REFLEKSION PASZGJEDHOR

627

Nga Edmond Isaku

Në zgjedhjet parlamentare të datës 25 qershor 2017, PD-ja u rendit e para në bashkinë e Bulqizës me 5429 vota, duke lënë pas  PS me 5153 vota. Ndërsa  LSI dhe PDIU morën respektivisht 4225 dhe 1607 vota.  Në rang bashkie votuan 17.135 zgjedhës nga 29.384 të regjistruar në listat zgjedhore. Nga 8 njësi administrative, PD fitoi në katër prej tyre: Shupenzë, Fushë-Bulqizë, Zerqan dhe Ostren.  Në qarkun e Dibrës dega më e organizuar paraqitet ajo e Bulqizës. Partia demokratike arriti të dalë forcë e parë elektorale në bashkinë Bulqizë dhe kjo vjen se ajo kishte mbi një vit që po punonte intensivisht me strukturat e saj. Kryetari i degës,  zoti Defrim Fiku dhe kryesia e degës PD-së Bulqizë bënë një fushatë të qetë dhe të detajuar me detyra të përcaktuara qartë për çdo seksion dhe grupseksion. Një fushatë e mbështetur në alternativat që paraqiti PD-ja në rang kombëtar dhe në bazë bashkie pati efekte pozitive. Opinioni i mirë që publiku bulqizak kishte për kandidatin për deputet dhe për drejtuesit e degës së PD-së bënë që në  këtë bashki, PD-ja, pas tetë vitesh t’i rikthehet vendit të parë. Motivimi i strukturave të PD-së ishte në një nivel të lartë. Ata përballuan presionet mbi votuesit që vinin nga shumë faktorë. Edhe në Bulqizë pati deformim të votës pasi PS-ja, LSI dhe PDIU bënë presion me vendet e punës, me para, me premtime klienteliste që përbënin një klimë mjaft mbytëse dhe e mbajtën elektoratin nën presion të vazhdueshëm. Ndryshe nga dega e PD –së Bulqizë, në degën e Dibrës nuk pati motivim të strukturave të degës. Përçarja, interesat e ngushta meskine të anëtarëve të kryesisë së kësaj dege nuk arritën të bashkëpunojnë me kandidatin për të krijuar frymë fitoreje dhe e katandisën degën e Dibrës në rezultatin më të ulët që ka patur ndonjëherë kjo degë për 27 vjet.

Përfaqësues dhe anëtarë të PD-së jo vetëm që nuk kontribuan për të rritur dhe maksimalizuar rezultatin e PD-së por disa ndikuan negativisht me heshtjen, disa u shitën dhe u vunë në dispozicion të forcave kundërshtare politike.  Të shumtë janë ata që u thyen nga presioni i PS-së, LSI-së dhe PDIU-së për të mbajtur punën si punonjës të shëndetësisë dhe arsimit apo administratës dhe punonjësve të shërbimit. Kjo trysni politike nga njëra anë dhe blerja e votës nga ana tjetër, nga të trija partitë në bashkëqeverisje,  bëri që degët e PD-së Dibër e Mat të binin në demotivim duke e lënë fushatën në “rënie të lirë”, sa të marrim le të marrim.
Mungoi një organizim i detajuar si në degën e Bulqizës e cila ishte dominante me prezencën e saj në fushatë në çdo seksion e qendër votimi. Shtabi elektoral i pamotivuar bëri që të mos arrihet as rezultati i zgjedhjeve vendore.  Po kështu ndodhi edhe në degën e PD-së Burrel. Demotivim i stafit ekzistues i partisë demokratike nuk krijoi frymë fitoreje të PD-së në këtë Bashki. Partitë kundërshtare ishin mjaft të motivuara dhe kërkuese të çdo vote të zgjedhësit, ndërsa strukturat e PD-së prisnin fitoren e kandidates së tyre si “të garantuar” dhe nuk shpallën interes për të ngritur elektoratin demokrat që dihej se Dega e PD-së në bashkinë e Burrelit, ishte forcë e parë. Ajo ra në apati të plotë dhe e radhiti PD -në në një humbje të thellë dhe të pamerituar.
Faktori politik në shkallë vendi pati ndikimin e tij edhe në qarkun e Dibrës. Ndër arësyet kryesore të humbjes së Partsë Demokratike në këto zgjedhje ishte fryma politike që u krijua dhe që ishtë në disfavor të opozitës. Kjo humbje ishte e paralajmëruar  një vit më parë nga opozita kur ngriti problemin e kanabizimit të vendit dhe rolin që do të lante ky fenomen në deformimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Krimi i kanabizimit do të pasonte krimin e blerjes së votës.

S'KA KOMENTE