Përse duhet përshëndetur “Lista Basha”

78

Kanë kaluar tashmë thjesht 27 vjet nga ndryshimi i sistemit monopartiak në sistemin aktual hibridodemokratik. Sistem pak i çuditshëm ky i yni, por që për momentin mund të mendohet si i vetmi i mundshëm, nisur nga niveli edukativ, kulturor dhe njerëzor i popullit tonë të dashur. Përgjatë këtyre viteve kanë ndodhur një mori situatash, aktesh njerëzore, mini revolucionesh etj., përsa i përket njohjes tonë me demokracinë.
U krijuan për herë të parë kasta politikanësh, të cilët në një mënyrë ose tjetër ishin, ose më mirë duhet thënë, janë mësuar me vendin e tyre të sigurt në majat e “Olimpit partiak”, pozicion ky që i ka bërë të mundur të ndryshojnë, modifikojnë ose/dhe të shembin idhujt e ëndrrave demokratike të një populli të tërë, duke përdorur pozicionin e tyre vetëm për interes pragmatist dhe mediokër financiar, ose thjesht për të qenë në qendër të vëmendjes të liderit përkatës. Kështu u krijuan vit pas viti klasat e deputetëve, të cilët radhisnin herë pas here numrin e mandateve të fituar, duke e quajtur këtë si një aftësi personale, ku më i forti vlen dhe ku më i forti fiton.
Duke parë listat aktuale të deputetëve të ardhshëm të tri partive më të mëdha në vend, shikohet ende deri diku ky trend i vendosur. Domethënë të njëjtit njerëz me të njëjtën biografi, herë pas here të dyshimtë, me shpresën që nuk do t’i mbajmë mend, kështu që mund t’i votojmë sërish, pasi mund të na duken ndryshe nëse paraqiten me parti të reja apo me mënyra të reja demagogjiste. Kalvari i listave, sidomos duke nisur me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, janë “ethet e gushtit” që përfshijnë çdo individ, i cili mendon se për një arsye apo tjetër është apo e meriton të jetë një përfaqësues i denjë në Parlament.
Në këto lista, sigurisht që nguten të marrin pjesë lloj-lloj elementësh, por është roli vendimtar i kryetarit të partisë dhe i forumeve përkatëse që të bëjnë zgjedhjen e duhur duke larguar dhe injoruar individë, të cilët mund të kenë arritur pasuri financiare, por jo pasuri cerebrale. Të cilën për fat të keq nuk ta ofron paraja, por mundi i hedhur ndër vite. Ky dallim rrënjësor do të bënte të mundur që të mos përsëritej më, skena e turpshme e Parlamentit që kaluam. Parlament, i cili u karakterizua nga largime deputetësh për arsye kriminale, hajdutërie, mungesë diplomash universitare ose në rastin më të “mirë” të falsifikuara. Parlament, i cili vetëm përfaqësues i një populli nuk mund të jetë dhe sidomos i një populli, i cili synon për një zhvillim të mëtejshëm në familjen europiane.
Listat aktuale për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, për hir të së vërtetës, kanë dallim rrënjësor me ato të para katër viteve.  Kjo si pasojë më shumë e frikës dhe monitorimit europian, por deri diku edhe e ndërgjegjësimit të kryetarëve përkatës, të cilët mbase e kuptuan që duhet ndryshuar nëse dëshirojnë që të jenë të pranuar nga ndërkombëtarët.
Në këtë prizëm reflektimi duhet evidentuar dhe përshëndetur nisma për listat e kandidatëve për deputetë, shpallur nga Partia Demokratike. Ajo vihet re nga këto lista është inkuadrimi në pozicione fituese i shumë kolegëve dhe miqve nga bota akademike. Më në fund edhe partitë politike kuptuan që pa pjesëmarrjen e akademikëve në proceset zhvilluese të një vendi, nuk mund të ketë progres dhe rritje të vazhdueshme.
Përfaqësimi akademik në këto lista jep një garanci demokracie në Parlamentin e ardhshëm. Kjo nismë apo reflektim i zotit Basha është ai i duhuri. Lista “Basha” shpërfaq një mesazh dinjiteti dhe qytetarie europiane, për të cilin kemi nevojë të gjithë.

S'KA KOMENTE