Ekspedita serbe mbi Dibër e Gollobordë u mori jetën më shumë se 508 njerëzve të pafajshëm

853

Nga Agim BEKTESHI

Dita e ndeshjes finale të luftës së Dibrës së Madhe

Aty nga mesdita e asaj dite, (më 9 shtator sipas naçallnikut serb, por më 20 shtator sipas botimeve shqiptare), vetëm pas 5 – 6 orësh, në qytetin e Dibrës së Madhe u ngrit një Qeveri e Përkohshme shqiptare për drejtimin e jetës së vendit dhe mbajtjen e rregullit. Serbët të thyer keqazi morën rrugën për të ikur përmes grykës së Drinit të Zi, por te Ura e Spiles në Trebisht dhe tek Hanet e Trebishtit i prisnin luftëtarët gollobordas e ata trebishtas. Më 22 shtator 1913, rreth orës 4°° të mëngjezit kryengritësit dibranë bllokuan grykën e Radikës, duke mbyllur shtegkalimet e trupave serbe, ndërsa trupat luftarake gollobordase të drejtuara nga Hasan Koçi (Berexha), Ramadan Kanxha e Hysen Destani, pasi kishin marrë pjesë drejtpërsëdrejti në luftën për çlirimin e qytetit të Dibrës së Madhe, u zhvendosën me shpejtësi dhe zunë pritë te Shkëmbi i Vrabiçit dhe tek Hanet e Trebishtit. Ushtritë serbe nga prapa i ndiqnin forcat dibrane të komanduara nga Mersin Dema, Dan Cami, Bajram Buci, etj. Kur po agonte dielli i datës 22 shtator 1913, gryka e Drinit të Zi pranë Urës së Spiles ishte skuqur nga gjaku i trupave serbe të vrara. Të gjendur midis dy zjarreve, nga prapa ushtritë dibrane që i ndiqnin këmba – këmbës, ndërsa nga përpara ato të Gollobordës e Trebishtit që komandoheshin nga Hasan Berexha, Ramadan Kanxha e Hysen Destani, serbët panë ferrin me sy. Rezistenca serbe ishte e jashtëzakonshme, por ishte heroizmi luftarak gollobordas e dibran dhe terreni ku zhvilloheshin ndeshjet e ashpra, ai që ua shpejtoi shkatërrimin e plotë duke i detyruar serbët të largoheshin në panik të thellë e duke lënë shumë të vrarë në luginën e Drinit të Zi, pranë Urës së Spiles dhe Haneve të Trebishtit. Forcat dibrane të sipërpërmendura, nën drejtimin e Mersin Demës, Dan Camit, Bajram Bucit, Hasan Koçit (Berexha), Ramadan Kanxhës, Hysen Destanit, etj, më 26 shtator 1913 hynë në Strugë. Kontributi i luftëtarëve gollobordas e trebishtas krahas atyre dibranë në këto luftime të përgjakshme, e rendit Gollobordën ndër qendrat më të fuqishme të kryengritjes dhe rezistencës antiserbe të shtatorit të vitit 1913. Për këtë arsye, kjo kryengritje është një nga faqet më të ndritura të historisë së gollobordasve, e sidomos të trebishtasve. Ky kontribut luftarak i një populli që u gjend në syrin e ciklonit të ndeshjes dhe rezistencës antiserbe, është një nga rastet më të suksesshme të bashkëpunimit dhe rakordimit të forcave e goditjeve të gollobordasve e dibranëve mbi serbët. Gollobordasit dhe trebishtasit dëshmuan se ata ishin forca e vetme që mund të mbyllte darën e hekurt tek Shkëmbi i Vrabcit mbi Spile të Trebishtit, ku do të asgjësoheshin taboret serbe. Por bashkëkohësit e sotëm duhet të mbajnë parasysh se ushtria serbe ishte ushtri e një shteti të organizuar pushtues, e cila vepronte sipas planeve të studiuara, ndërsa rezistenca popullore dibrane e gollobordase ishte një vetëmbrojtje popullore spontane, që ishte e detyruar ti kundërvihej e përshtatej rrethanave që i imponoheshin prej pushtuesit, dhe nuk kishte aftësi e mundësi ta tërhiqte armikun në lakun e planeve të saj. Prandaj ndodhte që serbët ktheheshin më egërsisht aty ku ishin thyer më parë. Ardhja e njësive të reja ushtarake serbe, (burimet e historisë flasin për më shumë se 40 mijë trupa të përforcuara me artileri e mjete motorike), përmbysi totalisht raportet në frontet e betejave shqiptaro – serbe, ku luftonin vetëm 3 mijë trupa shqiptare. Pasojë ishte mposhtja dhe përgjakja dramatike e kryengritjes dibrane. Kur Komanda serbe, pas thyerjes së kryengritjes dibrane të shtatorit 1913, gjykoi se e vuri situatën nën kontrollin e saj, fshatrave të Dibrës së Sipërme, Dibrës së Poshtme, të Gollobordës e Lumës, u rezervoi një ndëshkim të egër dhe mizor. Në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” të muajit kallnuer 1914, kemi gjetur dy reportazhe, të cilët bëjnë fjalë për krimet serbe gjatë ekspeditës ndëshkimore që iu rezervua popullit të Dibrës, të Gollobordës e Lumës, pas kryengritjes së shtatorit 1913. Nuk mund të lemë pa përmendur këtu qëndrimin e pakuptimtë të disa studiuesve dibranë, të cilët kur shkruajnë për masakrat dhe raprezaljet serbe mbi Dibrën, thuajse asnjëherë nuk përmendin se midis fshatrave të shënuar në reportazhin që ata i referohen shpesh, një numër i tyre janë fshatra të Gollobordës. Po ashtu, këta studiues nuk kanë denjuar të përmendin edhe faktin tjetër, se krahas atij reportazhi ku flitet mbi masakrat serbe në Dibër, të cilin e citojnë, e botojnë dhe ribotojnë me të drejtë, është dhe një reportazh tjetër, që flet mbi masakrat dhe raprezaljet serbe edhe në Gollobordë, i cili mban titullin: “Udhëtim në Gollobordë”. Ky reportazh është i botuar në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” të vitit 1914. Është një fakt historik i pamohueshëm se raprezaljet serbe mbi Gollobordën ndodhën sepse Golloborda e bashkoi pa hezitim fatin e saj me atë të mbarë viseve dibrane e shqiptare në mbrojtje të shtetësisë shqiptare, por zotërinjtë studiues e kalojnë në heshtje kontributin gollobordas dhe çmimin e madh që ka paguar Golloborda në atë etapë të përgjakshme të historisë shqiptare. Të heshtësh e të mos duash të përmendësh të vërtetat e historisë, nuk është gjë e mirë dhe normale.

Gjithkush që e do nderin dhe dinjitetin e vet, nuk duhet t`ua mohojë ato të tjerëve

Gjithkush që e do nderin dhe dinjitetin e vet, nuk duhet t`ua mohojë ato të tjerëve, me të cilët ka luftuar e punuar për ta bërë Shqipërinë. -“Dihet se në kryengritjen e fundit që bënë shqiptarët në Dibër kundër serbëve, muarrën pjesë shumë bullgarë vendas në luftimin kundra armikut të përbashkët. Ashtu edhe kur u kthye përsëri Serbi, barbarizmat që veproi ndër shqiptarët, i bani dhe ndër bullgarët e vendit”. Kështu ka shkruar kronika e historisë duke dëshmuar qartë për luftën e përbashkët të popullsive të zonës së Dibrës e të Gollobordës kundër pushtuesit serb, por dhe për vuajtjet e pësimet e tyre të njëjta prej ushtrive serbe. Duhet shënuar se me termin “bullgarë” që përdorte shtypi shqiptar i atyre kohëve, u referohej edhe banorëve të atyre fshatrave që i kemi përmendur në fillesë të këtij shkrimi. Me qëllim që të mos bëjmë të njëjtin veprim diferencues e denigrues, sikurse veprojnë disa studiues që i anashkalojnë kontributet luftarake të popullsisë sllavishtfolëse të disa fshatrave të Gollobordës, po sjellim në formë të përmbledhur një bilanc të përafërt të vrasjeve, djegieve e rrëmbimeve të pasurive të popullit në krejt hapësirën dibrane, ku Golloborda ka patur dhe ka vendin e saj, ka dashur apo jo “dikushi” dje, do apo nuk do “dikushi” sot. Bilancin e raprezaljeve serbe e kemi bërë duke mbledhur e llogaritur vetë numrin e martirëve dhe vjedhjet e sekuestrimet e bëra nga serbët. Ushtarët serbë i vrisnin njerëzit, herë me bajonetë e herë me plumb. Fëmijët i vërvisnin nëpër flakët e shtëpive që digjeshin, ndërsa shumë gra të përdhunuara nga ushtarët serbë, hidheshin vetë në flakët e zjarrit. Kope të tëra, me mijëra bagëti e gjedhë janë sekuestruar, midis të cilëve dele, deshë, lopë, kuaj, buaj, gomerë e dhi. Është vjedhur i gjithë ushqimi i grumbulluar për dimërimin e popullit. Bilanci i përafërt është ky: Në fshatrat e Dibrës së Sipërme e të Poshtme, midis të cilëve janë përfshirë edhe disa fshatra të krahinës së Gollobordës, janë masakruar pas shuarjes së kryengritjes dibrane të shtatorit të vitit 1913, mbi 388 njerëz të pafajshëm, të cilët shpesh herë as që kishin marrë pjesë në kryengritje. Viktimat janë të shënuara herë me emër e herë me numër, pa folur për të paregjistruarit nga raportuesit vendorë. Në fshatrat e tjerë të Gollobordës që përmenden me emër në reportazhin me titull “Udhëtim në Gollobordë”, janë masakruar mbi 120 njerëz. Në total, ekspedita serbe mbi Dibër e Gollobordë u mori jetën më shumë se 508 njerëzve të pafajshëm. Në përleshjet luftarake në frontin e betejave me ushtritë serbe u vranë 170 luftëtarë dibranë, duke e çuar shifrën e përgjithshme të njerëzve të vrarë në luftë frontale e me masakrime në mbi 678 njerëz gjithsejt. Prej tyre 25 qenë gra e plaka, ndërsa 16 ishin fëmijë të moshave të ndryshme. Në të gjithë fshatrat e Dibrës së Sipërme e asaj të Poshtme, ku janë përfshirë dhe disa fshatra të Gollobordës, për të cilët flitet në reportazhin me titull: “Barbarizmat dhe mizorinat e serbëve kundër shqiptarëve”, u dogjën mbi 1128 shtëpi, ndërsa në fshatrat e tjerë të Gollobordës, të përmendur në reportazhin me titull: “Udhëtim në Gollobordë”, janë djegur 727 shtëpi banimi, 350 kashtore, të gjitha xhamitë, dyqanet, mejtepet, etj. Numri i bagëtive të rrëmbyera, të përmendura me numërim, është si më poshtë: janë vjedhur 3430 krerë dele, 4457 krerë deshë, 45 680 kuaj, 800 buaj, 171 lopë, 232 krerë dhi, 150 qe, 17 gomerë, 690 lira turku dhe një sasi e pallogaritshme djathi, gjalpi, mjalti, hoshafi, pastërmaje, teshash e kostumesh popullore. Vetëm në qytetin e Dibrës së Madhe, sasia e dëmit të plaçkave të vjedhura është llogaritur në vlerën e mbi 1 milion lirave turke. Në këtë bilanc horrori ballkanik të tipit serb, nuk janë përfshirë qindra shtëpi e kashtore të tjera, të djegura e të shkrumbuara nëpër fshatrat e tjerë të Dibrës e të Gollobordës, të cilat vetëm sa janë shënuar duke përdorur termin: “Të gjitha shtëpitë janë djegur”. Këto fshatra dhe dëmet e kryera në to nuk i kemi përfshirë në bilanc, sepse thjesht nuk figuron një numër, një shifër që të mund të llogaritet, por gjithsesi tabloja e raprezaljeve serbe edhe me kaq është e qartë. Mungojnë në këtë tablo krimet e kryera në fshatra të tjerë, të cilët as që janë përmendur në ato dy reportazhe, por që ishin pjesë e krahinës së Dibrës dhe Gollobordës, siç mund të përmendim për shembull Ostrenin e Madh dhe Ostrenin e Vogël, Orzhanovën, Tuçepin, Lladomericën e mjaft fshatra të tjerë të Gollobordës, që dihet se i qenë nënshtruar raprezaljeve serbe. Gjatë kësaj ekspedite në Trebisht u kapën e u vranë katër burra dhe u dogjën disa shtëpi, njëra prej të cilave ishte shtëpia e Ramadan Kanxhës, nënkomandant i forcave luftarake të Gollobordës. U konfiskuan pasuri të shumta të popullit, kope me bagëti, lopë, qe, dele e deshë, kuaj, mushka e gomerë, dhi, cjepër dhe shumë para, lira floriri turke të kurbetçinjve trebishtas, që populli ua dha oficerëve e ushtarëve serbë, duke blerë jetën e vet me para në dorë. Shpëtimi i jetëve njerëzore u bë sepse populli fitoi kohë që të arratisej maleve. Tregojnë se djegia e Trebishtit në këtë rast u shmang vetëm duke i paguar serbët me para në dorë. Kështu kishte ndodhur në mjaft fshatra të tjerë të Dibrës, ku populli pagoi para për të mbetur gjallë. Asokohe vetëm në Trebisht janë marrë rryshfet disa dhjetëra mijëra lira turku flori, para të cilat kurbetçinjtë gollobordas i kishin fituar gjatë viteve të emigrimit në Turqi, Rumani, Bullgari, Greqi, etj. Ato ditë u dogjën edhe Hanet e Trebishtit, të njohura e me famë në gjithë Ballkanin, ku kishin bujtur dhe patriotë në zë të lëvizjes kombëtare shqiptare, si Abdyl Frashëri e Isa Boletini, pronë e patriotit Sali Sadiku, njëri nga eksponentët e çetës së luftëtarëve trebishtas të komanduar nga Hysen Destani. Djegia e Haneve të Trebishtit u bë si ndëshkim për veprimtarinë patriotike të pronarit të tyre. Gjatë një ekspedite grabitqare e ndëshkimore të serbëve, në këtë kohë është masakruar edhe çaush Liman Bekteshi, babai i Bajram Bekteshit dhe gjysh i Hasan Bekteshit e Liman Bekteshit nga Trebisht – Çelebia e Gollobordës. Ky njeri që kishte shërbyer për disa kohë si çaush në garnizonet ushtarake turke të Manastirit, Tetovës e të Dibrës së Madhe, ishte personi që ka sjellë nga Selaniku në Trebisht karvanin me 13 kuaj e mushka, të ngarkuar me municion për luftëtarët e çetës së Trebishtit. Kur serbët i kërkuan para për ti falur jetën, çaush Limani kishte refuzuar tu jepte paratë. I biri Bajrami dhe e bija Nefa kanë treguar për ne ngjarjen e zhvilluar në familje, kur ushtarët serbë të egërsuar nga refuzimi i çaush Limanit për tu dhënë paratë, pasi e lidhën këmbë e duar, bënë çfarë mundën mbi trupin e tij; bënë atë që mund të mendojë e të kryejë vetëm fantazia e shfrenuar kriminale. Çaush Liman Bekteshi vdiq pak ditë pas dhunës së ushtruar mbi të, duke ia lënë barrën e familjes gruas së tij të verbër, Rabijes, të cilën e kishin verbuar veglat serbe të Trebishtit, emrat e të cilëve janë të njohur për bëmat e tyre spiunuese.

Në katakombet e nëndheshme dhe të errëta të turpit të historisë

Nuk po i përmendim emrat e atyre veglave të urryera, për ti lënë aty ku janë, në katakombet e nëndheshme dhe të errëta të turpit të historisë. Me këtë rast edhe në familjen e çaush Limanit, si në gjithë familjet e Trebishtit e të Gollobordës, u konfiskuan të gjitha bagëtitë dhe kafshët shtëpiake. Por fshatrat që nuk janë përmendur në dy reportazhet që kemi cituar më parë, siç ishin Ostreni i Madh, Ostreni i Vogël, Tuçepi, Lladimerica, Radoveshi, bashkë me ta edhe Trebishti, i cili herën e parë kishte paguar para për të mos u djegur, u dogjën e u shkrumbuan herën e dytë, pas pak ditësh, kur taboret serbe mësynë dhe populli nuk kishte para që ti paguante përsëri. Këtë informacion e kemi hasur në një botim më të fundit të historiografisë shqiptare, në të cilin kur flitet mbi raprezaljet serbe në Dibër e Gollobordë me rastin e mësymjes së dytë të serbëve, thuhet: “Kolona të tjera serbe iu turrën nga të dy anët Gollobordës, ku dogjën Trebishtin (650 shtëpi), Ostrenin e Madh (152 shtëpi), Ostrenin e Vogël (90 shtëpi), Radoveshin (40 shtëpi), Lladimericën (60 shtëpi), Tuçepin (45 shtëpi), etj”. Në ofensivën e parë, sikurse marrim vesh nga një burim tjetër, u dogj edhe Çereneci i Gollobordës. Në Çerenec u dogjën 23 shtëpi dhe u masakruan Hasan Abazi me të shoqen, Ramadan Salihi e Rustem Sulejmani. Duke bërë një llogaritje të përgjithshme të dëmeve të kryera në fshatrat e Gollobordës për të cilët kemi siguruar të dhëna burimore, rezulton se në fshatrat e Gollobordës u shkrumbuan mbi 1787 shtëpi banimi. Por numerikisht më shumë se aq u dogjën mullarë dhe kashtore ku mbahej ushqimi dimëror për bagëtitë. Populli i Dibrës dhe Gollobordës gjatë ekspeditave serbe të viteve 1913 – 1914, i trembur për ekzistencën e tij gjeti strehë në malet e veta. Kur u zhvendosën nëpër malet, gjyshërit tregonin se ushqim kishin rrënjët e aheve dhe lëndet e lisave, të cilat i zienin për ti ngrënë. Ata që u kapën dhe ishin të spiunuar nga veglat e serbëve në fshatra të ndryshme të Gollobordës, u varën me litar nëpër degët e pemëve, nëpër udhëkryqe, që populli ti shikonte e të trembej. Shumë njerëz u çanë me bajonetë, duke u vënë në gjoks nga një tabelë, në të cilën urdhëroheshin familjet të mos i merrnin trupat e të varurve për ti varrosur, për aq kohë sa korbat nuk do t`ua kishin nxjerrë të dy sytë. Ky rit çnjerëzor ishte pjesë e kënaqësisë serbe. Burimet historike tregojnë se edhe në viset e tjera të Dibrës, serbët silleshin po aq egërsisht, në mos ca më shumë. Kjo mund të kuptohet kur vihesh në dijeni se në thertoren e qytetit të Dibrës së Madhe, në vend të bagëtive tani thereshin njerëz. Viti 1913 dhe ai 1914 ishin periudhë e një kohe skajshmërisht të ngarkuar me dhunë e vuajtje të shumta për popullin e Dibrës e të Gollobordës. Në reportazhin me titull: “Udhëtim në Gollobordë”, që i takon muajit kallnuer të vitit 1914, na jepet një panoramë rrënqethëse e situatës së popullit të Gollobordës pas ofensivës serbe të vjeshtës dhe dimrit të vitit 1913. Turma të mëdha njerëzish të mbetur nën qiell të hapur, në mes të dimrit, në dëborë e në të ftohtin siberian, morën rrugën e muhaxhirllëkut. Elbasani ishte stacioni i tyre i parë, por edhe Durrësi, Kavaja, Tirana, etj. Kordonet e raskapitura të refugjatëve dibranë dhe gollobordas në qytetin e Elbasanit u pritën me dhimbje nga populli dhe patriotët vendas, por shteti shqiptar i sapokrijuar nuk kishte asnjë lloj strukture humanitare. Muhaxhirët dibranë e gollobordas u vizituan edhe nga anglezja e njohur Edit`h Durham, e cila në shtypin evropian të kohës e bëri të njohur golgotën dibrane e gollobordase. Por ndihmat e nevojshme po vononin shumë. Dimri i ftohtë bënte punën e vet. -“Të dëshpëruar në kulm nga braktisja e vendlindjes dhe nga hyrja e dimrit, shumë familje muhaxhirësh vendosën të ktheheshin në vatrat e tyre. Aty nga fundi i vitit 1913, disa qindra gollobordas të grumbulluar në Elbasan, morën rrugën e kthimit. Por pararoja e tyre, nja 30 vetë, u kap nga serbët te Qafa e Klenjës. Të gjithë pjesëtarët e pararojës u pushkatuan barbarisht në vend, me përjashtim të njërit që shpëtoi mes plumbash, dhe së bashku me vargun që vinte pas pararojës, u kthye përsëri në Elbasan. Dimri, të cilin muhaxhirët e kaluan me vështirësi të jashtëzakonshme, u rrëmbeu atyre qindra viktima të tjera, të shkaktuara nga uria dhe nga sëmundjet”. Mungesa e bukës dhe zija që pllakosi mbi të gjitha viset e Dibrës e të Gollobordës, u bënë shkak që populli ti drejtohej për ndihmë Fuqive të Mëdha të Evropës, me telegrame e lutje të shumta. Në gazetën “Përlindja e Shqipërisë”, e cila ishte zëdhënësja e vetme e Qeverisë së Vlorës, është botuar Thirrja e popullit të Dibrës drejtuar Fuqive të Mëdha për ndihmë, në vijim të cilit është botuar edhe komenti i asaj gazete për këtë thirrje të popullit dibran. Në vazhdim po sjellim përmbajtjen e atij komenti, për të kuptuar gjendjen e popullit të Dibrës e të Gollobordës gjatë vitit 1913 e në vazhdim. Pastaj mund të kuptojmë edhe vetë situatën akoma më të rënduar, sidomos pas raprezaljeve dhe barbarive serbo – malazeze të dimrit të vitit 1914, apo ato të viteve 1915, 1916 e 1920. -“2/15 Vjeshtë e dytë 1913. Thirrje Fuqive të Mëdha nga ana e dibranëve”. “Thirrja e dibranëve që e shpallim, – shkruan gazeta, – ashtë një za i tmerruar i fëmijës që kërkojnë sisë nga sisat e thara të nënave të uritura, ashtë ulurima e grave që shohin fëmijën e tyre të vdesin për ushqim, pa mundur tu japin asnjë ndihmë, ashtë qarja e pleqve të sëmurë që dridhen prej të ftohtit, ashtë rrënkimi i burrave që ju dogjën shtëpitë dhe u grabitën tokën, sepse se duronin dot robërinë, ashtë zëri i mjerimit të pështirë. Dibranët vuajnë! Dibranët janë të uritur, këta trimat e maleve fisnike dhe kryepërpjetë zgjatin sot një dorë lypësi tek Evropa që të mundin të ushqejnë fëmijën e tyre, dhe përpara ulurimit të këtyre çiliminjve të mjerë, harrojnë çdo fisnikëri”. Erdhën disa ndihma të pakta humanitare nga dy – tre shtete të Europës, sikurse ishte rasti i vaporit “Bullgaria”, i cili në emër të popullit dhe shtetit bullgar pruri në limanin e Vlorës 500 thasë me miell, destinuar për muhaxhirët dibranë e gollobordas që endeshin të uritur maleve me dëborë. -“Pardje Vlona kish gëzimin të shohë për të parën herë në limanin e saj flamurin e Bullgarisë. Vapori “Bullgaria” ardhi dje dhe pruri për të ikurit nga ndjekjet gjakatare të Serbisë 500 thasë me miell, të dërguar nga ana e qeverisë bullgare”, – shkruante shtypi shqiptar i kohës. Ndonëse sasia e miellit ishte fare simbolike për nevojat e mëdha ushqimore të dhjetëra mijëra dibranëve e gollobordasve të ikur nga vatrat e tyre të shkrumbuara, shtypi vinte në dukje se: “Të gjithë shqiptarët, me ndjenjë shumë mirënjohëse i falen me ndere Bullgarisë për këtë ndihmë”. Por ndihmat ishin aq të pakta e të pamjaftueshme, sa populli u detyrua të hante koçankat e misrit dhe rrënjët e drurëve. Golloborda e mbuluar në mjerim, e shkrumbuar dhe e shndërruar në hi, kundërmonte erën e kufomave të bijve të vet.

Sëmundjet dhe epidemitë shpërthyen gjërësisht, krahas zisë së bukës

Sëmundjet dhe epidemitë shpërthyen gjërësisht, krahas zisë së bukës. Pikërisht këtë periudhë rrënqethëse ka si referencë të saj një këngë që këndohet rëndom nëpër dasmat e Trebishtit, e pikërisht kënga me titull: “Çukat çuma po sred sello”, që do të thotë: “Troket murtaja përmes fshatit”. Njerëz të vdekur prej murtajës gjendeshin të shtrirë anës rrugëve, ndërsa kishin qenë duke shkuar diku, pa marrë as ndihmën më të vogël mjekësore. Tregonin ata që e kishin jetuar atë kohë tmerri rraskapitës, se kufomat e njerëzve pasi dezinfektoheshin me gëlqere, (!) nga rruga dërgoheshin drejt e në varreza. Në gjithë Trebishtin dhe Gollobordën, gati në çdo familje, dhjetëra e qindra njerëz humbën jetën në këtë mënyrë. Kjo panoramë ishte vetëm një pjesë e asaj situate të llahtarshme që populli i Gollobordës dhe Dibrës e përballoi me rezistencën e vet në betejat e ashpra për shtetin e ri shqiptar, që po lindte mes dhimbjes e mundimit popullor. Nga ana e tij shteti shqiptar përpëlitej vetëm në disa përpjekje të dobëta deklarative. Por dhe nuk kishte fuqi të bënte më shumë, sesa të kërkonte e të lutej që Pashiçit Fuqitë e Mëdha duhet t`ia kishin treguar kufijtë, e jo ta lejonin të vinte gjer në thellësi të vendit. Fuqitë e Mëdha për të larë duart e për të qenë në rregull formalisht, ndërhynin me disa këshilla e qortime të buta pranë Pashiçit serb, që të mos shkelte kufijtë shqiptarë, dhe vetëm aq. -“Kujtojmë se kur e këshilluan Fuqitë e Mëdha Serbinë që të mos shkelte tokën e shtetit tonë, nuk deshën ti thonë: “Mos ik gjer atje ku qe, gjer në Elbasan…..I duheshe kujtuar Pashiçit me shokë se Okështunet, Zabzuni, Borova, Stebleva, Sebishta dhe viset e tjera që dogjën ushtarët e tyre, gjenden përkëndej Drinit, në Shqipërinë e lirë”. Si dëshmi të brutalitetit të tyre mbi Gollobordën, në fshatin Trebisht të Gollobordës serbët instaluan një bateri topash, në vendin e quajtur Urvishte, armë me të cilat gjuanin duke e vendosur popullin e Trebishtit e të fshatrave të tjerë të Gollobordës nën presion të madh. Nënpunësi i zyrës së lajmeve të Strugës, në Deklaratën e tij drejtuar kryesisë së komunës së Qukësit, kur njoftonte mbi veprimet e kryengritësve të Dibrës gjatë kryengritjes së shtatorit të vitit 1913 dhe mbi zbrazjen e Ohrit e të Strugës prej serbëve, ka shkruar këto fjalë: “27 shtator 1913. Serbët kanë lënë vetëm në Dibër nja 400 të vrarë. Nuk është zënë ndonjë top në Ohër e në Strugë. Topat që kishin në Trebisht i hoqën, bile thonë se ndodhen në majën e Gjevatës”. Dëshmitarët okularë të asaj kohe nga Trebishti kanë treguar për ne se këta topa ishin pikërisht ata që ishin të vendosur në vendin e quajtur Urvishte, mbi lagjen Bala të fshatit Trebisht të Gollobordës. Vendvendosja e topave tregonte qartë se bëhej fjalë për të shkatërruar me artilieri çdo rezistencë të mundshme tek Shkëmbi i Vrabcit. Në terrenin e Gollobordës, ndërkohë që Serbia po ushtronte genocid e raprezalje të përgjakshme, mbi popullin e mbetur në mëshirë të fatit zhvilloheshin veprime të tjera, të nëndheshme e të mbidheshme, të cilat për interesa të Serbisë janë kryer nga disa cuba të anëve të Dibrës e të Librazhdit, që u vunë në shërbim të Esat Pashë Toptanit e të Serbisë. Informacion të bollshëm për këtë jep korespondenca e dendur e autoriteteve vendore të Gollobordës me autoritetet e Qeverisë së Vlorës. Komandanti i xhandarmërisë së Gollobordës ato ditë i raportonte në këtë mënyrë Qeverisë së Vlorës: “Ju paraqes Shkëlqesisë suaj deklaratën që u ka dërguar shokëve të vet hajduta harbuti Esat Pasha. Kësaj deklarate po i bashkëlidhim dhe një paçavure që ia drejtojnë popullit të poshtrit si Selim Dema, vegla të satrapit, të cilët synojnë disa qëllime që nuk do të mund ti arrijnë kurrë”. Sot është në modë që tu thuren ditirambe e tu jepen “merita patriotike” njerëzve të llojit Selim Dema, Esat Pasha, Arif Hikmeti, Sejfedin Pustina, etj, veprimet e të cilëve në trevën e Gollobordës e të Dibrës qenë çnjerëzore dhe antikombëtare. Këta njerëz dhe pasuesit e tyre ushtronin presion deri në likuidim ndaj gjithë atyre veprimtarëve që pranonin të viheshin në krye të pushtetit vendor për llogari të Qeverisë së Vlorës dhe të interesit shtetëror shqiptar. Kjo është një e vërtetë që ka lënë vragë të thellë në ndërgjegjen dhe kujtesën patriotike të atyre njerëzve, të cilët Shqipërinë e kanë dashur dhe e duan si Atdhe, e jo si një lopë për ta mjelur mirë e mirë, dhe pastaj për ta çuar te kasapi. Aqif Pashë Elbasani, prefekt i Elbasanit, prej të cilit varej edhe Golloborda, i shkruante këto fjalë Hasan bej Vuçiternit: “21 nëntor 1913. Siç e shihni pra, popullit të tri krahinave në Gollobordë që i kanë mbetur Shqipërisë nga pjesët e Dibrës, e në të cilat janë formuar komuna dhe janë emëruar kryetarë, i janë dërguar nga ana e Esat Pashës njerëz të posaçëm dhe letra”. Nuk është e njohur përmbajtja e të gjitha letrave që Esat Pashë Toptani i dërgonte nëpër Gollobordë, por fakti që ky njeri kishte zgjedhur pikërisht Gollobordën për të jetësuar planet dhe qëllimet e tij e të Serbisë, nuk do shumë mend për tu kuptuar. Esat Pashë Toptani është një rast tipik kur një renegat i një populli e shteti në luftën e tij të ulët kundër Atdheut dhe popullit të vet, orvatet të gjejë e të përpunojë mbështetës në shtresa e pjesë të popullsisë, të cilët kanë karakteristika të përveçme që lidhen me ekzistencën dhe fatin e tyre historik. Kjo është e vërtetë, sepse po të ishte ndryshe mund të shtrohej pyetja: “Përse ky spekulator recidivist, për të realizuar qëllimet e tij të mbrapshta dhe tradhtare nuk shkoi në Skrapar, në Martanesh ose Myzeqe, por vajti në Gollobordë”?! Por pikërisht në Gollobordë sharra i hasi në gozhdë. Cubat e Esatit në Gollobordë ishin shpërndarë fshat më fshat. Bënin punën e hafijes për të mësuar gjendjen morale e psikologjike të popullit dhe qëndrimin e tij ndaj planeve të Esatit e të Serbisë. Sigurisht e mburrnin gjer në kupë të qiellit Serbinë, flisnin për parajsën që do të sillte Serbia në Gollobordë, mjaft që njerëzit të mos e prisnin me pushkë, por të bashkoheshin me të. Shteti i ri shqiptar nuk kishte praktikisht ndonjë aftësi e fuqi që ti dilte për zot popullit dhe territorit të vet. Për më tepër, vetë shtetin, ashtu i dobët e i pafuqishëm siç ishte, e gërryente tradhtia, korrupsioni, mafiozllëqet e bejlerëve dhe pashallarëve, që ia pinin gjakun popullit për tu majmur ekonomikisht edhe në këto situata. Këta njerëz pa moral e ideal atdhetar, sa herë që ushtritë serbe kalonin nëpër viset ku kishin pronat dhe shtëpitë e tyre, nxitonin ti prisnin serbët me lule në dorë, kush e kush më parë. Këtë e “arsyetonin” nën maskën e gjoja “mbrojtjes së popullit”, të “përkohshmërisë” së qëndrimit të ushtrive serbe në territoret ku banonin ata vetë. Fatkeqësisht një mentalitet i tillë është akoma i gjallë në mendjen e ndonjë studiuesi të sotëm të historisë, i cili nuk ka hezituar të shkruajë se në krahina të veçanta të Shqipërisë, populli nuk paska luftuar kundër serbëve sepse kishte shpresuar në përkohshmërinë e qëndrimit të tyre nëpër ato krahina. -“Hyrja e pararojës serbe në Elbasan më 19 nëntor 1912 nuk hasi në rezistencë, sepse populli ardhjen e ushtrisë serbe e konsideroi me karakter të përkohshëm”, – shkruan në librin e tij një studiues bashkëkohor elbasanas. Këto janë konsiderata që nuk përputhen me situatën reale dhe me qëllimet e serbëve, sepse menjëherë pasi serbët hynë nëpër fshatrat e Elbasanit, kryen masakra çnjerëzore, sidomos në Belësh ku therën me bajonetë mbi 50 njerëz njëherësh, por edhe në malësitë e Elbasanit. Gjaku mbuloi dheun edhe në krahina të tjera të Shqipërisë, kudo ku shkelën ushtarët serbo – malazezë. Nuk ka dyshim se për shqiptarin ka qenë dhe është më dinjitoze rënia me nder në fushën e betejës, sesa therja ose vrasja pa luftë nga bajonetat dhe plumbat e çdo pushtuesi qoftë. -“Kështu vendosi populli”, – thonë disa studiues sot, kur duan të justifikojnë qëndrimet bashkëpunuese të feudoborgjezisë shqiptare me pushtuesin serb. Po kush vallë foli e vendosi në emër të popullit?! Cili ishte ai institucion ose tubim popullor që vendosi në emër të popullit të mos bëhej pritja me luftë e serbëve?! Mos vallë në Gollobordë e Dibër nuk kishte popull dhe jetë njerëzore?! Sigurisht ky nuk ishte qëndrimi i popullit të Elbasanit, i cili solidaritetin e tij me muhaxhirët gollobordas dhe dibranë e ka shfaqur qartë. Qëndrimi për të cilin shkruajmë ka qenë qëndrimi i agallarëve e bejlerëve, të cilët vetëm ashtu mund të siguronin paprekshmërinë e pronave e të jetëve të veta. Një greminë e thellë, gjithmonë i ka ndarë e i ndan qëndrimet dhe veprimet e masave të thjeshta të popullit nga ato të disa pasunarëve, të cilët kur u cënohen interesat ekonomike dhe politike shfaqin paturpësinë e tyre. Edhe në ato rrethana të turbullta, si gjithmonë në histori, përfaqësuesit patriotë të popullit të Elbasanit përmes gjestesh humanizmi e bamirësie shembullore, manifestuan solidaritetin e tyre me muhaxhirët gollobordas e dibranë. -“Sjelljet miqësore e njerëzore që kanë dëftyer shqiptarët në këtë rast kundrejt bullgarëve të ikur, janë duke u pëmendur me një lavderim prej shtypit bullgar”, – konstatonte shtypi shqiptar i kohës, i cili njoftonte se: “Veç shqiptarëve të tjerë, fletoret bullgare përmendin me një admirim të madh Aqif Pashën, prefektin e Elbasanit dhe të nipin e tij, Irfan Bregun. Ndjenjat atdhetare e njerëzore të tij janë të njohura prej të gjithë shqiptarëve. Shkruajnë gazetat bullgare se kur kanë ikur nga Elbasani bullgarët dibranë, Irfan Beu i ka përcjellë duke treguar një dashuri e dhimbje për ta. Të gjithëve u ka falur nga një lirë turku. Të tillë shqiptarë duhet të jenë të respektuar shumë nga bashkatdhetarët e tyre, sepse i zbardhin faqen me ndjenjat dhe sjelljet e tyre të bukura kombit shqiptar”. Kemi shënuar më parë se në çdo rast kur shtypi shqiptar i asaj kohe shkruante për “bullgarët dibranë”, kur tregonte për masakrat serbe të kryera mbi ta, apo kur përshkruante pjesëmarrjen e tyre në luftë kundër ushtrive pushtuese serbo – malazeze, u referohej kryesisht gollobordasve të atyre 16 fshatrave që kemi shënuar në hyrje të këtij punimi studimor, të cilët si komunitet ishin të njohur prej shekujsh në trevën e Elbasanit.                                   (vijon Nr. e ardhshëm)

S'KA KOMENTE