Kuvendi i Maqedonisë flet shqip

31

Gjithsej 8 ministra shqiptarë do të jenë në përbërjen e qeverisë së re të kryeministrit Zoran Zaev

 

Në seancën kuvendore për miratimin e qeverisë së re maqedonase, Kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka udhëhequr seancën parlamentare në gjuhën shqipe. Ai e ka nisur seancën në maqedonisht dhe më pas e ka kthyer në shqip.
Xhaferi është shqiptari i parë që ulet në poziten e kryeparlamentarit, veprim ky që shkaktoi shumë revoltë tek VMRO-DPMNE-ja dhe përkrahësit e saj.
Seanca ku u votua qeveria e re, ishte e para pas natës së dhunshme të 27 prillit.

Qeveria e Zevit fillon punën, merr fund qeverisja e liderit të VMRO-së, Nikolla Gruevski
Maqedonia ka tashmë Qeverinë e re të udhëhequr nga lideri socialdemokrat Zoran Zaev. Në mbështetje të Qeverisë kanë votuar 62 deputetë nga maxhoranca e re e përbërë nga koalicioni i LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët.
Kryeministri i ri Zoran Zaev gjatë fjalimit të tij para votimit theksoi se Qeveria e tij do të jetë e përkushtuar për reforma të thella, kthimin e jetës në Maqedoni, si dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionit. Ai komentoi akuzat e disa deputetëve të opozitës. Zaev premtoi zgjidhje për kontestin e emrit, duke gjetur gjuhë të përbashkët me opozitën dhe çdo propozim duke e çuar në referendum popullor. Ai foli edhe për ruajtjen e karakterit unitar të Maqedonisë dhe respektimin e plotë të Kushtetutës. Zaev kërkoi që të shmanget gjuha nacionaliste dhe të respektohet të gjithë etnitetet në Maqedoni. Kryeministri i ri tha se është krenar që partia e tij në zgjedhjet e fundit mori mbi 40 mijë vota të shqiptarëve dhe, sipas tij, pse kjo të mos ndodhë edhe me ndonjë parti shqiptare, që të marrë votat tek maqedonasit. Ai foli për një sërë masash në planin ekonomik dhe zgjidhjen e problemeve sociale të qytetarëve.
Lideri socialdemokrat arriti marrëveshjen për të bashkëqeverisur me partitë shqiptare BDI dhe Aleancën për Shqiptarët, që do të drejtojnë disa ministri dhe dy poste zëvendësministrash, ndërsa kanë edhe postin e kreut të Parlamentit. Ardhja në pushtet e Zaev shënon fundin e qeverisjes së liderit të VMRO-së, Nikolla Gruevski, që drejtonte vendin për 11 vjet dhe që në vitet e fundit u godit nga skandali i përgjimeve, që zbuloi aktivitete korruptive te partise ne pushtet. Gruevski fitoi 51 përqind të votave në zgjedhjet e dhjetorit, por nuk siguroi dot shumicën parlamentare për të formuar qeverinë.

S'KA KOMENTE