Naim Plaku dhe Sllatina

80

Nga Dr. Fejzulla Gjabri

Për Naim Plakun gjithkush flet, se, çdonjërin që ta pyetësh, ka se ç’të flasë. Ka një jetë të mbushur më punë intelektuale, me poezi, prozë poetike, me kërkime etnografike, kërkime etnologjike, folklor e botime të shumta. Ashtu i qetë, si shumica e poetëve, me hallet historike dhe të kohës së re, vuajti shpirtërisht. Vuajtja fizike është e rëndë, po më e rëndë është vuajtja shpirtërore. Dhe Naimi ka një veçori: Diti ta përballojë dhimbjen shpirtërore pa rënkime, pa ankime. Jo se s’dinte të ankohej, po kujt se? Kur ishte fëmijë, i ankohej nënës dhe babait Ramiz, por kur bëhesh burrë, vështirë të ankohej. Ndoshta poezisë, ndoshta vargut dhe rreshtit. Diku nëpër rreshta të një proze shkruan: “Tek qoshja ku isha futur, nga ajo dritarja e vogël e shtëpisë në fshat, vështroja mëngjeset e bukura të qullura me vesë dhe mbrëmjët e trishtuara që laheshin me dritën e verdhë të hënës. Shikoja rrëketë …”. Kontraste natyre që ngjasonin me kontraste shoqërore: “..gërryenin parreshtur ..zemrën e plakur..”.
Prap me të gjallët: “Hynin dhe zogj e lule, pranvera me borë të bardhë e dimra me cingërima, djepe të përmbysur e shtretër nusesh të lagura më pshertima”. Ja këto mendime të qeta e shpesh kryengritëse ashtu në heshtje, pra vetëm në shpirt, me ofshamën e fyellit, ofshan dhe poeti Naim Plaku. Vuante nga vuajtjet.
Naim Plaku lindi në Sllatinë të Dibrës më 14 Nëntor 1940. Veç vlerave të trungut sllatinas, Naimi ishte nipi i Elez Isufit, të cilësuar tashmë “Gjenerali me shajak”. Po së pari është sllatinas, nga Kulla e Plakut të Sllatinës. Kryen shkollën pedagogjike dhe të lartën. Në vitin 1958 caktohet mësues në 7-vjeçaren e Fushë- Alijes, pastaj në Ceren të Kalasë së Dodës, në Shumbat e në Sllovë për shumë vite, pastaj në Zall-Dardhë e Ostren të Gollobordës. Për nevoja pune e kërkonin shpesh pranë Pallatit të Kulturës të rrethit, nevoja të cilat i kishte përballuar duke qenë mësues. Më pas, aty kah fundi i viteve 1980, e emëruan fillimisht metodist e më pas drejtor në shtëpinë e Kulturës “Haki Stëmilli” të Peshkopisë, gjer sa doli në pension.
Njeriu nuk është i përsosur, por beteja që bën në kërkim të saj, pavarësisht sakrificave, e bën të përsosur veprën e tij. Naimi poet, Naimi studiues, Naimi mësues, që i përket Sllatinës, Dibrës dhe gjithë viseve shqiptare. Thuri vargje për Shqipërinë, veças për Dibrën, thuri vargje për Dibrën e veças për Ujë e m’Ujën, Sllatinën, vendlindjen e tij. Gjeti materiale shpirtërore, i shënoi, i shënoi në ato anë të Drinit Zi, që është mjaft pjellore, jo vetëm ekonomike, por veçanërisht në krijimtari, me këngë, legjenda e balada, me emra të hershëm e te ri vendesh, me histori e begati. Gjithë kjo pasuri aty ka qenë, por duhej një Naim që t’i vinte në dukje. i gjurmoi dhe i botoi në dy –tri vëllime, si Kroje zanash e Këngë Korabi, me Setën e lashtë e Drinin plak.
Nxënësit e tij u bënë burra e nuk harronin asnjëherë t’i thonin në emër, po ‘mësues Naimi’. Me dekada u ka ra rretheqark fshatrave anës Korabit e luginës së Drinit. Naim Plaku i ka “prekur” vetë këto anë, ka mësuar të tjerë, ka mbledhë nga të tjerët ‘ajkën’ e kulturës e trashëgimisë dibrane, ka ditur ta përcjellë si mësimin, si ketë ‘ajkë’ në breza. Shkurt: ka lënë gjurmë kulture, që të tjerë kanë ç’të mësojnë. Ata që pak njohën Naim Plakun, po u themi, se mund të kenë dëgjuar këngën “O, prite Azem Galicën”, kënduar në vitet ’80-të. Është teksti i Naim Plakut, që e këndon Arif Vladi.
Kur dëgjonim zërin e bukur të këngëtareve Arif Vladi, Liri Rasha, Qerim Sula, Sherif Dervishi, Vera Laçi, Sajhe Poleshi etj, por edhe këngëtarë si Ilir Shaqiri, Haxhi Maqellara, nga diaspora, pak e kanë ditur se janë tekstet e Naim Plakut.
Naim Plaku nuk është vetëm poet i këngës dhe kulturës dibrane. Ai ka botuar shumë artikuj shkencorë për çeshtje të gjuhës, të folklorit e mësimdhënies në shtypin perodik në gazetën “Mësuesi”, “Studime pedagogjike”, “Studime filologjike”, “Gjuha jonë” etj. Ka qenë bashkëpunëtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Institutit të Kulturës Popullore, ku ka marrë pjesë në shumë ekspedita kërkimore shkencore për mbledhjen e leksikut, të folklorit etj, në vise të ndryshme të Shqipërisë që janë përfshirë edhe në botimet e këtyre institucioneve. Të gjitha këto punime janë vlerësuar në kohën e diktaturës, me një distiktiv “Mësues i dalluar”. Një distiktiv, që e kanë me qindra mësues që ‘kanë ditur të bëjnë vetëm ditarin mirë’.  Mes tyre, poeti i këngës dhe kulturës dibrane, studiuesi, poeti, shkrimtari Naim Plaku. Zakonisht dekoratat nuk kërkohen, por jepen. Naimi nuk u qa asnjëherë për to. Kur ndryshoi sistemi, kur talentet dolën në dritë, Naimit iu dha “Mirënjoje” nga Këshilli i Komunës së Sllovës dhe “Qytetar Nderi i Qakut” nga Këshilli i Qarkut të Dibrës”. Dy vlerësime shumë të rëndësishme. Sigurisht që i takon më shumë. Po, mbi të gjitha, dekoratat më të mëdha janë veprat, të botuara e të pabotuar, si “Fllad e frullizë”,(2006) “Kreshtat e Korabit”(2006),“ Po të mos ishte Drini…” (2008) “Krojet e Zanave” -Folklor nga viset e Dibrës, “Sllatina”- monografi për vendlindjen e shumë artikuj në shtyp. Emrin e tij e gjen në analizat e veprave, përshkrimet e ndryshme, “Fjalët në sepete”, të paraqitura me atë gjuhë të bukur artistike në disa organe shtypi, po veçanërisht në “Rruga e Arbërit”. Të gjitha këto janë vlerë e shtuar librave vëllimorë të tij.
Fshati është më tepër se një tog shtëpish e rrugicash, me tre-katër kroje, si vende tradicionale të miqësive. Brenda fshatit, zakonisht ka fise të nfryshme, që siç thonë, i ka bashkuar Zoti, për të jetuar bashkë. Dikush nuk bën miqësi brenda tij, por edhe bëhen, se fundja nuk janë gjak. Lidhjet e banorëve shfaqen si një projektim hapësinor i marrëdhënieve shoqërore, njëherësh strukturuar nga ndasi që, e bëjnë të dallueshme profanen nga e shenjta, punën nga zbavitja, publiken nga privatja, burrat nga gratë, familjen nga gjithçka tjetër që nuk i përket asaj. Duke i njohur këta njerëz, e kupton se ata i përshkon një frymëmarrje e ngrohtë qytetarie e patriotike. Kështu është dhe Sllatina, me disa fise që i ka bashkuar koha, dikë më heret e dikë më vonë.
Naim Plaku, edhe kur ka qënë larg Sllatinës, me punë mësuesie, kulture a në ekspedita, me mendje bredh në Deluza, në Britushe, nëpër lagje, në kufije, siç është Pilpeniku, nga Guri i Nuses, Gramës e Korabit, pra rretheqark truallit të sllatinasve. Këto vise i jep ashtu siç janë: të lashtë e të lakmueshëm edhe për hasmin. ‘Kur kalon nëpër Pilpenik, të duket sikur shkel mbi një kube…”, citon një akademik e diplomat rus, serbofil. E poeti ynë jep pasuritë, bukuritë, bjeshkët e pyjet, me vargje e me prozë. Mbi të gjitha jep shpirtin qytetar të këtyre banorëve, të sllatinasve. Në poezinë hyrëse të “Sllatina”, thotë: “E kam për nder, e kam krenari, … kudo që të jem, Sllatinë, jam me ty!…”.
Do Sllatinën. Historia e saj ze vend më të rëndësishëm në krijimet e Naimit. Për të shkroi një monografi, ku janë rrjedhat e historisë, njerëzit e saj në paqë, punë e në zjarret e luftërave për liri e pavarësi. Aty është Sllatina nën pushtimin Osman, nën gojën e ujkut sërb me masakrat më çnjerëzore, aty është qëndrimi gjatë Luftës së Dytë Botërore e më pas kolektivizimi, mbrojtja me armikun imagjinar, arsimi, shëndetësia, besimi fetar etj, etj. Duket se e ndjeu detyrim që të dokumentojë ato që meriton Sllatina. Për vendlindjen dhe gjithkush ka të drejtë të shkruaj. Naimi shkruan ndryshe. Duket se e ka shkruar në prozë poetike, se është poet. Pra me ndjenjë, me korrektesë, me qëmtime e mbështetur në ato dokumente që janë.
Naimi di të shprehë konsiderata. Te Naimi nuk të humb mundi, siç thotë një miku im. Me veprën e tij ngriti lart figurën e shqiptarit, të dibranit, të sllatinasit dhe këtij të fundit, Naim Plaku i kthen borxhin vendlindjes. Në një poezi kushtuar Sllatinës, veçoj një strofë: “Pesë Gurët –sinorë janë krenari,/ Ngulur në shekuj, ta mbajnë lart shtatin, Nga Gur i Kovaçit, Venishtin Karshi e Guri i Nuses na ndan me Shumatin”.
Nëpër vëllimet e Naimit ka frymëzim vendlindor, dibran dhe gjithshqiptar. Aty është lashtësia, aty burojnë mesazhet, aty ngrenë krye hulumtimet. Shkenca do i grupojë në: frymëzime poetike që këngëtari e ka të lehtë t’i kthejë në jone, gjuhëtari në toponomastikë, etnologu në etnologji e etnografi, dikush në histori, gjeografi, folklor etj. Të gjitha i gjen në veprën e botuar e të pabotuar të Naim Plakut. Nëpër faqet e shkrimeve si në poezi dhe në prozët, ka jetë, ka punë, ka luftë, ka vështirësi, ka gëzime dhe vuajtje, por asnjëherë urrejtje, veç armiqve, pushtuesve.
Në vendlindjen e tij, Sllatinën, janë tërheqëse toponimet. Jepen emërtimet, jepet gjendja fizike, jepen pronarët. Emra me legjenda. Shohim vetëm dy-tri prej tyre: Grama – Thuhet se ka qënë qendër e madhe banimi, shpopulluar nga Dimri i Tre Prillave. Ose: Guri i Nuses, kufi me Shumatin, ku u vranë në grindje krushqit, për lirimin e rrugës njëri tjetrit. Njëra nuse u gurëzua. Ose Guri i Shalës – ku një kalë ishte gurëzuar, se në barkun e kalit ishin fshehur monedha florini. Lisi i Kalasë, Përroi i Shëngjergjit, Shëngjonit, i Pasqyrës e kështu me radhë një sëri emërash toponimimikë me vlera kulturore. Etnologjia na del me fiset me mëhallat, si Dushke, Qake, Kole, Hyse, Çekiqe e bashkë me to edhe fise të ngulimeve të para, të shuar e të ardhur vonë. Prandaj themi se Naimi e do Sllatinën.
E do Sllatinën me gjithë çka, por jo të boshatisur nga njerëzit e saj. Boshatisjen e jep figurativisht në pranverën e vitit 2014: “Dy shpilat e mëdhenj tek Vorret e Qake janë vjetëruar shumë. Edhe shpili i Çekiçe qan mbi varr si një plak i kërrusur mbi një bastun të shtrembër. Degët e mëdha dhe të rënda që shtriheshin si krahë gjigandë, duke mbuluar rreth dy dynim hapësirë, janë thyer dhe duken si gjymtyrë të sakatuara të një dinozauri prehistorik…”. Një metaforë për Sllatinën e braktisjes së madhe. … Dhe në fund: “Do të vijë pranvera përsëri! Rretheqark Korabit e luginës së Drinit ka jetë njerëzore”. Ky është Naim Plaku…
Në një Shqipëri europiane, këto libra, këto vlera shpirtërore që na sjell prof. Naim Paku janë ato pasuri, prova e dëshmi kulturore e historike të dorës së parë, që na veçojnë e na bashkojnë me të tjerë, që tregojnë fytyrën e shpirtin tonë shqiptar, që pohojnë identitetin tonë kombëtar.
Faleminderit që i shpëtove këto pasuri shpirtërore! Tani do të jenë të gjalla e të pavdekshme në bibliotekat tona dhe kujtesën kombëtare. Edhe Ti Naim, shpirtërisht do jesh i gjallë. Mirënjohje e falenderim në emër të lexuesit të sotëm dhe sidomos atij të nesërm, për këtë kontribut tuajin në letërsinë dhe kulturën shqiptare!

S'KA KOMENTE