Safet Zhulali, në panteonin e vlerave të lirisë dhe demokracisë

208

Pesëmbëdhjet vjet pa kontribuesin e shquar në reformimin e ushtrisë drejt integrimit në NATO

Pesëmbëdhjet vjet më parë, më 13 prill 2002, pas një sëmundje zemre., u nda nga jeta Safet Zhulali, ish deput i Bulqizës në dy legjislatur (1992-1996), njëkohësisht ish-Ministër i Mbrojtjes.
Një politikan, diplomat dhe ministër tipik i një vendi ku hidhen bazat e një shteti demokratik, Safet Zhulali, në një kontekst historik politiko-shoqëror shqiptar (1992–1997), ka një veprimtari intensive si anëtar i Qeverisë Shqiptare në organizimin e menaxhimin e politikave qeverisëse dhe elektorale, në reformimin e ushtrisë shqiptare, në diplomacinë ushtarake shqiptare të lidhur ngushtë me diplomacinë ushtarake ndërkombëtare. Është, pa dyshim, një kontribues i shquar në reformimin e ushtrisë drejt integrimit në NATO, me një angazhim spektakolar në aktivitetet ushtarake që dëshmojnë për një përkushtim madhor kombëtar. Të gjitha këto kanë në themel mendjen, ndjenjën, veprimin dhe përkushtimin e Safet Zhulalit.
Reformat e mëdha sfiduese kërkonin një mendje të mprehtë dhe një logjikë të ftohtë, një karakter të fortë dhe një intelektual kreativ që ndërtonte dhe rindërtonte ide në rrethana specifike të tranzicionit.
Me sa duket, fati e qëlloi të ishte Safet Zhulali, me arritje të papara në metodologjinë e tij drejtuese. Nga një familje me traditë të spikatur intelektuale, i mirëarsimuar dhe me përvojë të gjatë si ekspert ekselent në fushën e edukimit, pati një përshtatshmëri të menjëherëshme në detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Ai erdhi në këtë detyrë pas një pune të shkëlqyer që kishte bërë në ngritjen, konsolidimin dhe funksionimin e degës së Partisë Demokratike të rrethit Dibër. Vepra dhe qëndrimet e tij shfaqeshin me një mjeshtëri të rrallë komunikimi, ku zotëronte qetësia, logjika, konciziteti i mendimit, saktësia e fjalës dhe e frazës, maturia dhe aftësia për të dhënë përgjigje dhe mesazhe të rëndësishme në dobi të Atdheut tonë, përballë personaliteteve të mëdha të vendeve të fuqishme Perëndimore.
Mjafton qoftë dhe vetëm kjo axhendë për t’u bindur  në  përkushtimin e një njeriu të tillë në punë me tërë fuqinë e mendjes dhe të shpirtit si Safet Zhulali. Po ashtu dhe për formatin e lartë të përfaqësimit dhe arritjet cilësore të objektivave të tij.
Ndjejmë kënaqësi dhe përjetojmë çaste të madhërishme nga prurja e shumëfishtë e mesazheve shpresëdhënëse për shqiptarët që presin të anëtarësohen në Bashkimin Europian, të rrojnë në paqe dhe të ndërtojnë shtetin e tyre demokratik.
Safet Zhulali gëzonte një reputacion dhe respekt të admirueshëm në komunitetin dibran që e votoi si deputet. “Charity begins at home” (bamirësia fillon në shtëpi). Ai ndjente përgjegjësi si deputet të mbështeste dhe të inkurajonte dibranët dhe zonën elektorale të Bulqizës, në procese integruese demokratike. Ata kishin probleme të mbijetesës dhe kuptohet që tërë ky sistem i ngacmuesve të korpusit mjedisor prodhonin një sjellje të re politke, një vlerësim dhe qëndrim demokratik në zgjidhjen e kërkesave dhe shqetësimeve të komunitetit.
I rritur në një mjedis intelektual, ai kishte lexuar shumë, nga përvoja akademike kishte marrë ç’kishin prodhuar mendjet më të zgjuara dhe ato njohuri i adaptonte në situata reale të tranzicionit demokratik.
Me statusin e një ministri “të fuqishëm, që i dëgjohej fjala” do të kontribuonte në mjaft vendime qeverie, në interes të ushtarakëve apo të minatorëve të Bulqizës e më gjerë, si kompetenca transversale në aftësitë për t’i zbatuar teoritë reformatore perëndimore, në kushtet konkrete të vendit tonë.
Aftësia e tij qëndronte në fuqinë që zotëronte për të përmbushur një veprimtari në dobi të demokracisë dhe Atdheut, si dëshirë vetëpërmbushëse drejt suksesit të Reformës. Përkushtimi i tij si Ministër i Mbrojtjes shpërfaqej në fusha specifike; ai identifikonte, përshkruante, formulonte, arsyetonte, zbatonte, vërtetonte, analizonte, sintetizonte, vlerësonte, krijonte dhe zbatonte.
Rrallë ndonjë ministri do t’i ketë qëlluar që të ketë takime me personalitete politike dhe diplomatike të niveleve aq të larta të vendeve më të fuqishme të botës demokratike.
Në qeverinë e parë demokratike me mungesë të theksuar përvoje qeverisëse, ai ishte nga të paktët ministra që trajtonte me artikuj të drejtpërdrejtë në shtypin e shkruar, me firmën e tij, me një stil mjaft të saktë, konciz dhe të strukturuar. Ndodh rrallë që fati i rezervon individit pozicione ku shpalos vlera dhe qëndrime, ku zhvillon personalitetin, ku shfaqen tiparet positive me tendenca përsosmërie, në rivitalizim të modelit mendor dhe intelektual.
Ai ishte një humanist i madh që donte lirinë dhe paqen, intelektual kompetent me inteligjencë fluide, me efektivitet mendor, kreativ dhe aftësi për të arsyetuar. Duke punuar për një kohë të gjatë në arsim, ai ishte i vendosur në idenë se vetëm duke shkolluar një brez të rinj ushtarakësh në universitetet perëndimore do të modernizohej ushtria shqiptare. Dhe kështu bëri. Me dhjetëra dhe qindra studentë, për pak vite, u kthyen nga shkollat e larta perëndimore ku do të sillnin frymën dhe filozofinë e re Euroatlantike për sigurinë dhe paqen. Por jeta ka kudo vështirësitë e veta, dhe natyrisht, edhe njeriu do të preket nga ato. Safeti besonte në vlerat e demokracisë, ndaj ishte i vërtetë në atë që kumtonte. Megjithëse tranzicioni politik shqiptar kaloi përmes problemeve dhe traumave të pakëndshme sociale, ato janë përvoja të mbushura me plot shembuj të shkëlqyer devotshmërie e përkushtimi atdhetar që me veprën e tyre, kujtohen me nderim dhe respekt duke zënë një vend nderi në altarin e vlerave të lirisë dhe të demokracisë shqiptare.
***
Homazhet që u bënë për ta përcjellë në banesën e tij të përtejme, ku morën pjesë përfaqësues nga i gjithë spektri politik shqiptar, intelektualë dhe qytetarë nga i gjithë vendi, nga Kosova e Maqedonia, dëshmuan për respektin mbarëpopullor ndaj Ministrit të ndjerë. Kishin humbur politikanin dhe shtetarin që mund të kishte kontribuar për tejkalimin e stuhive e sfidave në rrugën e vështirë të përparimit e integrimit.
Kishin humbur strategun e konsensusit, mjeshtrin e dialogut, politikanin e mençur dhe të njerëzishëm. Të paktën, atë ditë, në ato çaste dhimbjeje e reflektimi, shqiptarët ishin në një mendje: Zbrazëtia që ai po linte pas do të ishte e vështirë të mbushej. Politikani dhe Ministri Zhulali kishte zënë vend në panteonin e vlerave të lirisë e demokracisë shqiptare.

S'KA KOMENTE