KUR ÇELI PRANVERA E 1944-trës

262

Nga Lutfi HANKU

“Nuk ka burrë që na ndalon,
 Nuk ka plumb që na shpon,
 Një ide ne na bashkon.
 Moj pranverë ti qofsh bekue”
Ma thotë shpirti me t’urue *)
            BABA FAJA

…Pesë maj 1944.
Dy trokitje… Tri të tjera.
Ortiqet shfryejnë. Nuk durojnë. I lodhi bora. Agimet i zgjoi maji. Pranverë e nisur vonë.
– Cuka! – foli nën zë Xixa.
Ai erdhi si një shpend që nuk i lodhen krahët nga fluturimi i gjatë. Ulet të pushojë te kjo portë. Zemra e djegur nga malli. Babanë e gëzoi letra e Cukës.
– Lexoje, Sadik Seferi, – i tha Babai sa hyri brenda.
Hakiu ndalej mbi frazat e shkurtëra. Do të bëhej një Kongres, ku “përveç Këshillit Antifashist, do të zgjidheshka…  një qeveri provizore”. E nënshkruante Sami Baholli.
Hakiu me copën e lapsit mbushi faqen e ditarit “Shtigjet e lirisë”. Renditi vargjet në ditarin e vet dhe Zemra e tij te shokët. U dëgjonte zërin dhe hapin: “Vjen behari me gëzim”….
E shfletoi Hakiu me kureshtje ditarin e Babait. U habit me datat, ngjarjet, emrat, shënimet. Pastaj vjershat !
– I kam vetëm për veten time, – tha Babai.
– Do të kenë vlerë të madhe historike, – e vlerësoi Hakiu.
Të nesërmen u përshëndet me Okshtunin dhe u nisën. I përcolli Ahmet Lika me Adem Hysën.
6 maj. Oxhaqet e Okshtunit nxirrnin tym. E muarën me vete ngrohtësinë e tij. Ecën gjithë ditën ngadalë. Si të lëngonin plagët e pambyllura të luftës. Babai ndjente dhembjen e gjurit, por s’e bënte veten. Mbrëmja i ndali në Nezhtë. I priste Avram Koja me njësitin partizan. Do të shoqëronin delegatët. Babai dëgjoi raportin për batalionin dhe porositi të grumbullohej. Në mëngjes arritën në Shën-Mëhill. Rrugën e bënë natën. U ngjitën në kurriz të kodrave të varguar. Lehnin qentë. Krisnin pushkët. Kundërshtarët ruanin qafat, shtigjet e urat. Vershëllima e vrazhdë e plumbave shtohej. Pushuan në një pyll të vogël me gurë e ferra. Mbas dite prap rrugë. Babai mori me vete Qazim Peshkun e Qazim Alinë. Partizanët e tjerë i ktheu. Më tutje takuan Sami Bahollin, Frederik Nosin e Kolë Papariston. Vazhduan rrugën drejt Marikës. Pa dalë drita e mëngjesit, më 9 maj, kaluan urën e Shkumbinit, të maskuar e dy nga dy. Pranë ishin rojet gjermane. U futën në një kasolle bari. Aty Hakiu dhe Babai i ndrruan rrobet e vjetra me të rejat. Ua kishte sjellë Sami baholli. Hakiu dhe Babai me shakanë në majë të gjuhës:
– Gabim që shoqërohem me ju….
„Me mjekrën e me taxhin në krye ishte si një flamur, që s’u lente asnjë dyshim armiqve për me e vërtetue identitetin e tij”1) (1) H. Stërmilli- Shtigjet e lirisë-, f. 219- 220.). Kurse mue më shohin si varfanjak, si një lypsar. Babai qeshte e i kthehej:
“- Ty, ndofta gjermanët kishin me të dhënë edhe ndonjë copë bukë, po të shifshin kështu, të rreckosur”2). (2) H. Stërmilli- Shtigjet e lirisë-, f. 219- 220.)
Sami Baholli e fiksoi me aparat shkrimtarin, si kujtim i vuajtjeve.
*
*    *

Kundërshtarët në Polis zunë qafat dhe urën e Shkumbinit. Duheshin 6 orë për t’i kaluar qafat. Babai dhe Hakiu nuk shpejtonin dot. Ndjeheshin të lodhur. Pengonin dhe më të rinjtë. Duhet të ktheheshin. Ndryshe….
– Edhe këmbët të janë dëmtuar e ajtur, – i tha Samiu.
Këmbët i kishte të sëmura që në ditët e operacionit armik të dimrit.
– Shokët më duan në Përmet…, kundërshtoi Babai.
– Ata të duan për gjithë jetën.
Edhe Hakiu, i vjetër dhe i sëmurë, duhej të kthehej. Një vendim kundër dëshirës. Kjo pengesë i mërziti dhe i hidhëroi.
– Nxirre penën, shoku “Sadik”, t’i shkruajmë letër
Kongresit. Edhe ne të dy të japim votën.
Nata fashiste po mbaronte. Filloi të agojë liria. Shqipëria e zhytur në detin e luftës po rilindte e lirë e me ëndrra demokratike.
Haki Stërmilli, Mustafa Xhanin përshëndetën me letër Kongresin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare”.
Ata kaluan rishtas urën e Haxhi Beqirit nën shkrehjen e armëve. U futën në pyllin e Shën-Mëhillit duke kapur me mundime Zallin e Gurakuqit. Ditën në pyll u maskuam me gjethe. Dy ditë pa ngrënë. Zorrët ankohen. Dhjetë cigare Hakiu i ndau me shokët. Qazimi mori në Orenjë një gjysëm kulaçi.
– Merri shokët dhe ejani në shtëpi, – i kishte thënë Tahir Alliu. Qazimi nuk i kishte treguar se është Baba Faja. 1).
Sa u ngrys, disa pushkë e bomba, aty afër. Në anën e Zallit ikën shumë fshatarë me plaçka, fëmijë e bagëti. Iknin nga frika e Isakut. Si ra nata, u nisën rrugë mbi rrugë. Mbrrinë në Orakë. Mëngjesi i gjeti në Fushë-Gurrë. Pastaj te Guri i Muzhaqit, me 12 maj 1944. Baba Faja punoi me intensitet ditën dhe natën. Ditari i tij i majit u mbush me kronologji datash e ngjarjesh.

*
*    *
Babai erdhi pranë Bardhetës, në shpellën e Sënoit. Duhej grumbulluar me urgjencë batalioni.
– Të gjithë në Val, – u tha Babai Rahmanit e Avramit.
Hasan Dalti me veprimtarë ilegalë lajmëroi partizanë e simpatizantë.
Mes maji. Batalioni u grumbullua në grykën e Panjetit, tek “Fusha e Barnave”. Babai i takoi një për një duke i puthur në ballë me mallëngjim. U foli për operacionin e dimrit, për sakrificat, besnikërinë, forcën e batalioneve e brigadave e moralin e lartë partizan.
Batalioni zbriti shkallët e Valit. Erdhi në Peshk e Lenë. Pastaj u nis për Gjon. Aty ishte posta e xhandarmërisë, po edhe kulla. Xhandarët u strukën në Ndërballe pa rezistencë. Kullës së gurtë majë kodrës i doli flaka e ndëshkimit. Autoriteti i këshillave Nacionalçlirimtarë u rivendos në të gjitha fshatrat. U krijuan komandat e vendit.

Fundi i qershorit 1944.
Sheshi Belik buçiti nga këngët. Babai zbriti nga “shtëpia e radios”.Batalioni u nis për Dibër. Do të inkuadrohej në Brigadën e 18-të. Atë ditë pati diçka legjendare. Babai sikur zbriti nga retë. Atë e bënte hyjnor jo vetëm veshja fetare, por edhe gëzimi e krenaria e batalionit. Sapo kishte marrë nga korieri deklaratën e vendimeve të Kongresit të Përmetit. Babai u ul në qosh të sheshit dhe lexoi vendimet. Kongresi e kishte zgjedhur anëtar të Këshillit Antifashist NAÇl dhe nënkryetar të Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar. Këto “ditë të lumtura” këtë “ngjarje të shenjtë” ai i shpreh në letër: “Unë që kam pritur që prej kohe këto ditë të lumtura, në të cilën populli ynë i munduar të kish qeverinë e vet, jam thellësisht i prekur nga një ngjarje me kaq rëndësi.
Do të arrijmë në vendosjen e Qeverisë Demokratike”.
Këto vendime Baba Faja i propagandoi në Martanesh, Kostenjë, Nezhtë, Zerqan, Bulqizë, Okshtun e Gollobordë.
Me 10 korrik 1944, me thirrjen e Babait në Peshk, u regjistruan 120 vullnetarë. Këta formuan batalionin e dytë me komandant Ferit Myrtezai, nënkomandant Jashar Muça, komisar Jusuf Sula, zv.komisar Subi Dedej. Ky formacion do të pastronte zonën e Çermenikës nga forcat kundershtare, duke ruajtur krahët e divizionit të I .
Atë kohë ”u krijua spitali partizan në Balle të Martaneshit. Erdhën rreth 400 partizanë »… U krijua me kontributin e Baba Fajes dhe me ndihmën e Misionit Anglez»1).(1) Zenel Merjo-”Dita” 8 shtator 2004)
Partizanët provuan sharrën legjendare të doktorëve  Petro Cani, Ibrahim Dervishi dhe doktori italian Karuzo. Spitali u vendos në fillim në Zerqan, pranë familjes Sinani, pastaj u transferua në Balle.
Babai do të lidhte me linjë telefonike Zerqanin, Klosin, Martaneshin e Shëngjergjin. Më vonë luftoi për çlirimin e Tiranës. Për këto Baba Faja kërkonte llogari si antar i Shtabit të Përgjithshëm. Vetëm në Okshtun, më 28 korrik me thirrjen e tij dolën 20 vullnetarë.
Gusht 1944. Misionarët anglezë njoftuan Baba Fajen të dërgonte në Bizë dy partizanë me kuaj….
– “Në Bizë ju presin dy misionarë anglezë me Frederik Nosin. Ç’t’u thonë ata, do të veproni ju. Kuptoni? Atje ka dhe pak katundarë martaneshas e shëngjergjas. Kujdes. Hapni sytë”, – i porositi Babai.
Korierët i gjetën anglezët duke rregulluar radiot dhe antenat në Bizë. Ata u lidhën me radio me dy aeroplanë që u dukën në qiell nga perendimi. Hapën barqet dhe ranë thasë të mbushur, pako dhe kuti- e u larguan.
– Mungon një kuti, – tha anglezi duke iu drejtuar përkthyesit Frederik.
Dy partizanët e gjetën. Kishte stërlina. Një pjesë të materialeve i ndanë për Baba Fajën, një pjesë me medikamente, ushqime e veshmbathje për spitalin partizan në Balle.
Fuqia e fjalës dhe e veprimit ishte rritur. Duheshin qartësuar edhe njerëzit e gabuar, duhej bërë diferencimi i të gënjyerve nga pushtuesit.
– “Jo të gjithë në një thes, – i porosiste Babai drejtuesit e batalionit. – Të penduarit të mos ia dhurojmë armikut”. Dhe pati nga ata që braktisën bandat kundërshtare e shfaqën dëshirën “me marrë pjesë në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Vinin e shkruanin në deklaratë se “kemi qenë në rrugë të gabuar…. Jemi mashtruar… Japim fjalën e burrave se këtej e tutje do të qëndrojmë besnikë”1). (1).J.E.dorëshkrim f.64.(Muzeu i Matit))
Te gurra e Hajatnëve Babai u shpërndau martaneshasve dhe okshtunasve bagëtitë e sekuestruara në Mat.

*
*    *
Shkëmbi i Plakës, si bazë natyrore partizane, u zgjua. Kënga i dha më tepër jetë. Babanë e ngacmoi lajmi i rëndë i vrasjes së shokut e mikut të shtrenjtë. Kishte ecur gjithë atë ditë gushti. Dhembja e mundonte. Gjumi i vrarë. Ngriti kokën. Reja e zezë ulet mbi Kaptinë. Shkëmbi i Plakës hedh shaminë e lotëve. Por kënga vazhdonte. Atë e dëgjoi dhe Kujtim Myzyri që kërkonte pa adresë Baba Fajen.
– Kënga sjell paqe, – i foli korieri sa u afrua.
– Por rrethohet prej plagësh, o gugash, – ia ktheu figurshëm Babai.
– Lufta e vërtetë e ka britmën e madhe, apo jo?
– Ju shkollarët flisni hollë. Pse erdhe nga Elbasani?
– Baba Faja duhet të niset për në jug. Besoj se për Mustafa Gjinishin?!
– Më dhemb ajo plagë tinzare.
Babai e dëgjoi aktin kriminal e të shëmtuar një ditë më vonë. Ato ishin sherret e Mukjes. Mukja në themel pati luftën e përbashkët kundër pushtuesit, për Shqipëri të pavarur demokratike dhe etnike. Kjo xhindosi Miladinin e Dushanin. Udhëheqësi i LANÇl, në sinkron me përfaqësuesit jugosllavë, e ndryshoi rrjedhën normale të procesit historik të luftës. Shqiptarët më 3 gusht 1943 prisnin bashkimin e forcave politike kundra fashizmit. Por erdhi përplasja e gjakosja e shqiptarëve me njëri-tjetrin.

S'KA KOMENTE