DIBRANËT E DASHURUAR ME QIELLIN

172

Pranverat u sjellin kujtime të trazuara pilotëve të Forcës Ajrore Shqiptare. Pranvera e vitit 1951 u zgjon atyre kujtimin e bukur, gëzimin e lindjes së Armës së Aviacionit Luftarak Shqiptar, kësaj arme të vështirë dhe të lavdishme, simbolit të gatishmërisë më të lartë se si i shërbehet atdheut. Aviatorët kujtojnë punën e sakrificat e shumta që kanë bërë në vite, shokët e armës, ata që janë midis nesh, por edhe ata që mbetën përjetësisht qiellit të kaltër të Shqipërisë.
Pilotë e teknikë kujtojnë me dashuri e respekt të thellë shumë nga shokët e bashkëluftëtarët e rënë në krye të detyrës. Respekti për të rënët, këta djem e burra trima, është respekti për historinë e kombit, histori të cilën shumë pilotë e kanë shkruar me gjakun e tyre në lule të rinisë. Në piedestalin e nderit të aviacionit shqiptar kanë shkruar emrin e tyre shumë “Dëshmorë të Atdheut”, mosha mesatare e të cilëve është 31 vjeç.      Në atë ditë të bukur të 29 Marsit 1980, në Regjimentin e Aviacionit Rinas, gjatë zhvillimit të fluturimeve ditën në kondita të thjeshta meteorologjike, në aeroplanin reaktiv dy vendesh luftarak-mësimor të pilotuar nga pilotët Sabri Shefki Toçi, Komandant Skuadrilje dhe Armando Liman Gjoka pilot i ri, gjatë pilotimit në zonë, ndodhi katastrofa ajrore si rezultat i së cilës gjetën vdekjen të dy pilotët dhe u shkatërrua plotësisht aeroplani.

Si ka ndodhur ngjarja:
Në zbatim të kërkesës së rregullores së fluturimit dhe planit të Komandës së Regjimentit një ditë më parë, në datë 28.03.1980 u zhvilluar përgatitja për fluturim për datën 29.03.1980. Për zbatimin e detyrës së dhënë, të dy pilotët u përgatitën në mënyrë individuale, në skuadriljen dhe në Regjiment. Përgatitja e të dy pilotëve ka qenë e tillë që lejoheshin për të plotësuar detyrat të këtij niveli vështirësie në ajër.
Më datën 29.03.1980, si mbas rregullave para fillimit të fluturimeve është krye kontrolli i kohës, nga Z/komandantit i Regjimentit për fluturim Petrit Bebeçi, cili do të kryente edhe detyrën e udhëheqësit të fluturimeve. Mbas kontrollit të kohës, gjendjes së aerodromit, gjendjes shëndetësore të efektivit fluturues dhe gatishmërisë së aeroplanëve për fluturim, u mor vendimi për të filluar fluturimet duke e rritur lartësinë deri në 4000 metra. Ky ndryshim u bë për shkak të shikimit të dobët në lartësi të vogël, por pa ndryshuar përmbajtjen e detyrës.
Në orën 11:06 piloti Armando Gjoka dhe komandanti i skuadriljes piloti Sabri Toçi, i cili do të mësonte dhe do të kontrollonte aftësitë e Armandos në pilotim, pasi kontrolluan gjendjen e aeroplanit MIG-15 me Nr. 8-34, hipën në të, ndezën motorin dhe kërkuan leje për tu ngritur në ajër. Pas marrjes së lartësisë së caktuar raportuan vendndodhjen e tyre dhe kërkuan leje për plotësimin e detyrës. Udhëheqësi i fluturimeve i lejoj plotësimin e detyrës.
Në minutën e 14-të pas ngritjes piloti Sabri Toçi raporton me radio se aeroplani i tyre ka rënë në pozicionin e turjelës vertikale. Pas këtij raportimi, udhëheqësi i fluturimit i udhëzon me radio si të vepronin për ta nxjerr aeroplanin nga kjo figurë por nuk mori përgjigje. Ai i urdhëroi që të hidheshin me katapultë por as ky veprim nuk u krye nga pilotët.
Të dy pilotët bënë deri në fund të gjitha përpjekjet për ta nxjerrë aeroplanin nga ky pozicion i vështirë, por ai nuk doli nga turjela vertikale dhe u përplasë me tokën rreth 2 km në perëndim të qytetit të Laçit. Në këtë aksident të rëndë ajror gjeten vdekjen të dy pilotët.
Ngjarje tepër e rëndë. Ishte rasti i parë në historikun e aviacionit shqiptar që humbitnin jetën dy pilotë gjatë pilotimit të aeroplanëve MIG. Pikëllimi për humbjen e shokëve më të mirë ishte i madh.
Sipas raportit të përgatitur nga Komisioni i ngritur nga Komanda e Aviacionit për të analizuar ngjarjen e rëndë ku humbën jetën pilotët, mbështetur në dokumentet dhe librat e shfrytëzimit rezulton se aeroplani MIG-15 me Nr. anësor 8-34 që pilotohej nga këta pilotë në ditën e ngjarjes, ka fluturuar nga fillimi i shfrytëzimit 62 orë 18 minuta, nga 600 orë që duhej të kryente deri në riparimin e parë kapital. Motori kishte punuar 66 orë e 25 min. nga 200 orë deri në riparimin e tij. Të gjitha punimet e shërbimet në këtë aeroplan ishin kryer sipas kërkesave të instruksioneve. Përgatitja e aeroplanit për ditën e fluturimit ishte bërë e plotë, ishte kontrolluar nga tekniku i katërshes dhe është e dokumentuar në librat përkatës. Oksigjeni medicinal me të cilin ishte furnizuar aeroplani i përgjigjej plotësisht normativës (99.7%), karburanti sipas pasaportës N.34 datë 28.03.1980, i përgjigjej standardit shtetëror, vaji MK-8 dhe lëngjet e tjera ishin sipas standardeve shtetërore.

Kush ishte piloti Sabri Toçi:
Piloti Sabri Shefki Toçi i datëlindjes 12.10.1942 u lind në fshatin Çerenë të Dibrës.
Ai u përgatit si pilot në Shkollën e Aviacionit Vlorë, të cilën e përfundon në vitin 1966. Me përfundimin e saj, në muajin tetor 1966 dhe titullimin “Pilot Luftarak” u emërua pilot në Regjimentin e Aviacionit Rinas.
Nga prilli i vitit 1969 deri në dhjetor të vitit 1970 piloti i ri ka kryer detyrën e instruktorit fluturues në Shkollën e Aviacionit duke përgatitur dy breza pilotësh.
Në vitin 1971 u përzgjodh nga Komanda e Aviacionit dhe dërgohet për specializim në Kinë, ku kreu kalimin në aeroplanin MIG-19S. Pas kthimit nga specializimi u emërua përsëri pilot në Regjimentin e Rinasit. Në këtë repart ka kryer detyra të ndryshme komanduese si: komandant katërsheje, ndihmës komandant regjimenti për teknikën e qitje dhe në vitin 1977 u emërua Komandat Skuadrilje.
Sabri Toçi ka qenë pilot i Klasit të Dytë që prej vitit 1974. Ai ka kryer me sukses gjithsej 1220 fluturime me kohën 727 orë e 25 minuta. Gjendja e tij shëndetësore ka qenë shumë e mirë. Gjatë fluturimeve ka pasur shumë besim në aftësitë e tij për të pilotuar avionin.
Me vendimin Nr.228, datë 22.04.1996 të Këshillit të Ministrave është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Trupi i tij prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Me propozim të Shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit”
Vendlindja e tij e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi”.
Pallati i kulturës në qytetit e Peshkopisë, ditën kur u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për dy pilotët dëshmor, Sabri Toçi dhe Sefedin Tomçini, bij të kësaj treve të lavdishme shqiptare, qe mbushur plot. Familjar të tyre, veteranë të Aviacionit, ushtarak të Forcës Ajrore, Pushtetar vendor, qindra banorë e nxënës shkollash kishin ardhur për të nderuar jetën, punën dhe sakrificën e tyre sublime.
Në foto: Çast nga ceremonia e shpalljes “Qytetar Nderi”.

Piloti
Armando Gjoka:

Piloti Armando Liman Gjoka u lind në Tiranë, më 01 prill 1954 në një familje dibrane. Mësimet e para i mori në shkollën “Hasan Vogli”. Babai i tij, si ushtarak ushqeu tek djali i madh dashurinë për uniformën dhe Armando, pas përfundimit të shkollës tetë vjeçare filloj të ndjek studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skëndërbej”. Ai kishte dëshirë të madhe për leximin dhe që në vitet e shkollës kishte krijuar një bibliotekë personale.
Me trupin e bukur dhe të fort ai merrej masivisht me disa sporte, por shquhej në veçanti në sportin e mundjes. Që kur ishte i vogël ëndërronte të bëhej pilot. E priti me gëzim të madh lajmin që kishte dal i aftë dhe do të vazhdonte studimet për pilot në Shkollën e Aviacionit në Vlorë, të cilën e mbaroj në vitin 1976.    Gjatë viteve që vazhdonte shkollën në Vlorë, ai njohu dhe dashurin tjetër të madhe të jetës së tij, vlonjaten e mirë Vjollca me të cilën u martua disa kohë më vonë.
Me mbarimin e studimeve dhe titullimin pilot Armando u emërua në Regjimentin e aviacionit në Kuçovë. Mbas tre vitesh punë dhe eksperiencë në këtë Regjiment, në vitin 1979 filloj kalimin për pilotimin e aeroplanit MIG-19S në Regjimentin e Rinasit. Ai kishte dëshirë të madhe për të fluturuar dhe bënte përpjekje të mëdha për ngritjen e tij tekniko-profesionale.
U nda nga jeta në katastrofën ajrore të 29 marsit 1980, në moshën më të bukur, 26 vjeçare. Gjatë periudhës si pilot ka kryer gjithsej 768 fluturime në kohën 231 orë 17 min.

S'KA KOMENTE