Flasim shumë për të rinjtë, por fare pak me ta

2330

Sefulla KATA

Të them të drejtën, titullin e këtij shkrimi nuk e kam formuluar unë.  Atë e dëgjova një natë, nga goja e një këngëtari të ri italian, tek po shihja në televizor një koncert me muzikë shumë të bukur në një nga kanalet e RAI-t. Dhe më mbeti mendja aty. E harrova për një moment muzikën dhe “iu futa punës” për të zbërthyer kuptimin e atyre pak fjalëve të thëna nga Fedde (kështu quhet këngëtari italian).
Dhe, po e them që në fillim. Ka shumë të drejtë djaloshi. Po, po. Ka shumë të drejtë. Ne prindërit, por edhe prindërit tanë, edhe prindërit e prindërve tanë, e kështu brez pas brezi, të gjithë flasim për të rinjtë, për fëmijët tanë dhe të të tjerëve, por rrallë herë flasim me ta për të ditur si mendojnë, çfarë problemesh dhe hallesh kanë, në çfarë vështirësish po e “përplasin kokën”, para çfarë sfidash po i vë koha, çfarë mundësish kanë për të gjetur zgjidhjet e duhura, etj, etj…
I akuzojmë fëmijët tanë se nuk e kanë seriozisht shkollimin e tyre dhe për ndonjërin prej tyre kjo mund të jetë edhe e vërtetë. Po vetë sistemi në të cilin ata shkollohen, a është serioz dhe i përshtatshëm për tu vënë të rinjve në dispozicion gjithçka iu duhet për tu shkolluar ashtu siç e meritojnë?! A janë të gjitha shkollat tona vatra të vërteta të edukimit dhe shkollimit?! A iu venë ato në dispozicion të rinjve infrastrukturën dhe programet që ata  meritojnë në këtë stad të informatizimit dhe të globalizimit të gjithçkaje?! A janë të gjithë mësimdhënësit të përgatitur, të formuar profesionalisht, të mirinformuar lidhur me kërkesat që kanë të rinjtë,  të gatshëm të nxënë edhe ata vetë dijet e reja që të rinjtë i kanë aq për zemër?! Ta themi hapur: në shumë aspekte të këtij globalizimi dhe informatizimi, të rinjtë janë më të fortë dhe të zotë se mësimdhënësit e tyre dhe për një fare kohe, derisa handikapi të mund të kapërcehet me ardhjen në shkollë të brezave të rinj të mësimdhënësve, kjo do të jetë një pengesë serioze në mbarëvajtjen e punës në shkollë dhe në përparimin e të rinjve.
I akuzojmë fëmijët tanë se janë dembelë, se nuk e duan shumë punën, se nuk përpiqen sa duhet për të gjetur një të tillë. Po, a i pyesim ndonjëherë se sa të vështirë e kanë për ta gjetur një të tillë?! A i marrin administrata publike dhe ajo private seriozisht diplomat e fëmijëve tanë?! A u japin atyre atë punë për të cilën ata jo vetëm kanë nevojë por dhe janë formuar si profesionistë të fushës?! A nuk është pengues, madje mjaft dekurajues fakti që bashkëmoshatarë të tyre (mbase jo të gjithë) punësohen vetëm falë angazhimit të tyre politik apo edhe të ryshfetit që duhet t’i paguajnë punëmarrësit?! A u jepet puna dhe besimi i duhur apo detyrohen të bëjnë punë të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me formimin e tyre profesional?! A u nxirren atyre pengesa krejt artificiale, pretekste të pakuptimtë me të vetmin qëllim për të mos ua dhënë atë çfarë u duhet në të vërtetë?! A nuk shërben si një shembull shumë dekurajues punësimi i një shoku të tyre i cili ka pasur rezultate shumë më të ulta gjatë formimit në shkollë?!
I akuzojmë të rinjtë se janë frikacakë dhe ngurojnë të krijojnë familjet e tyre, të shkojnë në shtëpinë e tyre. Dakord. Bota e ka zgjidhur me kohë këtë problem madje për të nxitur daljen e fëmijëve (kryesisht të djemve) nga apartamenti apo shtëpia e prindërve ku ata nuk ndihen më komodë e të lirë, janë shkruar mjaft libra, janë botuar artikuj, kanë folur sociologë e psikologë, është bërë edhe një film me këtë temë dhe djemtë që hezitojnë ta “lënë” familjen prindërore, thirren me emrin Tangi (Tanguy) ashtu siç quhet personazhi i filmit me të njëjtin emër, një komedi brilante e regjisorit francez  Étienne Chatiliez. Tangi nuk është se nuk do të dalë nga familja prindërore dhe të shkojë në apartamentin a shtëpinë e tij. Ai në fakt nuk e ka një të tillë. Dhe gjasat janë për të mos e pasur edhe për shumë kohë. Tangi nuk ka një punë të sigurt, nuk ka një rrogë të mjaftueshme për të marrë kredi në bankë. Nuk trashëgon asgjë nga familja e tij modeste për të mos thënë e varfër. Kush prind nuk do të hezitonte t’ia jepte dorën e vajzës së tij të shtrenjtë, një djali të papunë?! Cila vajzë do të kishte kaq guxim sa ta lidhte jetën me një të papunë?!
Ja pra se sa në vështirësi gjenden fëmijët tanë. Mbase për shumë prej nesh është e pamundur t’i ndihmojmë ekonomikisht, por le ta fillojmë duke folur me ta. Duke folur e duke i dëgjuar, mbase do të na jepet mundësia edhe për t’i ndihmuar, në mos ekonomikisht, të paktën moralisht. Të jemi të sigurt se edhe për këtë lloj ndihme kanë nevojë. Janë fëmijët tanë, janë më e madhja pasuri që kemi në këtë botë të padrejtë.

S'KA KOMENTE