Brenda dy viteve, Rruga e Arbërit

135

Kryedemokrati deklaroi në Dibër se Rruga e Arbërit do të bëhet realitet si Rruga e Kombit dhe ajo e Elbasanit

Lulzim Basha u premtoi dibranëve dhe shqiptarëve ndërtimin e Rrugës së Arbërit brenda dy viteve të mandatit të parë qeverisës. Gjatë takimeve elektorale të datës 10 qershor me qytetarë të Peshkopisë dhe Bulqizës, lideri demokrat shpalli programin që parashikon rimëkëmbjen e ekonomisë për gjithë shqiptarët. Një plani i mbështetur nga ekspertët më të mirë europianë të kancelares Merkel, i cili ka funksionuar në Europë dhe do të funksionojë në Shqipërinë. Basha tha se nuk ka premtime, por plan konkret që është provuar se do të rrisë ekonominë, vendet e punës, përmes uljes së taksave, 10 mijë stazheve për të rinjtë, rritjen e pensioneve me minimalin 250 mijë lekë në muaj, ndihmë direkte për fermerët me 100 milionë euro në vit, si dhe pagesën e ujit dhe dritave për familjet në ndihmë ekonomike.
“Lulzim Basha nuk ka premtime. Unë kam plan ekonomik dhe të gjitha lidhen bashkë me njëra-tjetrën dhe të gjitha funksionojnë dhe do të ndezin motorët e ekonomisë shqiptare. Plani ekonomik përbëhet nga këto shtylla kryesore. E para, ulja e TVSH-së dhe taksa e sheshtë 9%. Ulja e TVSH-së që ju e paguani për çdo mall që blini do të ketë efekt në xhepat tuaja, 400 milionë euro më shumë në vit, para që sot ia paguani në mënyrë të fshehtë përmes kësaj takse. Do të rritet konsumi dhe kërkesa për prodhim është çelësi i rritjes ekonomike. Kërkesa për prodhim gjeneron kreditim, vende pune, çliron energji pozitive, ndez motorët e ekonomisë. Taksa e sheshtë 9% po kështu do të garantojë qindra milionë euro në një taksë konkurruese në rajon. Pra, ulja e taksave, ulja e TVSH-së, taksa e sheshtë 9%, anulimi që ditën e parë të taksës Rama mbi naftën 240 lekë për litër, ulja e çmimit të energjisë jo vetëm për konsumatorët, por edhe për biznesin prodhues. Subvencione për bujqësinë. 47% e shqiptarëve jetojnë akoma në zonat rurale dhe 20% e aktivitetit ekonomik përbëhet nga bujqësia dhe bujqit, që janë të përjashtuarit më të mëdhenj të republikës së vjetër bashkë me rininë. 100 milionë euro në vit për fermerët dhe do të zerojmë koston e mekanikës bujqësore dhe imputeve të tjera. Rinia e Dibrës duhet ta dijë se plani im është për 10 mijë stazhe në vit me 200 mijë lekë në muaj për të sapodiplomuarit”, tha Basha.
Kryedemokrati tha në Dibër se Rruga e Arbrit do të bëhet realitet si Rruga e Kombit dhe ajo e Elbasanit. “Investim i vërtetë për mua është investimi i Rrugës së Arbrit një orë e më parë si interes absolut ekonomik dhe strategjik. Ju e dini që për 2 vjet bëra Rrugën e Kombit. Ky, 4 vjet nuk bën Lungomaren. Ju jap fjalën që brenda janarit të vitit të ardhshëm, kantieri i Rrugës së Arbërit gjatë gjithë gjatësisë së tij do të jetë në funksion të plotë dhe brenda dy viteve tuneli dhe Rruga e Arbërit do të jenë një realitet ku do të qarkullojnë makinat e dibranëve dhe gjithë shqiptarëve. 72 minuta nga Bllata në Sheshin Skënderbej”, tha Basha.

S'KA KOMENTE