Monumenti i Skënderbeut në Bulqizë, vepër madhështore arti

1891

Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu “zbret” në fushë betejën e 552 viteve më parë

Nga Bashkim Lami    

•    Monumenti i mbuluar me flamurin kombëtar qëndron në ballë të turmës që shtohej me pjesmarrës pa u ndalur. Kjo fushë nuk ka parë festë e gëzim me përmasa kaq të mëdha në asnjë kohë. Madhështia e Heroit, që nga ky çast do qëndrojë aty mes njerëzve që e kanë idhull si strateg, si luftëtar dhe udhëheqës në 25 vite, duke mbetur i pavdekshëm për ne shqiptarët, por edhe për europianët, që gjithashtu i kanë vendosur përmendoret në kujtim të tij në disa kryeqytete

Udhëtarët dibranë dhe të huaj kur kalonin tek “Gurët e Skënderbeut” ju tërhiqte vëmendjen një flamur kombëtar i lartësuar me një shtizë prej hekuri mbi gurin e madh të atij vendi që shumë veta e dinin se vendi quhet “Gurët e Skënderbeut”, por shumë të tjerë nuk e dinin dhe këtë gjë e mësonin nga të tjerët. Djemtë e fisit “Tançi” e vendosën atë flamur mbi gur dhe ndjeheshin të lumtur që ky veprim po zgjonte kureshtjen tek shumë kalimtarë. Agron Tançi e ndërronte flamurin sa herë që e griste era e fortë apo kur dielli ja ç’bënte ngjyrën e kuqe. Djemtë “Tançi”, “Suroçi”, “Duriçi”,”Dauti”, “Keta”, “Çupi”, “Koçi”, “Gjoka”, “Alla”, “Llani”, “Hasa”, “Ruta”,  etj. përsëri mendonin dhe diskutonin se ky vend don një vepër më madhështore që të tregoj çfarë ka ngjarë këtu më 1465, mbi pesë shekuj më parë.

Organizimi i grupit nismëtar
Asllan Daxha posa kuptoj dëshirën e djemve “Tançi” bisedon me djaloshin student të skulpturës Etmond Balja, nëse mund të realizohej një monument që të pasqyrojë historinë e luftrave të Gjergj Kastriotit në Vajkal. Mondi kishte realizuar edhe më parë bustin e Dërvish Çaushit që është vendosur në qendër të Fushë-Bulqizës.
Djaloshi skulptor shumë shpejt krijoi idenë e një monumenti ku në qendër të tij do të ishte Gjergji plak me shikim të largët dhe duke menduar thellë si strateg i njëzet e katër betejave në mbrojtje të lirisë. Në dhomën e studentit artist filloj të ndërtohet boceti me allçi derisa u bind se memoriali shprehte artistikisht historinë e para 552 viteve duke ardhë deri në ditët e sotme me toponimin “Gurët e Skënderbeut” në lindje të fushës së Vajkalit.

Fillimet e projektit
Asllani, Mondi, Samiu pasi u bindën se  tani duhej punuar për ta realizuar menjëherë përhapin idenë e projektit ndër njerëzit që do siguronin koston dhe mbështetje.
Garantimi i kostos financiare nga donatorët
Në Bulqizë bëhen bisedat e para me Bukurosh Koçin, Eduart Ketën, Myfit Duriçin, Diamant Tançin dhe në Tiranë me Azis Ketën e Bashkim Lamin. Të tjerë paraqesin gadishmërinë për anën financiare duke thënë se ky monument do të bëhet sa më madhështor. Grupi zgjerohet me financues të tjerë,  Artan Lamani, Rrahim Dedja, Naim Cupi, Delfin Tançi. Edhe të tjerë janë të gatshëm që vepra të vendoset sa më parë në vendin që e pret prej vitesh.
Studenti për skulpturë, Mondi me të shpejtë gjen studion dhe bashkëpunëtorët Agli Sefa e babai i tij dhe fillon punën me armaturën dhe me baltën, fillimisht me shtatoren e heroit dhe më pas me gurët e shpatat që do të plotësojnë këtë monument.
Ditë pas dite duke vazhduar studimet e vitit të fundit, pasdite dhe natën Mondi gatuante baltën dhe shtatorja bashkë me gurët marrin formën e duhur. Skulpturë gjigande ku Mondi ngjitet të punoi me skelë deri në lartësinë tre metra.
Vëzhgimi i memorialit nga orgqnizatorët dhe profesionistët
Vendosen fotot e para në FB. Menjëherë të interesuar dhe profesionistë kërkojnë adresën ku punohet për ta vizituar. Mondi e mban vehten i qetë dhe pret me dashamirësi artistin Bujar Kapexhiu, “mjeshtër i madh”. Bashkimi gjatë rrugës i shpjegon artistit se skulptori student është vetëm 23 vjeç. Artisti mjeshtër mbetet i befasuar para shtatores dhe e shikon me vëmendje duke iu rrotulluar nga të gjitha anët.
Për pak kohë pllakos një heshtje emocionuese. Artisti i madh i vëzhguar rreptë nga sytë e të gjithëve që ishin aty, shqipton gëzueshëm: Bravo Mondi! Të lumtë! Të gjithë gëzohen e përqafohen me lotë gëzimi në sy. Djaloshi skulptor çlirohet nga emocionet dhe ndjehet i lumtur që ia doli. Vazhdon biseda me “mjeshtrin e madh” që të rregullohet disa gjëra që ai mendon se shkojnë më mirë me këtë krijim. Grupi ulet i qetë në kafe dhe biseda e përzemërt vazhdon. Të gjithë të lumtur.

Derdhja në beton dhe meraku i skulptorit   
Posa përfundohet nga Mondi maketi prej balte, fillojnë pregatitjet për derdhjen në beton. Këtu mjeshtrat “Sefa” flasin të qetë e të sigurtë, se do të kemi një vepër cilësore, por meraku i Mondit, Samiut, Gerit, Asllanit, Bashkimit, Azizit nuk i len ata të qetë. Financuesit gjithashtu në merak që të dalë një monument që do të ketë vlera historike e artistike për atë vend ku do të qëndroj madhështor si vetë historia që lidhet me të.

Komisioni organizimit në merak për një ceremoni mbreslënëse
Janë ditët e fundit të punës. Grupi organizator cakton datën 25 maj 2017 që monumenti të transportohet nga Tirana në Bulqizë. Të gjithë mendojnë të bëhet festë madhështore. Frends-at në FB japing pëlqime pa fund dhe komentojnë në postimet e bëra duke shprehur mirënjohje nga të katër anët e botës për atë që shohin në foto e në video. Të gjithë presin me me shumë dëshirë ditën që do ta shohin të përfunduar. Në terren kanë filluar punimet për bazamentin. Qindra njerëz ndalojnë makinat e pyesin se kur do përfundojë vendosja. Qytetarëve orët ju duken ditë dhe dëshira për të parë monumentin në vendin e duhur, ndizet deri në padurim.

Ndërtohet  programi i ceremonies
Bëhet Vendosja e këtij monumenti doemos që duhet festuar nga i gjithë populli që po e ndjekin në çdo hap. Bëhet programi i realizimit të veprës, i transportimit, i inaugurimit dhe i festës që do të përfshijë gjithë Bulqizën.

Garantimi i mbështetjes nga institucionet e Bulqizës  
Menjëhërë Asllani takohet me drejtues të Bashkisë Bulqizës dhe me drejtues të institucioneve me të cilët shpalos programin dhe diskutohet mbi mundësitë e realizimit. Të gjithë të gatshëm për të dhënë secili ndihmën e tij që festa të bëhet madhështore.

Komisioni mblidhet herë në Bulqizë e herë në Tiranë për të realizuar një dokumentar
Ndahen detyrat dhe të gjithë janë në lëvizje. E merr vesh e gjithë Tirana. Lind idea që të pregatitet dokumentari shkencor ku të flasin studiuesit.

Takimet me historianë të shquar dhe intervistat
Bashkimi e Azizi takohen me profesorët e historisë për të vjelë intervistat e tyre bashkë me gazetarët Sami Curri e Geri Emiri student të gatshëm për të realizuar në kohë dokumentarin. Arkeologu prof.dr.Adem Bunguri është me ekspeditë në Kalanë e Prizrenit dhe atje i shkohet. Intervista bëhet në ambjentet e muzeut të “Lidhjes së Prizrenit” dhe në Kalanë e Prizrenit gjithashtu objekte të njohura për historinë, që lidhen me qëndresën e popullit shqiptar në luftrat për liri. Në Tiranë merret takim me prof.dr.Ferit Duka që u tregua i gatshëm për të dhënë shpjegimin e tij historik mbi luftërat e Gjergj Kastriotit në prill dhe në gusht të vitit 1465 me turqit e udhëhequr nga Ballaban Pasha. Intervistohen prof. Shahin Leka, i historisë ushtarake; z.Binar Binaj drejtues i muzeut ushtarak, z.Lutfi Hanku që flet për toponimet e njohura në Bulqizë, etj.
Grupi i të rinjve gazetarë Samiu dhe Geri, përmbushin me sukses regjistrimin e fakteve historike dhe nis puna për montazhin e dokumentarit që ata e realizojnë po vetë duke punuar pa pushim krahas punës së tyre për të mbyllur me sukses studimet e vitit të fundit.

Transporti i monumentit
E enjte 25 maj 2017. I gjithë grupi organizator e ka bërë gjumin e trazuar me shqetësimin se si do të shkojnë punët për fazën përmbyllëse të këtij monumenti. Grupi i punës punon i ndarë më dysh në Tiranë dhe në Bulqizë. Të gjithë kanë besim se çdo gjë do të bëhet si është planifikuar pasi duket tek të gjithë njerëzit gadishmëria për të kryer punët. Celularët të gjithë në punë cingërojnë pa pushim sa nuk i mbajnë bateritë. Biseda, mesazhe, kërkesa, pyetje pa fund. Të gjitha të lidhura me monumentin. Sqarime, raportime e shqetësime, por edhe besim e hare tek të gjithë, sa të bëhet zemra mal nga gëzimi. Udhëtimi shkon për bukuri, busti fle i qetë në shtratin e një makinë të stërmadhe nga Tirana në Bulqizë i shoqëruar nga grupi i realizimit që të gjithë seriozë përgjigjen orë e çast në celularë njerëzve të njohur e të panjohur që ndjekin çdo hap të këtij udhëtimi të pas 552 viteve të heroit. Njëkohësisht në të njejtën kohë udhëtojnë në arterit rrugore të Atdheut të ftuar e dashamirës nga Tirana; nga Prishtina; nga Besjana; nga Çamëria; nga Durrësi; nga Prizreni; nga Dibra; e nga Peshkopia që të takohen në Vajkal me heroin sikur janë të thirrur për luftë, por e vërteta është vetëm festë popullore.

Jehona në Bulqizë
Banorët pyesin orë e çast. Pothuajse gjatë të gjithë muajit maj 2017 në Bulqizë në zyra, në shkolla, në shtëpi, në kafe apo në rrugë dhe kudo ardhja e monumentit është bërë pjesë e bisedave. Shprehen optimistët por edhe mosbesuesit për detaje që realisht akoma nuk i besojnë. A do të vendoset në Bulqizë një monument tre metra i lartë? Po thonë disa që e dinë mirë dhe janë të sigurtë. Jo thonë disa. Ne të gjithëve sot po na gënjejnë për ditë. A nuk na gënjyen për 25 vjet për “Rrugën e Arbërit”? Po kjo ska lidhje me qeverinë përgjigjet tjetri. Burrat që po merren me këtë vepër janë të vendosur. Djemtë e Bulqizës paratë i kanë dhënë pa iu dridhur dora. Pse atëherë nuk e besoni? Aty për aty shihen disa bulqizakë që po vendosin një baner të madh ku shkruhet me shkronja të mëdha për monumentin “Gurët e Skënderbeut”. Aty dallohet data 27 maj 2017 që do të bëhet inaugurimi dhe fiks në orën 12.30 në Fushën e Vajkalit. Ja edhe postera nëpër xhamat e dyqaneve e të kafeneve që shkruajnë për të njejtin lajm. Hë mo, a e shihni që nuk u gënjeva, -bërtet me të madhe një i ri shokëve të tij, nga lartësia e shkallëve përpara qendrës kulturore! Fillojnë pyetjet e diskutimet. Pse tek “Gurët e Skënderbeut”, monumentet e mëdhenj janë në qytete. Fillojnë të kujtojnë historinë që kanë mësuar në shkollë. Po thonë. Është e vërtetë që Skënderbeu ka zhvilluar 24 beteja dhe më 1465-ën dy beteja janë zhvilluar në Fushën e Vajkalit. Të dyja i ka fituar Skënderbeu me strategji që vetëm në këtë fushë mund ta zbatonte. Sot monumenti po udhëton nga Tirana në Bulqizë. Ja tek paska mbërritur Asllani, Bashkimi, Azizi. Paska shumë të rinj e të reja që i rrethojnë e i pyesin pa pushim. Kur do të mbërrijë Skënderbeu? Janë të gjithë të gatshëm që të marrin detyra që duhen kryer. Po ja që shiu i ftohtë dhe i rrëmbyer po bie pikërisht tani kur askush nuk e don. Do ta presim si i ka hije thonë të gjithë. Bëhen gati lodrat, flamurët, me dhjetra djem e vajza veshin rrobat tradicionale, por ja që shiu nuk pushon. Të gjithë të vëndosur që monumenti të vendoset në vendin e caktuar menjëherë sat ë mbërrijë. Shiu e bën të pamundur punën e vinxhit. Nuk mund të bëjmë prova se mos na dëmtohet monumenti dhe na prishet çdo gjë që kemi planifikuar. Të nesërmen kur shohin nga dritaret se koha u hap, të gjithë nisen për tek fusha të gëzuar. Menjëherë grumbullohen mjete të rënda, makina e stërmadhe pret vinçin që monumenti të zbritet për në vendin e caktuar. Mbushet i gjithë sheshi e rruga me vetura e njerëz që të gjithë presin me padurim ta shohin, pasi spontat e kamionit stërmadh nuk i lejojnë. Më të paduruarit i ngjiten kamionit me të shpejtë dhe ja që heroi gjëndet aty midin nesh i shtrirë e i lodhur nga rruga. Secili mundohet të bëjë diçka që vendosja të bëhet sa më shpejt. E duam në këmbë ashtu madhështorë siç ishte në kohën e tij. Kudo që të hëdhësh sytë shikon vetëm njerëz të qeshur. Puna fillon me të shpejtë. Menjëherë hapet flamuri i madh dhe shpaloset si sfond bashkë me gjelbërimin e pyllit. Të rinjtë me celularë në duar fotografojnë e bëjnë video dhe lajmi merr dhenë “live”, “Po ndodh tani”. Kërcasin zilet në tinguj të shumëllojshëm. Vëllezërit emigrantë kërkojnë të ndjekin momentin e vendosjes “live”. Vinçi i parë nuk po e ngre. Vjen një vinç tjetër dhe të dy arrinë ta ngrenë heroin e shtrirë në kamion. Kaq i rëndë qenka –pyesin disa? Mondi ngryset pak, por aktivistët që i rrinë pranë nuk e lenë të mërzitet. Ja ky vinçi tjetër do ta ngre pa problem. Dhe ja që vjen edhe momenti i shumë pritur, shtatorja fiksohet mbi bazament, afër i vendosen edhe gurët e mëdhenj me shpatat e Skënderbeut në dimensione reale të atyre që gjenden në Vjenë. Mjeshtrat e montimit babë e bir “Sefa”, por edhe të tjerë punojnë vrullshëm që çdo gjë të bëhet shpejt dhe mirë. Vërshojnë rinia me celularë dhe menjëherë fillojnë fotografitë pa u merakosur nga balta që ka mbuluar vendin ku punohet.

Rinia e Bulqizës vërshon në sheshin e qytetit
E shtunë, 27 maj 2017.Të gjithë ndjehen të gëzuar në këtë ditë historike për Bulqizën. Moti duket i mirë. Dielli shkëlqen sikur Zoti vetë e ka porositur që bulqizakët të ndjehen mire me heroin në mes tyre. Gumëzhin i gjithë qyteti. Më të gëzuar dhe fytyrëqeshur duket se janë fëmijët, por këdo që shikon në rrugë, në kafe, të gëzuar janë. Organizatorët duken disi të menduar për të realizuar programin e kësaj feste. Në shkollat e qytetit jepen porositë për mësues e nxënës që çdo gjë e planifikuar të shfaqet sa më bukur. Dalin të gjithë në shesh me larmi ngjyrash. Sheh veshjet popullore të Bulqizës e Gollobordës, por edhe të Shqipërisë së Mesme e kostume sportive. Grupe me djem e vajza të valleve dhe të tjerë që fillojnë kalanë dibrançe. Lodrat e curlat gjëmojnë me tinguj e melodi popullore. Dasëm apo spektakël i vërtetë që vëzhgohen nga qindra banorë, disa prej të cilëve tundohen nga ky gëzim dhe futen në valle bashkë me rininë. Mësuesit Lindita, Selmani, Hakiku, Jashari, Medini, Marsida, Lulëzimja, Erblini e shumë të tjerë, të gjithë në veprim për të ndjekur me kujdes çdo detaj të festës. Drejtues institucionesh, historianë e popull, të gjithë me fytyra të qeshura. Mbërrinë të ftuar nga Tirana, nga Kosova, nga Dibra, Peshkopia e Klosi, profesorë, pushtetarë, mbështetës e banorë që u tunduan për të qenë pjesmarrës në këtë ardhje të Gjergj Kastriotit në fushë betejën e 552 viteve më parë.

Takimi në sallën e qendrës kulturore
E gjithë administrata e bashkisë dhe ndërmarrjeve në shesh për të pritur të ftuarit dhe për të kryer punët përmbyllëse që plotësojnë organizimin e festës. Në sallën e qendrës kulturore kanë zënë vend grupet artistike, këngëtarët, orkestrantët, kameramanët që presin me emocion fillimin e aktivitetit ceremonial. Kryetari i Bashkisë z.Melaim Damzi, zv.Kryetari z.Adhurim Lika; kryetari i Shoqatës Bulqiza z.Bashkim Lami dhe sekretari i kësaj shoqate z.Islam Dauti dhe drejtues të institucioneve e ndërmarrjeve janë aty në pritje të z.Alfred Moisiu, ish president i RSH-së, të z. Xhemshit Duriqi, ish drejtues i lartë i ekonomisë në Kosovë dhe përfaqësues i fisit “Duriqi” në Kastrat të Besjanës; prof.dr.Adem Bunguri e të tjerë; deputetë, candidate elektoralë; biznesmenë; banorë nga të gjitha zonat e Bashkisë Bulqizë. Përshëndeti zv.kryetari i Bashkisë Bulqizë z.Adhurim Lika. Më pas përshëndeti z.Alfred Moisiu. Takimin e zbukuruan këngët e vallet e grupit të Bulqizës dhe të Gollobordës. Aty z.Asllan Daxha u bëri thirrje për pjesmarrje në ceremoninë që do të vazhdojë pranë monumentit tek “Gurët e Skënderbeut”.

Përurimi i monumentit
Vetura e njerëz kishin mbushur anën e “Rrugës së Arbërit” në një gjatësi rreth dy kilometra. Qendra e zërit buçiste me pjesë zanore nga filmi “Skënderbeu” dhe muzikë të zgjedhur popullore. Grupet e vajzave e të djemve të shkollave luanin valle e lojra popullore, duke ndezur në kulm atmosferën festive. Monumenti i mbuluar me flamurin kombëtar qëndron në ballë të turmës që shtohej me pjesmarrës pa u ndalur. Kjo fushë nuk ka parë festë e gëzim me përmasa kaq të mëdha në asnjë kohë. Madhështia e Heroit, që nga ky çast do qëndrojë aty mes njerëzve që e kanë idhull si strateg, si luftëtar dhe udhëheqës në 25 vite, duke mbetur i pavdekshëm për ne shqiptarët, por edhe për europianët, që gjithashtu i kanë vendosur përmendoret në kujtim të tij në disa kryeqytete. Përsëri përshëndet z.Alfred Moisiu dhe z.Xhemshit Duriqi, si dhe skulptori Etmond Balja. Autoritetet në podium zbulojnë memorialin dhe Gjergj Kastrioti u duket pjesmarrësve sikur është gjallë me vështrim të thellë e i menduar për të thënë, se të gjithë kemi detyrë ta duam Atdheun e të shkrihemi për kombin për ta gëzuar lirinë.
Skulptorit Etmond Balja i shpërthejnë lot gëzimi kur gjendet në krah të njerëzve që e shtrëngojnë fort. Duartrokitje pa pushuar për këtë ngjarje që do të vazhdojë pa mbarim nga vizitorët shqiptarë e të huaj, që do ndalojnë në këtë vend për të njohur arësyen pse ky monument madhështor ndodhet këtu. Më pas kryesia e “Shoqatës Bulqiza” duke vlerësuar rëndësinë e kësaj vepre historike, falenderoi të gjithë pjesmarrësit. Kryetari i kësaj shoqate ndau çertifikata mirënjohje për të gjithë biznesmenët dhe organizatorët që dhanë mbështetjen e tyre për realizimin e kësaj vepre. Me këtë rast z.Bashkim Lami u bëri thirrje të gjithë intelektualëve dhe biznesmenëve që të mbështesin realizimin e projekte të tjera që e bëjnë Bulqizën edhe më tërheqëse për vendasit dhe për vizitorët e huajt.
Kudo sheh njerëz të gëzuar që shtrëngojnë duart e urojnë njëri tjetrin duke shpresuar se vepra të tjera do të përurohen për këtë vend të mbushur me histori të mëdha e të paharrueshme.

BASHKIM LAMI
Vajkal më, 27 maj 2017

S'KA KOMENTE