Agimi i demokracisë në Dibër

159

26 vjet më parë – Agimet e lirisë grisën perden e natës së gjatë

 

Safet Zhulali, themeluesi dhe kryetari i parë i degës së Partisë Demokratike të Dibrës ishte shumë i lidhur me shtypin e ditës, veçanërisht me gazetën “Rilindja Demokratike” (e para gazetë opozitarenë vend). Ai e përshkruan në këtë mënyrë një ditë pune në Degën e PD-së Dibër, në faqet e gazetës “RD”(korrik 1991) :

“Dega jonë është vendosur në katin e dytë të një ndërtese dykatëshe në bulevardin kryesor. Për 30 vjet ajo ka qenë selia e PPSH-së. Kemi 3 zyra. Njerëzit që vijnë tek ne janë të mbytur nga hallet e jetës, nga puna e lodhshme ose papunësia e gjatë mjerane. Janë demokratë të vendosur por vijnë edhe arrivistë apo karrieristë të vegjël.
Në selinë tonë ka gjallëri ka jetë. Në zyrë janë ulur dy vetë. Njëri është Agron Qoku, sekretar i nëndegës Maqellarë, tjetri një kryetar seksioni që pasi ka paguar kuotizacionet vjen të informojë. Agron Qoku është një djalë 25-27 vjeç. Është drejtor i shkollës së mesme Maqellarë, ish-kandidat për deputet, rival i konservatorit Xhelil Gjoni.
Humbi në zgjedhje. Ishte një gabim taktik nga ana jonë? Duke e konsideruar fitoren e tij të sigurtë ne e lamë vetëm. Ai bashkë me B. Osmanin që tani është sëmurë ka krijuar një nëndegë model me 16 fshatra mjaft të organizuar. Por kanë edhe ata dobësitë e tyre në dokumentacion, kuotizacion, në punën me intelektualët.
Agroni është i shqetësuar për ndonjë eksod dhe ngulmon që të ndërhyjmë për zgjidhjen sa më shpejt të çështjes së hapjes së pikës kufitare të Bllatës, për mungesën e bukës etj. Megjithatë është shumë optimist.
Ndërkaq ndërhyn kryetari i seksionit të Fush-Alies. Atje gjendja është më e keqe. Mungon sapuni, vaji, sheqeri, duhani. Fshatarët here kanë e herë s’kanë bukë. Ankohet se nuk mblidhet seksioni si më parë. Njerëzit po munden nga hallet.
E qetësoj dhe i them se do të interesohemi në Komitetin Ekzekutiv për një furnizim sado të vogël dhe mundohem ta sqaroj se për gjendjen ekonomike të rënduar, duhet të punojë më shumë seksioni. Të evitojë të paktën abuzimet dhe shpërdorimet. Ai thotë “mirë”, po e ndjej që e ka humbur besimin.
Ndërkaq hyjnë 20-30 fshatarë të nevrikosur. S’ka karrige për të gjithë. Përfaqësuesit e tyre thonë se ka dy ditë që janë pa bukë dhe “asnjë s’e çan kokën”. Kërcënojnë se do të ndalojnë ujët. Mezi i qetësoj. Marr në telefon sekretarin e Komitetit Ekzekutiv. Ai justifikohet matanë telit. Më lutet që mos t’ia përcjell aty fshatarët. Më premtoi diçka. Unë ua them atyre dhe ata ndihen më të lehtësuar, por nuk besojnë. E ndiej edhe unë. Megjithatë më shtrëngojnë dorën të kënaqur. Duke ikur më thonë: “- E dimë që s’ke gjë në dorë, megjithatë të faleminderit. Kryetari i komitetit s’na priti 3 ditë rresht”.
Ulem të vazhdoj bisedën me kryetarin e seksionit, por përsëri bie telefoni. Është kryetari i Degës së Punëve të Brendshme. Na fton për ndihmë. Në Gollobordë nesër pritet eksod i madh!.
I vendosur, i them të marrë me vete ata të PS-së, por ai më përgjigjet se “atyre s’u besojnë, vetëm tek ju kanë besim”.
Përsëri i them se s’mund të vijmë për mungesë makine, por ai premton makinën e tij.  Dal atëherë dhe kërkoj dy shokët e mi të papërtuar, Sh. Hoxha e S.Topollain dhe u them të nisen. Kur kthehem në zyrë, e gjej të mbushur plot. Disa çohen e dalin duke më thënë se e biseduan çështjen me shokët e tjerë që ndodheshin aty.
Mbetën dy vetë. Njëri është një ish – i burgosur politik nga Bulqiza. Është i papunë, me arsim të lartë, i martuar dhe me fëmijë. Është 30 vjeç dhe i shtrembërohet fytyra nga turpi kur thotë se ha
në kurriz të të tjerëve. E quajnë R. Kica. I premtoj se do të interesohem dhe i mbaj emrin shënim. Duke ikur ai më thotë se s’i ka mbetur rrugë tjetër përveç eksodit. E dënuan 7 vjet se në një bisedë kish kritikuar kooperativën. Ndërkohë hyri një fshatar nga fshati Tartaj i Zall-Dardhës, i veshur mos më keq dhe i lodhur. Më tregon se është vetë i dhjetë me një dynym tokë. S’ka para për bukë. I them se ai duhet të kish 4 dynym sipas ligjit. Por ai më tregon se babai i tij kishte 4 dynim tokë para hyrjes në kooperativë. Janë 4 vëllezër dhe secilit i takon nga një dynim. Secili ka shkuar në kufijtë e vjetër.
“Po ti, -i them, – pse s’e merr 4 dynimshin dhe kur të ndahet toka, shohim”?.
“Jo, – thotë, – këtë gjë s’e bëj sikur të vdes bashkë me fëmijët. Nuk e kemi zakon të shkelim në tokën e tjetrit”.
Kërkonte punë ose mundësi emigrimi. I shpjegova se ne jemi parti e jo shtet, por ai s’donte ta besonte se s’kisha gjë në dorë.
“Po, kujt ia dhe votën? – e ngacmoj unë.
Ai më sheh dhe turfullon.
“Një herë gabon njeriu po ne gabuam dy herë. Njëherë që dorëzuam mall e gjë në kooperativë pa zhurmë dhe tani që i dhamë votën. Po në zgjedhjet e reja në Zall-Dardhë, PS-ja nuk merr më shumë se 70 vota (aq sa është numri i anëtarëve të PS-së) bile edhe këto s’i ka të sigurta”.
Megjithatë ia mora shënim emrin.
Kthehemi natën vonë. Na presin gratë të lodhura nga hallet e ditës e të shqetësuara se mos na ndodh gjë. Kështu kalojnë ditët tona të mbushura me vuajtjet e së djeshmes e ankthin e çdo dite. Shpesh herë besimi tronditet dhe tek ne. Shpesh grindemi në mes tonë, i flasim me zë të lartë njëri- tjetrit, bërtasim por hera herës e ndiejmë veten të gëzuar e të lumtur kur shohim që partia jonë rritet e forcohet çdo ditë e më shumë.
Biem të flemë vonë. Shpesh krismat e armëve të enveristëve që duan të ndjellin panik e pasiguri na e prishin gjumin. Në djall vafshi, Makbethër! Demokracia në Dibër po agon”.
(Safet Zhulali, Gazeta “RD”, 20 korrik 1991)

Konferenca e parë e Degës së PD-së Dibër

Diku nga gjysma e dytë e korrikut 1991, si rezultat i protestave të udhëhequra nga opozita e sindikatat e pavarura, ra qeveria NANO dhe u krijua një qeveri koalicioni me bazë të gjerë, e kryesuar nga Ylli Bufi, e cila u quajt “Qeveria e Stabilitetit”. Për rrjedhojë, edhe në rrethe u krijuan pushtetet vendore pluraliste, që u quajtën komitete ekzekutive pluraliste, këshillat pluraliste të qyteteve e fshatrave.
Nën ndikimin absolut të Safet Zhulalit, kryesia e Degës së PD-së dërgoi në organet ekzekutive dhe në këshillat pluraliste përfaqësuesit e saj më të mirë, me arsim të lartë, me integritet dhe me përvojë pune. Asnjë nga kryesia e vogël nuk mori detyra të tilla administrative; ata vazhduan punën me me intensitet për zgjerimin e forcimin e partisë.
Me porosi të Safetit, u nisën drejt zonave të tyre anëtarët e kryesisë, për të shpjeguar situatën e re të krijuar, që ishte një fitore e PD-së, si dhe për t’i dhënë një shtysë të re jetës nëpër seksione, për të zgjeruar e gjallëruar radhët e tyre. Ndërkohë, ishte marrë vendimi për mbajtjen e Kongresit të Parë të PDSH-së në Tiranë dhe paraprakisht do të mbaheshin edhe konferencat e para të degëve nëpër rrethe. Safeti hartoi një program pune për organizimin e Konferencës. Përveç përgatitjes së raportit, që e kishte marrë përsipër vetë, ngriti komisionet e tjera, që do të merreshin me çështje të veçanta.
Më 29 gusht 1991 zhvilloi punimet Konferenca e Parë e Degës së PD-së Dibër. Të deleguar të PDSH-së ishin, Eduard Selami, sekretar i Komisionit Drejtues të PDSH-së dhe Azem Hajdari, kryetar i Komisionit Politik të PDSH-së. Në raportin kryesor, të mbajtur nga kryetari i Degës së PD-së për rrethin, Safet Zhulali, u analizua veprimtaria e partisë që nga themelimi deri në ditët e Konferencës, u vunë në dukje arritjet e mangësitë, me një theks autokritik u lexuan rezultatet e zgjedhjeve të 31 Marsit, u nxorën shkaqet dhe u përcaktuan detyrat për të ardhmen. Pastaj diskutuan delegatët dhe të deleguarit e PDSH-së. Konferenca zgjodhi kryetar Safet Zhulalin dhe sekretar Mirush Matin. Megjithëse ishte hera e parë që demokratët organizonin një veprimtari të tillë institucionale, gjithçka shkoi për mrekulli. Një mjedis i këndshëm e komod për të gjithë. Një debat i hapur, me etikë, me respekt të ndërsjellë, pa mllefe, pa kulisa, intriga e paranoja. Një kulturë e një qasje e re politike po lindtte; kultura e pranimit të të ndyshmit dhe e kundërshtarit alternativ, kultura e xhentilencës, mirëbesimit të ndërsjellë dhe transparencës.
Kjo ishte edhe merita më e veçantë e kryetarit Zhulali.

Kuvendi i parë i PDSH-së

Delegatët e Degës së PD-së Dibër, të zgjedhur me votë të lirë e të fshehtë, u nisën drejt Tiranës ku me datë 28 Shtator 1991, do të mbahej Kuvendi i Parë i demokratëve. Në atë Kuvend gara ishte e hapur dhe shumë demokratike. Lidershipi i dëshmuar nga prof. dr Sali Berisha ishte i padiskutueshëm dhe kishte përkrahjen gati absolute të delegatëve për zgjedhjen e tij në krye të PDSH-së. Pikërisht, për këtë arsye, disa anëtarë të Komisionit Drejtues u përpoqën ta largonin nga konkurimi Kryetarin Berisha me anën e disa artificave statutore që donin t’i inpononin Kuvendit. Në atë situatë, e merr fjalën kryetari i Degës së PD – së të Dibrës, Safet Zhulali, i cili, me qetësi e argumente dënoi ambiciet e sëmura e tentativat karrieriste të disa individëve. Fjala e Safetit u prit me duartrokitje nga të gjithë delegatët.
Prof. dr. Sali Berisha u zgjodh Kryetar i PDSH-së me reth 80% të votave.
Me datë 2 tetor 1991 shpallet lista e Këshillit Kombëtar të PDSH-së. Safet Zhulali ishte zgjedhur në vendin e 21-të.

Protestë për shkarkimin e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme

Për të mbajtur lart ritmin, Safeti nuk lejonte vakume të gjata pa veprimtari. Vetëm tri ditë pas Kuvendit të Parë të PDSH-së, organizoi në qytetin e Peshkopisë, para Komitetit Ekzekutiv Pluralist një miting të fuqishëm.
Në fjalën e tij ai protestoi ndaj Komitetit Ekzekutiv për zvarritjet burokratike, për ngadalësinë në rinovimin e aparatit të Komitetit, të drejtorive të ndërmarrjeve ekonomike etj.
Gjithashtu u kërkua me forcë ndarja e forcave të rendit nga ato të sigurimit si dhe shkarkimi i Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme. Më pas kryetari Zhulali trajtoi çështjen e ndarjes së tokës. Për këtë çështje madhore ai kishte një qëndrim origjinal: kërkonte një harmonizim mes ligjit për ndarjen e tokës me respektimin e kufijve të vjetër, e domosdoshme kjo sidomos për zonat veriore e verilindore që kishin pak tokë.
Koha e vërtetoi se sa largpamës e sa të drejtë kishte pasur Safeti në këtë qëndrim.
Në fund ai kërkoi që Komiteti i Partisë së Punës të largohej nga ndërtesa pompoze, që e kishte shfrytëzuar për dy dekada, dhe aty të vendoseshin organet e qeverisjes vendore. Këto kërkesa që ai i paraqiti në atë miting, ishin aq realiste dhe të argumentuara, saqë të gjitha u realizuan.

Vizitë te degët e partive politike shqiptare në Maqedoni

Kryetari Zhulali kishte emëruar si përgjegjës të Departamentit për marrëdhëniet me Jashtë z.Spartak Topollaj, profesor i historisë, që ishte i apasionuar pas zhvillimeve ndërkombëtare. Ai kishte vendosur lidhjet me Degët e Partisë për Prosperitet Demokratik, që drejtohej nga Nevzat Halili dhe të Partisë Popullore Demokratike që drejtohej nga Iliaz Halimi. Ishte rënë dakord që delegacioni të përbëhej nga 5 apo 6 persona. Interesant ishte fakti që Safeti nuk e inponoi përbërjen e delegacionit. Ai u zgjodh me votim të fshehtë nga gjithë kryesia e degës së partisë. Delegacioni zhvilloi takime me strukturat politike shqiptare në Strugë dhe Dibër të Madhe në javën e parë të Dhjetorit 1991. Në ato takime u fol për situatat në vendet respektive, për perspektivën e zhvillimeve politike në të ardhmen; u shkëmbyen përvoja pune për forcimin e Degëve përkatëse. Mund të themi pa dyshim se Dega e PD-së Dibër ishte e para që ndërmerrte takime me strukturat politike homologe jashtë kufijve tanë shtetërorë.
Ndërkohë një pjesë e delegacionit e përbërë nga Shkëlqim Hoxha, Spartak Topollai dhe i ndjeri Genc Bardulla u nis për në Kosovë, ku u pritën nga Presidenti Ibrahim Rrugova.

Zgjedhjet e 22 marsit 1992 – PD fiton në të gjitha zonat e Dibrës

Safet Zhulali, me pjesën tjetër të delegacionit, ishin nisur për në Peshkopi, sepse në Tiranë kishin ndodhur zhvillime shqetësuese politike. Kishte rënë Qeveria e Stabilitetit e kryesuar nga Ylli Bufi dhe ishte formuar Qeveria Teknike e kryesuar nga Vilson Ahmeti, që kishte si detyrë kryesore përgatitjen e vendit për zgjedhjet e reja të parakohshme.
Zgjedhjet ishin caktuar të mbaheshin më 22 mars të vitit të ardhshëm (1992).
Safeti sapo ishte kthyer nga vizita në Maqedoni, diku nga mezi i Dhjetorit 1991 mblodhi me urgjencë aktivin e PD-së dhe shpjegoi situatat e reja të krijuara. Dega e PD-së mbështeti pa rezerva vendimin e Kryetarit Berisha dhe të Kryesisë për të dalë nga Qeveria e Stabilitetit. Zhulali i dha udhëzimet aktivit për nisjen e menjëhershme të punës lidhur me zgjedhjet e 22 Marsit.
Në të gjitha seksionet e PD-së filloi një punë intensive bindëse me qytetarët për të shpjeguar programin qeverisës të PD-së.Të gjitha strukturat politike të PD-së ishin mobilizuar për të realizuar detyrat e dhëna nga kryetari. Me një shpejtësi të paparashikuar, PD-ja po kthehej në një lëvizje ndryshimi e shprese të madhe. Edhe kritizerët e skeptikët e dikurshëm kishin filluar të kuptojnë se historia kishte ndryshuar dhe kishte kaluar në anën e forcave përparimtare. Kështu orteku që do të shpartallonte forcat enveristo-puniste, po rritej me shpejtësi.
Strukturat politike të PD-së kishin filluar të diskutojnë për kanditaturat për deputetë. Pas debatesh konstruktive, në mbledhje të hapura e të zgjeruara, ata zgjodhën si candidate të PD-së për deputetë; Safet Zhulalin, Natasha Shehun, Bashkim Gazideden e Agron Qokun. Secili më i mirë se tjetri. Zhulali zgjodhi zonën më të vështirë për atë kohë, Rajonin e Bulqizës. Si rezultat i një pune të mirorganizuar nga kandidatët e kryesia e Degës, Dibra arriti një fitore mbarëpopullore. Të katër kandidatet i fituan zgjedhjet dhe u shpallën deputetë të Kuvendit Popullor të Shqipërise. Një meritë të veçantë për këtë fitore historike kishte kryetari i Degës së PD-së, Safet Zhulali.

Agimet e lirisë grisën perden e natës së gjatë

….Mbrëmja e 22 Marsit! Sa e jashtëzakonshme, po aq e madhërishme! Dibranët u derdhën lumë nëpër rrugët e qytetit.
Qytetarë të Peshkopisë e të fshatrave përreth, sidomos të rinjtë e të rejat, nxënësit e studentët, intelektualët, pa dallime klasore; veçanërisht të persekutuarit që akoma nuk e besonin se kishin marrë fund vuajtjet, torturat, burgimet e internimet e tyre 50-vjeçare. Vetëm një grup enveristësh, kuadro drejtues të organeve të dhunës ishin të frikësuar e strukur nëpër shtëpitë e tyre. Urime, lotë gëzimi, përqafime, ngashërime lumturie. Peshkopia e Bulqiza, si edhe e gjithë Dibra po përjetonte një natë të paparë në historinë e saj. Asnjëherë tjetër më parë ajo nuk kishte ndjerë kaq pranë lirinë, aromën dehëse të saj. Në qendër të asaj stuhie gëzimi, lumturie e besimi qëndronte një burrë fisnik rreth të pesëdhjetave, me një trup shtatlartë vështrim këmbëngulës dhe të ëmbël. Drejt tij vërshonin urimet, përqafimet, falenderimet. Të gjithë kërkonin ta preknin, ta përqafonin, të këmbenin një duhan, një kafe apo një pije: ishte Safet Zhulali që me një buzëqeshje të lehtë e një pamje të njerëzishme e dinjitoze, ua kthente të gjithëve përshëndetjet e urimet për fitoren. Njëherazi, duke larguar jo pa sforco entuziazmin e euforinë e tepruar, nuk e fshihte dot një lloj meditimi a shqetësimi të lehtë në fytyrë.
E shqetësonte e nesërmja e demokracisë. “A do të zhvillohej, rritej e maturohej ashtu siç e kishin ëndërruar e premtuar, apo përballë sfidave të kohës mund të zbehej e të venitej?!”
Atë ditë nuk ishte përmbysur vetëm komunizmi, por të gjitha sistemet e shtypjes, terrorit e dhunës. Ishte përmbysur era e vjetër, kishte ardhur era e re e lirive dhe të drejtave universale të njeriut. Dukej se të nesërmen do të fillonte viti 1 i Epokës së Re. Rrugë të reja, shtigje të reja, me të papritura, ambicje të guximshme, enigma e udhëkryqe.
Pikëpyetjet, dilemat, zgjidhjet e tyre e kishin arratisur Safetin në kufijtë midis ëndrrës e zhgjëndrës. Zgjohet dhe i dorëzohet tundimit të përgjithshëm. E përthith si në një vorbull turma e dehur nga avujt e lumturisë. Nuk ishte koha për t’u menduar, ishte koha për t’u dorëzuar në krahët e gëzimit e lumturisë së pafund. Atë natë Peshkopia, Bulqiza dhe e gjithë Dibra nuk pati gjumë.
Brohoritje, këngë, valle, krisma, fishekzjarrë. E ç’mund të prisje më shumë nga ajo natë “e çmendur” e 22 Marsit?!.
Errësira po tretej e shpërndahej ngadalë. Për herë të parë në historinë e atij qyteti, agimet e lirisë kishin grisur perden e natës së gjatë. Atë natë edhe Safeti nuk bëri dot gjumë. 23 Marsi i lirisë kishte trokitur.

S'KA KOMENTE