shqipërisë, në periudhën e themelimit dhe konsolidimit të shtetit modern shqiptar. Krenaria jonë i ka rrënjët në gjakun dhe veprën e stërgjyshërve, gjyshërve e baballarëve tanë, trima e punëtorë, të urtë dhe fisnikë. Trebishti e Golloborda janë trualli ku kanë lindur luftëtarë të paepur për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë, për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe të lirisë së saj. Trebishti e Golloborda janë një trëndafi l i kuq, që çel lule e vaditet në përrenj gjaku dhe në lumenj dhimbjesh e mundimesh të mëdha të popullit të saj. Në ngjyrat e flamurit kuq e zi, nën kushtrimin e të cilit kemi luftuar e punuar, ka edhe nga e kuqja e gjakut të dëshmorëve të Trebishtit dhe Gollobordës, ashtu sikurse në zinë e tij, ka nga zija e Trebishtit dhe Gollobordës për bijtë e vet dhe të gjithë Shqipërisë, që dhanë jetën duke luftuar për tokën ku jetojmë.
Referencat bibliografike
(mund të mos vihen)

1.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, 18/1, vjeshtë e parë, viti 1913. Faqe 3.
2.Bahri Beci: “Pakicat kombëtare në Shqipëri janë respektuar”. Marrë nga ëëë.edsh.org.
3.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, e ditës së shtunë, 11/24 kallnuer 1914. Shkruar nga MESTIK,
(pseudonim i autorit).
4.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, 25/8, vjeshtë e parë, viti 1913. Faqe 5.
5.Arben Puto: “Pavarësia Shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha”. Faqe 445.
6.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, 28/10, vjeshtë e parë, viti 1913.
7.Arben Puto: “Pavarësia Shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha”. Faqe 450.
8. Po aty: Faqe 450.
9. A. Puto: “Pavarësia e Shqipërisë dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha”. Faqe 498 – 499.
10.Po aty: Faqe 503.
11.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, 14/27, dhjetuer i vitit 1914.
12.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, 6/19, Vjeshtë e tretë 1913.
13.Shih “Burime Tregimtare Bizantine për historinë e Shqipërisë (shekulli 10 – 15). Faqe 133.
14.Thoma Murzaku: “Politika e Serbisë ndaj Shqipërisë gjatë luftës ballkanike (1912 – 1913)”. Faqe 207.
15.Po aty: Faqe 207.
16.Th. Murzaku: “Politika e Serbisë ndaj Shqipërisë gjatë luftës ballkanike…….”. Faqe 238.
17.Th. Murzaku: “Politika e Serbisë ndaj Shqipërisë gjatë luftës ballkanike…”. Faqe 239.
18.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, numër 2/15, Vjeshtë e dytë e vitit 1913.
19.“Visaret e Kombit”, volumi 14, botim i vitit 1940. Faqe 88.
20.“Visaret e Kombit”, volumi 14, botim i vitit 1940. Faqe 88.
21.“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, botim i vitit 1985. Faqe 561.
22.Marrë nga Interneti, në adresën: genti 123. ëebs.com. “Kryengritja Shqiptare e vjeshtës së vitit 1913”.
23.Marrë nga gazeta “Rruga e Arbërit”, numër 9(77), e muajit shtator të vitit 2012. Shkruar nga R. Torte.
24.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, e mërkurë 15/28, kallnuer 1914. Faqe 5.
25.Shih gazetën “Përlindja e Shqipërisë”, e datës 11/24 kallnuer 1914, dhe atë të datës 15/24 kallnuer të vitit 1914.
26.Shih gazetën “Përlindja e Shqipërisë”, të datave: 25/7 dhjetuer të vitit 1913; 1/14 kallnuer të vitit 1914;
4/17 kallnuer të vitit 1914; dhe atë të datës 8/21 kallnuer të vitit 1914.
27.Kristo Frashëri: “Historia e Dibrës”. Faqe 341.
28.Shih gazetën “Përlindja e Shqipërisë”, të datave: 25/7 dhjetuer të vitit 1913; 1/14 kallnuer të vitit 1914;    ajo e datës 4/17 kallnuer të vitit 1914; dhe atë të datës 8/21 kallnuer të vitit 1914.
29.Kristo Frashëri: “Historia e Dibrës”. Faqe 344.
30.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, e mërkurë 2/15, Vjeshtë e dytë 1913.
31.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, 6/19, Vjeshtë e tretë e vitit 1913.
32.Gazeta “ Përlindja e Shqipërisë”, e mërkurë 9/22, Vjeshtë e dytë 1913.
33.“Qeveria e Përkohëshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj (28 Nëndor 1912 – 22 janar 1914)”, botim i vitit 1963. Faqe 204.
34.Po aty: Letër e Komandantit të xhandarmarisë së Gollobordës, dërguar prefektit të Elbasanit. Fq 251.
35.Po aty: Letër e Aqif Pashë Elbasanit, prefekt i Elbasanit, drejtuar Hasan bej Vuçiternit. Faqe 252.
36.Shyqyri Demiri: “Histori e shkurtër e trevës së Elbasanit, nga neoliti deri më 1939”. Faqe 125.
37.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, e ditës së mërkurë, 15/28 kallnuer të vitit 1914. Faqe5.
38.“Qeveria e Përkohëshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj………”. Faqe 291 – 292.
39.Po aty: Faqe 293 – 294.
40.Po aty: Aqif Pashë Elbasani informon Qeverinë e Vlorës. Faqe 294 – 295.
41.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, 9/22, Vjeshtë e tretë e vitit 1913. Faqe 5.
42.“Qeveria e Përkohëshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj (28 Nëndor 1912 – 22 janar 1914)”. Botim i
vitit 1963. Faqe 303 – 304.
43.Ramazan Hoxha: “Stebleva – histori dhe figura”. Faqe 118.
44.Lumo Skendo: “Diturija”, Tiranë 1999. Faqe 334.
45. “Visaret e Kombit”, vëllimi i 14. Faqe 95.
46. “Qeveria e Përkohëshme e Vlorës dhe…… (28 Nëndor 1912 – 22 janar 1914)”. Faqe 309 – 310.
47.Muin Çami: “Shqipëria në marrëdhëniet ndërkombëtare (1914 – 1918)”, botim i vitit 1987. Faqe 187.
48.Shaban Braha: Monografia “Idriz Seferi”, botim i vitit 198. Faqe 215 – 216.
49.Edit’h Durham: “Njëzetë vjet ngatërresa Ballkanike”. Faqe 272.
50.Ismail Strazimiri: “Kujtime, 1914 – 1931”. Marrë nga Strazimirifamily.blogspot.com (Publikuar pa numër      faqesh).
51.Muin Çami: “Shqipëria në marrëdhëniet ndërkombëtare (1914 – 1918)”. Faqe 188.
52.Po aty: Faqe 185.
53.Shaban Braha: Monografia “Idriz Seferi”. Faqe 206.
54.Hilmi Sadikaj: “Gollobordasit e Dibrës”. Faqe 191.
55.Ismail Strazimiri: “Kujtime, 1914 – 1931”. Interneti; Strazimirifamily.blogspot.com (Publikuar pa numër faqesh).
56.Kristo Frashëri: “Historia e Dibrës”. Faqe 213.
57.Po aty: Faqe 216.
58.Muin Çami: “Shqiptarët dhe Francezët në Korçë, 1916 – 1920 ”. Faqe 38 – 39.
59.Ismail Strazimiri: “Kujtime, 1914 – 1931”. Marrë nga Strazimirifamily.blogspot.com. (Publikuar pa      numër faqesh).
60. Hilmi Sadikaj: “Gollobordasit e Dibrës”. Faqe 71.
61.Shih gazetën “Përlindja e Shqipërisë”, e dates 11/24 kallnuer 1914; dhe atë të datës 15/28 kallnuer i      vitit 1914.
62.“Studime Historike”, nr 2, viti 1988. Faqe 108.
63.“Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare 1918 – 1920”, botim i vitit 1970. Faqe 220.
64.Paskal Milo: “Shqipëria dhe Jugosllavia (1918 – 1927)”. Faqe 118.
65.Sejfi Vllamasi: “Ballafaqime politike në Shqipëri” (1897 – 1942). Nga interneti, në adresën wwwmnvr.org.
66.Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, e datës 18/1, Vjeshtë e parë e vitit 1913.
67.Revista: “Për Mbrojtjen e Atdheut”, organ i Ministrisë së Mbrojtjes të R.P.S.SH, nr 9, viti 1985. Fq 65.
68.Revista: “Për Mbrojtjen e Atdheut”. Faqe 69 – 70.
69.“Enciklopedia e Elbasanit”. Faqe 116.
70.Kristo Frashëri: “Historia e Dibrës”. Faqe 395 – 396.
71.Haxhi Lleshi: “Vite – Njerëz – Ngjarje – Kujtime”. Botim i vitit 1996. Faqe 90.
72.Kastriot Dervishi: “Shërbimi Sekret Shqiptar, (1922 – 1944)”. Faqe 222.
73.Po aty: Faqe 79.
74.Kastriot Dervishi: “Shërbimi Sekret Shqiptar (1922 – 1944)”. Faqe 187.
75.Po aty: Faqe 234.
76.Gazeta “Tirana Observer”, e enjte 1 nëntor 2007. Faqe 9.
77.“Revolucioni i qershorit 1924 në kujtimet e bashkëkohësve”. Faqe 182.
78.“Dokumenta e materiale nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci (1917 – 1941)”. Fq 201 – 202.
79.“Studime Historike”, nr 4, viti 1973. Faqe 152.
80.Arben Puto: “Demokracia e rrethuar”. Tiranë 1990. Faqe 228.
81.“Studime Historike”, nr 4, viti 1973. Faqe 12.

S'KA KOMENTE