Rruga e Arbërit sjell zhvillim intensiv të turizmit malor

293

Destinacionet kryesore turistike të Dibrës, në këndvështrimin e studjuesit të mirënjohur, Prof. Dr.Bashkim Lleshi

 

Dr.Bashkim Lleshi, ndër projektuesit dhe promovuesit më aktivë të Rrugës së Arbërit, e sheh efektivitetin e kësaj vepre, veç të tjerash edhe në ndikimin që do të ketë në vënien në eifiçencë të resurseve turistike të zonëave që ajo përshkon.
Në këtë intervistë ekskluzive për  „Gazeta Bulqiza“, studjuesi i mirënjohur, inxhineri i talentuar e me përvojë, Bashkim Lleshi, e sheh efektivitetin e Rrugës së Arbërit të lidhur ngushtë me resurset turistike të Dibrës, që ajo i përafron me turistët vendas e të huaj.

-Parë nga këndvështrimi gjeografik, ç’mund të thoni shkurtimisht për  Rrugën e Arbërit?
Rruga e Arbërit i shërben jo vetëm zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit tonë dhe të trevave që do të përshkojë por si një nga rrugët më të bukura turistike, si rruga më e shkurtër që pret Shqipërinë nga perëndimi ne lindje do ti shërbejë edhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit malor në Shqipëri.
Ajo pasi kalon qytetin e Tiranës në drejtim të Tufinës, sipas rrugës së vjetër të Dibrës që e ka fillimin në qendër të Tiranës, vazhdon më tej për gjatë luginës së lumit të Tiranës duke prerë vargmalin e Dajtit, gjatë luginës shumë të bukur e piktoreske që kalon nga Brari në Zall Dajt. Pjesa e rrugës që pret gëlqerorët e vargmalit të Dajtit do të jetë një nga rrugët më të bukura turistike të vendit tonë, fare pranë kryeqytetit të vendit tonë, Tiranës. Kjo pjesë e rrugës që zgjat rreth 5 km. kalon nëpër luginën e ngushtë të lumit të Tiranës që ka krijuar kanjone të ngushta e të thella në shkëmbinjtë gëlqerorë të vargmalit të Dajtit me një bukuri të rrallë natyrore.
Rruga kalon pranë shtratit të lumit dhe kanjoneve të bukura të kësaj zone në lartësitë nga 200 m. tek Ura e Brarit, në 335 m. në dalje të shkëmbinjve gëlqerorë tek gurorja e Zall Dajtit, ku në të dy krahët ngjiten shpatet e pjerrëta të luginës që kanë lartësi nga 1214 m. në majën e Brarit në pjesën veriore në 1531 m. në majën e Tujanit në pjesën jugore.
Në shpatin e majës së Tujanit ka kaluar rruga e vjetër e  Dibrës, në të qujturën shkalla e Tujanit (Tiranës) e cila kalohej edhe me kafshë me vështirësi shumë të mëdha. Në dalje të shkëmbinjve gëlqerorë mbi kanjonin e ngushtë të bukur e të thellë të Zall Dajtit, në shtratin e lumit të Tiranës, në të majtë të rrjedhjes së tij, përball gurores së Zall Dajtit kemi burimin e ftohtë të Zall Dajtit që e zbukuron akoma më tepër këtë luginë piktoreske.
Pasi kapërcen vargmalin e Dajtit nëpërmjet kësaj lugine të ngushtë e piktoreske rruga del në luginën e gjelbërt të Zall Dajt – Shupalit, duke ndjekur krahun e majtë të rrjedhjes se lumit të Tiranës, i quajtur në këtë zonë lumi i Shupalit, deri tek vendi ku bashkohet lumi i Selitës me përroin e Zall Bastarit. Lugina në këtë zonë zgjerohet, ka ujë të bollshëm dhe është një luginë e freskët dhe e gjelbëruar.
Nëpërmjet një ure poshtë bashkimit të këtyre dy degëzimeve, rruga do të vazhdojë të ngjitet për gjatë përroit të Zall Bastarit në afërsi të lagjes Kurte (Shupal), pranë lagjes Marec, për gjatë përroit të Marecit në drejtim të lagjes Zdralla dhe më tej në lagjen Bastar (Kaçu) në përroin e Kaçujt, ku në lartësine 850 m.është parashikuar të jetë hyrja e tunelit të Murrizës.
Kjo është e vetmja ngjitje e kësaj rruge e cila në këtë zonë do të kapërcejë vargmalin e Murrizës nëpërmjet një tuneli të gjatë rreth ose mbi 3000 m. për të dalë nga shpati perëndimor i malit të Murrizës në shpatin lindor, në afërsi të Shkollës së vjetër fillore të Xibër Murrizës, në rrjedhjen e sipërme të zallit të Mashnorit. Tuneli i Murrizës do t’ia shtojë bukurine kësaj rruge, duke kaluar poshtë majës së Skërtecit me lartësi 1455 m. në veri të Qaf Murrizës ku kalonte rruga e vjetër e Dibrës. Nëpërmjet këtij tuneli do të kalohet nga lugina e Tiranës në luginën e Matit.

-Po në këndvështrimin e zhvillimit të turizmit malor, cilat janë avantazhet që sjell Rruga e Arbërit?
Sapo të dalë në luginën e bukur të Matit në horizont të del përpara Kalaja e vjetër e Petralbës, përball së cilës vendoset fshati turistik i Gurit të Bardhë. Nga Guri i Bardhë, nëpërmjet përmirësimit të rrugës ekzistuese, për 2-3 km. shkohet në burimin e bukur karstik të Linosit dhe futesh në parkun e madh turistik të Malit me Gropa, një nga bukuritë e rralla turistike të vendit tonë, që pas ndërtimit të kësaj rruge do të jetë larg Tiranës më pak se një orë, ose do të shkohet në fushën e bukur, mes malesh të Bizës së Martaneshit, për një orë, ose në Ballejën turistike dhe malin e Kaptinës e në liqenin e Zi të Tërnovës për një orë e gjysëm.  Pra nëpërmjet kësaj rruge do të përshkohen vargmalet e Dajtit dhe Malit me Gropa për një orë nga Tirana,  duke çuar në një zhvillim të shpejtë të turizmit malor në këtë zonë me bukuri të rralla turistike, duke shijuar në verë bukuritë e rralla të Malit me Gropa, Bizës, Ballejës e Kaptinës së Martaneshit, apo freskitë e burimeve të Murrizës, Gurit të Bardhë, Linosit, Bizës, Ballejës, Lenës, Kaptinës dhe liqenjve të bukur malorë të kësaj zone si liqeni i Sopeve, liqeni  Zi, liqeni i Bardhë, etj. Në këto zona turistike shumë afër Tiranës do të krijohet mundësia për të shkuar edhe gjatë dimrit duke zhvilluar edhe sportin e bukur të skive në Bizë, Ballejë e Kaptinë.
Pasi kalon nëpërmjet një tuneli të shkurtër poshtë Gurit të Bardhë, në vazhdim rruga kalon tek aksi i vjetër i rrugës së Dibrës, ku kemi dy urat e vjetra me gurë e dopjo qemer, atë të Skurës, mbi përroin zalli i Dishit dhe Urën e Vashës, mbi lumin e Matit. Mbi urën e vjetër të Vashës është parashikuar të ndërtohet një urë e lartë rreth 120 m. që do të kapërcejë luginën e ngushtë e mjaft piktoreske të lumit të Matit nga krahu i Gurit të Bardhë në krahun e Planit të Bardhë.
     
-Opinioni publik dhe veçanërisht qytetarët e Bulqizës janë të interesuar për risitë që sjell Rruga e Arbërit për qytetin dhe rrethin e tyre…..

Pasi përshkon luginën e Planit të Bardhë e kapërcen me tunel Qafën e Buallit del në luginën e Vajkalit duke kaluar mes për mes qytetit të Bulqizës, të Minjerës më të madhe të kromit në vendin tonë, minjerës me karakter unikal botëror, nga e cila në vitet 1948-2015 janë prodhuar afro 15 miljonë ton krom duke mbajtur pas naftës, peshën kryesore të ekonomisë kombëtare të vendit tonë në periudhën e monizmit. Me përfundimin e rrugës qyteti i Bulqizës dhe Minjera me të njëjtin emër  do të jenë vetëm 50 km. larg Tiranës.
Rruga e re do të përshkojë luginën e bukur të Vajkalit e Fushë Bulqizës me ujëra të freskëta të lumit të Bulqizës e Zerqanit duke kaluar pranë burimeve karstike të Peladhisë, në krah të fshatit të bukur e piktoresk të Zerqanit, tek burimet e tre Çezmave në afërsi të Sofraçanit dhe aty ku bashkohen Zalli i Bulqizës me atë të Okshtunit në afërsi të Urës së Çerenecit nëpërmjet një ure do të kalojë rrëzë kodrave të Gjoricës ku të del përpara fusha e bukur e Gjoricës, Shupenzës, Maqellarës e Dibrës së Madhe. Për rreth 70 km rrugë nga Tirana futesh në luginën e bukur e piktoreske e panoramike të Dibrës ku fillon gjarpërimet e veta lumi Drinit i Zi.
-Po për pjesën përtej kufirit tonë shtetëror, ç’mund të thoni?
Pasi kalon kodrat e Gjoricës, aty ku lugina e Drinit te Zi është më e ngushtë, është menduar të ndërtohet një urë për të kaluar Drinin dhe rruga do të vazhdojë në teritorin e Maqedonisë, nga kodrat e Kojnarës për të shkuar në qytetin e Dibrës së Madhe, në veri të Urës së vjetër të Spiles e cila sot është e mbuluar nga diga e liqenit të Hidroçentralit të Dibrës. Kur del në kodrat e Kojnarës të del përpara qyteti i bukur i Dibrës së Madhe në veri lindje dhe liqeni i bukur pranë qytetit të Dibrës së Madhe në jug, që formojnë një kompleks shumë të bukur turistik në këtë zonë.
Duke vazhduar rrugën bregut të liqenit të Dibrës për gjatë luginës së Drinit të Zi shkohet brenda një ore në qytetin e Strugës për të shijuar freskinë dhe bukurinë e liqenit të Ohrit në komplekset turistike të qyteteve të Strugës dhe Ohrit deri në perlën e këtij liqeni, Shën Naumin e famshëm historik e turistik.  Pra nga rruga e re e bukur, turistike dhe historike e Dibrës mund të  dilet në liqenin Ohrit  nga Tirana për dy orë .
Kështu, qyteti i Dibrës se Madhe do të jetë larg Tiranës, Kryeqendrës së Shqipërisë vetëm 75 km. larg ose e thënë ndryshe vetëm një orë larg.

Dibranët që banojnë në Tiranë brenda një ore mund të shkojnë në qytetin e tyre të lindjes, të takojnë të afërmit, të çmallen e të pijnë një kafe, të shkojnë e të bëjnë banjë në llixhat kuruese të Banishtit e Kosovrastit, pranë qytetit të Dibrës, e të kthehen përsëri në Tiranë, ndërsa Dibranët që banojnë në Dibër e në fshatrat e luginës së Dibrës, jo vetëm që mund të vijnë e të kryejnë hallet e tyre brenda ditës e të kthehen në darkë në shtëpi, por mund të banojnë në Dibër, e të punojnë në Tiranë apo në Durrës, duke realizuar ëndërrën e kaherëshme të Dibraneve për tu afruar me Tiranën dhe Durrësin.
Rruga e re e Dibrës do të afrojë edhe llixhat kuruese të Peshkopisë me Tiranën e Durrësin, duke shtuar frekuentimin e qytetarëve vendas e të huaj në këto zona të bukura kuruese e turistike. Kjo rrugë do të afrojë gjithë pellgun e Dibrës nga Reçi, Dardha e Muhurri, nga Kalaja e Dodës, Sllova e Kastrioti e zona të tjera të pellgut të Drinit të Zi, duke krijuar mundësitë për të ardhur në Tirane për rreth 2 orë.
Rruga do të vazhdojë më tej për gjatë grykës së bukur turistike të lumit të Radikës, degë kryesore e lumit të Drinit të Zi. Kjo luginë e ngushtë dhe e bukur anash së cilës ngrihen shpatet jugore të vargmalit të Kërçinit, vazhdon deri në afërsi të qafës së Mavrovës, ku të del përpara zona e bukur turistike e Mavrovës me liqenin, lëndinat, pyjet dhe Kompleksin turistik të pushimeve verore për klimë të freskët malore dhe dimërore për zhvillimin e bukur të sportit të skive. Pasi kalon zonën e bukur të Mavrovës rruga zbret për tu bashkuar me rrugën e Gostivarit që vjen nga Struga e Kërçova, dhe te del përpara fusha e bukur e pjellore e Pollogut dhe vazhdon në drejtim te Gostivarit, Tetovës e Shkupit nëpër autobandën e re të ndërtuar në Maqedoni. Kështu Rruga Tiranë Shkup do të shkurtohet rreth 100 km.

-Në studimin tuaj jeni përqëndruar tek propogandimi i vlerave turistike të zonave që përshkon kjo rrugë. Ç’mund të thoni më konkretisht në këtë aspekt?
Për propogandimin e vlerave turistike të zonave që përshkon kjo rrugë në teritorin e Dibrës, Studjoja Grafike “M & B” në Tiranë, në vitin 2003 botoi Kalendarin “ 2003 Viti i Rrugës së Arbërit” me ide të Hysen Ukës e Bujar Karoshit dhe në vitet në vazhdim ka botuar Kalendarë me pamje të bukura turistike të teritorit të Dibrës që do të marrin zhvillim me ndërtimin e kësaj rruge.
Gazeta “Rruga e Arbërit” në 10 vitet e botimit, si dhe gazeta “Bulqiza” këto dy vitet e fundit nëpërmjet shkrimeve të bashkëpunëtorëve kanë propoganduar vlerat e mëdha turistike që ka rajoni i Dibrës nga Bulqiza e Zerqani, në Dibër të Madhe, Maqellarë e Peshkopi, Grykë të Vogël e Katër Grykët, në Luzni e Muhurr, Kastriot, Çidhën, Sllovë e Radomirë, Reç e Dardhë dhe deri në Lurën e bukur malore me liqejt e saj mahnitës. Vlen të përmend këtu autorë të spikatur si: Gazmend Kërkuti, Shuip Markja e Tafë Ameti, Abdurahim Ashiku, Shaqir Skara, Hysen Likdisha, Hysen Uka, Agron Totraku, Selman Mziu, Vesel Hoxha, Rruzhdi Bitri, Metush Skeja, Grehans Uka, etj, etj. Të cilët në shkrimet e inervistat e tyre kanë folur edhe për bukuritë e natyrës së Dibrës, për liqejtë e bukur e mahnitës malorë të Lurës, Balgjajt, Bulqizës e Gramës, për burimet e freskëta të Bulqizës, Okshtunit, Zerqanit, Tuçepit, Kovashicës, Delgjurrës, Selishtës, Luznisë e Muhurrit, Ilnicës, Rabdishtit, Cerjanit, Gramës e Radomirës, për gjurrat e Mazhicës, Lishanit e Muhurrit, për burimet e Reçit e Dardhës, Sllovës, Gramës e Radomirës , për Veleshicën, Setën e Mollën e Lurës, etj.   Agim Totraku përshkruan bukuritë e rralla të liqejve të mbrekullueshëm me origjinë akullnajore të Balgjajt, mes ajrit të freskët, florës së mrekullueshme dhe faunës së egër. Përshkruhen bukuritë e 5 liqeneve të Shtrugës të vendosur si me dorë sipër njeri tjetrit si, liqeni i Pishës së Lice, Liqeni i zi, 3 liqenet Barzane, liqeni n’Kep, liqeni i Kolemadhit dhe liqeni i vogël i Loshe. Në drejtimin jug lindor kemi liqenin e Rame, liqenet e Bataçeve të Kacnisë (të Kalisë, Milloshit, Bruçe, etj.). Sapo të dalësh në kurriz në krahun përëndimor të tyre qëndrojnë madhështorë e të bukur liqejt e Allamanit, numri i të cilëve së bashku me ato të Kacnisë arrin në 15.
Për rreth tyre kemi një florë shumë të pasur si, bredhi i bardhë, pisha e zezë, plepi i egër, armeni, qershia e egër (boronica), lulja e pishës, lulja e zonjës, lule delja, mjedra, lule shtrydhja e egër, lulja agulice, manushaqja blu dhe e verdhë, shtara, drunakuqi, etj. ndërsa nga fauna mund të përmenden, dhia e eghër, kaprolli, derri i egër, lepuri, kaprolli, ariu i murmë, ujku, gjeli i egër, dhelpra, shqarthi, macja e egër, rriqebulli, etj.
Shuip Marku (Markja) përshkruan, bukuritë e masivit malor të Deshatit, pjesë e vargmalit Sharr-Korab-Deshat-Stogovë-Karaorman, me majën më të lartë Velivarin (2373m.), liqenin e Lokuvit, njerin prej 5 liqeneve akullnajorë të Deshatit, luginën e bukur të lumit Radika me ujë të kthjellët, të pastër e të ftohtë me nuancë të ngjyrës së gjelbërt të errët, ujvarën e Dufit në rrëzë të malit të Radostushës, shpellën e Sharkut në parkun nacional të Mavrovës, shpellën e kristaltë të Selenitit brenda gjipseve të Kosovrastit, shtegun malor Banjisht-Kosovrast, fshatrat turistikë të Gajres, Galiçnikut e Kiçinicës, hamamet e ri e të vjetër të Dibrës, objektet historike të qytetit të Dibrës e rrethinave si, shtëpia e vjetër e Suri Veliut, objektet religjioze si xhamia e Inqarit, Xhamia Bajram Beg, Kisha e Shën Mërisë, Manastiri Bigorski, Kisha Shën Jovan Preteça, Manastiri Shën Gjergji fitimtari, Ura e Kaprollit dhe shumë vende historike në Banjisht, Dibër e Kosovrast.
Djaloshi 24 vjeçar Grehans Uka i çertifikuar nga GTZ dhe Shoqata Alpine Gjermane në intervistën dhënë gazetarit Bujar Karoshi tregon disa nga destinacionet e turizmit malor në zonën e Peshkopisë që mund të vizitohen nga turistë vendas e të huaj si, kompleksi i llixhave në Peshkopi, duke vijuar në fshatrat Bellovë, Rabdisht, Cerjan e Zagrad ; itineraret Peshkopi-Bjeshka e Cerjanit-Mali i Gramës-Liqeni i Gramës ; Peshkopi-Radomirë-Liqeni i Gramës-Maja e Korabit ; organizimin e raftingjeve në lumin e Drinit të zi, etj.
Rruzhdi Bitri në reportazhin “Prapë na çeli Grama” përshkruan bukuritë e bjeshkës së Gramës të cilën e kanë vizituar mjaft biologë, mjekë, gjeologë e udhëtarë të tjerë të mençur, Gramën e bukur ku kanë jetuar zonjat ilire, romake e kastriotët, Gramën e ndaluar nga regjimi monist se ishte zonë kufitare. Ai përshkruan bukuritë e bjeshkës së Gramës, stanet e Blliçasve, legjendën e Gramës baxhierin Elez Cibaku, Bjeshkën e Zonjave si kryezonjë të kësaj bjeshke, gjeomonumentet e Gramës si Guri i kuq, Pasqyrat, Shllinasit, Lakja e Xhipçe, etj. të shkelura e studjuara nga gjeologu i apasionuar dibran profesor Vesel Hoxha.

-Cilat janë disa nga destinacionet kryesore turistike të Dibrës?
Destinacione të tilla të turizmit malor që mund të vizitohen nga turistë vendas e të huaj mund të organizohen edhe në zona të tjera të Dibrës si :
Në zonën e Bulqizës (Bulqizë- Almarinë-Liqeni i Skënderit-Maja e Dhoksit ; Bulqizë-Kodra e Lerës-Fushë Hutër-Liqenjt e Balgjajt ; Bulqizë-Qaf Buall-Luçanë-Batër-Lugu i Gjatë-Fusha e Lopës-Liqeni i zi i Tërnovës ; Fush Bulqizë-Dushaj-Stanet e Peladhisë-Komavec-Delgjurrë-Prat etj.
Në zonën e Zerqanit e Valikardhës për në Tërnovë-Liqeni i Zi-Kaptinë ; Zerqan-Tërnovë-Okshtun-Prodan, Tre çezmat e Zerqanit(hidromonument)-Sofraçan-Gropat e Ukut-Kovashicë-Zogje-Xhiteca e Sute-Qaf Mollë-Xhiteca e Kazane Gjuras, Shpella e ftohtë (gjeomonument), etj.
Në zonën e Gollobordës në drejtimin Shupenzë-Ramnagore-Ostren-Klenjë-Steblevë-Fushë Studën, ose në drejtimin Tuçep -Trebisht-Steblevës, etj.
Në zonën e Grykës së Vogël, Ura e Serbinit-Gjurra e Kovashicës e Kovashicës-Zogjaj-Guri i Çetës-Teqja e Bllacës-Livadhi i Marke-Shullani i ri-Delgjurrë-Komavec ; Ura e Topojanit-Topojan-Mazhicë-Qafa e Shtushanit-Qaf Mollë-Xhiteca e Gjurasit-Qafa e Fangut-Delgjurrë-Prat, etj.
Në zonën e Luznisë e Muhurrit për të dalë në Selishtë, Kacni, Qaf Murrë e Lukan , deri tek liqejt e Kacnisë e të Balgjajt në drejtim të Kacnisë dhe deri në Mbas Dejë e Gurin e Vashës në drejtim të Lukanit.
Në zonën e Arrasit, Zall Dardhës e Zall Reçit për t’u ngjitur në drejtim të Gur Lurës e liqejve të Lurës nga lugina e bukur e madhështore e Setës e përshkruar aq bukur nga gjeologu dibran Vesel Hoxha, apo në drejtimin Çidhën-Prat-Lan Lurë-Fushë Lurë ; Zall Dardhë-Lashkizë-Lan Lurë-Fush Lurë ; Zall Reç-Reç-Arrë Mollë-Pregj Lurë-Krejë Lurë nëpërmjet luginës së bukur të lumit Molla e Lurës.
Në zonën e Lurës, Fushë Lurë-Liqeni i Madh-Liqeni i luleve-Liqeni i zi-Fusha e Pelave ; Krej Lurë-Qafa e Kumbullës-Blaç-Nezhda e Lurës ; Krej Lurë-Vlashaj-Lajthizë-Fusha e Vjerthit-Fushat e Lugje e kthim në Krejë ose në Konaj-Reps(në rrugën e Kombit) ose Lajthizë-Nome-Arrën i Kukësit.
Metush Skeja në reportazhin “Pesë kuriozitete rreth Kalasë së Dodës” shkruan se : Në Kala të Dodës ndodhet mali më i lartë në Shqipëri, Korabi i cili i tëri është për turizëm duke filluar nga pylli me mështekna në Ploshtan, Rafshi i Sorokolit, Liqeni i Zi mbi Tejës, Fusha e Korabit, Panairi, ujvarat, liqenet karstike, shpella e Ago Ymerit e Kepi i Stogit.
Në Kalanë e Dodës është tabani i këngës së bukur të fushës së Korabit me tre mijë vargje. Në kohën e parandorisë Osmane Kalaja e Dodës ka qenë zona më e pasur me një milion krerë bagëti të imta. Ajo është vizituar nga konsulli austriak Han në vitin 1863. Kalaja e Dodës ka nxjerrë një nga personalitetet më të mëdha të Rilindjes kombëtare, Dervish Carën e Cerenit. Ajo në kohën e perandorisë osmane ka qenë “kaza” dhe quhej Kazaja e Radomirës.
Përveç këtyre bukurive, Dibra duke filluar nga Qafa e Buallit në kufi me Matin deri në Kala të Dodës në kufi me Kukësin është pëllëmbë e histori, në çdo vend do të ndeshësh një ngjarje të hershme ose të vonshme historike, kështu që krahas zhvillimit të mëëtejshëm të turizmit malor, njohjes me bukuritë e natyrës së Dibrës, njohjes me gjeomonumentet, hidromonumentet e biomonumentet (Perikli Qirjazi, Skendër Sala 2006), vizitorët vendas e të huaj do të njihen edhe me historinë e lavdishme të Dibrës në shekuj.

S'KA KOMENTE