Zgjedhjet e 25 qershorit, PD-ja e Bulqizës del forcë e parë

645

 

Nënkryetari i degës së PD-së Bulqizë, analizon shkaqet e humbjes në qarkun e Dibrës

•    Isaku: Në rrethin e Bulqizës Partia Demokratike doli forcë e parë. Punuam shumë me strukturat e Partisë Demokratike, takuam njerëzit, i sqaruam, komunikuam, na besuan neve dhe programit elektoral të PD-së

•    Në rrethet e tjera: në Peshkopi PD -ja doli forcë e tretë ndërsa në  Burrel forcë e dytë. Në këto dy bashki strukturat dhe kandidatët nuk arritën të komunikojnë me të gjithë zgjedhësit. Njerëzit kërkonin të takoheshin me kandidatët por mungoi organizimi që siguronte këtë urë komunikimi dhe realizonte një fushatë efikase që të krijonte frymë fitoreje

Në zgjedhjet parlamentare të datës 25 qershor 2017, Partia Demokratike, Dega Bulqizë doli forcë e parë.  Sikur, degët e PD-së të dy rretheve tjera, Dibër e Mat të kishin ruajtur qoftë dhe rezultatin e katër viteve më parë dhe të mos kishin rezultuar humbëse në këto zgjedhje, kandidati Edmond Isaku, i renditur i treti në listën shumëemërore të PD për qarkun Dibër, sot do të ishte përfaqësuesi i demokratëve dhe i gjithë qytetarëve të bashkisë Bulqizë në legjislativin e ri shqiptar.
Në një intervistë për “Bulqiza TV”, zoti Edmond Isaku është shprehur për rritjen e dukshme të mbështetjes elektorale për PD në rrethin e Bulqizës dhe për shkaqet e humbjes në rang qarku.

-Z.Isaku, për herë të parë pas dy legjislaturash, ju arritët ta rendisni PD e Bulqizës forcë të parë elektorale në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. A mund të na thoni se si e arritët këtë rezultat?
Së pari, ishte programi ambicioz që shpalosëm në dhjetra takime entuziaste, në lagjet e qytetit të Bulqizës dhe pothuajse në të gjitha fshatrat e rrethit.
Së dyti, ishte angazhimi serioz i strukturave dhe pothuasje i gjithë demokratëve, të cilët dua t’i falenderoj dhe t’ju shpreh mirënjohjen për mbështetjen që më dhanë si kandidat i tyre.
Në përgjithësi fushata elektorale ishte e qetë, dhe pa konflikte politike midis subjekteve elektorale. Ne komunikuam në çdo fshat me elektoratin dhe pamë nga afër hallet dhe shqetësimet që kanë banorët e bashkisë Bulqizë, ku vërehet në mënyrë të veçantë në fshatra një varfëri e tejskajshme. Ndryshe nga fshatrat e tjera në Bulqizë qe më e qetë se herët e tjera. Rrethi i Bulqizës që tashmë përfshihet në një bashki, bashkë me zonën e Gollobordës, Shupenzës dhe të Martaneshit është një zonë shumë e varfër, një popull i lënë pas dore, qoftë nga ana ekonomike, qoftë nga ana e infrastrukturës, qoftë nga ana sociale, mungojnë shërbimet për qytetarin dhe kjo nuk është një konstatim por njerëzit janë shprehur vetë. Zgjedhjet u kryen dhe populli votoi në shumicë PS-në edhe në qarkun e Dibrës, dhe këtë ne nuk kemi kujt t’ia kërkojmë. Në rrethin e Bulqizës dolëm forcë e parë, punuam shumë me strukturat e Partisë Demokratike, takuam njerëzit, i sqaruam, komunikuam, na besuan neve dhe programit elektoral të PD-së.

Pra, humbja erdhi nga dy degët në dy rrethet tjera të qarkut Dibër?
Në rrethet e tjera: në Peshkopi PD -ja doli forcë e tretë ndërsa në  Burrel forcë e dytë. Në këto dy bashki strukturat dhe kandidatët nuk arritën të komunikojnë me të gjithë zgjedhësit. Njerëzit kërkonin të takoheshin me kandidatët por mungoi organizimi që siguronte këtë urë komunikimi dhe realizonte një fushatë efikase që të krijonte frymë fitoreje. Është një rezultat shumë-shumë i dobët; strukturat pothuajse inekzistente dukej sikur janë të shkëputura nga populli dhe hallet e tij. Kandidatët më shumë duhet të komunikonin në publik të sqaronin programin, të afronin më shumë njerëzit. Ndërkohë pati një organizim të dobët të fushatës, pa shtabe të motivuara.

-Si e argmentoni këtë më konkretisht?
Fakti tregoi që aty ku u punua u arrit rezultati, aty ku nuk u punua nga strukturat e PD-së kemi marrë humbje të thellë. Strukturat e PD-së në Peshkopi janë shumë-shumë dobët. Në dy bashkitë e Matit rezultati ishte qesharak, ku këto bashki janë fituar nga e djathta dhe qeverisen nga kryebashkiakë të djathtë. Ky rezultat kaq i dobët ishte i habitshëm. Nuk ka rënë PD-ja ndonjëherë në shifra kaq të ulta. Unë do ta quaja mefshtësi dhe tallje e PD-së në Burrel. Në Dibër strukturat janë inekzistente dhe të përçara ndërsa në Burrel është neglizhencë e punës së strukturave. Dua të përshëndesë zgjedhësit e Bulqizës, të gjithë strukturat e PD-së Bulqizë, në mënyrë të veçantë Qytetin e Ri dhe të Vjetër, Vajkali 1 dhe Vajkali 2, Fushë-Bulqizë, Dragu, Zerqanin, Shupenzën, Gollobordën, Ostrenin që e nxorrën PD-në në vend të parë. Mirënjohje dhe respekt për votuesit dhe mbështetësit e PD-së dhe të gjithë pjesëmarrësve në takime elektorale që patën interes për të dëgjuar programin tonë. Bulqiza është një rreth i djathtë. Ne shpresonim që me programin e PD-së të zgjidhnim problemet e mëdha ekonomike dhe familjare që e kanë pllakosur. Më vjen keq që PD-ja nuk fitoi që Bulqiza dhe gjithë Shqipëria të merrte një zhvillim të ri.

-Sipas jush, sa evident ishte deformimi i votës së lirë?  
Blerja e votës është padyshim elementi më kompromentues i zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit. Fitues njerëzit e parave. Paraja e akumuluar nga droga është e thënë dhe kauza e njohur e opozitës prej dy vjetësh. Opozita reagoi me protesta, u sensibilizua opinioni politik dhe publik drejt një skemë që do të deformonte procesin përmes presionit të parasë dhe të shtypjes politike të personave që punonin në shtet. Droga, krimi, konçensionet, tenderat publikë do të kanalizoheshin si instrumentë për të realizuar mbajtjen e pushtetit. Vota u shit masivisht. Intimidim dhe presion mbi votuesit. Grupet e krimit u aktivizuan duke ndikuar në votim.
Qeveria bëri presion mbi gjykatat e prokuroritë në emër të reformës që do të vinte, duke rritur pushtetin politik mbi atë gjyqësor. Presion mbi arsimtarët, mbi policët dhe thirrje e hapur e kryeministrit që policia të votajë PS-në.  Të pakënaqurit me listat e PD-së kaluan në apati dhe pati edhe kundërvënie ndaj partisë që i rriti, i bëri ministra dhe milionerë. Ata u irrituan dhe nuk pranonin reformimin strukturor të PD-së, i bënë keq gjatë fushatës padyshim PD-së (partisë tyre të dashur deri në momentin që nuk panë emrin në listat e deputeteve). Për Bashën reformimi ishtë imperativ i kohës. Imagjino të dilej me listat e 2013 ku të gjithë do thoshnin: Prapë këta figurat e një milion shuplakave!  Patjetër që ky reformim do të kishte kosto: e para nga kundërqëndrimi i skalionit të vjetër dhe e dyta nga mosnjohja e të rinjëve që ishin pothuajse pa reputacion publik dhe pa lidhje me strukturat, publikun votues dhe që koha e shkurtër vetëm një muaj nuk i favorizonte. Largimi për një vit 250 mijë vetë nga Shqipëria, midis tyre më shumë demokratët të pa punë dhe të pashpresë, pasi e majta i miklonte me vende pune në administratë. U shtrua presion i paparë mbi votuesit nga strukturat e PS-së, LSI-së dhe PDIU-së në qendrat e votimit. Madje elementë të inkriminuar nga të tre këto subjekte, deri tani në bashkëqeverisje, arritën deri në identifikimin e mbledhjen e kartave të identitetit për ata demokratë që vazhdojnë të punojnë në sektorin publik. Teza: “administrata larg politikës” u përkthye nga punonjësit si “ votoni për PS-në, LSI-ne e PDIU-në pasi do qëndroni të pa lëvizur në administratë.”. U arrit këmbimi i votës së demokratëve me vendin e punës që posedojnë aktualisht. Të burgosurit për dritat, për ndërtimet pa leje, harruan vuajtjet dhe iu ngjitën për çudi persekutorit. Po kështu edhe të joshurit nga premtime për legalizime dhe leje ndërtimesh.  Dilema e PD-së: hyjmë nuk hyjmë në zgjedhje qe një vonesë e pajustifikueshme e cila nuk dha kohë për të krijuar shtabe, infrastrukturë zgjedhore, shpalosje alternative dhe frymë fitoreje. PD-ja në mjaftë raste rezultoi e përçarë dhe e pa motivuar. Po ashtu mosangazhimi në fushatë i strukturës së vjetër berishiane, intimidim dhe deri shprehje dhe  hakmarrje ndaj Bashës.

Duke u ndalur tek domosdoshmëria e analizës së rezultateve në këto zgjedhje, sipas jush çfarë vendi zë kriteri vitalizues i PD-së?
Kush ka qenë në kryesi të PD-së dhe të degëve në 2013, kur PD ishte në kulmin e saj të rënies, të demotivimit, të kalbëzimit, për shkak të burokracisë partiake duhet të mos figurojë në strukturat e reja të drejtimit, nga baza në qendër. Ky do të ishe cikli i plotë rivitalizues dhe PD-ja do të fitonte performancën e saj moderne, si forcë politike strukturore nën lidershipin e ri Basha.

Jeni shprehur edhe për transaksionin elektoral. Më konkretisht, ku konsiston ky transaksion? Më shumë vota u shtuan nga procesi dhe rinovimi i listës së deputetëve apo më shumë vota u hoqën nga mbështëtësit e të larguarve nga lista?
Simbolet e PD së nuk justifikuan koherencën. Kompozimi i grupit parlamentar tenton gjithëpërfshirje, shton ngjyrimet dhe zbeh sfondin. Pati cilësi të ulët në përfaqësim në lista, njerëz të zakonshën pa, kualifikim akademik të spikatur, pa CV, të panjohur nga publiku. Sjellja e re politike në situata të reja politike, dhe metafora e çadrës si trampolinë e Bashës në parafushatë humbi perceptimin publik si simbol simpatik i fjalës së lirë dhe kauzës për zgjedhje të lira duke u ballafaquar me Marrëveshjen.
U përdor  administrata. Qeveria skandaloze 4-vjeçare duhej goditur.  U mblodhën kartat e identitetit nga eksponentë të PS, LSI e PDIU kundrejt pagesës. Bashkëpunimi i beftë PD-PS erdhi si një mesazh absurd, shokues e befasues në luftën e gjatë pozitë-opozitë. Kjo shkaktoi një ”shok” estetik tek votuesi, e goditi në ndjenja duke e zënë të pa përgatitur. Demokratët militantë u demotivuan dhe u goditën në kredon e tyre për ta parë PD-në si luftëtare e flaktë në misionin e saj për fitore dhe pushtet. Fuzionimi i idesë se tani s’ka nevojë të luftojmë për të fituar pasi PD dhe PS janë bërë bashkë, u nënkuptua në publik si një koalicion andergraund. Kjo demotivoi dhe dëmtoi PD-në në pjesëmarrje dhe ndihmoi PS-në.

S'KA KOMENTE