Luftëtare e flaktë për vendosjen e demokracisë së vërtetë

199

Zhulali përshëndet Nr.1 të gazetës “Bulqiza”

 

Në përditshmërinë e Safet Zhulalit zinte vend parësor shprehja e lirë e mendimit me etikë demokratike dhe tolerance, karakteristikë për njerëzit me kulturë. Kjo aftësi dhe largpamësi të të parit shfaqej dukshëm edhe në evente të kohës kur ishte deputet dhe Ministër i Mbrojtjes, siç qe dhe dalja e numrit të parë të gazetës “Bulqiza”. Përshëndetja e tij, në pak rreshta, ishte vërtet platformë për ta shndërruar këtë gazetë në tribune të mendimit dhe debatit intelektual, në funksion të një jete politike të qytetëruar, në pasurimin shpirtëror dhe në ngjalljen e frymës optimiste. Si kryeredaktori i parë i saj,  e shoh të arsyeshme të sjell në vëmendje të lexuesit përkujdesjen e vet ëish- deputetit dhe ish ministrit të Mbrojtjes safet Zhulali për borimin e një gazette sa më cilësore. Me urdhërin dhe nën kujdesin e tij na u vu thuajse në dispozicion personeli i drejtorisë së Shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe numri i parë i gazetës “BULQIZA” u shtyp në Tipografinë Ushtarake, që ishte në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndaj dhe po e ribotojmë të plotë përshëndetjen që Zhulali i drejtoi gazetës 25 vjet më parë:
Urojmë që gazeta “Bulqiza” të jetë tribunë e mendimit të kualifikuar bashkëkohor, një luftëtare e flaktë për vendosjen e demokracisë së vërtetë; të kontribuojë në emancipimin politik, ideologjik, kulturor të njerëzve tanë, duke u udhëhequr kurdoherë nga interesat e shenjta të popullit e të atdheut. Si një pasqyrë e klimës së re demokratike pluraliste, gazeta jonë të ndihmojë për të debatuar, evidentuar çështje me rëndësi jetike për Rajonin e Bulqizës, për të sotmen dhe të ardhmen, për realitetin dhe perspektivën, duke ndikuar në funksionimin e një jete politike të qytetëruar, në pasurimin shpirtëror dhe në ngjalljen e frymës optimiste. Uroj që gazeta “Bulqiza” të jetë shprehje e lirë e mendimit me etikë demokratike dhe tolerance, karakteristikë për njerëzit me kulturë. Tashmë koha ka nevojë për mendjet, punën dhe kontributin e të gjithëve, prandaj le të na shërbejë dhe kjo gazetë si një element i fuqishëm për të bashkuar vlerat në funksion të demokracisë, të rrahim mendime e të debatojmë lirisht për të mirën e saj e të mos kursejmë as energjitë e fundit për t’ia bërë jetën popullit sa më të bukur, ku jeta demokratike dhe shteti ligjor të ecin në një hap.
Uroj që ky organ, që del në ditët e demokracisë, të sjellë frymën bashkohore të zgjidhjes së problemeve të qytetit e të fshatit, duke evidentuar faktorë objektivë e subjektivë që ndikojnë në ecjen përpara, në kapërcimin e krizës ekonomike e të mungesës së besimit, për të gjallëruar forcat e brendshme lëvizëse të njerëzve tanë, të freskimit të veprimtarisë shtetërore në të gjitha nivelet.
Uroj që gazeta “Bulqiza” të bëhet tribunë e mendimit dhe debatit të sindikatave të punëtorëve, të gjejë pasqyrim puna e gjallë e minatorëve të palodhur të nëntokës, shpirti i tyre punëtor dhe sakrificat e tyre të mëdha në frontet e vështira të nëntokës.
Uroj që fshatarët ta thonë lirshëm mendimin e tyre për traditat dhe mënyrën e jetesës, për konceptet e reja për jetën, për shndërrimet demokratike që po ndodhin pas ndrydhjes së tyre të gjatë nga diktatura moniste.
Uroj që intelektualët e Rajonit, inxhinierë e mësues, oficerë e mjekë, të sjellin fjalën e tyre të pjekur në fushat e ndryshme të dijes për të njohur më mirë traditat, kulturën e zonës, të rejat bashkëkohore në fushën e prodhimit, të ligjshmërisë e të jetës sociale.
Uroj që talentet e reja në letërsi dhe arte të thonë fjalën dhe mendimin e tyre krijues, duke nxitur talentin e zhvilluar prirjet.
Së fundi falenderoj ndërmarrjet që kanë kontribuar për daljen e kësaj gazete dhe bashkëpunëtorët e gazetës për zellin në këtë punë fisnike.

Përshëndetje të gjithëve!
SAFET ZHULALI
Deputet i zonës dhe Ministër i Mbrojtjes

Tiranë, më 2 Maj 1992.

S'KA KOMENTE