Profilet e tetë ministrave shqiptarë në qeverinë e Zaevit

53

Gjithsej 8 ministra shqiptarë do të jenë në përbërjen e qeverisë së re të kryeministrit Zoran Zaev.
Përveç Kreshnik Bekteshit dhe Suhejl Fazliut si ministrat më të rinj, emrat e tjerë vazhdojnë të jenë kryesisht profile partiake, shkruan Konica.al.
Bashkimi Demokratik për Integrim, si hisedari më i madh me 6 funksione ministrore, ka bërë një përzgjedhje emrash që nuk përmbushin pritjet e publikut për ministra, që do të jenë ekspertë në fushën e tyre.
Kështu, kjo parti ka zgjedhur Hazbi Likën si zëvendëskryeministër për Marrëdhënie ndëretnike dhe Sistem Politik. Një kuadër i vjetër i BDI-së, Lika ka ushtruar funksione kryesisht partiake, prej sekretarit organizativ deri te kryetari i degës në Tetovë.
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, është zgjedhur në funksionin e zëvendëskryeministrit për Integrime Evropiane. Me profesion doktor në Spitalin Publik të Shkupit, ai ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë në mars të vitit 2008. Ashtu si dhe titullarët e rinj të ministrive, edhe Osmani është futur në ‘filtrin’ e Prokurorisë Speciale për të konfirmuar se nuk ka ndonjë aferë korruptive.
Sadulla Duraku është kuadri tjetër i BDI-së i emëruar në postin e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Me profesion inxhinier i diplomuar, ai ka përvojë në doganat e vendit, por ka shërbyer edhe si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe ekonomizimit me ujëra. Përndryshe, Duraku deri më tani ka qenë kryetar i komunës së Likovës në rajonin e Kumanovës.
Një emër më serioz për nga përgatitja profesionale është Kreshnik Bekteshi, i caktuar si ministër i Ekonomisë. Si një nga ministrat më të rinj, ai ka mbaruar studimet në Britani të Madhe, ndërkohë që ka përvojë në Agjencinë për Investime të Huaja.
Bylent Salihu nga Vrapçishti është caktuar në postin e ministrit të Drejtësisë. Si kuadër i vjetër i BDI-së, ai ka përvojë si drejtor i Inspektoriatit Shtetëror për Pylltari dhe Gjueti. Me profesion jurist, Salihu ka shërbyer edhe në komunën e Gostivarit.
Ramiz Merko është një kuadër tjetër i BDI-së, i caktuar në pozitën e ministrit për Investime të Huaja. Ndonëse kjo ministri është pa resor, Merko me profesion ekonomist ka një biografi të gjatë angazimesh në Kuvendin e Maqedonisë dhe komisione të ndryshme.
Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët është hisedare në qeveri me dy ministra.
Arben Taravari, me profesion specialist i neurologjisë, është caktuar ministër i Shëndetësisë.
Nga Aleanca për Shqiptarët është edhe ministri i Pushtetit Lokal, Suhejl Fazliu. Si një nga ministrat më të rinj në qeverinë e Zaevit, Fazliu është diplomuar në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjisë Bashkëkohore pranë Universitetit të Evropës Juglindore

S'KA KOMENTE