Selami në Bulqizë: Do vlerësoj kontributet e të gjithë demokratëve

57

Në kuadrin e garës për kryetar të Partisë demokratike, fituesi i së cilës do të dalë nga votimet e datës 22 korrik 2017 nga të gjithë demokratët me parimin “një anëtar, një votë”, Eduard Selami ishte në takim me anëtarësinë e Partisë Demokratike në Bulqizë. Selami u tha anëtarëve të PD se konkuronte përballë Bashës për të fituar dhe për të sjellë një drejtim ndryshe të PD-së. Basha, sipas tij gaboi me sloganin “Republikë e re”. “Kjo vetëm Republikë e Re nuk është. Ky është një veprim autoritar i së kaluarës që unë mendoj se pandrequr këtë gjë nuk mund të arrijmë synimet tona”, u shpreh Eduard Selami, kandidat për kreun e PD.
Selami tha gjithashtu se duke qenë ai kryetar i PD, kjo e fundit do të ringrihet fuqishëm në të gjithë vendin:
“Ne duam që ta ringrejmë Partinë Demokratike si forcë e parë, aty ku i takon, në të gjithë Shqipërinë. Jam i sigurt që do ta bëjmë., duke vlerësuar kontributet e të gjithë demokratëve”, tha Selami.
Sa i përket marrëveshjes me Ramën, Selami tha se strukturat e partisë duhej të viheshin në dijeni.
“Unë nuk jam dakord, si bëhet kjo. Hajde mbledhim sesionin. Mbledhim këshillin e degës së Bulqizës, ta dimë”, tha ndër të tjera Selami.
Kandidati për kreun e PD-së është shprehur gjithashtu kundër marrëveshjes Rama-Basha të 18 Majit.
“Marrëveshja me Edi Ramën u bë në fshehtësi të plotë. Kush nga demokratët e di se çfarë ishte dhe çfarë përmban ajo marrëveshje dhe kush nga demokratët u pyet për atë marreveshje?”, -tha Selami.
Ai u shpreh se nuk është kundër marrëveshjeve, ndërsa nëse do të jetë ai kryetar i ardhëshëm i PD-së, çdo lëvizje do të konsultohet me strukturat e partisë.
“Nuk jam kundër marrëveshjeve por kur të jem unë kryetar, çdo marrëveshje apo aksion politik do të konsultohet me strukturat e partisë. Vetëm demokratët e thjeshtë e dinë se çfarë është më e mira për ta dhe unë do jem i mandatuari që të ndjek të gjitha rrugët për ta arritur atë”, përfundoi Selami.

S'KA KOMENTE