ISAK METALIA – DËSHMORI I PARË DIBRAN i 7 PRILLIT 1939

70

“U thoni fëmijëve të mi se vdiqa për Shqipërinë” –  Këto  janë fjalët e Isak Metalisë para vdekjes.
Me kësulën  e  bardhë  karakteristike dibrane  dhe me  mustaqet me majë  ai kishte rënë në sy të qytetarëve durrsakë. Kishte lënë fshatin e tij të lindjes, Strikçanin  e Dibrës  dhe kishte shkuar emigrant  brenda vendit të tij për të siguruar bukën e gojës dhe të fëmijëve të tij. Isak Metalia kishte lënë në fshat tre fëmijë dhe gruan e tij dhe prej vitesh punonte si hamall në Portin e Durrësit. Porti kishte punë për ngarkim e shkarkim anijesh që kishin si  destinacion Italinë.
Prilli i vitit 1939 e gjeti punëtorin Isak Metalia  në  port, por këtë herë jo për të punuar, por për të luftuar. Që më 6 prill 1939 qielli shqiptar u mbush me aeroplanë  luftarakë  italianë. Isaku me shokët e tij vrapuan që të armatosen dhe armët nuk i morën në gazermat e ushtrisë, por tek populli i Durrësit sepse ushtria ishte çarmatosur me urdhër. (Yje të pashuar Vëllimi III, faqe 8-10).
Qyteti ishte shkretuar. Kishte marrë një pamje të vdekuri. Njerëzit vraponin drejt shtëpive si të lemerisur. Lemeria pritej të vinte. Kur do të arrinte në qytet ? Kur do të zbarkojë  ushtria italiane? Kur do të nisë pushtimi ? Sa forca do të jenë ? Ku do të gjejmë armë ? A mund të përballohet  perandoria e Duçes ?
Mbreti e kishte mendjen tek e shoqja lehonë dhe tek djali i sapolindur. Vendi ishte i pambrojtur. Qyteti në tërësi. Topat ishin pa gjylpana. Pushkët ishin pa shula. Ushtarët e ushtrisë  kombëtare nuk ishin më ushtarë.
Në horizont dëgjohej kënga patriotike
O djem rrëmbeni pushkët
Ja vdekje, ja liri…
Më tej shpërthenin thirrjet: Armë, armë, duam armë….
Nga  libri  kushtuar  heroit të Popullit Mujo Ulqinaku të Moikom Zeqos mësojmë se Isak Metalia luftoi deri në pikën e fundit të gjakut të tij përkrah Mujos dhe Hamit Dollanit.
“Unë e kam nda mendjen me luftue për vendin tim. U thoni fëmijëve të mi se vdiqa për Shqipërinë” Këto  janë fjalët e Isak Metalisë para vdekjes.
Mujo Ulqinaku me marinarët e tij i ndanë armët që kishin në dispozicion. Civilë nga më të ndryshmit, të moshave dhe të pamjeve të ndryshme rrinin në rradhë duke pritur për armë. Vullnëtarët në qytet qarkullonin me armë në duar. Edhe armët ishin të të gjitha llojeve. Fshatari  49 vjeçar  Isak Metalia, mbante një pushkë në duar dhe disa fishekë në xhepa. Ai kishte nxituar  kur u hapën depot e armëve dhe kishte rrëmbyer  një pushkë. (Mujo Ulqinaku, monografi nga Moikom Zeqo faqe 173)
Jeta për Isakun kishte qenë tepër e vështirë si në fshat edhe  këtu në Durrës. Për vite me radhë nuk kishte arritur  të  kursente aq lekë sa i nevojiteshin, por vetëm për të mbijetuar.
Dita e 7 prillit 1939  e gjeti Isakun në pozicion luftimi pranë shokëve të tij. Ai kurrë nuk e vuri vehten në dilemë. “Atdheu duhet mbrojtur. Kjo është më e rëndësishme.” Kjo ishte deviza e tij.
Isaku kishte zënë vend në rrugicën prapa Bankës,  ngjitur  me ndërtesën  ku Princ Vidi kishte ushtruar funksionet e tij në vitin 1914. Furrxhinjtë e kësaj rrugice shpërndanin bukë falas për luftëtarët. Në këtë rrugicë një skuadër italiane  vrau dy furrxhinj që kishin shpërndarë bukë të ngrohta për luftëtarët shqiptarë. Majori italian që i drejtonte  ishte plagosur dhe kishte filluar vrasje në masë. Në Lagjen e Kalasë  rezistonin shumë vullnetarë shqiptarë, midis tyre edhe Isak Metalia.
Isaku nga dritarja e një shtëpie, ku kishte zënë pozicion vuri re ardhjen e të burgosurve që kishin shpërthyer burgun dhe u bashkua me ta. Ai luftonte nga një dritare në tjetrën. Fashistët italianë ishin të shumtë në numër dhe të armatosur më së miri. Për ballë tyre luftonte Isaku me një shokun e tij. Dy  kundër dhjetrave. Isaku shprehej :”Shqiptarët nuk e kanë zakon me u dorëzuar.
Pas pak kohe sipër shtëpisë fluturoi dhe bombardoi një aeroplan Italian. Shtëpia mori flakë. Isaku bashkë me shokun e tij që nuk e njohu as ai vetë se kush ishte,  mbetën mes flakëve.
Shtypi i kohës shkrua se në mëngjesin e 7 prillit 1939, ushtria fashiste italiane e sulmoi Shqipërinë duke zbarkuar në Durrës, në Vlorë, në Shëngjin dhe në Sarandë. Në Durrës, ushtria e vogël shqiptare e drejtuar nga  kapteri i marinës, Mujo Ulqinaku, i bëri qëndresë pushtuesit. Ushtarët italianë zbarkuan në bregun e Durrësit, por u detyruan të zmbrapseshin në det mbasi në breg i priti mitralozi i Mujo Ulqinakut që mbronte trojet e veta. Ushtarët italianë zbarkuan disa herë në breg dhe po aq herë edhe u zmbrapsën.
Burimet e kohës bëjnë të ditur se qytetarët e Durrësit thonin se italianët kishin lënë katërqind të vrarë, ndërsa italianët deklarojnë se në tërë Shqipërinë kishin humbur vetëm 12 vetë. Por është e qartë se vetëm në Durrës u vranë rreth 200 italianë dhe 700 në të gjithë Shqipërinë. Numri i shqiptarëve të vrarë ka qenë ndoshta edhe më i madh. Dëshmorë të tjerë të 7 prillit ishin Hamdi Dollani, Haxhi Tabaku, Hamdi Vashka, Hysen Koçi, Ibrahim Osmani, Ismail Reçi, Ramazan Veliaj dhe Mitro Dhimitrika.
Sakip  Cami

S'KA KOMENTE