Dymbëdhjetë vjet në udhëkryq të historisë

465

Nga Agim BEKTESHI

Njëri nga ideologët serbë, Vlladan Gjorgjeviçi, në librin “Arnauti i velike sili” (Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha), më 1913 kishte shkruar për ithtarët e vet serbë, se “As që janë përpjekur shqiptarët që të krijojnë shtetin e tyre si popull, se gjuha e sotme shqipe përbëhet nga një përzierje e theksuar gjuhësh të ndryshme. Ky konglomerat gjuhësh, nëse mund të krahasohet, i përngjet më shumë gjuhës së gabelëve”. Prandaj Serbia gjithmonë do të gjente shkaqe për të “motivuar” raprezaljet e saj mbi këtë popull, të cilit i kishte rezervuar atë farë vlerësimi të pamerituar. Një herë “shkak” do të ishte grumbullimi i armëve dhe makineria ushtarake serbe do të vërsulej mbi një popull që nuk kishte kush ta mbronte; një herë tjetër “shkak” do të ishte ndonjë vjedhje ordinere që mund të ishte kryer vërtet nga ndonjë fshatar shqiptar, diku në ndonjë vend. “Shkak” për raprezalje ishte edhe mosbindja ndaj esadistëve, gjë që popullit të Gollobordës e të Dibrës i llogaritej si një tradhti e madhe. Por “shkak” mund të ishte dhe ndonjë veprim që e bënin vetë serbët, duke e propaganduar si bëmë të myslimanëve të Gollobordës kundër të krishterëve të Gollobordës dhe objekteve të tyre të kultit, sikurse ishte rasti i inskenimit të goditjes me tre plumba mbi gurin ku është skalitur engjëlli mbrojtës i kishës “Sveta Petka” të Klenjës, gjë e cila qëllimisht iu faturua popullit të Trebishtit, për të shërbyer si shkak për djegien dhe shkrumbimin e Trebishtit nga ana e serbëve. Kjo bëhej për të nxitur e thelluar dasitë fetare, për të mbjellë farën e egër të politikës përçarëse mbi baza fetare. Repartet ushtarake serbe, sidomos mbi popullsinë muslimane ndoqën politikën e rëndimit të tejskajshëm të taksave. Femrat e reja të kësaj popullsie nuk guxonin të punonin në tokat e tyre, prej moralit të ulët të ushtarëve serbë. Nuk munguan rastet kur disa gra të reja muslimane nga ndonjë fshat i Gollobordës, midis tyre edhe nga Trebishti, u morën si pengje e u përdhunuan nga ushtarët serbë në  vendkomandat dhe vendrojet e tyre. Në janar të vitit 1916, pasi u larguan që andej ushtritë serbo – malazeze, në Dibër e Gollobordë u vendosën ushtritë aleate; ato austro – hungareze e bullgare, të cilat sikurse është konstatuar, ndikuan disi në qetësimin e gjendjes dhe kryen akte humane në stabilizimin e muhaxhirëve gollobordas që po ktheheshin në krahinë përmes dëborës dhe acarit. Pas debatesh e përplasjesh të ashpra midis austro – hungarezëve e bullgarëve, u pranua që ushtritë bullgare të vendoseshin kryesisht në Gollobordë, por duhet thënë se edhe ushtritë bullgare e ushtruan “të drejtën” e konfiskimit të ushqimit të popullit gollobordas, duke e përdorur si ushqim për veten e tyre.

DËSHTIMI I SERBO-MALAZEZEVË PËRBALLË USHTRISË BULLGARE NË GOLLOBORDË
Ushtritë bullgare që u instaluan në Gollobordë i vunë keqazi përpara ushtritë serbo – malazeze. Dëshmitarë nga Trebishti kanë treguar se trupat serbe u vunë në pozita shumë të vështira pas mësymjes së bullgarëve. Komandantët bullgarë i tërhoqën vëmendjen popullit të Trebishtit që të mos godiste mbi trupat serbe, për të mos u ekspozuar para goditjes së tyre, por dhe të mos u jepte kurrfarë ndihme. Ushtarët serbë të ndodhur përballë disfatës së plotë, në panik filluan të luten e ti kërkojnë mëshirë popullit për të shpëtuar kokën, por ata nuk i kishin lënë vend vetes për mëshirë. Prapa shtëpisë tonë në Trebisht, nën rrënjët e një kumbulle gjysëm të egër kishte dhënë jetën një ushtar serbo – malazez, ndërsa ishte duke vrapuar drejt vendit që quhet “Urnat”. Në këtë periudhë disa vjeçare të mbushur me luftëra, vrasje e viktima të shumta, në Shqipërinë e Mesme kishte shpërthyer lëvizja e Haxhi Qamilit. Është e njohur armiqësia midis Haxhi Qamilit dhe Esat Pashë Toptanit, por fakti që të dy këta njerëz erdhën dhe ngulën taboret e tyre në Gollobordë, më shumë sesa për kthimin e Gollobordës në arenë të ndeshjeve midis tyre, flet për interesa shtetesh që qëndronin prapa secilit prej tyre, shtete të cilët kishin interesa e synime edhe ndaj Gollobordës. Haxhi Qamili përmes disa veprimtarëve politikë antiesadistë dhe disa klerikëve muslimanë, arriti të gjente terren e ithtarë në Gollobordë. Ndjekësit e Haxhi Qamilit erdhën e qëndruan për disa kohë edhe në Trebisht, në vendin që quhet Urvishte, mbi Balanë e Trebishtit. Aktorë politikë dhe klerikë të fesë muslimane nga disa fshatra të Gollobordës, të implikuar në këtë kokolepsje dramatike, të ndodhur nën dhunën serbe dhe nën dëmtimet e keqtrajtimet e shumta që bëheshin nga cubat dhe brigantët e disa fshatrave fqinjë, në një akt të dëshpëruar ngritën flamurin e Turqisë, si shpresë shpëtimi. Që nga kjo kohë e kishte zanafillën ngritja e flamurit turk në ceremonitë e dasmave në disa fshatra të Gollobordës, midis tyre edhe në Trebisht, i cili disa vite më vonë, me vendim të pushtetit vendor është zëvendësuar me flamurin kuq e zi, me shkabën dykrenore në mes. Skena politike e Shqipërisë ziente nga paudhësitë, nga intrigat dhe silurimet që palët ia bënin njëra – tjetrës. Arif Hikmeti nga fshati Llojme i Kumanovës së Maqedonisë, bashkë me disa protagonistë të tjerë dinakë, agjentë të Serbisë, kanë luajtur rol të rrezikshëm mbi popullsinë e Gollobordës, duke u bërë inspiratorët e kamufluar të mbajtjes ngritur të flamurit turk në disa fshatra të Gollobordës edhe pas largimit të Haxhi Qamilistëve. Përmes këtij akti djallëzor, prej tyre synohej të ekspozohej popullsia e fshatrave të Gollobordës si objekt i goditjeve dhe deportimit drejt Turqisë, për tu marrë pastaj banesat dhe pasuritë. Në këtë kohë, në tokat që sundoheshin nga ushtritë serbo – malazeze, të asaj që më vonë do të quhej Jugosllavi, ishte duke u zhvilluar një valë e egër e deportimeve masive të shqiptarëve dhe popullsive të tjera muslimane drejt Turqisë, banesat dhe pasuritë e të cilëve merreshin nga bashkëpunëtorët e pushtuesit serb. E ashtuquajtura “ushtri e osmanllinjve” që hyri në Gollobordë, të cilën e ka përmendur Ismail Strazimiri në “Kujtimet” e tij dhe e kemi cituar edhe ne në referencën 38 të këtij punimi, nuk ishte asgjë më shumë sesa ushtria rebele e Haxhi Qamilit, në radhët e së cilës bënin pjesë vetëm shqiptarë etnikë që simpatizonin rikthimin e Turqisë në Shqipëri, ushtri e cila kudo ku shkonte, nën thirrjen “duam babën” ngrinte flamurin e Turqisë. Krerët dibranë u thërritën të investohen për këputjen e fijeve të ngatërruara që kulmonin me turmat rebele të Haxhi Qamilistëve, të cilët i morën mbarë kullat dhe pronat e bejlerëve, duke u kallur flakën. Por krerët e parisë dibrane hezituan dhe vunë kushte; tu jepeshin më parë rrogat e prapambetura, pastaj do të sulmonin mbi Gollobordë e do të marshonin drejt Shqipërisë së Mesme. Pasi tu jepeshin rrogat e prapambetura dhe municioni i kërkuem: “Do të mundej me ia mbërimë qëllimit tue mbledhë nji fuqi të madhe në Dibër, për me shtypë Gollobordën, ku ishte ngritur flamuri i Turqisë, e të marshojmë për në Elbasan. Mirëpo, – ankohet Ismail Strazimiri në “Kujtimet” e tij, – ku e çajshin kryet zotënit e Durrësit për kërkesat dhe propozimet e Dibrës”.  Nuk kemi mundur të qartësojmë përfundimisht se cili ishte ai autoritet që arriti të frenojë sulmin e fuqive dibrane mbi Gollobordë, të cilat synonin me e shtypë Gollobordën. Supozohet se në këtë rast, një ndikim pozitiv në mbrojtje të popullit të Gollobordës nga një sulm i mundshëm i fuqive dibrane, të ketë patur Mullah Elez Pupuleku, një patriot dhe klerik i fesë muslimane nga Trebishti i Gollobordës, i cili kishte njohje të mëdha dhe influencë në qarqet e qeveritarëve të Durrësit, por dhe njohje e miqësi me autoritetet ndërkombëtare që ishin instaluar aty. Për të treguar sesa i pathemeltë ishte identifikimi i Gollobordës me reminishencat e otomanizmit në Shqipëri, por dhe me përpjekjet që bëheshin për ta tërhequr Gollobordën brenda disa zhvillimeve që tentonin krijimin e një rajoni autonom mysliman, të asaj që është quajtur rajoni i Torbeshisë në Maqedoninë Perëndimore, ku synohej të organizoheshin popullsitë myslimane të sllavëve të Maqedonisë Perëndimore, për lexuesin po prezantojmë qëndrimin e prerë të gollobordasve ndaj ekspeditave ushtarake të Hajredin Pashës, kur ky gjeneral turk erdhi në krahinën e Dibrës e të Gollobordës për të mobilizuar nizamë nga gjiri i popullsive dibrane. Ishte gushti i vitit 1844 kur Hajredin Pasha në krye të një armate turke erdhi të rekrutonte nizamë dhe të instalonte administratën centraliste në krahinën e Dibrës, ku përfshiheshin edhe Golloborda e Reka. Si kundërpërgjigje u thirr menjëherë Kuvendi i Përgjithshëm mbarëdibran, i cili vendosi njëzëri që të kundërshtojë me armë ekspeditën ushtarake të Hajredin Pashës. -“Me vendimet e Kuvendit u bashkuan edhe shqiptarët e Rekës dhe të Gollobordës, si dhe banorët Torbeshë (maqedonë muslimanë) të atyre viseve. Kuvendi hartoi planin luftarak të rezistencës. Sipas këtij plani, fshatarët e Rekës, të Gollobordës e të Dibrës së Epërme, së bashku me qytetarët e Shehrit, do të pengonin me anë të pritave që do të zinin në Grykën e Radikës, marshimin e ushtrive turke drejt trevës dibrane”.
Me termat “Torbeshë” dhe “Pomakë”, në çdo rast nënkuptoheshin edhe gollobordasit e atyre fshatrave që kemi përmendur në nisje të këtij punimi. Vendimi që u muarr prej administratës së Hajredin Pashës për ti mobilizuar muratorët gollobordas në radhët e nizamit turk, u mbështet nga një vendim tjetër i serasqerit që ndalonte kategorikisht mërgimin e muratorëve gollobordas jashtë krahinës, duke autorizuar forcat ushtarake turke të arrestonin këdo që nuk e zbatonte vendimin e serasqerit. Në një tablo të konsullit britanik me qëndrim në Selanik, e cila është formuluar më 16 tetor 1844, jepet njoftimi sipas të cilit, serasqeri: “Përveç rekrutimit me dhunë të nizamëve, ndaloi edhe mërgimin për punë të mjeshtërve dhe muratorëve dibranë, të cilët largoheshin çdo vit për disa muaj nga fshatrat e tyre për të punuar jashtë Dibrës. Padyshim është fjala për banorët e Gollobordës, – konkludon burimi, të cilit i jemi referuar. Pikërisht kjo masë e serasqerit i detyroi gollobordasit të merrnin pjesë në kryengritjen që mori përsëri hov, pasi konsulli anglez kujtoi se ishte shtypur”.
Përkundër këtij qëndrimi të qartë patriotik e antiturk të popullsive shqiptare dhe torbeshe, (këto të fundit të quajtura dhe si maqedono – myslimane), vazhdonte me intensitet të shtuar veprimtaria e misionarëve të ndryshëm, të cilët e kishin kthyer Dibrën dhe Gollobordën në arenë të planeve të tyre. Sa e rrezikshme, komplekse dhe kaotike ishte situata në Shqipëri në këto kohë, kur hynin e dilnin njëra pas tjetrës ushtritë e huaja dhe thureshin intriga e komplote pa fund, e tregojnë përçapjet ndonjëherë të dëshpëruara të patriotëve shqiptarë për gjetjen e rrugëdaljes nga kaosi dhe konflikti i pasosur, që pamundësonin jetën normale të popullit. Këto përçapje dëshmojnë edhe për përpjekjet e ndonjë patrioti shqiptar të asaj periudhe, i cili për të qetësuar situatat e turbullta dhe të rrezikshme ku ndodhej vendi, kishte marrë në konsideratë mundësinë e vendosjes së një princi të huaj si sundimtar i Shqipërisë, duke pranuar për të vepruar pikërisht ashtu siç kishte propozuar Esat Pashë Toptani menjëherë mbas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Dallimi qëndronte në faktin e vetëm; të ndryshimit të kombësisë së princit mëtonjës për “postin e sovranit shqiptar”. Në këto tratativa bëhet e ditur se ka qenë i përfshirë edhe patrioti i njohur Themistokli Gërmenji. -“Në fillim të vitit 1916, në Shqipëri u përhapën fjalë se Themistokli Gërmenji ishte kthyer në Atdhe me qëllim që të zëvendësonte princin Vid me një princ bullgar, Kirilin. Ka të ngjarë që çështja e princit Kiril të jetë sajuar për arsye të lidhjeve që Themistokli Gërmenji pati në fillim me Hasan Bastrinë. Hasan Bastria, ose Bastri Beu, i vetëquajtur Dukagjini, ishte një mysliman bullgar, i cili në kohë të Turqisë na kishte qenë për një periudhë deputet i Dibrës në parlamentin turk, por duket se njihej pak në atë qytet….Prandaj ai me të ardhur në kufijtë e Shqipërisë së bashku me ushtrinë bullgare, formoi një të ashtuquajtur qeveri, selinë e së cilës e vendosi në Dibër. Dhe nuk e paraqiti këtë si një qeveri lokale të krahinës, por si një “qeveri provizore” e të gjithë “shtetit shqiptar” të rivendosur”, – thotë një burim i historisë.

MË 4 MARS 1916 U VRANË ELEZ KOÇI DHE QAMIL DUKA
Njëri nga njerëzit e parisë dibrane që kishte bashkëpunuar ngushtë me Hasan Bastriun në të gjithë etapat e aktivitetit të tij për “riformimin” e shtetit shqiptar, ka qenë edhe patrioti dibran Ismail Strazimiri. Ismail Strazimiri ka kryer funksione drejtuese në prefekturën e Peshkopisë në disa periudha, njëra prej të cilave ishte kur në Peshkopi u vendos ushtria bullgare dhe Ismaili mori pjesë ceremonialisht bashkë me gjithë parinë dibrane në uljen nga shtiza të flamurit shqiptar, e në ngritjen aty të flamurit bullgar, në janar të vitit 1916. Ndërsa në Peshkopi paria dibrane merrte pjesë ceremonialisht në uljen nga shtiza të flamurit shqiptar dhe në ngritjen aty të flamurit bullgar, në rrethinat e fshatit Vërnicë të Gollobordës më 4 mars 1916, një njësit ushtarësh bullgarë i mori jetën Elez Sadik Koçit dhe shokut të tij Qamil Duka, të dy nga Ostreni i Gollobordës, sepse kishin ngritur flamurin e Shqipërisë në Gollobordë. Në librin me “Kujtime” për atë periudhë, shkruar nga Ismail Strazimiri, janë edhe këto të dhëna për Hasan Bastriun:  “Hasan Bastriu thoshte se Gjermania, Austrio – Hungaria, Bullgaria dhe Rumania, ishin të mendimit që të formohesh sa më parë në Shqipëri një qeveri, për të dhanë zyrtarisht prova të një ekzistence kombëtare, që të mundet me u njoftë rishtazi indipendenca e Londrës. Për t`ia mbërri këtij qëllimi, shtonte se ai ashtë ngarkue me ba organizimin. Mit`hat Frashëri e Pandeli Culi në Jugë; Bajram Curri në Veri dhe ay vetë në Dibër, për rëndësinë e veçantë që paraqet vendi. Në ato ditë Hasan Bastriu shkruante letra në frengjisht, dhe këto i çonte në Manastir, në Shkup, në Prizren e në Shkodër. Këto letra, – thoshte se ia dërgonte shteteve të interesuara, të cilët i njoftonte se ka nisë puna e organizimit”.
Nuk mund të themi nëse qëllimi i vetëm i Hasan Bastriut ishte ringritja e shtetit shqiptar, si provë ekzistence para fuqive të interesuara evropiane për të ndihmuar Shqipërinë. Po ashtu nuk kemi mundur të ndjekim hollësisht gjithë veprimtarinë e Hasan Bastriut, e as të mësojmë se çfarë ishte ky njeri që i kishte hypur në kokë të “riformonte” shtetin në Shqipëri. Ishte një mysliman bullgar nga ata të Dibrës së Madhe dhe rrethinat e saj, apo vinte nga popullsitë myslimane të Bullgarisë?! – sikurse supozon një burim tjetër. Me aq sa kemi mundur të hulumtojmë mbi atë që u quajt “qeveria” e Hasan Bastriut, rezulton se ajo “qeveri” ishte një përpjekje e dështuar që në nisje të saj. Na ka tërhequr vëmendjen edhe fakti që: ndonëse me të bashkëpunuan mjaft patriotë dibranë e shqiptarë me autoritet të njohur nga viset e tjera, nuk na ka rezultuar të konstatojmë ndonjë njeri nga Golloborda që të jetë implikuar me “qeverinë” e Hasan Bastriut. Nga ana e tyre serbët sa herë që largoheshin nga Golloborda, rrinin me mendimin për tu kthyer prapë aty. Aty nga fundi i vitit 1918, kur ushtritë austro – hungareze e bullgare ishin larguar, serbët nuk harruan të vinin përsëri. Në janar të vitit 1919, një përqendrim i madh trupash ushtarake serbo – malazeze u vendos në Manastirec të Trebishtit, pranë manastirit të famshëm ortodoks të Trebishtit. Me këtë veprim serbët implikuan manastirin në fjalë, duke e disponuar si objekt të një kundërgoditjeje, e cila nuk do të mungonte, jo në këtë kohë, por më vonë, në shtator – tetor të vitit 1943, kur në rrethana të errëta manastiri në fjalë u dogj e u rrënua deri në themele nga njerëz të panjohur, të cilët nuk ishin nga Trebishti, e as nga fshatrat e Gollobordës. Manastiri i Manastirecit të Trebishtit në pikëpamje arkitekturore ka qenë një vepër me vlera të mëdha. Ishte disa kate i lartë, me oborre të shtruara me plloça guri, i rrethuar me avlli të larta guri dhe me shumë harkada. Manastiri ishte i ndërtuar me gurë, ndërsa në një pjesë me blloqe të mëdhenj mermeri të kuq. Ky manastir ka patur disa këmbana, të cilat dëgjoheshin deri larg. Jo shumë larg manastirit kanë ekzistuar e funksionuar një numër i madh kishash, në vendin e quajtur “Corkvishta”, që do të thotë “Kishat”. Manastiri i Trebishtit, sikurse kujtojnë ata që e kanë parë të padëmtuar, ishte i rrethuar me vreshta të shumta rrushi, me plantacione arrash, lajthish e pemësh të tjera frutore. Këtë objekt të mrekullueshëm arkitekturor, studiuesit e kanë përcaktuar se kishte filluar të ndërtohet në vitin 1020, nga Patriarkana Bullgare e Ohrit.
Në vitin 1910, mitropoliti serb i Dibrës së Madhe, Varnava Debarski, kishte bërë përpjekje që aty të instalonte veprimtarinë e tij serbizuese ndaj popullsisë sllavishtfolëse të Gollobordës, por hasi në kundërshtimin e vendosur të popullit të Trebishtit, jo vetëm të pjesës me përkatësi islame, por dhe të asaj me përkatësi ortodokse, të cilët ishin deklaruar si ekzarkistë bullgarë. Pas kësaj, mitropoliti Varnava Debarski gjeti terren për veprimtarinë e tij në fshatin Klenjë, duke bërë për vete kryeplakun e Klenjës, priftin dhe mësuesin e shkollës së atij fshati, e cila funksiononte në kuadër të kishës së Klenjës. Këta njerëz dhe ndonjë tjetër që shkoi pas tyre, në shtypin e asaj kohe i kemi gjetur të cilësuar me termin “të serbësuarit e Klenjës”.

RIORGANIZIMI I POPULLIT TË GOLLOBORDËS PËR VETËMBROJTJE
Duke ndjekur rrjedhën e ngjarjeve dhe zhvillimeve të fillimvitit 1919, konstatohet se në të gjithë fshatrat e Gollobordës populli u riorganizua përsëri për vetëmbrojtje. Në Trebisht u ringrit çeta e vetëmbrojtjes popullore. Çeta e re e Trebishtit ishte një formacion ushtarak gjysëm i rregullt, i cili vigjëlonte të gjitha kreshtat dhe lartësitë që rrethonin fshatin Trebisht. Kur ky formacion diktonte ndonjë lëvizje ushtarake serbe, jepte kushtrimin dhe radhët e çetës mbusheshin me njerëz të tjerë të armatosur. Çeta e re e Trebishtit ishte vazhdim i çetës së drejtuar nga Hysen Destani dhe shërbeu si pararendëse e një çete tjetër, e cila funksionoi në vitet 1943 – 1944,  nën komandën e Xhevahir Kurtit (Kadriu – Emini) nga Trebisht – Çelebia e Gollobordës, por duke qenë nën ndikimin e Sefer Maliqit, i cili mbante lidhje të ngushta me qarqet nacionaliste shqiptare. Qeveria jugosllave përditë e ndiqte situatën në viset e pushtuara dhe përgatitjet që bënin patriotët dibranë e gollobordas për një kundërgoditje të re ndaj serbëve. Ishte qershori i vitit 1920, kur “Me një ndjenjë të thellë shqetësimi, si kundërmasë, qeveria jugosllave urdhëroi që të bëhej çarmatimi i popullsisë në zonën e Lumës, Reçit, Klenjës, Dardhës, etj. Për këtë veprim ata shfrytëzuan grabitjen e disa bagëtive në Rekën e Gostivarit nga katër fshatarë të Kalisit të Lumës. Çarmatosja e popullsisë u shoqërua me masakra e raprezalje të përgjakshme. Me dhjetëra njerëz u vranë në fshatrat e Peladhisë, Sopotit, Kalasë së Dodës, Trebishtit dhe Kalisit të Lumës. Forcat serbe dogjën e shkatërruan shumë shtëpi dhe grabitën me mijëra kafshë e bagëti, internuan shumë familje e vunë taksa të reja. Për të forcuar regjimin e pushtimit e të terrorit, në Dibrën e Poshtme u vendosën gjashtë batalione me ushtarë serbë, në Gollobordë dy batalione dhe në Bulqizë një batalion”.
Në këtë kuadër kohor, në fshatin Trebisht – Çelebi u zhvillua një ndeshje midis serbëve dhe njërit nga burrat trima të Gollobordës, trimit Ali Veizi. Ky patriot trim nuk kishte pranuar ti nënshtrohet pagesës së taksave rrjepëse të serbëve. Serbët disa herë i kishin vajtur në shtëpi për ti vjelur taksën, por ai kishte refuzuar kërkesat e tyre të pafundme. Herën e fundit ia rrethuan shtëpinë dhe i “thirrën” me grykën e pushkës. Disa ushtarë serbë mbetën të plagosur nën kundërgoditjen e Ali Veizit, i cili me aktin e tij u bë një shembull i ri i rezistencës antiserbe. Ky patriot e luftëtar trim do të ndeshej e përgjakej dhe një herë tjetër me serbët, në verën e vitit 1924. Trebishti i Gollobordës nuk është një fshat dokudo. Është një fortesë e lavdishme e rezistencës dhe heroizmit gollobordas. Por nuk mund të gjenden fjalë për të përshkruar edhe epopenë e rezistencës së popullit trim të Steblevës, në gusht të vitit 1920, e cila është një epilog heroik i rezistencës shumëvjeçare të Gollobordës, e veçmas të Steblevës. -“Në mëngjes të datës 15 gusht 1920, u ndigjue britma besa – besë e Sufë Xhelilit dhe krisma e pushkës së parë, që u zbraz kundër serbëve….Brenda pesë minutave, lufta kishte plasë në të katër anët e Dibrës, qysh prej skajeve të Gollobordës e deri në Kala të Dodës, prej vijës së kufirit të vitit 1918, deri në buzë të vijës së kufirit të vitit 1913. Në mbramje, kur po perëndonte dielli, kishte perëndue edhe sundimi serb në tërë qarkun e Dibrës”.

LUFTA E STEBLEVËS NË GUSHT 1920
Lufta e Steblevës e zhvilluar në kuadër të kësaj përplasjeje të madhe me serbo – jugosllavët në gusht të vitit 1920, ishte epilogu që përmbylli një qëndresë të përhershme të gjithë gollobordasve. Përqendrimi i forcave ushtarake serbo – jugosllave rrotull Steblevës, paralajmëronte vetëm dy alternativa për Steblevën: “ose fitore me çdo kusht dhe mbijetesë”, “ose shndërrim në shkrumb e hi të Steblevës dhe masakrim i banorëve të saj”. Nga qendra e shtetit nuk erdhi asnjë shtetar, veç 200 trupave ushtarake që u dërguan si përforcim në distancë. Qeveria e Tiranës përpëlitej si gjithnjë në tentativa diplomatike, duke e këshilluar Sufë Xhelilin si komandant i lëvizjes mbarëdibrane, të mos i binin serbit pa u konsumuar mjetet diplomatike. Nëpunës shtetërorë dhe deputetë nga Tirana u mjaftuan të udhëtojnë për në Arras të Dibrës, ku ishte instaluar Shtabi mbarëdibran. Golloborda e Stebleva duhej ti përballonin vetëm, jo vetëm serbët dhe esadistët shqiptarë, por dhe rusët e bardhë të gjeneralit Vrangel, që erdhën aty për ti shërbyer Ahmet Zogut më vonë, në kohën kur Zogu do të vinte i mbështetur prej tyre dhe Beogradit. Lidhur me këtë situatë që tregon sesi u la Golloborda dhe Stebleva në mëshirë të fatit, dëshmon edhe ky pasazh i vjelur nga botimet që i referohen momentit historik: “Qeveria jugosllave e informuar mbi vendosjen e administratës shqiptare në Arras për përgatitjen e kryengritjes, dhe me synimin për të shtrirë mësymjen e forcave të saj në thellësi të gjithë “vijës së demarkacionit” në veri e verilindje të vendit, (është koha kur po zhvilloheshin luftime edhe në rrethin e Shkodrës), në fillim të gushtit 1920 organizoi sulmin e bandave esadiste, me të cilat u bashkuan edhe rusët e bardhë të gjeneralit Vrangel, në drejtim të Bulqizës, Steblevës, Borovës  e Zabzunit, për të dalë në Çermenikë e në Mokër dhe për të marrë drejtimin e Tiranës dhe Elbasanit”.
Shtabi mbarëdibran që e ndiqte situatën hap pas hapi, ndërmori një veprimtari intensive organizative duke mobilizuar forca të shumta popullore. Më 18 – 20 gusht të vitit 1920, sikurse ka shkruar një burim, filloi kryengritja dibrane në Lugjapravë – Shumbat, nën drejtimin e Sufë Xhelilit. Goditja dibrane ishte shkatërrimtare për serbët, të cilët pasi u thyen keqazi nga ofensiva e forcave dibrane, instaluan ushtri të shumta “gjatë vargut të maleve të Korabit, të përbërë prej një Korpormate, duke u zgjatur drejt Trebishtit deri në Klenjë”.
Ardhja e trupave të Korpormatës serbe e vuri Gollobordën nën një goditje tjetër të rëndë. Ngjarjet e zhvilluara në Gollobordë gjatë verës së vitit 1920 janë një pasqyrë tjetër e barbarisë serbe. Banorë të Gollobordës që i kishin jetuar ato muaj përplasjesh të egra, na kanë treguar se serbët i vunë zjarrin gjithë arave të mbjella që prisnin të korreshin atë verë. U vranë shumë njerëz të pafajshëm nëpër fshatrat e Gollobordës, sikurse ishin Trebishti, Ostreni, Gjinoveci, Klenja, etj. Por marshimi i trupave serbe hasi në një rezistencë heroike në kodrat e fshatit Steblevë të Gollobordës. Lufta e Steblevës e zhvilluar me këtë rast, që njihet me emrin “Epopeja e Steblevës”, është një nga ngjarjet më epike të popullit të Steblevës dhe Gollobordës kundër serbëve dhe veglave të tyre të llojit Esat Pashë Toptani. Me këtë epope steblevasit, muslimanë e ortodoksë, burra e gra, kanë shënuar emrin e vet në faqet më të ndritura të librit të trimërisë gollobordase e dibrane. Duke folur për karakterin mbarëpopullor të pjesëmarrjes së popullit të Dibrës e të Gollobordës dhe viseve përreth në luftërat antiserbe, shtypi shqiptar i atyre kohëve konstatonte se: “Gjithë gjindja e krishterë e viseve ku luftohet, domethënë shqiptarët dhe bullgarët, se serb nuk ka as një sa për ilaç, u bashkuan me kryengritësit”.
(vijon nr e ardhshem)

S'KA KOMENTE