“Ditët Dibrane dhe Matjane në Tiranë”

323

Tradita dibrane dhe matiane në art, kulturë e kulinari “pushtoi” më 8 dhe 9 Prill 2017 Pazarin e Ri të Tiranës. Në panair  u prezantuan veshje popullore, gatime tradicionale, kënge dhe valle me motive popullore të zonave. Me mjaftë interes ishte promovimi i potencialeve kulturore dhe natyrore turistike të bashkisë Bulqizë.
Në sfondin e tendës së një biznesmeni bulqizaku, në sfond ishte një telajo me personalitete që kanë kontribuar në bashikinë e Bulqizës.
Traditat dhe trashëgimia kulturore e ruajtur me devocion nga dibranët dhe matianët është një pasuri e madhe kombëtare. Në këtë panair u arrit të tërhiqej vëmendja e banorëve të kryeqytetit. Bashkia Bulqizë ishte partnere dhe organizatore e këtij panairi ku arriti të krijonte mundësinë që bulqizakët të shfaqnin cilësitë e tyre.
Aktiviteti i organizuar nga katër bashkitë e Qarkut Dibër me mbështetjen e organizatave e fondacioneve të ndryshme që operojnë në qark e më gjerë, kishte si qëllim promovimin e traditave dhe trashëgimisë kulturore të ruajtura ndër breza nga dibranët dhe matjanët.
Përfaqësuesit e sipërmarrjes në këto katër bashki i prezantuan publikut të kryeqytetit pasuritë e tyre në trashëgimi kulturore dhe historike, agrobiznes, qendra të veçanta rekreacioni, njësi akomoduese (hotele, restorante, kampingje, shtëpi pritëse, turizëm familjar), guida turistike etj; produkte turistike të veçanta; prodhime artizanati (Punime në gips, bakër dhe dru, poçari, punime me dru dhe çifteli, punime me grep, punime me razbujë, prodhim qeleshesh etj), dhe kulinari (produkte ushqimore tradicionale).
Në panairin e çelur, artizanë nga Dibra dhe Mati, por edhe zonat përreth prezantuan punimet e tyre tradicionale, zanate të cilat i trashëgojnë brez pas brezi.
Mariglen Gjura pasionin për qeramikën e ka zhvilluar për disa vite në Greqi, ku mësoi edhe një teknikë më moderne për të përsosur atë tradicionale, të cilën gjyshi ia mësoi që në fëmijëri.
“Kishim një gjysh që ishte artizan i vjetër. Ai vdiq dhe bashkë me të vdiq pothuajse edhe qeramika në Peshkopi. Tani erdha unë si poçar i ri. Poçaria, të cilës ne i themi vorbë, është tardicionale për Peshkopinë. Bëjmë vorbë për fërgesë, por edhe arka kursimi, që të kursejmë sepse jemi në ditë krize”, thotë Gjura.
Krahas punimeve të dorës dhe atyre të poçarisë, Dibra njihet edhe për gatimet tradicionale, veçanërisht jufkat, që e dallojne atë nga zonat e tjera të Shqipërisë, me të cilat mund të krenohemi jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por edhe përtej tyre. “Bërjen e jufkave ka 12 vjet që e kam filluar si aktivitet. E bëja me dorë në fillim, punoja rreth 50 kg miell në ditë. Është traditë e vjetër e Dibrës nga gjyshet tona, kryesisht merrem me gatime tradicionale si bakllava, sheqerpare, etj. Kam qenë 2 vite në Panair në Torino. Kulturën dibrane e kemi, kemi edhe pastërtinë e Dibrës. Jemi nikoqire. Jam shumë krenare”, thotë një artizane.
Panairi “Ditët Dibrane dhe Matjane në Tiranë” u organizua nga AZHR  (Agjencia e Zhvillimit të Rajoneve 2) në bashkëpunim me Bashkitë e Qarkut Dibër organizon panairin “Ditët Dibrane dhe Matjane në Tiranë” Gjatë këtyre dy ditëve u promovuan në sheshin kreativ “Pazari i Ri” të kryeqytetit,  kultura dhe traditat Peshkopisë, Bulqizës, Klosit e Burrelit në një ekstrakt të vetëm.
Grupe artistike popullore nga ky qark  performuan live në sheshin e Pazarit të Ri, të Tiranës.

S'KA KOMENTE