JAM EUROPIAN NË SHQIPËRI DHE SHQIPTAR NË EUROPË

887

Një veprimtari  bashkëkohore  në shkollën 9-vjeçare Shupenzë

Shkolla 9-vjeçare Shupenzë  është  e para shkollë  7-vjeçare  në Grykë të Vogël,  ndër më të herëshmet  në bashkinë e Bulqizës.  I hapi dyert e saj në vitin 1950,  në këtë trevë  arsimdashëse e me tradita patriotike.  Më 1953, në Shupenzë u ngrit  një konvikt, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të zonave tjera si: Lura, Çidhna, Sllova, etj.  Kuadri mësimdhënës, nuk plotësohej nga mësues vendës, ndaj u desh të vinin mësues nga rrethet tjera si: Melaim Peza, Zenepe Gjata, Dhimitër Lazri e  Ruzhdi Buzhiqi  nga Elbasani, Besnik  Bedalli e Sadie Isai nga Peqini, Tom Kola e Tonin Lulgjura nga Shkodra, Dea Banja nga Berati, etj.  Këta mësues, bashkë me mësuesit vendës Hilmi Sadiku, Mendu Dema, Shefqet Uka, Skënder Sharku, Reme Tasha, etj. , kontribuan me gjithë energjitë e tyre, për të radhitur këtë shkollë ndër më të dalluarat e rrethit të Dibrës.
Në vitet në  vazhdim, drejtues të kësaj shkolle si: Elez Xheka, Xhevat Jella, Rabie Alimani, Naim Turja, Fllanxa Kurti e Arjan Kaja, u bënë protagonistë të reformave në  arsimin parauniversitar , në kalimin  7-8 e 9 vjeçar të shkollës.
Në shkollën e Shupenzës ka punuar Mësuesi i Popullit Selim Alliu,  normalistët Hamit Manjani, Abaz Xhafa e  Hidër Manjani, mësuesit e talentuar Riza Manjani, Idriz Biba, Avni Dema, Mehdi Dema, Dhilhixhe Jella, autorë dhe krijues si Haxhi Lusha,  Osman Patria, Latif Dema etj. , veprimtarë të sporteve si Shukri Xheleka e Bajram Hoxha, mësues artistë amatorë, që mbajtën gjallë lëvizjen kulturore e artistike si: Xhetan Manjani, Remzi Dema, Sulejman Xhepa, Suzana Patria, Qefsere Beqiri, etj. Drejtuesit e rinjë , këto ditë po punojnë  për mbylljen e vitit shkollor, pa larguar vëmendjen nga veprimtaritë edukative, kulturore e sportive. Shkolla 9-vjeçare Shupenzë numuron sot 519 nxënës, ku japin mësim 38 mësues, nga këto 29 mësuese.                                                                                                                         Mësuesit Tahir Daci (zv. drejtor), Sanie Alimani e Elizabeta Suma, morën përsipër realizimin e projektit “Jam Europian në Shqipëri dhe Shqiptarë në Europë” dhe e realizuan me shumë sukses. Nxënës të klasave VI-IX , u paraqitën me krijime si esse, poezi dhe piktura, ku spikati  angazhimi maksimal, puna plot vullnet e pasion e nxënësve dhe mësuesve.  Paraqitja e punimeve  krijoi mjaft emocione duke  stimuluar  dhe  diskutime konstruktive,  që vazhduan deri në orët e vona të mbasdites. Nxënësit, me punimet e tyre, sollën shembuj të sakrificës, të vetmohimit, të shpresës për të mbijetuar. Me shpresë luftohet varfëria, më shpresë realizohet bashkimi, bashkëpunimi rrit dashurinë për njëri tjetrin. Me djersë realizohen ëndrat në truallin tonë, në Atdheun tonë të përbashkët  me dijet tona sjellim përparimin dhe mirëqenien. Me kulturë dinjitet,  do të bëhemi europianë në Shqipëri dhe shqiptarë në Europë, konkludohej në çdo segment të këtij aktiviteti.  Shumë nga objektivat nxënësit i paraqitën edhe me krijimet e tyre modeste në pikturë.  Në qendër të tyre ishin heronjë e mendimtarë, që nxënësit i kishin për zemër dhe idhuj synim në jetën e tyre. Midis tyre ranë në sy punimet e Xhoana Halilit, Neinsi Ballës, Aurora Xhetës, Xhuljeta Çelës, Artiola Sinanit, etj. Një punë mjaft të mirë kishin bërë në esse Olta Tomja e Klea Alimani, në poezi dhe interpretim u paraqit me dinjitet Eni Dani.                                                                              Mësuesit e  gjuhës, sëbashku me kolegë tjerë si Kujtime Dervishi, Avdi Xheka, Fisnik Manjani, etj., kurorëzuan me sukses këtë veprimtari edukative, risi për shkollën, që la mbresa të pa shlyeshme tek nxënësit dhe tek gjithë pjesmarrësit.  Veprimtaria u mbyll me  falenderimin e drejtorit të shkollës Petrit Alimani për punën e mirë e  me shumë vlera të nxënësve dhe mësuesve. Detyrat që shtruan nxënesit  nëpërmjet  këtij aktiviteti të shërbejnë për  arritje  më të mëdha në veprimtari të tilla. Me këtë frymë të punojmë për mbylljen me suksesë të vitit shkollor.
Zabit   Lleshi

 

 Sfidë apo tendencë?

Sa e vështirë është të kthesh kokën nga enigma e së kaluarës! Sa e rëndë shpirtërisht është të lëndosh plagë të shoqërisë njerëzore, që për disa janë helm kujtimesh! Nuk është fare e lehtë të kacaviresh nëpër udhët e largësisë, atëhërë kur ajo ç’ka quhet mister, është një realitet i pandrushueshëm, i patjetërsueshëm.Ndaj druhem të eci në gjurmët e kohës. i trembem më tepër kujtesës së fakteve të patjetërsueshme, i trembem momenteve të liga që la historia e popullit tim tek ato që patën gjak shqiponjash në beteja e skllavërime, në gjyqe e protesta, në cënime krenarish  dhe ofendime kombëtare.
E hidhur është kur përshkon rrugët e pazbuluara, kur rrenjët e të parëve, përveç kënaqësisë e krenarisë, të shkaktojnë dhe një depozitim ndjenjash negative për të ardhmen tënde. Ashtu sikurse mbaj brenda vetes një shtysë që më shtyn të gërmoj në të kaluarën për të parë në sy të ardhmen, ashtu s’kam fuqi të godas malin me grusht, se dhimbja e tyre zgjohet padashur, urrejteja ime për to gjithashtu.
Në mykun e faqeve të së shkuarës, gjeta një pjesë të vetes. Dhe u lumturova kur ndjeva një elektricitet pozitiv brenda vetes për ndjenjën atdhetare, krenarinë e kombësisë sime, pasi kjo copë e përgjakur historie më tregoi se kisha një identitet, kisha një kombësi për të cilën krenare duhet të ndihesha gjithmonë. Më bëri të fluturoj ideja se si kishte me parë në këtë tokë shqiponjash ‘qenie mitologjike’, që ngrinin foletë e tyre mbi male, që ia rritnin krenarinë këtij populli të nëpërkëmbur ndër shekuj, si të ishte ‘molla’, që i nxiste ta kafshonin për të prishur mëkatin. Ish erë e lirisë ajo e 1444-ës, po lirinë nuk e solli dot, ish murlan i fortë ai i 1912-ës dhe vërtet  që drita në qiell vezulloi; u bëmë si ata, si pjesa më e madhe e boteë: Të pavarur!  Ish erë e çlirimit ajo e 1944-ës dhe tokës së shqipeve i premtoi, që vetëm ‘miq’ pas kësaj dite do kishte ‘armiq’ kurrë më!

 

JEMI GATI TE SFIDOJME …

Ne  kemi kaluar shumë sfida, në të cilat gjithmonë kemi dalë fitues, se ajo drita në fund të tunelit s’u shua kurrë. “Është balta më e ëmbël se mjalta”, ajo që nxiti bijtë e këtij kombi për t’u bërë zot të vetvetes. Po sot vallë kush e ka këtë detyrë?! Si mund t’i vëmë shkelmin njëherë e mirë asaj periudhe negative?! Të ndërtojmë një fole tjetër shqiponjash, ku streha e saj t’i ngjasojë foleve të atyre që e quajnë veten pjesë e BE-së. Duhet t’u përgjigjemi arsyeshëm sfidave të kohës, për të realizuar një integrim madhështor, ashtu si kemi triumfuar kurdoherë me flamurin kuqezi në dyluftime.
E meritojmë të mirën e së nesërmes, ndërkohë që duhet t’u vëmë shkelmin mbeturinave tragjike të trashëguara nga e kaluara, të skalisim në kujtesë mrekullinë që zgjon tek ne ndjenja e krenarisë atdhetare. Jemi popull ëndërrimtar, kemi të drejtë të ëndërrojmë. Jemi popull kërkues dhe në errësirë të drejtën do të kërkojmë. Jemi popull sfidues dhe nëpër dete, male e fusha barazinë me të tjerët do të kërkojmë, triumfues drejt BE-së! E kemi për detyrë, e kemi të vetmen sfidë që na ka mbetur! Nesër dua që pëllumbi i së ardhmes sime të jetë sfida e barazisë, e flamujve në Evropë të realizohet, kur ëndrra ime të mos jetë më ëndërr, por një realitet i realizuar.
Klea ALIMANI,
Klasa: IX-B, Shkolla “Ibrahim Daçi”, Shupenzë

 

 

Ç’është Ana Franku për ty? – Shpresa … një arsye për të jetuar

Ana Franku u bë pjesë dhe viktimë e Luftës së Dytë Botërore. La një ditar. E titulloi “Kiti”. Pas vdekjes, ditari i saj u bë simbol i shpirtit njerëzor.
Po ç’është Anna Frank për mua?! Një vajzë e sinqertë dhe e hareshme, e cila me mesazhet e saj të shkruara në faqet e ditarit, u bë shembull për të gjithë bashkëmoshatarët e saj. Provoi torturat, por ato nuk e penguan të shpresonte. Ana ka shkruar: “Unë e di që dielli do të ndriçojë  herët a vonë për mua. E di që dielli do të dalë pas stuhisë më të fuqishme…”   Kjo është arsyeja kryesore pse unë  e admiroj Anën. Sa do të doja të isha pjesë e jetës së saj!  Ah, shoqja ime! Motërza ime! Sa keq që fati u tregua kaq i egër me ty! Megjithatë, përpara se të ikje, ti le pas një amanet shumë të rëndësishëm për ne, Shpresën.
Ka sot disa Ana Frank. Pra, Ana nuk është e vetmja viktimë e kësaj jete. Këto ‘Ana’ – viktima, ndodhen shumë pranë nesh. Janë viktima të “Botës së mjerimit”. Një nga ato e takova edhe unë.
Në dalje te rrugës, në një cep të saj, më zënë sytë një vajzë më të vogël se unë. Fytyra e pafajshme e kësaj vajze ndriste nga mirësia dhe kënaqësia. Një buzëqeshje të hareshme i jepte një shkëlqim në fytyrë, e cila i ngjallte gëzim. Me ngadalë iu afrova dhe iu ula pranë.  Qëndronte ashtu e buzëqeshur, pa lëvizur. Ngrita kokën dhe e vështrova në fytyrë. Rrezet e diellit i vrisnin fytyrën e nxirë, duart i kishte të gërvishtura, ndërsa buzët të thara për një pikë ujë. Balli i digjej nga nxehtësia, ndërsa trupi i dergjej nën rrezet e diellit.
Nuk durova dot më dhe e pyeta: “Duket e çuditshme se si ti arrin të buzëqeshësh, kur jeta të ka bërë vetëm të vuash”. Nuk m’u përgjigj. Fytyra u zymtua dhe me tepër. Ajo buzëqeshje u zhduk. Ula kokën. Mendova se bëra gabim që i bëra një pyetje të tillë. Ajo vërejti pezmatimin tim dhe foli: Kam dymbëdhjete vite që e bëj këtë jetë.
Nuk ngurova përsëri dhe e pyeta: “Po si është e mundur që ti ia del duke buzëqeshur?” Një nënqeshje i shpërtheu në fytyrë. Ngriti kokën dhe më vështroi në fytyrë. Sytë e saj sikur fshihnin diçka. “Është e vërtetë! Jam e uritur dhe e lodhur. Por kjo s’do të thotë që unë të ulem e të rri si gjithë të tjerët duke iu lutur dikujt. Qëndroj këtu me shpresën se një duarartë do lëshojë pak dritë për ne. Deri më dje edhe unë kam qëndruar, ja kështu, si ata të gjorët më përtej, duke pritur. Por sot, sot u ngrita ndryshe.
Ç’do  të thuash më ndryshe? – e pyeta unë.
Mori frymë thellë dhe tha: “Dielli kishte lindur vetëm për mua. Valëviste rrezet e tij të arta ngado. Dukej sikur më thoshte: Një ditë e re! Duhet të zgjohesh. Shpejt! Nxito, sepse koha nuk pret. Kemi një dite të gjatë përpara. Së bashku do t’i bëjmë ballë kësaj jete, siç kemi bërë deri më sot. Forca, ngrihu! Nuk është koha të dorëzohesh tani, ndaj të lutem mos e lësho veten kaq shpejt! ………….
Shpresat… janë një arsye për të jetuar më gjatë. Të shpresosh do të thotë t’i buzëqeshësh jetës në momentet e fundit të saj edhe kur ajo të duket e padrejtë…
Thellë brenda në zemër e ndieja që Ana Frank ishte pranë meje. Ishte aty duke më thënë fjalët e fundit të Lamtumirës………………
 Olta TOMJA,
Klasa : VIII-C,  Shkolla:  “Ibrahim Daçi”, Shupenzë

 

 

Jam europian në Shqipëri dhe shqiptar në Europë

Udhëtova  në gjithë botën,
Të gjeja të madhen, Evropën.
Të bëhesha pjesë e saj,
Sepse e ndjeva veten mu  në majë.

Mirëpo, Atdheun dot s’e largoja
Doja që afër tij të qëndroja.
Rrugët me mjergull mbuloheshin,
Ku njerëzit nga varfëria lakmoheshin.

Sfida çdo ditë po bëhej karakteri im,
Largimi më ngjante si një  mallkim.
S’doja të bëhesha mërgimtar i përmalluar,
Që nga  trojet e mia  të isha  larguar.

Ëndrra ime u bë sfidante,
Jeta mbi shpatulla vërshtërsi mbante.
Populli krah përkrah si vllazëri,
O shtet, ti kurrë mos mbaj mëri!

E malli që djeg nënat anë e  mbanë,
Për djemt e tyre që rriten matanë,
Urrejtje për atë tokë kanibale,
Por e mirë për vlera ekonomike e sociale.

Evropian  jam në  shtetin tim Shqipëri!
Që do jetë jeta ime në  ardhmëri,
Luksi dhe paraja janë sjellje arrogante,
Varfëria e errët që  të bën në jetë sfidante!

Te jemi qytetarë  evropian  të Shqipërisë,
Të bëjmë krenar shtetin e  ardhmërisë,
Dashuria  e madhe njeriun kurrë s’e ndan,
Vetë sfida e jetës është për t’u bërë Europian!

 Punoi:  Eni DANI,    
Klasa: IX –A, Shkolla:   “Ibrahim DAÇI”, Shupenzë

S'KA KOMENTE