Banorët e Fshatit Dushaj në protestë: Rehabilitoni rrugën ose do të bllokojmë qarkullimin

1131

Nga Edison BALLA

Fshati Dushaj është fshat i Bulqizës, që ndodhet në lartësinë 740-2100 m mbi nivelin e detit. Ka klimë të freskët në verë dhe dimër me rreshje të shpeshta dëbore. Ky fshat përbëhet nga lagjet Dushe, Gropë dhe Lepurakë. Sipas gojëdhënave ky fshat mori emrin e vëllait të madh Dusha që pasi u nda nga vëllezërit e tjerë, i vendosi këtë emër fshatit dhe besohet që Dushet janë pikërisht pasardhësit e tij.
Ky fshat, mbart padyshim vlera të konsiderueshme turistike, bujqësore, historike, dhe kulturore. Mesa duket nuk kanë mjaftuar këto vlera që mbart fshati, nuk kanë mjaftuar as numri i konsiderueshëm i banorëve që jetojnë në fshat, për ta bërë këtë të ashtëquajtur “shtet” që të ndërhyjë për t’ua bërë më të lehtë jetën këtyre banorëve, pasi fundja ky është një detyrim kushtetues dhe moral që një shtet demokratik merr përsipër të përmbushë në interes të qytetarëve të tij.
Pikërisht për këtë indiferencë të theksuar shtetërore, e në veçanti për papërgjegjshmërinë e insitucioneve vendore dhe qendrore në drejtim të përmirësimit e rehabilimit të infrastrukturës së amortizuar rrugore, në datën 7-mars banorët e Fshatit Dushaj organizuan një protestë modeste. Kjo protestë e cila duhet thënë nuk është e vetmja e organizuar nga këta banorë, kishte në fokus të saj pikërisht indiferencën shtetërore nga njëra anë dhe apelin e fortë të banorëve për të ndërhyrë në rehabilitimin e aksit rrugor, që lidh Fshatin Dushaj me rrugën nacionale Bulqizë-Peshkopi.
Ky aks rrugor ka një gjatësi prej 4 km, dhe aktualisht ndodhet në një gjendje tërësisht të amortizuar, duke e bërë kështu pothuajse të pamundur kalimin për mjetet e vogla dhe mjetet që transportojnë udhëtarët. Në mëse 25-vite tranzicion edhe pse janë ndryshuar shumë qeveri që i kanë lënë vendin njëra-tjetrës, edhe pse janë bërë shumë premtime në fushata elektorale si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, ajo që shihet në terren është thjeshtë dhe vetëm një rrugë primitive që mund t’u shërbejë vetëm bagëtive.
E si për të ta vërtetuar këtë konstatim, mjafton të udhëtosh qoftë edhe një herë të vetme me Gentin, shoferin e linjës së transportit të udhëtarëve që lidh Fshatin Dushaj me qytetin e Bulqizës. Më mirë se kushdo, ai mund të të tregojë me detaje për vështirësitë e shumta dhe kostot teknike që detyrohet të përballojë për të “përshkruar” përditë këtë aks rrugor. “Na kanë lënë në mëshirë të fatit” thotë me të drejtë shpeshherë shoferi i furgonit, i cili shprehet mjaft i zhgënjyer dhe i revoltuar njëkohësisht, pasi bëhet fjalë për një gjatësi rruge të papërfillshme krahasuar me rëndësinë dhe specifikat që ka kjo rrugë për banorët e shumtë të Fshatit Dushaj.
Të njëjtat fjalë zhgënjyese dëgjon edhe nga çdo banor tjetër i Fshatit, të cilët pa më të voglin dyshim ndjehen të lënë në harresë nga shteti dhe organet e tij në të dyja nivelet, dhe tek i pyet nëse kanë shpresë se një ditë mund të “rehabilitohet kjo rrugë”, prej tyre merr si përgjigje vetëm një ngritje shpatullash, si për të të treguar që besimin te shteti e kanë humbur me kohë. Por ama diçka ta thonë me siguri, që edhe këtë herë si çdo herë tjetër partitë politike pa iu “skuqur” faqja nga turpi, do të vijnë edhe këtë herë ta premtojnë këtë rrugë për të marrë votat, por ndryshe nga herët e tjera unë largohem besim-plotë se të paktën këtë herë banorët e Fshatit Dushaj do dinë mirë të “fshikullojnë” ata që me paturpësinë e rradhës do vijnë t’iu kërkojnë votat.

S'KA KOMENTE