NJË LIBËR QË NA BASHKON

318

Libri “Pehlivanët e Gollobordës” u promovua në Tiranë, në praninë e qindra studjuesve

 

Dr. Besnik RAMA

Nëse ke nostalgji për traditën e bukur të mundjes në livadh, shfleto librin “Pehlivanët e Gollobordës”. Të jesh i sigurt se do të kalojnë para teje si në një film me fillim, por pa fund, sheshe e livadhe ku, në fëmijërinë tënde, ke ndjekur ndeshje pa mbarim të mundësve të mbledhur nga të gjitha fshatrat e vendlindjes, për të garuar me spektakël të vërtetë, dhe këtë film jo çdo regjisor do të kishte mjeshtërinë dhe zotësinë ta realizonte.

Nëse ke dëgjuar për traditën e mundjes në terren të hapur, në ditë vere të nxehtë apo në ditë dimri të acartë me borë e akull, shfleto librin “Pehlivanët e Gollobordës”. Të jesh i bindur se do të njihesh me njerëz që kanë lënë gjurmë të pashlyera dhe histori të padëgjuara për sportin burrëror të mundjes.
Nëse ke njohur mundës gollobordas, lexo nga faqja e parë deri tek ajo e fundit librin “Pehlivanët e Gollobordës”. Të jesh më se i bindur se do të mësosh shumë dhe do të thuash “Unë nuk ditkam asgjë për gjithë këtë plejadë të madhe të sportistëve amatorë e profesionistë të vendlindjes” të cilët kanë merituar aq shumë tituj sporti.
Nëse ke dëgjuar për mundës gollobordas, futu në librin “Pehlivanët e Gollobordës”. Të jesh shumë i sigurt se, duke u njohur me shpirtin luftarak e triumfues të pehlivanëve të të gjitha brezave e moshave, do të njohësh më mirë se kurdoherë edhe zemrën e gjerë e fisnike dhe botën e pasur banorëve të krahinës që të ka lindur e të ka rritur, apo nga ke origjinën.
Nëse ke dëgjuar për traditën e mundjes dhe për gollobordasit, por nuk të ka lidhur asgjë me ta, lexo librin “Pehlivanët e Gollobordës”. Të jesh plotësisht i bindur se, jo vetëm që nuk do të zhgënjehesh, por do të lidhesh përjetësisht me njerëzit e mrekullueshëm të një krahine që ka nxjerrë breza pa fund ustallarësh, por dhe luftëtarësh e dëshmorësh të rënë për liri, heronjsh të punës dhe intelektualësh të shquar në ekonomi, në mjekësi, në arsim, kulturë, arte e sporte, në ndërtim, në ushtri etj.
Autorët e librit “Pehlivanët e Gollobordës” kanë merita se ngrenë në piedestal figura të shquara të sportit të mundjes, por jo vetëm. Libri është një panteon që i bën të pavdekshëm bijtë e bijat e Gollobordës që kanë shkëlqyer në gara në livadh, duke e bërë edhe më të madh gëzimin e dasmorëve; që kanë shkëlqyer në kampionate lokale, kombëtare e ndërkombëtare, duke u kthyer me medalje pranë vatrave familjare; që kanë shkëlqyer në punë e në profesione të ndryshme, duke u bërë shembull për brezat e rinj.
Autorët e librit kanë merita se, me hulumtimet që kanë bërë, na sjellin një dokumentim shumë të pasur për mundjen si traditë e veçantë e krahinës, traditë që ka pasur vlerat e saj të padiskutueshme, por që tani, për herë të parë, vlerësohet me të gjitha meritat që i takojnë.
Autorët e librit kanë merita se na kanë dhënë në dorë një libër të kompozuar në katër pjesë, të cilat plotësojnë më së miri njëra-tjetrën dhe arrijnë të na japin madhështinë e trevës së Gollobordës, rrugën e ndritur të njerëzve të saj, sublimen e pehlivanëve, në gjurmët e të cilëve vazhdojnë dhe sportistët e rinj, pavarësisht kushteve e rrethanave krejt të ndryshme nga ato të tapeteve në terren të hapur jo shumë dhjetëvjeçarë më parë.
Siç shprehen dhe vetë në “Falënderim”, autorët kanë merita se, si bleta që kalon lule më lule për të mbledhur nektarin, kanë studiuar botime të hershme e të kohëve të fundit, kanë intervistuar protagonistë e trashëgimtarë të figurave të shquara, kanë mbledhur fakte e të dhëna dhe, me kompetencë e mjeshtëri, na sjellin në radhët e librit vlerat më të mira të krahinës dhe të banorëve të saj.
Libri “Pehlivanët e Gollobordës” ngjan me një libër publicistik, por autorët e tij kanë merita se arrijnë të dalin mbi publicistikën dhe përtej publicistikës, jo thjesht se rrëfejnë edhe ngjarje historike, jo thjesht se sjellin tradita, zakone e rite të Gollobordës, që janë për t’u pasur zili, jo thjesht e vetëm se përshkruajnë mjedise dhe portretizojnë personazhet larg simpatisë apo antipatisë, pa pasion apo mllef, por se me një gjuhë të thjeshtë e plot kulturë të nxitin që ta lexosh librin fjalë për fjalë, rresht për rresht dhe faqe për faqe.
Ndryshe nga libra të tjerë, në librin që kemi në dorë, pasioni dhe përkushtimi i autorëve na japin një thesar të pasur me personazhe që i kanë bërë vetes vend nderi në historikun e krahinës dhe të kombit shqiptar. Në epiqendër të botimit janë pehlivanët. Në libër na shpalosen skena e episode që janë përjetuar me emocione të papërshkruara nga çdokush prej nesh që ka pasur fatin të jetë spektator i “stadiumeve” të improvizuara në çdo fis, lagje a fshat të Gollobordës sonë. Libri na bën krenarë pse kemi qenë bashkëkohës të gjithë atyre njerëzve të thjeshtë, të cilët, me ndeshjet e tyre prej mjeshtri të shquar në sportin e mundjes, “na detyronin” që, në ditë dasme, ne të linim çdo punë që mund të kishim dhe të udhëtonim nga njëri fshat në tjetrin për t’i duartrokitur, për t’u rrahur shpatullat e për të festuar fshatçe fitoret. Autorët na bëjnë krenarë edhe për gjithë paraardhësit tanë që shkëlqyen në gara lokale, kombëtare e ndërkombëtare, ku kanë dalë kampionë, nënkampionë apo kanë zënë, të paktën, vende nderi.
Pehlivanët tanë, të të gjithë brezave, janë të njohur dhe kanë gëzuar e gëzojnë respektin e kundërshtarëve të tyre sportivë dhe të mbarë publikut që i ka ndjekur në takime kampionatesh apo në ceremoni festive familjare apo krahinore. Nevojat ekonomike, lëvizjet demografike, shërbimi ushtarak e rrethana të tjera kanë bërë që pehlivanët tanë të jenë pjesë e ekipeve të mundjes të klubeve anekënd atdheut, por, në çdo garë, ata kanë mundur të rritin adrenalinën e shikuesve tiranas, fierakë, kuksianë, elbasanas, durrsakë etj. Me kreun V të pjesës së tretë të librit, “Vlerësime e mendime të miqve të shoqatës për gollobordasit dhe mundjen në Gollobordë”, Lushaku dhe Rama na dokumentojnë dëshmi të dhjetëra mundësve, drejtuesve të klubeve, trajnerëve, gjyqtarëve, gazetarëve sportivë etj., të cilët, me admirim, sinqeritet e ndershmëri, lartësojnë thuajse të gjithë pehlivanët tanë, pehlivanë që e kalitën veten duke u stërvitur në livadhe, jashtë tapeteve, jashtë sallave, pa pasur as kushtet minimale, pehlivanë që, pavarësisht gjithë këtyre vështirësive, u përballën me mundës profesionistë dhe dolën nga tapeti aq e aq herë triumfues.
Autorët e librit kanë meritën se guxuan të na sjellin një enciklopedi ku kanë përfshirë, siç e shënova që në krye, një plejadë shumë të madhe figurash të shquara, të pavdekshme në memorien e krahinës sonë dhe më gjerë. Për këtë, Lushaku e Rama duhen përgëzuar. Ndërsa unë nuk guxoj të veçoj e të përmend një, dy, dhjetë a më shumë emra intelektualësh e pehlivanësh. Nuk guxoj për dy arsye: e para, për mua, të gjithë emrat në libër janë të barabartë dhe meritojnë të jenë në panteonin që i lartëson me gjithë madhështinë e tyre; e dyta, po të përmend apo të veçoj një apo disa, mund të paragjykohem nga individë apo fise që, në plejadën tonë të nderuar, kanë idhujt e tyre. Kam përshtypjen se këtij paragjykimi nuk do t’i shpëtojnë dy autorët e librit. Por unë dua ta theksoj se autorët kanë ruajtur ekuilibrin e nevojshëm dhe arrijnë të mbeten asnjanës. Ata na sjellin “të gjallë” secilin protagonist duke rrëfyer me të njëjtat kritere, duke respektuar një standard për të gjithë, larg opinionit personal që mund të kenë për njërin apo për tjetrin personazh. Këta parametra rrëfimi e portretizimi bëjnë që secili personazh të vijë në libër me individualitetin e tij, ndaj ne nuk e kemi aspak të vështirë të vërejmë e të dallojmë veçoritë e vlerat e gjithsecilit, ta admirojmë secilin për trofetë e merituara, por dhe të prekemi nga ndonjë disfatë që, natyrisht, është dhe ajo pjesë e garës, ku njëri del fitues.
Tani, pak fjalë për gjuhën e librit. Hilë Lushaku, që s’ka qenë kurrë pehlivan, po që tashmë është lidhur me Gollobordën përjetësisht, dhe Razi Rama, gollobordas dhe pehlivan pehlivani, janë treguar “pehlivanë” të fjalës. Unë vërej se autorët na shfaqen këtu me një stil të shkruari, vlerat e të cilit qëndrojnë në dy aspekte: në pjesët dhe në krerët që janë formësuar nga hulumtime, studime, materiale burimore e citime, spikat gjuha standarde dhe regjistri intelektual; kur lexojmë portretizime, dëshmi e intervista, gjuha është disi më “e shkujdesur”, më popullore, më e kuptueshme edhe për një lexues të zakonshëm, ajo të krijon ndjesinë sikur je në një konak dhe dëgjon ata burra të mençur që flisnin me radhë e gjithë seriozitet, por që dinin të bëjnë dhe humor, kur e donte rasti. Ligjërimi në libër rrjedh si uji i kristaltë i burimeve e i krojeve tona, atje në Gollobordë. Ndodh kështu sepse, përmes këtij ligjërimi, komunikimi fund e krye karakterizohet nga kultura e të shprehurit, nga respekti për idhujt, nga respekti për lexuesit.
Janë gjuha dhe fjalori i librit që, krahas subjektit që shtjellohet aq mirë e gjerësisht në disa plane, më lejojnë që “Pehlivanët e Gollobordës” ta quaj librin që na bashkon, sepse përbën një vlerë të shtuar në thesarin e vlerave që përfaqëson çdo emër që takojmë në libër. “Pehlivanët e Gollobordës” është një libër që na afron e na bashkon, sepse secili prej nesh e kemi një lidhje vëllazërore, familjare, farefisnore, miqësore, krahinore apo origjine të paktën me njërin prej pehlivanëve, në mos me dy a më shumë prej tyre.
A meriton ndonjë kritikë libri? Puna e madhe, e gjatë dhe shumë voluminoze e autorëve me bashkëpunëtorë ka mbërritur deri këtu. Askush, përfshirë autorët dhe Shoqatën Sportive “Golloborda”, nuk duhet të mendojë se libri “Pehlivanët e Gollobordës” i ka thënë të gjitha dhe për të gjithë. Me hulumtime, eksplorime dhe studime të mëtejshme, çdo pjesë dhe kre i këtij libri mund të dalin libra më vete. Kaq e pasur është treva jonë me histori, heroizma, ngjarje e protagonistë që meritojnë të futen në memorien e brezave që vijnë.

S'KA KOMENTE