MUSTAFA KOXHA, SHEMBULL I VEÇANTË NË RRUGËN DREJT SUKSESIT

529

Nga Bashkim Lami

•    Njerëz të suksesshëm si Mustafa Koxha lënë kujtime e vlera që ngrenë më lart shoqërinë në drejtime të ndryshme zhvillimi duke mbetur të paharrueshëm në shumë breza. Për bulqizakët dhe këdo që e njohu, Mustafa Koxha mbetet një shembull i vyer i përkushtimit e sakrificës për arritjen e suksesit

Në Bulqizë, fshati Koçaj  është i vendosur në një kodër prej ku shihen si në pëllëmbë të dorës të gjithë fshatrat e tjerë të kësaj treve, nga Qafa e Buallit deri tek Fusha e Kalasë prandaj i thonë se është ballkoni i Bulqizës. Kjo bën që banorët dhe vizitorët e nisur për në punë, në çdo mëngjez të përjetojnë një emocion të veçantë përpara kësaj pamje të bukur çlodhëse. Në këtë fshat janë lindur e rritur burra trima e luftëtarë të mënçur që i kanë dhënë emër historisë së qëndresës si Dalip Karai që i dha Bulqizës emrin e malit të nëntë të Dibrës. Kohë pas kohe nuk i kanë munguar këtij fshati burrat e shquar. Fisi “Koxha” në Koçaj shquhet për  zejtarë të suksesshëm që kanë dhënë kontribut në ndërmarrjet e Bulqizës.
Në këtë shkrim po sjellim në kujtesë jetën dhe veprimtarinë e njërit prej bijve të këtij fshati, Mustafa Koxhës që ka lindur më 10 nëntor 1957. Hysen Koxha me Merjemen rritën me shumë vështirësi të kohës pesë fëmijë Elmazin, Mustafain, Dinin, Bujarin e Rasimin të cilët shquheshin në fshat e në shkollë për sjelljen e përkushtimin e tyre. Më e rëndësishme për këtë familje ishte uniteti dhe vullneti për të qenë bashkë në kryerjen e punëve
Edhe Mustafai u rrit në këtë familje që ishte e dhënë pas punës duke ruajtur marrëdhënie shumë të dashura me të gjithë banorët.
Ai shkollën fillore e 8-vjeçare e bëri në vendlindje nga viti 1964 deri më 1972 duke u përballur me vështirësitë e kohës, por Mustafai binte në sy me sjelljen dhe urtësinë e tij dhe rezultatet e larta në mësime.Tek Mustafai mësuesit dhe nxënësit pikasën se ai kishte prirje dhe ide krijuese në realizimin e detyrave praktike që shpalosnin talentin e tij. Më pas Mustafai vazhdoi shkollën e mesme veterinare në Shkodër deri në vitin 1976 ku përsëri ishte nxënës i dalluar në përvetësimin e njohurive teorike e praktike. Mustafai pasi kreu shërbimin e detyruar ushtarak në Burrel dhe në Sofraçan ku dallohej në zbatimin e detyrave dhe marrëdhënjet e dashura me shokët, filloi të punoi si veteriner në kooperativën e Bulqizës dhe më pas në Ndërmarrjen Bujqësore Dibër, në sektorin që sapo ishte krijuar në Bulqizë. Në këtë periudhë ai njëkohësisht vazhdoi Universitetin Bujqësor të Tiranës me korespondencë në degën Zoteknikë-veteriner. Në vitin 1984 u martua me Sabrien dhe u lindën e rritën tre fëmijë një vajzë, Florinën dhe dy djem, Urimin e Hysenin që sot janë të rritur e të shkolluar për të vazhduar rrugën e prindëve të tyre.

Mustafai zotëronte mendim pozitiv.  Ishte kërkues për të ndërtuar jetën

Mustafa Koxha gjatë ushtrimit të profesionit ballafaqohej çdo ditë me jetën e vështirë që bëhej edhe pse njerëzit robtoheshin në punë të rënda që më së shumti ishin shumë primitive. Ai ishte plotësisht i bindur se kjo rrugë nuk ishte e duhura për zhvillim, por kontrolli i diktaturës ishte shumë i rreptë. Në fund të vitit 1990 Mustafai ishte përkrahës i vendosur i lëvizjes studentore duke  dalë hapur në kolektivin ku punonte për qëndrimet konservatore të drejtueve. Ai në debatet e përditëshme mbështetej në argumente që provonin se Shqipërisë i duhej ndryshimi pasi tufëzat dhe arëzat që u eksperimentuan në ato vite ishin dështimi përmbyllës i politikës së centralizuar komuniste. Gjendja ekonomike e popullit po përkeqësohej në çdo ditë, dyqanet e magazinat ishin të boshatisura e përsëri shteti diktatorial mendonte se do të sillte mirëqenie duke u dhënë fshatarëve nga një kec apo qingj mashkull. Mustafai u afrua me drejtuesit e Partisë Demokratike në Bulqizë duke shprehur mendime mbi gjëndjen e rëndë reale të jetës dhe të punëve në fshat dhe në qytetin e Bulqizës. Në korrik të vitit 1991 Mustafa Koxha e caktua nga Dega e PD-së Bulqizë, Përgjegjës i Seksionit të Bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv Pluralist të Rajonit të Bulqizës,  ku udhëhoqi kryerjen e reformave për vendosjen e bujqësisë dhe të blektorisë në rrugën e privatizimit. Ai kudo që shkonte jepte shpresën se këto reforma të dhimbshme shumë shpejt do të sillnin ndryshime në përmirësimin e jetës. Ai u përball me vështirësitë e mëdha që pati reforma e ndarjes së tokës në çdo fshat dhe kurdoherë qe optimist se kapitalizimi i ekonomisë do të kthente vendin në rrugën e zhvillimit ashtu si në vendet demokratike ku liria është faktori kryesor i ndërtimit të jetës.

Me sakrifica e përkushtim realizoi një biznes të suksesshëm

Në vitin 1995 Mustafai vendos të shkoj të punoj në Itali ku si objektiv kishte realizimin e pasionit të tij për përpunimin e drurit. Bashkë me vëllezërit e patën filluar këtë punë me disa paisje të vjetra në fshat, por Mustafai kishte pasion të krijoi gjëra të veçanta dhe të njohë teknologji të reja në shoqëritë kapitaliste. Ai në Itali u vendos në Torino dhe ju përkushtua restaurimit të mobiljeve të antike. Në një kohë të shkurtër ai fitoi besimin e pronarëve të këtij aktiviteti duke dhënë kontribut në metodat e ruatjes së objekteve nga brejtësit  duke vënë në zbatim studimet e tij si zooveteriner. Në Torino Mustafai u specializua dhe mori çertifikimin për artet e bukura dhe zbatimin në restaurimet e objekteve antike. Në vitin 1997 vëllezërit dhe e gjithë familja e Mustafait u vendosën në Shkozet të Durrësit ku vazhduan të ushtrojnë profesionin e përpunimit të drurit dhe mobilerisë duke vendosur  në punë paisjet e vjetra që i sollën nga Bulqiza. Mustafai solli nga Italia paisje e makineri me të cilat filluan restaurimet e mobiljeve antike në ambjentet e Gomë Plastikës duke i dhënë aktivitetit drejtim të specializuar. Mustafai u kujdes që të zbatojë përvojën e njohuritë që mori për këto proçese në Torino gjatë viteve që punoi atje. Mustafai punoi në Itali dhe kishte përkushtimin të ndiqte ecurinë e punës në punishten në Durrës deri në vitin 2009, kur Mustafai u kthye në Shqipëri për t’ju kushtuar kësaj pune që tashmë po zhvillohej me shumë sukses dhe bashkë me vëllezërit ngritën linjat e nevojshme për të gjitha proceset që kërkonte realizimi i restaurimit e të prodhimit të mobiljeve antike ku u punësuan mbi 43 punëtorë e specialistë. Kjo ndërmarrje private ka marrë pjesë në panaire të industrisë së mobilerisë në Tiranë e Durrës me prodhimet e saj që kanë tërhequr shumë porositës nga disa qytete të Shqipërisë, Kosovës e të Italisë. Me të ardhurat e realizuara zgjeroi aktivitetin dhe ndërtoi ekspozitën e vet në anë të rrugës Durrës -Tiranë.
Gjatë vitit 2013 kur gjithçka po shkonte shumë mirë me aktivitetin e ngritur, Mustafait i filluan disa shqetësime lidhur me shëndetin e tij. Në shtator 2013 Mustafai filloi kontrolle e analiza mjekësore në Shqipëri dhe në Itali dhe vazhdoi mjekimet intensive deri më 18 prill të vitit 2014. Me gjithë përpjekjet e mëdha të Mustafait për t’ia dalë, Zoti e deshi në gjirin e vet dhe e mori. Për familjen ishte goditje shumë e rëndë ikja e Mustafait në kulmin e moshës dhe të veprimtarisë së tij.
Edhe pse Mustafai u nda nga jeta dijet dhe përvoja e tij në punën e restaurimit dhe prodhimit të mobiljeve antike u vazhdua nga fëmijët dhe nga vëllezërit. Sot ndërmarrja ka ekspozitën e prodhimeve të ndërtuar sipas përvojave më të suksesëshme dhe po punohet për ngritjen e linjave të reja të këtij aktiviteti që do të shtojnë llojet e produkteve për të kënaqur  porositësit. Njerëz të suksesshëm si Mustafa Koxha lënë kujtime e vlera që ngrenë më lart shoqërinë në drejtime të ndryshme zhvillimi duke mbetur të paharrueshëm në shumë breza. Për bulqizakët dhe këdo që e njohu, Mustafa Koxha mbetet një shembull i vyer i përkushtimit e sakrificës për arritjen e suksesit.

S'KA KOMENTE