Udhë të mbarë Shoqatës “Gryka e Vogël” Dibër dhe gazetës “Drini”

161

Nga Shehat CAMI*

Gjergj Fishta ka menduar gjithmonë se kombi i ripërtërirë shqiptarë do të kishte nevojë të përhershme të njihte rrënjët e veta epiko-historike, etno-kulturore e deri mitologjike. Dhe këto rrënjë të genit shqiptar (iliro-shqiptare), megjithëse të pashkruara deri atëherë (ose pjesërisht të thëna  dhe të (sh)përdorura prej kujtdo),janë më të thella në truallin ballkanik në krahasim me të gjithë popujt e tjerë  fqinjë të shqiptarëve, përfshi sllavët me gjithë synimet ekspansioniste të tyre.
Këto rrënjë, i madhi Lasgush Poradeci do t’i quante “Hallka të forta të kombit shqiptar”.  Hallka  pellazge, Hallka ilire, Hallka e Skënderbeut dhe Hallka e Rilindjes.  Këto janë hallka të forta, hallka  farkëtari duarartë, që  lidhen fort njëra me tjetrën dhe bëjnë kontinuitetin shpirtëror të shqiptarit. Dhe ne, që jemi tani, lidhemi me këto hallka të forta të kulturës. Dhe ne, që jemi tani, duhet t’i njohim sa më shumë  dhe të bëjmë çdo gjë saktë, pa paragjykime.
Po pse zgjodha pikërisht këto qasje fishtiane e lasgushiane?  Sepse sot e gjithë ditën, mendoj unë, akoma jetojmë me mendësi  paragjykuese, urryese, tradhëtare, hakmarrëse, vrastare. Nëse tenton të  prezantosh  veten, vetveten, të shkuarën e afërt, por dhe të largët, ti do të konsiderohesh një mendjemadh, një njeri që kërkon të duket dhe menjëherë do të përballesh me një stuhi sharjesh e shpifjesh nga më monstruozet. Dhe pse? Sepse ato që ti thua, janë të vërteta dhe e vërteta diku dhemb. Sepse ti paragjykohesh, miku im! Po nëse jemi të bindur, se lidhemi me hallkat që formojnë kontinuitetin shpirtëror shqiptar dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim, ne duhet të ndryshojmë shpejt miqtë e mi, në të kundërt rrezikojmë të humbim lidhjen identitare kombëtare. Në fakt, ky  është edhe qëllimi kryesor për të cilën është themeluar kjo shoqatë, Shoqata “Gryka e Vogël” Dibër. Të tregojmë çdo gjë, saktë e pa paragjykime. Po pse duhet të vuaj shoqëria sot nga këto fenomene  gërryese?  Unë  mendoj se njerëzit duhet të prezantojnë veten e tyre dhe të tregojnë aq sa e njohin atë, aq sa njohin  të shkuarën e tyre.Lagja duhet ta njohë të shkuarën e saj, fshati po ashtu. Qyteti duhet t’u prezantojë  qytetarëve historinë e vërtetë të tij, po ashtu edhe krahina. Fjala vjen, sa e njohim ne ”Grykën e Vogël”? Sa e njohim ne emërtimin e saj?  Çfarë duhet t’u themi skeptikëve për “Grykën e Vogël”?  Pse ky emërtim dhe farë simbolizon? Pse është një tregues historik? Pse është Mal  i Dibrës? Cilat janë përpjekjet shekullore të saj në ruajtjen e kulturës e të traditës ?  Po kontributi i kësaj  krahine në çështjet kombëtare? E të tjera pyetje  të vijnë në mendje parreshtur.
Miqtë e mi, unë mendoj se ”Gryka e Vogël”Dibër, është një arenë e madhe luftërash, është një tokë e djegur  shumëherë ë dhe e shuar me gjakun e derdhur lumë të trimave të saj dhe të mbarë Dibrës, është mali dhe fusha, zalli dhe lumi, janë burimet e shumta ujore (Yzvoret) dhe përrenjtë e shumtë, është perla dibrane. Ndaj “Gryka e Vogël” është historia e madhe, është mali i madh, është zëri i fuqishëm i kuvendeve, është arena e betejave gjakatare, është perla gjeografike me male e me fusha të jashtëzakonshme. Nga “Gryka e Vogël”nis rrugëtimin nëpër gjithë Veriun e  Shqipërisë lumi Drin, i cili me kaskadën e tij energjitike pothuajse furnizon gjithë vendin me energji elektrike. Janë Zalli i Tuçepit  me  Zallin e Pasinkës, Zalli i Okshtunit me Zallin e Bulqizës, përrenjtë  e Tërbaçit, Viçishtit, Shupenzës, Homezhit, Kovashicës  që furnizojnë pa pushim shtratin e lumit Drin. Para shumë vitesh Lazgush Poradeci do t’i drejtohej në këtë mënyrë Drinit ,”Drini plak duke buruar nga një vend i dashur,  i përjetshëm në truallin tonë, e di që nuk ka të drejtë  të flejë e të qetësohet, gjersa ndan ende mes përmes tokën e të parëve tanë”. Jo pa qëllim  e citova këtë thënie, jo pa qëllim  i përmenda gjithë këta zalle e këta përrenj, të cilët burojnë në ‘Grykë të Vogël” apo rreth saj dhe  shkarkohen  në Drinin plak që nis nga “Gryka e Vogël”, pasi në çdo pëllëmbë të tyre janë larë plagë gjaku të luftëtarëve që luftuan për liri e pavarësi në shekuj. Ato janë dëshmitarët e pavdekshëm të  epikës-historike,të eposit-kulturor e mitologjik. Janë dëshmitarë të hallkave nga pellazgo-ilire e deri në ditët tona. Janë dëshmitarë të migrimeve të ndryshme, të  zbrasjeve  të lagjeve e të fshatrave, të formësimit e të ndërtimit të lagjeve e të fshatrave të rinj. Ndaj s’duhet të ketë asnjë paragjykim. Ndaj gjërat duhet të thuhen saktë, të thuhen ashtu siç dhe kanë ndodhur. Në brigjet e këtyre zalleve e të këtyre përrenjve mbeten të vrarë me mijëra ushtarë të hordhive turke, sllave e bullgare. Kush më shumë e kush më pak,  ata kurrë nuk rreshtën për të nënshtruar këto krahina,  pjesë e të cilës është edhe “Gryka e Vogël”. Historia e “Grykës së Vogël” Dibër, që fillon nga “Përroi i Hutuar”, vazhdon  me “Ura e Serbinit” e ndalet tek “ Ura e Topajanit”, është e pandarë nga historia e Dibrës dhe e gjithë Atdheut tonë. Ajo është histori sa heroike aq dhe e dhimbshur, sepse nuk ka arë e livadh, mal e kodër, vijë e kanal, gurë e pemë, që të mos ketë një histori. Në fakt,miqësisht edhe dua të apeloj, pasi çdo luftë që është bërë në Dibër, por dhe më gjërë, në pjesën më të shumtë të tyre, hordhitë e huaja kanë patur një hyrje, Grykën e Radikës me drejtim ‘Grykën e Vogël”. Për pasojë “Gryka e Vogël”, duke qenë kufitare me Grykën e Radikës, ka qenë e para në këtë përballje me armiqtë. Ka qenë arena e parë, fushëbeteja e parë, përgjakja e parë. Ndaj edhe kjo duhet parë si një qasje më me realitet. Kjo  rrugë që ne kemi nisur, është mision ynë. Këtij misioni fisnik i uroj, udhë të mbarë, duke kërkuar në radhë të parë nga të gjithë: mirëkuptim. Mendoj  se çdokush ka të drejtë të thotë mendimin e tij të lirë, të pavarur e të pa ndikuar. Koha dhe historia përcaktojnë se kush është  e vërteta.
*Kryetari
Shoqatës”Gryka e Vogël”Dibër

S'KA KOMENTE