XHELIL IMERAJ, “QYTETAR NDERI” I BULQIZËS

75

KËSHILLI BASHKIAK NDERON KOMPOZITORIN DHE DIRIGJENTIN E TALENTUAR

Këshilli bashkiak Bulqizë, me vendim unanim, i ka dhënë titullin e lartë “Nderi i qytetit të Bulqizës”, dirigjentit dhe kompozitorit të njohur dibran Xhelil Imeraj, për kontributin e shquar në dhjetra vite, në organizimin e veprimtarive muzikore që përbënin pothuaj bërthamën e tërë veprimtarive kulturore të programuara për qytetin dhe gjithë rajonin e Bulqizës. Ceremonia e dhënies së titullit u zhvillua në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Kryekëshilltari dhe kryebashkiaku i Bulqizës, Gazmend Kenga dhe Melaim Damzi, i dorëzuan kompozitorit Xhelil Imeri dekoratën me titullin e lartë “Nderi i qytetit të Bulqizës. Me këtë rast për pjesmarrësit në këtë event u dha një dokumentar për rrugëtimin e lodhshëm, por me vlera, të kompozitorit Imeraj, në fushën e bukur të muzikës, me skenar të Hajri Mandrit dhe regji të Llesh Nikollës, titulluar “Gjysëm shekulli me notat e muzikës”. Pas dhënies së dokumentarit, u dha një koncert me këngë të kënduara nga këngëtarë dibranë e bulqizakë, si Qerim Sula, Caje Poleshi, Jeta Mazari, Defrim Mandri, Sherif Dervishi, etj, të cilët ndër vite bashkëpunuan me kompozitorin, dhe ngjallën mjaft emocione për të pranishmit. Në fund Qendra Kulturore e Fëmijëve Tiranë, kishte përgatitur një kolazh me këngë për fëmijë,të kompozuara nga Xhelil Imeri, që janë kënduar ndër vite në festivalet e fëmijëve dhe janë vlerësuar edhe me cmime të para të dyta dhe të treat, si dhe një debutim i suksesshëm nga Grupi i Baletit të Shkollës së Baletit Tiranë ku punon aktualisht kompozitori.
Për të pranishmit performuan me interpretimin e disa këngëve të kompozuara nga zoti Imeraj këngëtarët e shquar dibranë Qerim Sula, Sherif Dervishi, Caje Poleshi, Defrim Mandri e Jeta Mazari.
Ansambli i  fëmijëve i Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Tiranës dhe trupa e Akademisë Kombëtare të Baletit ekzekutuan këngë dhe balet nga repertori i zotit Imeraj.
Gjithçka kaloi në një atmosferë të gëzuar e festive.
Jo vetëm një menaxher arti por edhe një producent i fuqishëm
Xhelil Imeraj u rrit dhe u edukua midis shokëve të mrekullueshëm që e deshën dhe e inkurajuan në udhën e bukur të artit. Kontaktin e parë me punën Xhelili do ta merrte në shtëpinë e kulturës së Kalasë së Dodës Dibër më 1969. Një vit më vonë emrohet në Sllovë në Shtëpi të Kulturës, dhe pas konkursit  në Institutin e Lartë të Arteve, fitoi të drejtën e studimit më 1971. Me mbarimin e studimeve të larta për dirigjim koral dhe teoritik, emrohet në estradën profesioniste të Peshkopisë, ku pas një viti stash pune mbroi diplomën me një koncert artistik me këngë korale, valle, pjesë instrumentale në shfaqjen e  ansamblit “Dibra” të qytetit të Peshkopisë.
Në vitin 1977 transferohet në Pallatin e Kulturës Bulqizë, me detyrën e shefit të muzikës.
Këtu janë të shumta veprimtaritë muzikore që përbënin pothuaj bërthamën e tërë veprimtarisë kulturore të programuar për qytetin dhe punëtorët e minierës. Intensiteti i veprimtarive javore nxiti shkathtësinë dhe shprehi të shumta për t’iu përgjigjur vakumit estetik të atij mjedisi punetorë dhe industrial, me punë, përpjekje, fantazi, kreativitet, këtij mjedisi social që duhej patjetër të zbukurohej dhe të zhurmohej përmes muzikës si joshje dhe relaks pas betejave të punës së vrullshme të qytetit minator. Vetë puna dhe jeta e këtij qyteti përbënte një temporitëm  të formalizuar që në harmoni me kontekstin politik, shoqëror dhe ekonomik, duhej t’i përgjigjej mesazhit që prodhonte mjedisi edhe me produkt estetik. Ndaj qindra aktivitete, koncerte fetivale për fëmijë dhe të rritur, drama e variete, fanfara dhe kinemaja konkurse artistike dhe letrare,  forma të tjera kulturore përmbushnin dhe mbanin gjallë jetën shpirtërore të qytetit.
Pasioni dhe vullneti i artistëve Azem Teta, vëllezërit selmani: Besim, Ramazan e Novruz Selmani, këngëtarët Defrim Mandri, Jeta Mazari, Fllanza Cupi, Hide Jangulli, Myrteza Gjoka, Dashamir Islami etj. Kështu u shfaqën talente në të gjitha fushat si trupa e cirkut, e estradës, ansambli artistik “Bulqiza”, banda e qytetit , kinemaja, biblioteka, rrethi i letrarëve, teatri etj. Nga këtu do të zënë fill talente të mirënjohura në shkallë kombëtare si aktori Behar Mera e muzikanti Genc Sharku. Cilësia e interpretimeve erdhi në rritje sidomos në interpretimin e këngëve korale ku demostrohej një nivel i lartë kompozimi, orkestrimi dhe interpretimi në shumë zëra, duke sjellë në shijen e publikut vlera cilësore të estetikës muzikore.
Krijimtaria muzikore e Xhelil Ymerajt përfshin një gamë të gjerë dhe duke e shtrirë në vite, kompozimet e këngëve të reja dhe orkestracionet janë me qindra.
Xhelili dinte të përzgjidhte nektarin e këngëve popullore duke   përpunuar aty-këtu motive  të rralla, si xixëllonjat në fusha, ata forma melodioze,  interpretuar nga të moshuar. Pas viteve  ‘90 kur populli u motivua drejt hapësirave të reja demokratike natyrisht do të trazonin edhe në shpirtin e kompozitorit Xhelil Ymeraj, impulse të reja krijuese dhe frymëzuese. Mori një zhvillim të ri kocepti mbi çështjen kombëtare dhe qasja artistike e temës së  Kosovës. Me poetin e shquar të këngës Naim Plaku, kompozoi këngën “ Jam Kosovë kam le me emër” të cilën e interpretoi me mjaft pathos dhe profesionalizëm këngëtari Qerim Sula. Më pas vijon kënga “Ma gëzofsh Kosovë lirinë” me tekst të Gjokë Becit dhe interpretuar nga këngëtari brilant Arif Vladi, si dhe një set këngësh ku preket sentimenti njerëzor dhe thellimi i humanitetit, si këngë kushtuar Gëzim Prençit, Semiha Jatës,  Bajram Dedës, Albert Zhukës, Abaz Agë Vleshës, me përpunime të këngëve matjane, duke bashkëpunuar me këngëtarin e shquar Esat Ruka, përpunime të këngëve dibrane për solist dhe kor, muzikë vallesh të interpretuara nga ansambli “Dibra” me motive nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe të interpretuara nga trupa artistike të rretheve të tjera dhe trevave shqiptare. Krijimtarinë e Xhelilit do ta rrisin në vlera interpretuese  këngëtarë profesionistë dhe të njohur si Sherif Dervishi, Denis Delia, Vitore Matoshi , Albert Ymeraj Defrim Mandri e Jeta Mazari. Xhelil Ymeraj është edhe një kritik arti, vlerësues dhe eseist. Ai shkruan dhe me një sens kritike, kërkon të tërheqë krijimet dhe interpretimet drejt arritjeve dhe vlerave të larta. Kërkesat e reja dhe gjithmonë në rritje të Xhelilit për përsosmëri të formës dhe përmbajtjes artistike, është veçori e trendit dhe modernitetit të produksionit dhe karrierës së tij. Xhelil Ymeraj shfaqet si një personalitet artist shumëdimensional me produksion multidisiplinar si kompozitor dirigjent dhe kulturolog, me iteligjenca muzikore konstruktive me një fantazi dhe prirje natyrore që vërteton që është një personalitet elitar dhe me prirje dhe intuitë në punën drejtuese kulturore drejt një qasjeje të këndëshme dhe buonsens social dhe filozofik.  Me një sjellje shembullore ai u jep përgjigjen e duhur në kohën e duhur mesazheve estetike, kulturore, politike, sociale e morale për të mbetur një figurë e nderuar dhe një model i rrallë intelektuali që meriton nderim e respekt jo vetën nga audienca artistike por edhe ajo sociale. I dashur dhe konfident me njerëzit e  tij të gjakut dhe të familjes, Xhelili është një shembëlltyrë humaniteti. Si një prind parimor dhe me principe të traditës së familjeve intelektuale shqiptare, rriten më tej vlerat,  kompletojnë personalitetin dhe individualitetin, formatojnë figurën dhe begraundin e tij.

S'KA KOMENTE