DRITËHIJET MBI KONCENSIONIN E RRUGËS SË ARBËRIT

192

Në fillim të muajit prill kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se Rruga e Arbrit nuk do të jetë me pagesë.
“Nuk është koncesion, se u është bërë mendja koncesion. Jo nuk është PPP. Është Project Financing, që do të thotë se ata ndërtojnë rrugën dhe ikin. Aty s’vihet as “Toll” (sportel ku paguhet hyrja apo dalja në autostradë) as marrin në administrim rrugën, asigjë. Pra, nuk është rrugë me lekë. Është rrugë që do të bëhet nga kompania dhe do të paguhet nga buxheti i shtetit. Dhe është pronë e shtetit. Dhe do të administrohet nga shteti. Tjetër gjë nëse më vonë do të duhet apo do të duan që ta japin në administrim tek një privat. Kjo është një çështje tjetër”, tha ai gjatë një interviste në “Report TV”.
Por në relacionin e kompanisë “Gjoka Konstruksion”, mbi të cilin asaj iu dha bonusi me 10 % të pikëve, thuhet se kalimi i makinave do të jetë me pagesë. “Gjoka Konstruksion” ka kërkuar që tarifa për çdo makinë të jetë rreth 4 euro. Ajo ka përllogaritur që të marrë 53 milionë euro të ardhura për një periudhë 10 –vjeçare dhe t’i ndajë ato në masën 50 % me shtetin, thuhet në relacionin e kompanisë.

VENDIMI I QEVERISË
Qeveria shqiptare vendos të përundojë rrugën e Arbrit duke ia dhënë me koncension ndërtimin e saj një kompanie private.Vendimi është marrë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, më 12 prill 2017 ku u miratua propozimi i kompanisë Gjoka Konstruksion, për ndërtimin e rrugës duke e shpërblyer atë edhe me një bonus prej 10 për qind të pikëve.
Kjo e fundit ka kërkuar që rrugën ta ndërtojë për 46 muaj me, si dhe ka vendosur një tarifë kalimi për makinat, prej 4 eurosh.

RELACIONI I VENDIMIT
Projekti në fjalë arrin shumën totale të 246 milionë eurove, ndërsa ko0mpania mësohet se do të përdorë gjithashtu edhe fondet nga buxheti i shtetit, të cilat duhet të jenë rreth 60 milionë euro për 4 vitet e para.
Nga ana tjetër, kalimi i makinave në rrugë do të jetë me pagesë. Kompania ka kërkuar të aplikohet një tarifë mesatare 4 euro për makinë dhe propozon që të ardhurat të ndahen me qeverinë në nivelin 50 për qind. Fluksi mesatar i mjeteve në rrugë pritet të jetë 3.690 makina/ditë.
“Duke aplikuar një tarifë mesatare prej 4 eurosh/ makinë të ardhurat nga pagesa e kalimit të rrugës do të jenë rreth 53 milionë euro për një periudhë 10¬vjeçare. Gjysmën e kësaj shume prej 26.5 milionë eurosh e përfiton kompania dhe kjo vlerë zbritet nga shuma totale e të ardhurave nga shteti. Çdo e ardhur mbi këtë vlerë i takon direkt buxhetit të shtetit. Vlera prej 246 milionë eurosh është vlera totale për pagesat e shtetit, plus pagesat nga tarifat e kalimit të makinave. Çdo e ardhur që i takon shoqërisë nga pagesat e kalimit të makinave, 50 për qind e shumës, zbritet nga pagesa që do të bëjë shteti, pra shteti paguan diferencën për të arritur te vlera 246 milionë euro”, shpjegohet në relacionin e vendimit, të siguruar nga Panorama.
Qeveria vlerëson se nëse të ardhurat nga e rrugës nuk realizohen, risku do të merret nga kompania. “Nëse do t’i referoheshim mënyrës se si janë shpërndarë risqet sipas këtij propozimi rezulton se kjo mënyrë përmbush parimin e shpërndarjes efektive të riskut, duke e bërë këtë projekt të partneritetit publik¬privat të realizueshëm. Nga studimi i fizibilitetit rezulton se shoqëria ‘Gjoka Konstruksion’ ka marrë përsipër pjesën më të madhe të risqeve dhe së bashku me to koston e tyre. Gjithashtu, kompania merr përsipër riskun e mosrealizimit të 50 për qind të të ardhurave të pritshme nga pagesat e përdoruesve të rrugës”, shpjegohet në relacion.
Sipas propozimit, kompania ka marrë përsipër ta ndërtojë rrugën kryesisht me fondet e veta dhe më pas do të shlyhet nga buxheti për një periudhë disavjeçare. Në ofertë, kompania propozon ta ndërtojë rrugën me një kosto prej 33.6 miliardë lekë ose 265 milionë dollarë.

AHMETAJ: KALIMI NË RRUGËN E ARBËRIT, PA PAGESË
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj zbuloi se kalimi në Rrugën e Arbrit do të jetë pa pagesë, pasi Qeveria ka vendosur ta financojë kompaninë private përmes buxhetit. “Nuk do të ketë pagesë për qytetarët, për automjetet. Në atë rrugë, relacioni i takon asaj çfarë sugjeron kompania, por Qeveria është shumë e qartë që ajo rrugë do të jetë pa pagesë”, thotë ministri i Financave.

Rruga është vepra e parë e projektit 1 miliardë euro të shpallur nga Qeveria. Ndërtimi i saj pritet të nis brenda pak muajsh.“Maksimumi fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut ne do të kemi një fitues të deklaruar dhe unë besoj që kantieri do të fillojë shumë shpejt pas deklarimit të fituesit”, thotë Ahmetaj. Sipas tij, Rruga e Arbrit është në proçes të avancuar, ka përfunduar vlerësimi i ofertës së pakërkuar.
“Komisioni ndërinstitucional në Ministrinë e Transportit ka përfunduar vlerësimin dhe Ministria e Financave ka dhënë përgjigjen për futjen e investimit në buxhetin afatmesëm, planifikimin në ardhshmërinë e buxhetit, ka dhënë një përgjigje në parim që do të thotë që i hapet rruga për vendimarrje për bonus për projektin, ofertën e pakërkuar që është ofruar nga kompania. Besoj që në fund të majit apo fillim të qershorit do të kemi një fitues.
Do ketë një domosdoshmëri kohore për të negociuar kontratën që besoj se shkon maksimumi në 2 muaj. Këto nuk janë taksative, mund të jenë më pak ose më shumë, varet nga teknikalitetet që dalin rrugës, besoj se qarku i Dibrës do të ketë një nga kantierët më të mëdhenj në Shqipëri shumë shpejt”,-ka deklaruar ministri Ahmetaj.

S'KA KOMENTE