25 vjet më parë – Agimet e lirisë grisën perden e natës së gjatë

45

Zgjedhjet e 22 marsit 1992 – Partia Demokratike fiton në të gjitha zonat e Dibrës

 

Dr.Hajri Mandri
….Mbrëmja e 22 Marsit 1992! Sa e jashtëzakonshme, po aq e madhërishme! Dibranët u derdhën lumë nëpër rrugët e qytetit. . Qytetarë të Peshkopisë, të Bulqizës e të fshatrave përreth, sidomos të rinjtë e të rejat, nxënësit e studentët, intelektualët, pa dallime klasore; veçanërisht të persekutuarit që akoma nuk e besonin se kishin marrë fund vuajtjet, torturat, burgimet e internimet e tyre 50-vjeçare. Vetëm një grup enveristësh, kuadro drejtues të organeve të dhunës ishin të frikësuar e strukur nëpër shtëpitë e tyre. Urime, lotë gëzimi, përqafime, ngashërime lumturie. Peshkopia e Bulqiza, si edhe e gjithë Dibra po përjetonte një natë të paparë në historinë e saj. Asnjëherë tjetër më parë ajo nuk kishte ndjerë kaq pranë lirinë, aromën dehëse të saj. Në qendër të asaj stuhie gëzimi, lumturie e besimi qëndronte një burrë fisnik rreth të pesëdhjetave, me një trup shtatlartë vështrim këmbëngulës dhe të ëmbël. Drejt tij vërshonin urimet, përqafimet, falenderimet. Të gjithë kërkonin ta preknin, ta përqafonin, të këmbenin një duhan, një kafe apo një pije: ishte Safet Zhulali që me një buzëqeshje të lehtë e një pamje të njerëzishme e dinjitoze, ua kthente të gjithëve përshëndetjet e urimet për fitoren. Njëherazi, duke larguar jo pa sforco entuziazmin e euforinë e tepruar, nuk e  fshihte dot një lloj meditimi a shqetësimi të lehtë në fytyrë.
E shqetësonte e nesërmja e demokracisë. “A do të zhvillohej, rritej e maturohej ashtu siç e kishin ëndërruar e premtuar, apo përballë sfidave të kohës mund të zbehej e të venitej?!”
Atë ditë nuk ishte përmbysur vetëm komunizmi, por të gjitha sistemet e shtypjes, terrorit e dhunës. Ishte përmbysur era e vjetër, kishte ardhur era e re e lirive dhe të drejtave universale të njeriut. Dukej se të nesërmen do të fillonte viti 1 i Epokës së Re. Rrugë të reja, shtigje të reja, me të papritura, ambicje të guximshme, enigma e udhëkryqe. Pikëpyetjet, dilemat, zgjidhjet e tyre e kishin arratisur Safetin në kufijtë midis ëndrrës e zhgjëndrës. Zgjohet dhe i dorëzohet tundimit të përgjithshëm. E përthith si në një vorbull turma e dehur nga avujt e lumturisë. Nuk ishte koha për t’u menduar, ishte koha për t’u dorëzuar në krahët e gëzimit e lumturisë së pafund. Atë natë Peshkopia, Bulqiza dhe e gjithë Dibra nuk pati gjumë.
Brohoritje, këngë, valle, krisma, fishekzjarrë. E ç’mund të prisje më shumë nga ajo natë “e çmendur” e 22 Marsit?!.
Errësira po tretej e shpërndahej ngadalë. Për herë të parë në historinë e atij qyteti, agimet e lirisë kishin grisur perden e natës së gjatë. Atë natë edhe Safeti nuk bëri dot gjumë. 23 Marsi i lirisë kishte trokitur.

ZHULALI, DEPUTET I BULQIZËS NË DY LEGJISLATURA

Në dy legjislaturat e para të parlamentit të ri demokratik, Safet Zhulali u zgjodh me votë plebishitare, mbi mesataren e PD-së në rang vendi. Ky fakt tregon qartë se sa mbështetje të fuqishme elektorale pati në zonën e tij, në Bulqizë. Fushata elektorale e drejtuar nga vetë Safeti, qe një model edhe për zonat e tjera të Dibrës ku dominonte ofrimi i vlerave demokratike dhe shpalosja e filozofisë së Partisë Demokratike, si shpresë e re për banorët e kësaj zone.
Kontributi i tij pati ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e Bulqizës. Gjatë mandatit të parë si deputet i Bulqizës, Safeti kishte një ndjenjë të lartë përgjegjësie për gjithçka ndodhte në zonën e tij. Kërkesave të shumta dhe problemeve të varfërisë, të papunësisë, të strehimit, të përkrahjes sociale për familjet në nevojë të cilat ishin në prag mbijetese, u bënë një axhendë e shtuar për Ministrin e Mbrojtjes. Nuk lodhej në pritje, nuk distancohej nga ata që e kishin mandatuar, dhe jo vetëm, u kushtonte atyre vëmendje dhe përqëndrim maksimal që vetëm një shpirt human dhe i gjërë do të punonte në atë mënyrë.  Roli në ndarjen e Bulqizës Rreth më vete tregon më së miri për autoritetin e tij në strukturat e larta të shtetit shqiptar.
Ndihma e dhënë në arsimimin e fëmijëve të familjeve bulqizake në shkollat ushtarake jashtë vendit, qe një ndër ndihmat më perspektive për brezin e ri të Bulqizës. Ajo që e lartësoi figurën e tij ishte tejkalimi i vlerësimit partiak kur vinte puna për fëmijët. Ky ishte një mësim I madh për të gjithë, pasi duke mos bërë dallime partiake, i dha Safetit një surplus pozitiv moral si intelektual vizionar mbi tolerancën, paqen, harmoninë sociale dhe konceptet dialektike të zhvillimit shoqëror të një realiteti, ku ende gjërat ishin të mugëta. Perspektivën e Bulqizës, Safeti e konceptonte si një Rreth më vete dhe punoi për këtë qëllim derisa e arriti.
Me miratimin Rreth më vete nga Rajon që ishte, Bulqiza përmirësoi menjëherë performancën e saj dhe u vu në eficencë pushteti vendor, duke afruar shërbimin më pranë qytetarëve.
Vëmendjen më të madhe, Safeti e drejtoi te stabilizimi i punëtorëve të minierës, statusi i tyre, mbrojtja e atyre punëtorëve që do të dilnin pa punë nga reforma, pensionet e parakohshme të tyre dhe mështetjen për lëvizje të lirë në zona urbane.

S'KA KOMENTE