Edmond Isaku: Demokratët e Bulqizës, të sigurtë në fitoren e 25 qershorit

151

– Zoti Isaku, Partia Demokratike dhe kryetari Basha ju kanë besuar për të kandiduar për deputet i Qarkut Dibër. Si ndiheni pas këtij vlerësimi?
Unë prej më se dy dekadash punoj në sektorin privat në punë dhe investime modeste, duke fituar me djersë dhe ndershmëri. Asetet me impakt publik, si TV Bulqiza, firma “Isaku”, Shoqata e Transmetuesve Radiotelevizivë Kabllorë Valorë Kombëtarë që drejtojë, gazeta kulturore atdhetare “Bulqiza”, janë  përgjithësisht punët e mia, ku modestisht mund të them se kam patur sukses. Para pak muajsh  inagurova një kompleks të ri shërbimesh publike, si restorantin dhe hotelin Bulqiza, që besoj është një vlerë e shtuar e qytetit të Bulqizës si  vepër turistike me performancë cilësore duke ofruar shërbim modern në këtë qytet të aneksuar të Shqipërisë.  Dëshira për të konkuruar si deputet dhe përfaqësues i elektoratit të Bulqizës, buron nga dëshira për të ngritur në një shkallë më të lartë edhe rolin e kontributin e Partisë Demokratike.   Kur mora përsipër të drejtoj degën e PD -së Bulqizë, si nënkryetar i saj, ishte dëshirë për të kontribuar personalisht, në zhvillimin dhe zgjerimin e degës, motivimin e anëtarëve dhe simpatizantëve, afrimin e tyre dhe të gjithë votuesve që i kemi patur ndër vite, për të maksimalizuar pjesëmarrjen dhe rezultatin elektoral për partinë tonë duke i paraprirë betejës elektorale që po zhvillojmë tani.  Unë mora  përsipër të kontribuoja në këtë degë, duke u mbështetur në mundësitë e mia intelektuale, morale, materiale, psikologjike dhe respektit të pa lëkundur që kam në vlerat e demokracisë, si përfaqësues i djathtë i saj nga viti 90-të e deri më sot. Unë përkrah dhe vlerësoj alternativën e PD-së për mesazhin e saj demokratik e kombëtar, si alternativë e lirisë dhe demokracisë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kam punuar ndër vite në sektorin privat duke respektuar ligjet dhe rregullat e shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut. Jam i pa implikuar me detyra publike dhe afera me fonde publike.   E dua qytetin tim Bulqizën dhe gjithë  investimet e mia në fushën e medias, të ndërtimit dhe nxjerrjes së kromit, i kam fokusuar pikërisht në këtë qytet, duke punësuar dhe mbështetur qindra familje. Edhe investimin tim politik, si përfaqësues i forcave të djathta, si këshilltar në Bashki për katër mandate e kam dhënë në mbështetje të vazhdueshme të forcës kryesore politike, lokomotivës së forcave të djathta shqiptare, Partisë Demokratike. Kurrë nuk kam devijuar dhe nuk kam mbështetur forcat politike të majta për këto 25 vjet.

– Është bërë prezantimin juaj dhe i kandidatëve të PD-së në shkallë qarku. Si u pritën nga strukturat e partisë dhe si po shkojnë takimet me zgjedhësit?
Jam i bindur se në gjendjen aktuale që është dega jonë garanton fitoren e thellë të PD-së, duke parë këtë përkushtim të shumëfishuar të strukturave, të mirëorganizuar dhe të motivuara nga kryesia e degës dhe kryetari zoti Defrim Fiku. Mesazhet e fitores po përcillen përmes  një organizimi që në qelizë, në të gjithë strukturën, duke i marrë seksionet një për një, duke shpalosur programin tek çdo familje duke u mbështetur dhe  evidentuar  kontributet, vlerat dhe arritjet e mëparshme, duke kërkuar dhe vënë në lëvizje gjithë potencialin intelektual të zonës si dhe duke  afruar  potenciale  të reja njerëzore që na mbështesin, duke zgjeruar dhe krijuar frymëmarrje përtej strukturave, duke motivuar një dialog me anëtarët dhe simpatizantët tanë dhe votuesit gri, që nuk janë pak por kanë nevojë t’u gjendemi afër dhe t’ju rrisim besimin dhe shpresën, me premtimin se do të jemi në krah të tyre dhe nuk do t’i zhgënjejmë.  Fushata elektorale tregon se po ndizet një shpresë e re, fitore e thelle e të djathtëve në qarkun e Dibrës, me në krye Partnë Demokratike dhe kryetarin e saj, kryeministrin e ardhshëm, zotin Lulzim Basha.  Programi ekonomik i Partisë Demokratike është aktualisht i pa konkurueshëm nga asnjë forcë politike dhe i vetmi që siguron zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim të Shqipërisë në Europë.  Zoti Basha po shpalos një program elektoral të realizueshëm dhe premtues për të ndryshuar jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të qytetarëve shqiptarë. Konkretisht në zonën e Bulqizës dhe në të gjithë qarkun e Dibrës po komunikojmë me njerëzit dhe hallet e tyre për të mudësuar zgjidhje dhe afruar përkraje për të gjithë ata që ndjehen të pambështetur dhe gjatë këtyre katër viteve kanë rënie të theksuar në ekonominë e tyre familjare. Me përkushtim dhe këmbëngulje stafi elektoral po përçon në seksione dhe në masën e gjerë të votuesve mesazhet madhore demokratike të alternatives sonë që na vijnë nga qendra.
Duhen falenderuar për motivimin e fuqishëm të gjitha strukturat e degës, kryetarët dhe sekretarët e seksioneve dhe së bashku me ato të partive aleate të djathta po shumëfishojmë mbështetjen e PD-së dhe të elektoratit të djathtë. Objektivi ynë  për zgjedhjet elektorale të 25 Qershorit është që e djathta e bashkuar të marrë katër deputetë nga gjashtë që ka qarku i Dibrës. Unë e kam përvojën, moshën, fuqinë intelektuale, morale, materiale që t’i përkushtohem detyrës së deputetit, duke premtuar se, nëse do të më votoni si përfaqësues të listës së Partisë Demokratike, unë nuk do t’ju zhgënjejë, këtë e them edhe në emër të kandidatëve të tjerë të listës që i konsideroj vlera të çmuara intelektuale të brezit të ri të politikanëve të këtij qarku të cilët janë të gjithë vendali, me një integritet shumë të lartë moral dhe intelektual. Një bashkëpunim shumë të mirë kemi me aleatët tanë të djathtë ku i  trajtojmë problemet me tolerancë, me diversitet mendimi, e pranojmë njëri-tjetrin të ndryshëm brenda programit tonë madhor.
Po bashkëpunojmë dhe afrojmë njerëz që kanë ndikim dhe me reputacion shoqëror duke krijuar një hapje ndaj vlerave për një frymë të re në degën tonë të PD –së. Kjo frymë dhe të bashkuar të realizojmë objektivin e fitores së thellë të PD-së në  Bulqizë dhe në gjithë qarkun e Dibrës, për të realizuar modelin e ri politik siç po punon kryesia qendrore e PD-së, nën drejtimin e zotit Lulzim Basha.
Gara vazhdon me besim të thelle te fitorja jonë si në vitet e para të demokracisë plot besim dhe optimizëm te e djathta.  Besimi lëviz malet, thotë një shprehje, dhe këtë besim ne e  bazojmë te alternative jonë programore për një ekonomi të forte që e çliron individin  nga skamja, pasiguria, varfëria dhe papunësia.
Demokratët e Bulqizës janë të sigurtë në fitoren të tyre të 25 qershorit. Këtë garanci ata e kanë shprehur që ditën e parë të fushatës elektorale në një takim të zgjeruar të kryesisë së degës së PD-së me strukturat e saj drejtuese. Unë kam premtuar se do të jem një  përfaqësues i denjë, shoku dhe  vëllai i tyre, ua di hallet, problemet  dhe shqetësimet dhe do të jem zëri  i tyre i vërtetë në parlamentin shqiptar.  Ata janë të varfër dhe të pa punë por me shpirt dhe zemër të mbushur me shpresë se një ditë drejtësia në këtë vend do të vijë, do të hapen vendet e punës, do të gjallërohet tregu i lirë dhe ekonomia e vendit, do të ulen taksat dhe të vendosen rregullat dhe standartet e demokracisë dhe të shtetit ligjor. Këtë shpresë ato e shikojnë vëtëm te Partia Demokratike dhe Aleanca e Djathtë që sa vjen e zgjerohet dita-ditës.  Demokratët e Bulqizës të vjetër dhe të rinj, po bëhen pjesë e protestës duke e ndjekur atë të vendosur deri në fitoren e kauzës së shpallur: zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne besojmë fort se më në fund me një qeveri që të vendosë në ekuilibër procesin zgjedhor, do të arrijmë një proces transparent që të prodhojë një parlament që t’i shërbejë me përkushtim përparimit dhe zhvillimit kombëtar shqiptar dhe të punojë në dobi të shqiptarëve kudo që ndodhen. Për neve mbetet parësore edhe kërkesa për ndërtimin e Rrugës së Arbërit si koridor i rëndësishëm zhvillimi për verilindjen e Shqipërisë dhe integrimin rajonal e kombëtar të shqiptarëve.

-Zoti Isaku ju jeni i ri në politikë, por vini si shembulli i një njeri i suksesshëm në botën e biznesit dhe se me fitoren tuaj do të jeni një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe biznesit. Si e pritët ftesën për t’u kandiduar në qarkun tuaj ku keni lindur dhe rritur dhe a mund të marrim një koment tuajin për listën “Basha” në qarkun Dibër, por edhe në shkallë vendi?
Në të gjitha takimet që kemi organizuar në çdo lagje dhe fshat nekemi shpalosur programin tonë rajonal që është detajim në përputhje me programin qeverisës të PD-së. Së pari të përmirësojmë situatën ekonomikeqë do të na çojë në rritjen e integritetit dhe mirëqënies së familjes. Pa familje të shëndoshë dhe të fuqishme ekonomike edhe shoqëria është e dobësuar. Vlerat tona familjare, morale, intelektuale, kombëtare dhe kulturore janë në themel të programit të PD-së. Pa mëkëmbje të ekonomisë nuk ka integrim. Ne do të  shkojmë në Europë kur të plotësojmë standartet e e kërkuara nga BE, kur të zhvillojmë ekonominë, arsimin, kulturën, kur të kemi të gjithë ku të punojmë dhe të marrim një pagë, ku të gjithë së bashku të zbatojmë ligjin dhe rregullat e shtetit dhe shoqërisë dhe ku të gjithë së bashku të gëzojmë hapësirat e lirisë që na dhuroi demokracia shqiptare e cila ka një autor:  ajo është Partia demokratike e  Shqipërisë.
Jam i sigurtë se Republika jonë e Re është shpresa jonë e madhe për sigurinë e jetës dhe fëmijëve tanë. E sigurojmë zotin Basha se në Bulqizë fiton PD-ja. Si shkak i qeverisjes së keqe jemi në këtë gjendje, ku kemi kaq shumë varfëri dhe papunësi. Bulqiza është përfaqësuar në këto vite nga persona të ardhur, të cilët kanë marrë votat dhe na kanë kthyer krahët, tani mua do më keni këtu, midis jush, pranë çdo halli, shqetësimi dhe problemi që do të keni. Të jeni të bindur që nuk do t’ju zhgënjej. Unë i besoj fuqisë qeverisëse të PD-së ,  unë i besoj politikave të saj ekonomike që do ta rrisin dhe do ta gjallërojnë më tej ekonominë tonë. Unë i besoj kryeministrit Basha. Jemi përballë njëri – tjetrin si vëllai me vëllain. Ju kërkoj që këtë mesazh ta dërgoni në çdo familje të qarkut të Bulqizës.
Ne kemi fatin që na udhëheq në rrugën tonë të zhvillimit një drejtues i ri demokrat, i talentuar, me vizione të qarta për politikën dhe e ekonominë dhe me një formim e arsimim perëndimor. Për herë të parë në historinë e saj Shqipëria do të ketë një kryeministër  me origjinë dibrane, si një prurje e mençurisë dibrane dhe e kulturës perëndimore.

-Pavarësisht premtimeve të politikës, biznesi është ai që gjeneron vende  pune. Si paraqitet klima e biznesit sot dhe ku dallon platforma e opozitës nga ajo e mazhorancës në këtë pikë?
Padyshim që një rol të rëndësishëm në hapjen e vendeve të reja të punës që është faktor kyç në zhvillimin ekonomik është çlirimi i biznesit nga barra fiskale. Ulja e tatimit mbi fitimin në 9 përqind,  taksat e ulta do të gjallërojnë dhe do të rrisin bizneset në treg duke rritur punësimin dhe reduktuar varfërinë. Ne nuk e quajmë zgjidhje hapjen e mensave publike për të varfërit por punësim dhe rritje të asistencës që çdo shqiptar të plotësojë nevojat bazë të  jetesës. Sjellja e qeverisë aktuale me biznesin ka qenë jo e përshtatshme , jomotivuese dhe dhe arroganca fiskale ndaj tij ka çuar në falimentim dhe mbyllje. Ne mbështetemi në alternativën qeverisëse të PD-së duke vënë theksin në zhvillimin ekonomik të shoqërisë shqiptare dhe integrimin europian të Shqipërisë. Në të gjithë Bulqizën tashmë po shpalosim programin  elektoral dhe po gjejmë një  me përkrahje  dhe mbështetje të madhe si alternativë dhe si kandidat i Partisë  Demokratike. Seksionet e PD-së si themeli i partisë e kanë pritur dhe po punojnë me kënaqësi në të gjithe qarkun e Dibrës. Puna po vazhdon për t’u njohur nga afër në të gjithë periferinë e Qarkut Dibër. Në takimin e prezantimit tim si kandidat për deputetë kam patur një mbështetje të sinqertë.  Kam vendosur një dialog të shtruar, me një dashamirësi të admirueshme, për të gjitha hallet, shqetësimet dhe problemet e zonës dhe i kemi të detajuar,   me një alternativë të shkruar ku objektivizoheshin synimet dhe alternativat e kandidatit përballë elektoratit. Përfaqësuesit e PD nga qendra më vlerësuan dhe  inkurajuan  duke më përfshirë në listat e PD-së.  Një nga detyrat e kësaj dege është bashkëpunimi për të rritur dhe fuqizuar seksionet dhe krijimin e një klime të mirë bashkëpunimi dhe besimi në vlerat e alternativës së Partisë Demokratike, gjallërimi i punës me rininë dhe gruan si dhe me të gjitha grupet e interest që mbështesin alternativën e qendrës së djathtë, vlerat e lirisë dhe të demokracisë, shtetin ligjor duke i shpallur luftë krimit dhe korrupsionit për të ndërtuar një shoqëri njerëzish të lirë  dhe të demokratizuar, me ekonomi të zhvilluar, një rend të drejtë shoqëror ku njerëzve t’u rikthehet besimi për  të sotme më të sigurtë dhe të ardhme më të begatë. Aktualisht mbaj detyrën e nënkryetarit të degës së PD-së Bulqizë.  Tani më tepër se kurrë PD-ja është e angazhuar për një fitore plebishitare në Bulqizë, në një gjithëpërfshirje elektorale që do ta çojë të sigurtë drejt fitores së ardhshme elektorale në zgjedhjet  e 25 qershorit 2017, me një rezultat të thellë. Po mundohem të shfrytëzoj gjithë reputacionin që kam krijuar në Bulqizë, Dibër dhe Mat për të maksimalizuar rezultatin zgjedhor dhe për të arritur një fitorë të thellë të Partisë demokratike në këtë qark.
Republika e re do të jetë patjetër  një shpresë e re dhe  mira jonë e përbashkët.

-A mund të na thoni cilat janë hallet dhe shqetësimet të cilat ju janë ngritur dhe po ndani në fushatë me zgjedhësit?
Papunësia, varfëria dhe mungesa e mbështetjes për fshatin. Sistemi arsimor dhe shëndetësor, mungesa e ujit të pishëm dhe vaditës, infrastruktura rrugore e harruar gjatë 4 viteve të qeverisjes së PS-së. Pensionet dhe pagat e ulëta. Mungesa e kreditimit të bujqësisë.

– Në këto katër vite të qeverisjes së Edi Ramës a mund të na bëni një bilanc, nëse ka, të asaj çfarë “Rilindja” ka bërë në Qarkun qarkun Dibër dhe veçanërisht në Bulqizë për të ndikuar në përmirësimin e jetesës së qytetarëve aty dhe ku keni kandidat?
Ps-ja është marrë vetëm me shtrimin e shesheve të qyteteve me pllaka guri, por duhet pranuar se vendi është zhytur në një varfëri të thellë. Nuk pamë asnjë investim në rrugë dhe shërbime publike me efekt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës individuale të qytetarëve. Unë dhe demokratët e Bulqizës,  vlerësojmë parasëgjithash qëndrimin e Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha i cili është i vendosur t’i shkojë deri në fund pa asnjë kompromis apo Pazar alternativës së PD-së për zhvillimin ekonomik të Bulqizës. Kjo që ka nisur nuk ndalet. Shqipëria nuk do të jetë kurrë më si më parë. Shqipëria po ecën sipas një marrëveshjeje të re për zgjedhjet. Urojmë që të arrihet mirëkuptimi për të arritur që më në fund të kemi një parlament legjitim që zgjidhet me votën e lirë dhe të ndershme të shqiptarëve. Kryeministri nuk ka ekip ekonomik ndaj  e ka zhytur vendin në varfëri ku 200 mijë shqiptarë jetojnë me 2500 lekë të vjetra në ditë, këtë e thotë banka botërore. Ky mandat 4-vjeçar, këtë varfëri me dhunë ndaj shqiptarëve ku janë prishur 9 mijë shtëpi dhe biznese, e në të njëjtën kohë  shqiptarët janë larguar nga Shqipëria më shumë se sirianët.  Krimi dhe korruosioni është instaluar në sistem dhe duhet patjetër të ndahemi nga krimi dhe droga që ka mbuluar Shqipërinë. Në një vijë është rreshtuar edhe gjithë fronti opozitar. Shoqëria civile ka filluar të reagojë dhe është në mbështetje të të djathtës. Shoqëria shqiptare ka nevojë për ekuilibër politik.  Vendi është shndërruar në një plantacion kanabisi dhe me një plantacion të tillë, vendi nuk ka zhvillim.

-Pavarësisht se sot shkoni para zgjedhësve me një platformë tjetër për një qeverisje shumë më të mirë, qeverisjen që do të ketë në qendër qytetarin, jo si të Edi Ramës, por më të mirën e 27 viteve, duke qenë një nga deputetët  që do t’i bënit nder Republikës së Re, a mund të bëjmë një krahasim të investimeve që qeveria e PD-së para 2013 ka bërë në Bulqizë dhe sa qeveria Rama?
Investimet në qeverinë e PD-së para 2013 kanë qenë të pa krahasueshme. U ndërtuan rrugë të rëndësishme kombëtare dhe lokale ndërkohë që këto katër vitet e fundit nuk u ndërtua asnjë metër rrugë në qarkun e Dibrës.
Duke ndjekur sutuatën politike mendoj se  po thellohet çdo ditë e më tepër kriza në vend.
Vihet re një angazhim më i madh i autoriteteve  ndërkombëtare që përgjithësisht kërkojnë bashkëpunim.  PD-ja është forcë politike e përgjegjshme dhe integruese . Ajo mbështetet edhe nga partitë e tjera opozitare dhe nga personalitete të rëndësishëm ndërkombëtarë.  Pavarësisht kësaj, kreu i PD-së, Lulzim Basha, i vendosur,  është shprehur  në mënyrë permanente se punojmë për interes madhor kombëtar.   Synohet të krijohet një standart i ri zgjedhor , si themel per një shoqëri të drejtë e pluralistë me zgjedhje të lira dhe të ndershme për një rend cilësor politik apo reformë politike të thellë për t’u ndarë përgjithmonë  nga tranzicioni i gjatë politik dhe të themelojmë  Republikën e Re.

– Bashkia Bulqizë është drejtuar nga PS dhe LSI pas vitit 2013. Sa kanë mundur të mbajë premtimet ndaj qytetarëve dhe sa kanë ndikuar në përmirësimin e jetesës së qytetarëve?
Kjo ka qenë periudha me qeverisjen më të dobët. Qytetarët e Bulqizës po përjetojnë varfërimin e mëtejshëm si pasojë e rritjes së papunësisë dhe e moskujdesjes së strukturave shtetërore ndaj tyre. Kryeministrit aktual Edi Rama i kanë rezultuar gënjeshtra premtimet e deritanishme, sidomos deklaratat për ndërtimin e  Rrugës së Arbërit ku sipas tij  do të ishte “projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërise e Kinës”. Epoka e bashkëpunimit vazhdoi, por negociatat për Rrugën e Arbërit dështuan. Dhe për këtë, deri më tani nuk pati asnjë sqarim publik, megjithëse për këtë çështje qeveria dhe parlamenti u angazhuan me një ligj të veçantë, duke i dhënë më shumë hapsirë teorive konsiparive mbi korrupsionin, përfshirë edhe futjen e të tretëve në lojë, duke shtuar ndjeshëm kostot e investimit.

-Si ju duket lista e kundërshtarëve politikë dhe a kanë ata moral të dalin sërish në fushatë sot për të ripremtuar ato që nuk i realizuan për 4 vite?
Një fjalë thotë që nuk del lëng nga shkarpë e thatë. Foli Topalli, falenderoi Berishën për mbështetjen  dhe shkodranët që e kanë votuar gjashtë mandate radhazi, (a thua s’pati 25 vjet intelektualë të tjerë demokratë, Shkodra e madhe e kulturës dhe e demokracisë) dhe u kërkon ndjesë shkodranëve për ato që nuk pati mundësi të bëj për ta. Premton se do të jetë në politikë  por nuk thotë se në çfarë forme do të bëjë politikë, tani që nuk do jetë në parlament. Do të punoj për këtë vend pasi ky vend bëhet -tha ajo. Nuk dimë përse nuk i mjaftuan 6 mandate për ta bërë këtë vend dhe kush e pengoi. E lexuar midis rreshtave deklarata e Topallit dhe Imamit tregon se do të ketë lëvizje të reja brenda të djathtës. Ky vend bëhet -thotë Topalli, dhe shprehet se do të punoj për të por me politikanë të pakorruptuar. Në këtë rast korrupsioni kalon si fajësi nga grupi që ikën drejt grupit që ende nuk ka filluar punë. Eduard Salami ishte më racional. Nuk është koha për analizë tha ai, por për fushatë, duke i dhënë Bashës mesazhin se unë nuk jam nga ata njerëz që “ ta kërkoj borxhin Ditën e Bajramit”. PD-ja është një parti e madhe dhe që përfshijnë dhe gëlojnë në të një kompleks rrymash, korentesh dhe modelesh mendore. Jemi në një moment kur elektorati shqiptar do të mbajë qëndrim ndaj politokracisë dhe do t’i japim Shqipërisë dhe shqiptarëve një sjellje të re politike. PD-ja tashmë ka ekipin e ri, programin e ri, ka një sjellje të re politike, një filozofi të re integruese, duke u ndarë nga metoda dhe praktika  burokratike qeverisëse.  Merita e Bashës është se e futi të djathtën shqiptare të bashkuar në zgjedhje dhe nga kampi i majtë me përçarje të plotë, si nga ana politike dhe  elektorale. Ende politika shqiptare nuk i ka hequr maskat. Politikë fasadash. Zbukurim me bojatisje. Motori i zhvillimit të vendit është ekonomia. Makina nuk ecën përpara, ka ngecur. PS-ja provoi që nuk është  në gjendje t’ia rregulloi motorin, por kryeministri minimalja, mund ta lyej me bojë. Elektorati po vëzhgon ftohtë dhe dëgjon retorikën e ditës. Njerëzit siç thoshte Migjeni, çdo ditë “po shohin qartë e më qartë dhe vuajnë thellë e më thellë.”  Republika e re, një shpresë e re!

  -Një koment juaji i shkurtër për qeverisjen e Edi Ramës. Si do ta cilësonit?
Droga  mbuloi vendin, papunësi , varfëri, stanjacion ekonomik, debate politike shterpë , përçarje dhe denigrim politik, krimi i instaluar në sistem , korrupsionnë çdo institucion, mashtrim elektoral në mbajtjen e premtimeve, konçensione jo transparente, dhunë verbale mbi mediat, ngushtim të lirisë ekonomike të biznesit, asnjë ngritje pagash dhe pensionesh përbëjnë portretin dhe shembëlltyrën e qeverisë Rama. Ndaj republika e krimit, republika e kanabisit duhet të marrë fund. Negociatat nuk hapen pa u zbatuar në mënyrë korrekte ligji i vettingut dhe pa u realizuar zgjedhjet me standarde të larta më 25 qershor.

-Cili është mesazhi që Edmond Isaku jep për zgjedhësit?
Me ne janë rinia, gratë, pensionistët, veteranët e minierës, invalidët, të përndjekurit politikë, mësuesit dhe intelektualët, shoqatat civile dhe kulturore pasi PD-ja është partia e hapësirave të mëdha, e hapësirave të lirisë individuale dhe e zhvillimit të peronalitetit dhe dinjitetit njerëzor.
Unë si deputet do t’i kem në qendër të vëmendjes dhe do të punoj për gjallërimin e jetës  rinisë, të gruas, të pensionistëve, të veteranëve të minierës, të shoqatave të ndryshme; si atë të invalidëve të punës, të të përndjekurve politikë, ato kulturore, letrare dhe të shoqërisë civile, për t’i patur partnerë në programin tonë për ngritjen e cilësisë së jetës në qytete dhe skajet më të largëta që qarkut të Dibrës. Kështu dhe vetëm me një vizion gjithëpërfshirës, me tolerancë dhe në zbatim të normave demokratike do të jemi të fituar të gjithë. Do të mbroj dhe do të jem mbështetës i juaj në të gjitha problemet që do të kemi në qarkun tonë duke u bërë interpret dhe një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave tuaja.  Si deputet i ardhshëm nëse do të votohem nga elektorati i qarkut Dibër, premtoj se do të jem në ballë të luftës antikorrupsion për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të ndershme ku çdo qytetar të ndjehet i vlerësuar dhe dinjitoz në vendin e tij.

Intervistoi: Mina HYSA

S'KA KOMENTE