Përkujdesja e Qeverisë së Vlorës për Gollobordën

208

Nga Agim BEKTESHI

(vijon nga nr. kaluar)

Vajtjen në Gollobordë të kavajasit Mehmet Bejtaga, njërit nga ushtarakët atdhetarë pranë Qeverisë së Vlorës, populli i krahinës e kuptoi dhe përjetoi si një përkujdesje të Qeverisë së Vlorës edhe për atë pjesë të territorit të vet shtetëror. Gollobordasit u gëzuan dhe e forcuan më tej rezistencën kundër farës së përçarjes që po mbillnin njerëzit e Esat Pashës. Por dhe më tej, shqetësim për popullsinë vazhduan të mbeten veprimet e personave brigantë të disa fshatrave rreth e rrotull Gollobordës. Edhe sot në Gollobordë mbahet mend koha kur populli i kësaj krahine nuk mund të kalonte rrugës nga kriminelët dhe brigantët e Sejfedin Pustinës, Xhelal Matit, Dine Demës, Selim Demës, Mahmud Biçakut, Liman Isakut, Kasem Allës, etj, të cilët ashtu si serbët i rripnin pa mëshirë kurbetqarët gollobordas. Kur mërgimtarët gollobordas ishin të detyruar të kalonin nëpër ato rrugë për të shkuar në shtëpitë e tyre, këta banditë, ashtu si serbët u prisnin rrugën me pushkë në dorë. Të fshehur prapa ledheve e gurëve, i kërcënonin gollobordasit me shprehjen që ka mbetur proverbiale dhe kujtohet edhe sot: “O jetën, o kuletën”! Në këto prita grabitqarësh kriminelë, janë zhvatur dhjetëra e qindra kurbetqarë nga të gjithë fshatrat e Gollobordës. Disa edhe janë vrarë. -“Serbëve s’iu ngop shpirti së shkretuari, së djeguri, por filluan të grabisin të varfërit katundarë që janë afër kufijve, – shkruante shtypi shqiptar i kohës. Në Llakavicë (afër Steblevës, A.B.), që është një fshat i krahinës së Gollobordës, me urdhër të komandantit të tyre, ushtritë serbe i morën kujt tri e kujt pesë lira. Hasan Ademin nga Trebishti dhe dhjetë shokë të tij i grabitën duke udhëtuar. Mbas pak ditësh hasën njëfarë Hafiz Memishi, edhe ky nga Trebishti, të cilit i morën nja shtatëdhjetë napoleona që kish me vete. Flitet se serbët kanë vrarë dhe disa prej syresh. Deri kur kjo barbarizëm”? – pyet i shqetësuar shtypi i kohës. Bashkë me një grup kurbetqarësh nga Trebishti e Golloborda është grabitur edhe Bajram Bekteshi, gjyshi i autorit të këtij libri, i cili pas shtatë vitesh mërgimi në Izmir e Stamboll të Turqisë, po kthehej në familje. Familja priste paratë e fituara me shumë lodhje e vuajtje, por brigantët e Zgozhdës, të Letmit, Sebishtes, etj, i zhveshën kurbetqarët gollobordas duke i lejuar të shkonin në familje vetëm me rrobat e trupit. Në një nga këto ditë e vite tensioni të madh, komandanti i sapoemëruar i xhandarmarisë së Gollobordës me qendër në Klenjë, informonte eprorët e vet se “Ngatërresat që ndodhën në mes të popullit, dalëngadalë do të qërrohen. Mbase do të jeni trembur nga gjendja e keqe e Gollobordës, por unë nuk po trembem aspak, sepse themeli që është hedhur nuk mund të prishet kurrë. Vetëm duke na prerë rrugën, shokët aventurierë të Mahmut Biçakut po na e bëjnë të vështirë korespondencën e rregullt. Këta herë – herë i dalin në rrugë popullit të urtë dhe i thonë që të mos kalojë më tjetër herë asaj udhe. Duke marrë parasysh mendimin kundërshtar të Çermenikës, kisha frikë se mos na shtonin armiqtë kryesorë të Gollobordës. Por tani nuk po u japim aq rëndësi, mbasi jemi duke vepruar kundër Letmit. Golloborda e tërë i urren. Çdo njeri protestoi. Kanë mbetur vetëm. Fshatrat e tjerë, të gjithë mbajnë qëndrim të mirë”. Dokumenti i sapo përmendur hedh dritë mbi situatat e vështira nëpër të cilat ka kaluar “populli i urtë” i Gollobordës. Me fjalët “populli i urtë i Gollobordës” dhe “populli punëtor i Gollobordës”, në të gjithë shkrimet e kohës cilësoheshin banorët sllavishtfolës të atyre gjashtëmbëdhjetë fshatrave të Gollobordës që i kemi përmendur në fillim të këtij punimi. Për t’iu shmangur bastisjeve, vjedhjeve e kërcënimeve, këta gollobordas “të popullit të urtë e punëtor” e gjetën më të përshtatshme që t’i shmangen kalimit nëpërmjet rrugës  Gollobordë – Librazhd, dhe filluan të udhëtojnë nëpërmjet rrugës Dibër e Madhe – Strugë – Elbasan. Duke shkruar për këto akte të ulëta, përçarëse e diskriminuese të disa cubave e brigantëve dibranë dhe librazhdas, bëmat e të cilëve ishin të njëjta me veprimet e serbëve, është fjala për disa njerëz imoralë e të pa skrupullt, që gjetën kohën dhe rastin për tu sjellë barbarisht me një pjesë të popullsisë së disa fshatrave të Gollobordës. Kjo sjellje e ulët dhe kriminale mbi “popullsinë e urtë” të Gollobordës, për fat të keq, në forma e përmasa të ndryshme ka vazhduar edhe më pas, deri në çlirimin e Shqipërisë nga nazi – fashizmi.

Popullsia e Ostrenit e Klenjës kishte diferenca të mëdha nga krahinat e tjera

Tafil Buletini, nip i atdhetarit të mirënjohur Isa Buletini, i cili në vitet tridhjetë të shekullit të njëzetë ka kryer detyrën e nënprefektit të Zerqanit në Dibër, ka shkruar: “Popullsia e dy komunave të Gollobordës; Ostren e Klenjë, kishte diferenca të mëdha nga krahinat e tjera, ishin popull i bindun e punëtorë të mirë. Meqë vendi malor nuk ua plotësonte nevojat ma elementare, jetesën e siguronin me gurbet, jashtë vendit, si mjeshtër të mirë ndërtimi e punëtorë pa dallavere, dhe jo si të tjerët, që synonin me u ba gjindarmë, mercenarë, etj. Mirëpo si popull i urtë e punëtor, nënçmoheshin nga krahinat e tjera, madje edhe plaçkiteshin e shfrytëzoheshin”.  Periudha historike të cilës i referohemi, sidomos në zonën e Dibrës ka qenë karakterizuar nga veprimtaria e shumë çetave grabitqare që vidhnin e bastisnin shpesh, kryesisht “popullin e urtë dhe punëtor” të disa fshatrave të Gollobordës, por dhe këdo tjetër që u dilte përpara. Vjedhja dhe kusaria ishin bërë mënyrë jetese e shumë njerëzve, ndërsa sasia e vjedhjes tregonte jo vetëm aftësi e kredibilitet, por tregonte e përcaktonte shkallën dhe vendin në “hierarkinë” e kusarisë e të pushtetit të kohës. Disa nga banorët e Dibrës të mësuar me të eksersuar (me të vjedhur, A.B.), mjeshtërinë e tyre si çeta vjedhësish jo vetëm që e ushtronin në Dibër e Gollobordë, por kishin shkuar ta ushtrojnë “profesionin” si hajdutë gjer në Bosnjën e largët. Për të siguruar jetesën e tyre dhe të familjeve që kishin, ata kryenin “detyra” duke bërë “punë” të asaj kategorie deri edhe pranë barbareskëve të zinj të Afrikës. -“Ata konsiderohen e respektohen sipas plaçkës që bien në shtëpi të tyre”, – shkruan burimi të cilit i jemi referuar. Megjithatë, popullsia e atyre fshatrave të Gollobordës që i kemi përmendur në fillim të këtij studimi, e cila u gjend nën sulmet dhe bastisjet e këtyre njerëzve grabitqarë, asnjëherë nuk e ka konfonduar veprimtarinë kriminale të disa banditëve pa skrupull e moral, me popullin punëtor e patriot të krahinave e fshatrave të tjerë të Dibrës dhe Librazhdit, i cili ka vuajtur edhe vetë të zitë e ullirit nga serbët dhe miqtë e tyre grabitqarë. Zakonisht preh e grabitjeve, vrasjeve dhe dhunimeve ishte “populli i urtë dhe punëtor i Gollobordës”, por ndodhte që në pusitë e cubave të binin padashur edhe të afërm të tyre, sidomos natën. Për një ngjarje të tillë vihemi në dijeni nga një shënim dhe një këngë të botuara në “Visaret e Kombit”, ku lexojmë: “Abdi Hoxha del prej mejtepi. Abdi Hoxha nga katundi Okshtun i Dibrës, studionte n’Ohri. Kur po kthehej për në shtëpi, hasi në një çetë cubash në Dervend të Steblevës. Cubat që ta zhveshnin, i thirrën të dorëzohet. Ai nuk u bind. Krisi pushka. Hoxha u vra, por edhe nga cubat u vranë pesë vetë. Mbas vrasjes, cubat që shpëtuan nga mordja dalluan se ai që kishin vramë ishte Abdi Hoxha, kushëri i Liman Isakut, kryetar i çetës”. Ja edhe teksti i plotë i këngës së popullit dibran:
“Abdi Hoxha del prej mejtepi,
Në Dervend e zou gazepi.
Abdi Hoxha njij efendej,
Shum’ i vogël duket n’sej.
Me Liman Isakun qenka kushrej.
Vrek e vrejk zou me shtej.
Hajde, hajde Liman Isaku!
Në Dervend po derdhet xhaku.
Hajde, hajde Liman Buduri!
S’ke pa gjalë prej Okështuni.
Pesë vetë ç’i më kan rrethoue,
Ç’i kam vram, ç’i kam coptue!
Nëpër kual  ç’janë ngarkoue,
N’Okështun na jan shkarkoue.
Tej martinë, më qofsh bekoue!
Vet – hen t’eme e kom pague”!
Në këtë kontekst relacionesh të acaruara me disa elementë të degjeneruar dibranë e librazhdas, prandaj është mirëpritur si një hap i mençur dhe serioz i Qeverisë së Vlorës, lidhja e Gollobordës me prefekturën e Elbasanit pothuajse qysh në vitet e para të jetës së shtetit të ri shqiptar. Ja çfarë shkruhet në dokumentet e kohës; në telegramin e prefektit të Elbasanit drejtuar Kryesisë së Qeverisë së Vlorës: “3 janar 1914. Sipas shkresave që m’u dërguan nga ana e kryetarit të komunës së Gollobordës, shpresohet të formohen disa komuna, duke i lidhur me prefekturën e Elbasanit. Këto Malësi që janë në një gjendje anarshie dhe shpesh propagandash shumë të rrezikshme, është vendosur që të vihen nën një administratë të rregullt”.  Mori udhë normalizimi gradual i situatës në Gollobordë, përmes afirmimit të rolit të shtetit shqiptar edhe aty.

Marrëveshja famëkeqe e 28 qershorit 1915

Por atë që nuk mundi ta realizonte duke u përpjekur për të përdorur si mashë popullin e disa fshatrave të Gollobordës, Esat Pashë Toptani guxoi dhe e nënshkroi vetë, kur firmosi marrëveshjen Jovanoviç – Esat Pashë Toptani të 28 qershorit 1915, e cila ishte një thellim i lëshimeve antikombëtare që i ishin bërë Serbisë qysh më 12 tetor të vitit 1913, e në vazhdim. -“Në marrëveshjen e qershorit 1915 me Serbinë, Esat Pashë Toptani pranonte të shkelej në favor të Serbisë, jo vetëm pavarësia politike e shtetit shqiptar, por edhe tërësia e tij territoriale. Kufijtë politikë e shtetërorë të vendosur më 1913 nga të gjashtë Fuqitë e Mëdha, Serbia i konsideronte si të diktuara nga Austria, prandaj në bazë të marrëveshjes me Esat Pashë Toptanin, ato do të ndryshonin në favor të Serbisë. Pogradeci, krahina e Gollobordës, Malësia e Dibrës, Luma e Hasi e deri në Spaç të Mirditës, do t’i kalonin asaj”. Por kjo ishte vetëm sa për fillim, sepse qëllimi përfundimtar i Esat Pashë Toptanit dhe Serbisë ishte bashkimi i krejt Shqipërisë me Serbinë, nën sovranitetin e kësaj të fundit. Deri sa të ndodhte kjo, “Serbisë do ti takojnë Pogradeci me rrethet e Gollobordës, Malësia e Dibrës, Luma e Hasi deri në Spaç”, me qëllim që Serbia ti kishte rrugët e hapura për të vërshuar sa herë të donte në Durrës e Tiranë. Në marrëveshje ishte parashikuar se Esati në organizimin e pushtetit në Shqipëri “do të emëronte për nëpunës njerëz e miq të Serbisë”, ndërsa “Serbia nga ana e saj do të vinte në dispozicion njerëzit e vet për këtë punë”. Bashkëpunimi detajohej gjer në imtësi të tilla, ku përcaktohej se “Nga Serbia do të vinin “udhëheqës e instruktorë të ushtrisë dhe xhandarmarisë”…….“Në Asamblenë (që do të krijohej, A.B.) të vijnë njerëz të besueshëm dhe idhtarë të tij (të Esatit, A.B.) e të Serbisë”, – vinte detyrë Serbia me anë të misionarëve të saj……..“Esati do të formojë qeverinë nga njerëzit që e përkrahin idenë e bashkimit serbo – shqiptar, (të cilët, A.B.) në momentin e përshtashëm ta aplikojnë në jetë me anë të Asamblesë, Unionin real me Serbinë”. Këto qenë disa nga detyrat që i ngarkonte Serbia Esat Pashë Toptanit. Më në fund Serbia i kishte shpalosur hapur synimet e saj ndaj Shqipërisë. Situatat u keqësuan më shumë pas Traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, i cili parashikonte copëtimin e Shqipërisë midis Italisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ushtritë serbe të trimëruara nga balancat ndërkombëtare dhe nga mbështetja e hapur që u jepte Rusia cariste, u shfaqën sërisht në Gollobordë, duke manifestuar moral vrasës e plaçkitës. -“Bozh, bozhe, bez kërv i vino ne mozhe”, – ishte lajtmotivi i tyre, çka në shqip do të thotë: “Zot, o zot, pa gjak e verë nuk bëjmë dot”. -“Verë e birrë pinin jashtë çdo mase”, – thotë Edit`h Durham.  -“Ushtria serbe kaloi kufirin dhe u rras në Gollobordë, tue i bombardue të katër anët. Gollobordasit që u gabuan nga propoganda e Arif Hikmetit dhe Qamil Fejzës, deri atëherë e kishin pritë ushtrinë e osmanllinjve si kryengritësit e Shqipërisë së Mesme. Tash, të shtangur e të trembur shifshin sesi po përhapesh në vendin e tyre ushtria serbe, e cila vriste e priste, therte e mbytte, digjte e shkatërronte pamëshirshëm. Krismat e topave serbe të zbrazur mbi katundet e Gollobordës dhe klithmat e banorëve të pafajshëm që u mashtruan, shkrepëtima e bubullima u dëgjuan në të katër anët e prefekturës së Dibrës. Populli iu drejtua zëvendës prefektit Hysen Bej Golja dhe e pyeti për këto ngjarje të kobshme”…….“Invazioni serb mbi Gollobordë, – u përgjigj prefekti filoserb, – u shkaktue nga ngacmimet që i kanë bërë gollobordasit shtetit serb. Në këto anë, (të Dibrës së Vogël, A.B.) pa u ngacmuar njeri e pa u dhanë ndonji provokacion, nuk mund të bahet ndonji invadim. Prandaj qetësohuni”! Paria e Dibrës së Vogël, për herën e dytë iu drejtua Hysni Beut dhe kërkoi të dijë se a e priste edhe atë anë fati i Gollobordës. Hysni Beu i siguroi se nuk do të ngjante një gjë e tillë deri sa të rrinin urtë e të mos e sulmonin kufirin”,  ka shkruar në “Kujtimet” e tij Ismail Strazimiri, njëri nga protagonistët kryesorë dibranë të atyre viteve të përgjakura. Pohimi i Ismail Strazimirit tregon sheshit pafytyrësinë e qeveritarëve dibranë të kohës, të cilët jo vetëm që e kishin lënë Gollobordën pa asnjë ndihmë, por e akuzonin se ishte vetë shkaktare e pasojave që i vinin nga serbët, sepse sipas tyre Golloborda nuk rrinte urtë e butë, ashtu sikurse prefekti në fjalë i ka këshilluar bashkëvendësit e tij, që të rrinë urtë e butë për të mos e zemëruar Serbinë. Por çfarë kishte ngjarë në Gollobordë që Dibra trime po dridhej prej ankthit? Kishte ardhur sërisht me zjarr e hekur ushtria serbe, pa e provokuar askush. Këtë radhë fshatrat Borovë, Sebisht e Zabzun, u përballën me një kasaphanë të vërtetë. Grushti i pamëshirshëm serb i goditi këto fshatra duke kryer një nga masakrat më të përgjakshme që kanë ndodhur në historinë shqiptare. Burimet e shkruara flasin për 300 deri në 380 njerëz të pafajshëm e të paarmatosur që u ekzekutuan pa mëshirë, pa asnjë arsye, dhe u groposën në një varr të përbashkët. Njerëzit u therën si bagëti. Ata rreshtoheshin në njësh kolonë, njëri pas tjetrit, dhe ushtarët serbë bënin provë për të parë sa trupa njerëzorë mund të shponte një plumb serb. Në një ditë të vetme, në Qafë të Prevallit u ekzekutuan qindra njerëz. Gjaku që derdhën fshatrat Borovë, Zabzun e Sebisht, nuk mund të harrohet nëpër shekuj. U çanë me bajonetë barqet e grave shtatzëna. Vajzat, nuset dhe gratë e reja, përpara se të vriteshin, u përdhunuan e u çnderuan publikisht nga ushtarët serbë, duke fyer e përdhosur rëndë moralin njerëzor. Por ironia më e madhe ishte kur shpenzimet e kryera për këto barbari dhe paratë e derdhura në dobi të Esat Pashë Toptanit e të cubave të tij, do të llogariteshin si borxhe të shtetit shqiptar, pra të shtetit të atij populli që e vrisnin dhe përdhunonin barbarisht. Ja si funksiononte logjika serbe: “Financimet që ishin derdhur nga Serbia në dobi të Esat Pashë Toptanit, ose që do të derdheshin në të ardhmen për të, do të shkonin për llogari të Shqipërisë. Ushtria serbe do të qëndronte në Elbasan e Tiranë për aq kohë sa do ta shihnin të arsyeshme të dy palët. (!) Përveç kësaj, në rast se do të rrezikohej Durrësi nga ushtria italiane, Esat Pashë Toptani do të thërriste menjëherë në ndihmë ushtrinë serbe, për ta pushtuar atë sa më parë”. Aktin e pushtimit të Shqipërisë qeveria serbe u përpoq ta justifikojë me disa të ashtuquajtura “argumenta”, të cilat i nxirrte nga arsenali i urrejtjes së saj raciste ndaj shqiptarëve. -“Më 9 qershor 1915, qeveria serbe sillte “argumenta” se pushtimin e Shqipërisë deri në Tiranë e bënte për të siguruar kufijtë e Serbisë nga inskursionet e popullsisë shqiptare, e cila cilësohej si “e egër” dhe e shndërruar në një vegël të verbër në duart e Austro – Hungarisë dhe Turqisë”. Serbët silleshin në këtë mënyrë me Shqipërinë, sepse kishin mendim përçmues  e racist, jo vetëm për shtetin e ri shqiptar si ngrehinë politike, por dhe për popullin shqiptar si racë e komb.
 (vijon nr. e ardhshëm)…

S'KA KOMENTE