BASHA: ME MUA KRYEMINISTËR, SHQIPËRIA KANTIER PUNE

104

•    Nga Peshkopia, lideri i opozitës ka akuzuar rivalin politik Rama për korrupsion, duke premtuar se Partia Demokratike, e cila e nisi Rrugën e Arbërit do ta përfundoje atë.

•    Kryetari i PD-së prezantoi kandidatët e fitores në qarkun e Dibrës: Dhurata Çupi, Xhemal Gjunkshi,Edmond Isaku, Agron Qoku, Denisa Vata

 

Dibra do të jetë promotore e ndryshimit të madh. Me votën e tyre për kandidatët e Partisë Demokratike, dibranët hapin perspektivën e zhvillimit intensiv në qarkun e lënë në harresë nga qeverisja socialiste.  Këtë mbështetje demokratët dhe shumica e qytetarëve të Dibrës e kanë konfirmuar që në çelje të fushatës elektorale të PD-së në një takim të zgjeruar me liderin e opozitës shqiptare Lulzim Basha.
Mes entuziazmit të paparë të dibranëve, Kryetari i PD-së prezantoi kandidatët e fitores në qarkun e Dibrës: Dhurata Çupi, Xhemal Gjunkshi, Edmond Isaku, Agron Qoku…
Lideri demokrat tha para dibranëve se Republika e Re do të ketë një ekonomi të fortë për të pasur një shtet të fortë.
“Unë do të jem kryeministri i të papunëve sepse Republika e Re dhe Lulzim Basha kanë një qëllim, të hapin fabrika, të hapin vende pune. Çdo lek do të shkojë për të punësuar shqiptarët, fund fasadave, fund palmave, fund telajove. Le ta kthejmë Shqipërinë një kantier pune! 1 miliard euro në vit do të çlirohen dhe do të xhirojnë në ekonominë shqiptare me taksat e ulëta të Republikës së Re. Këto do të përkthehen në vende pune, do të përkthehen në rroga më të larta, do të përkthehen në më shumë mundësi për punësim. Këto janë prioritet e mia”, tha Basha. Ai tha se që në vitin e parë si kryeministër do të ketë prioritet ndërtimin e Rrugës së Arbërit.
Ai u kërkoi bashkim dibranëve, dhe të marrin në dorë Dibrën më 25 qershor.
“Në katër vite keni dëgjuar, sa jeni shurdhuar nga veshët, premtimet për rrugën e Arbërit. 97% prej jush do paguanin më pak taksa, fermerët do marrin të gjithë subvencione, 300 mijë vende pune që i bie me dhjetëra mijëra vende pune për dibranët. Të gjithë këto premtime, gjithë këto zhgënjime është fare e drejtë dhe e kuptueshme që dibranët t’i thonë lanet e sikter politikës. Republika e Re është mbi të gjitha premtimi, është mbi të gjitha zotimi ynë i përbashkët se që këtej e tutje fijet nuk do t’i ketë në dorë një njeri apo dy njerëz por Shqipërinë dhe Dibrën do ta kenë në dorë Dibra për dibranët, Shqipëria për shqiptarët. Ju do ta merrni në dorë Dibrën. Ky është mesazhi, ky është kushtrimi, kjo është thirrja e 25 qershorit. Sot Dibrën nuk e keni ju në dorë. Ju e dini shumë mirë se kush e ka sot Dibrën në dorë. Si do ta merrni Dibrën në dorë, çfarë do të thotë ta merrni Dibrën në dorë? Në radhë të pare, do të thotë të bashkohemi të gjithë e ta njohim forcën e bashkimit ashtu siç e njohu Shqipëria në Çadrën e Lirisë për 90 ditë. Në radhë të dytë do të thotë të shkojmë derë me derë këto 4 javë për të ndezur shpresën e humbur dhe venitur të dibranëve”, tha Basha.
Kryetari i PD Lulzim Basha, në çelje të fushatës në Peshkopi ka premtuar mbështetje për Dibrën si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë. Nga Peshkopia, lideri i opozitës ka akuzuar rivalin politik Rama për korrupsion, duke premtuar se Partia Demokratike, e cila e nisi Rrugën e Arbërit do ta përfundoje atë.

S'KA KOMENTE