REPUBLIKA E RE. PD parashikon një buxhet jo më pak se 100 milionë dollarë në vit subvencione për fermerët

83

Në takimet elektorale të këtyre ditëve për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, lideri i opozitës Lulzim Basha, si dhe kandidatët për deputetë të listës shumëmerore të PD-së në 12 qarqet e vendit kanë prezantuar programin që është oferta për shqiptarët dhe që parashikon zhvillim ekonomik, lehtësi fiskale, punësim, stimuj ekonomikë, zhvillim të bujqësisë, infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë. “Taksat e ulëta, zbritje e TVSH-së në nivelin 15 për qind, futja e taksës së sheshtë më të ultën në Ballkan në nivelin 9 për qind, janë disa nga pikat e platformës, që do ta bëjnë Shqipërinë vendin më atraktiv të rajonit për investime. Prioritet do të jetë po ashtu zbatimi i ligjit dhe lufta ndaj korrupsionit”, deklaron PD-ja.  Në takime masive elektorale, Basha dhe kandidatët e listës së PD-së po paraqesin edhe propozimet e tyre sipas zonave që ata përfaqësojnë.

MBËSHTETJE E GJERË PËR PROGRAMIN ELEKTORAL TË PD-së
Gjashtë muaj më parë, gjatë debateve që shkaktoi drafti i qeverisë për buxhetin e vitit 2016, PD-ja do të prezantonte përballë opinionit publik, palëve të interesuara, shoqatave të bizneseve, platformën fiskale, e cila iu shtrua për diskutim edhe palëve të interesit, për të marrë opinionet e tyre e për ta përgatitur si platformë. Në fokusin e saj, ishin bujqësia, energjia, siguria, arsimi, shëndetësia, praktikisht të gjitha pikat e nxehta ku qeveria shqiptare, këto katër vite, ka dështuar në mënyrë spektakolare. Dhe në kuadër të hartimit të platformave nga kryetari Basha dhe ekspertët demokratë u bë dhe konsultimi final me specialistë të fushës, për t’i pasuruar më tej këto dokumente me ekspertizën dhe idetë më të mira lidhur me çështje të caktuara që trajton programi elektoral i PD-së.
Drafti përfundimtar u hartua mbi bazën e programeve të veçuara që hartoi secili prej departamenteve të ngritura pranë PD-së. Programi i secilit prej 22 departamenteve iu nënshtrua diskutimit të hapur me grupet e interesit, në funksion të përmirësimit dhe përfshirjes së çdo opinioni të vlefshëm.
Programet e departamenteve sipas fushave që mbulojnë, që janë dhe alternativa e Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit tashmë janë bërë publike dhe po gjejnë mbështetje të gjerë elektorale.
Në këtë program është mendimi i ekspertëve më të mirë të fushës, të cilët së bashku me drejtuesit politikë të departamenteve kanë dhënë kontributin e tyre për të hartuar “alternativën që ofron zgjidhjet më të mira për secilin sektor të jetës. Këto platforma që po prezantohen para zgjedhësve, janë një projekt i detajuar dhe i plotë në ekonomi, rend, siguri, shteti i së drejtës, bujqësi, turizëm, infrastrukturë, e shumë fusha të tjera, janë zgjidhje për daljen nga kriza.
Premtimet e PD-së
Në një tur takimesh në të gjithë vendin, kryedemokrati Basha dhe kandidatët për deputetë të listës shumëemërore të PD janë fokusuar tek njohja nga afër e situatës ekonomike dhe problemet që hasin qytetarët, për shkak të reformave të qeverisë. Gjatë këtyre takimeve, Basha propozoi ulje të çmimit të naftës me 240 lekë për litër, ulje të çmimit të energjisë, vendosje të taksës së sheshtë prej 9 për qind në mënyrë që 450 milionë euro që mblidhen sot dhe që, sipas tij, nuk dihet se ku shkojnë, t’u rikthehen qytetarëve. Gjithashtu disa nga pikat e tjera të programit të PD-së, janë edhe uljet e taksave për bizneset, si dhe propozimi për faljen pa kushte të kamatëvonesave të energjisë. Gjithashtu Basha ka prezantuar programin ekonomik të Partisë Demokratike për bujqësinë dhe blegtorinë. Në draftin mbi bujqësinë, PD parashikon një buxhet jo më pak se 100 milionë dollarë në vit, që do të ndahet në dy pjesë: subvencione sipas sektorëve dhe kryesorja, që të jetë për të gjithë fermerët, është eliminimi i çdo takse për fshatin, mbi naftën, plehrat, fidanët, mbi farat.

S'KA KOMENTE