Rezistenca antiserbe e popullit të Trebishtit dhe Gollobordës gjatë viteve 1912 – 1924

1067

Studimet historike shqiptare gjatë kryengritjes së shtatorit të vitit 1913, kanë nxjerrë denjësisht në dritë luftën heroike të popullit dibran kundër serbëve

 

Nga Agim BEKTESHI

(vijon nga nr.i kaluar)

Që nga fillimi i Luftës së Parë Ballkanike, në përfundim të vitit 1912 e në vazhdim, toka e Gollobordës u bë shesh intrigash, anarshie e propogandash të lloj – llojshme nga ana e esadistëve dhe serbëve, të cilët nxitnin elementë të degjeneruar për ti rënë në qafë popullsisë sllavishtfolëse të disa fshatrave të Gollobordës, që të kishin mundësi ti thoshin popullit të Gollobordës se jeta e tij ishte e pamundur në shtetin e ri shqiptar. Gollobordasit e atyre 16 fshatrave që kemi përmendur më parë, në këto kohë e deri në çlirimin e Shqipërisë nga nazi – fashizmi, iu nënshtruan plaçkitjeve dhe shqetësimeve sistematike që kulmuan deri në ndalimin e tyre për të kaluar nëpër rrugën që lidhte Gollobordën me Elbasanin. Kur veprimet serbe dhe të serbomanëve shqiptarë u demaskuan, serbët e llogaritën si një gjë të zgjuar dhe efikase përfshirjen në pararojën e ekspeditave të tyre kundër Gollobordës të disa elementëve të degjeneruar, rrënjët e të cilëve ishin në kombin shqiptar. Kjo ndodhte për ta armiqësuar Gollobordën me viset shqiptare rreth e qark saj, me qëllim që ajo të hynte nën sqetullën serbe, për të kërkuar mbrojtje aty. Një politikë të tillë djallëzore serbët dhe Esati e kishin ndjekur edhe në Kurbin, vend të cilin kishin synuar ta shkëpusin nga trupi i Shqipërisë. Kjo “e drejtë” për të trazuar në çështjet e brendshme shqiptare, Esadit i ishte dhënë nga një farë “Lidhje pansllave” që ishte mbajtur në qytetin e Shkodrës, e cila kishte sanksionuar formimin në Shqipërinë e Mesme të një të ashtuquajture “Kryeprincipatë” shqiptare, rreth së cilës do të bashkoheshin dhe disa “Principata” të tjera më të vogla, sikurse u tentua të veprohej me atë territor të Shqipërisë së Veriut, që u planifikua për tu vendosur nën sundimin e Preng Bibë Dodë Pashës, apo ndonjë tjetër në viset e Shqipërisë së Jugut. -“Një çështje si e Kurbinit ashtë kjo e Gollobordës, – vinte në dukje shtypi shqiptar i kohës, duke krahasuar situatën e Gollobordës me atë të Kurbinit. Dihet që Elbasani ka nën sundimin e tij një krahinë, që thuhet Gollobordë. Atje u çue si sundimtar një dibran. Mirëpo Esad Pasha çoi atje një tufë gjaksorësh, me anë të cilëve don me i marrë nën vedi këto vise. Mydirin e morën skllav, andaj qeveria e jonë çoi fuqi të mjaftë atje”.
Patriotët gollobordas dhe i gjithë populli i krahinës, të ndodhur para këtyre veprimeve djallëzore e të rrezikshme për sovranitetin shtetëror të Shqipërisë, duke kuptuar lojën që po luhej mbi kurrizin e tyre, por duke qenë në dijeni dhe të planeve deportuese serbe, nuk e humbën torruan, nuk ranë preh e planeve të serbëve dhe veglave të tyre shqiptare, por u orientuan në qëndrimin më të drejtë të mundshëm, duke mos munguar të paguajnë për këtë qëllim çmimin e gjakut. Kur e gjejmë të krahasuar situatën e Gollobordës me atë të Kurbinit, kuptojmë pasojat e veprimtarisë antishqiptare të Esat Pashë Toptanit dhe mbështetësve të tij për shpërbërjen e Shqipërisë. “Çështja e Kurbinit” ishte një përpjekje e hapur për ta shkëputur atë krahinë nga trupi i shtetit të ri shqiptar, për të mbjellë irredentizmin dhe separatizmin si një proces zinxhir. Në letrën e atij që vetëshpallej si “I Pari i Kurbinit”, drejtuar botuesit të gazetës “Shqipnija e Re”, gjenden edhe këto fjalë që na prezantojnë situatën konkrete: “I nderuar drejtor i gazetës kombëtare “Shqipnija e Re”. Ju lutem, për me dal e drejta në shesh, ta keni mirësinë me i botue këto rreshta: “Kurbini në ditët tona sundohet vetëqeverimisht simbas ligjeve të veta. Sot aj kryetradhtar, domethanë Esat Pashë Toptani, don me e ba Kurbinin nji krahinë të vënë nën sundimin e tij, të cilit Kurbini nuk don, as nuk ka me ndejt, e kështu me u nda prej qëllimit të shqiptarëve”.

PLANET SERBE NDAJ GOLLOBORDËS
Ngjashmëritë e zhvillimeve në Kurbin e Gollobordë nuk lenë kurrfarë dyshimi mbi planet serbe ndaj Gollobordës. Përpjekjet e parreshtura të serbëve dhe esadistëve për ta përfshirë edhe Gollobordën në zhvillimet separatiste si të Kurbinit, që synonin hapur shpërbërjen territoriale të Shqipërisë, përfaqësojnë situatën më të rrezikshme ku serbët dhe esadistët vepruan ta zhysin Gollobordën. Në procesin e rezistencës së gjatë politike e luftarake kundër planeve të Esatit dhe Serbisë në Gollobordë, rol të rëndësishëm kanë patur autoritetet vendore që punonin për llogari të Qeverisë së Ismail Qemalit, por dhe patriotët e tjerë vendas, të cilët i kishin vuajtur mbi kurrizin e tyre veprimet e serbëve dhe veglave të tyre. Duke gjykuar mbi këto situata nëpër të cilat ka kaluar Golloborda në atë periudhë, kuptojmë se çfarë rezistencë e madhe i është dashur të bëjë popullit të Gollobordës, e sidomos atyre patriotëve gollobordas që kishin marrë përsipër rolin e protagonistit, që i prinin popullit në një betejë aq sa ushtarake, edhe dinake. Gjatë gjithë historisë, për shkak të pozicionit gjeostrategjik të krahinës së tyre, gollobordasit kanë qenë në rreshtin e parë të protagonizmit dhe të luftës për çështjen e lirisë së Shqipërisë. Gollobordasit asnjëherë nuk kanë qenë popullsi indiferente, por trimërinë e tyre luftarake të dëshmuar e kanë bashkuar me mbarë popullin shqiptar. Provë e kësaj të vërtete është gjaku i derdhur në themelet e Shqipërisë në të gjitha periudhat historike, por dhe djersa e përkushtimi për ndërtimin dhe prosperimin e saj. Mjafton të cekim se vetëm në periudhën e luftrave shqiptaro – turke të zhvilluara nën komandën e Skënderbeut, në Gollobordë janë zhvilluar tetë beteja të përgjakshme. Parë nga ky këndvështrim, popullsia e Gollobordës është një ndër kontributorët më të mëdhenj që ka merituar vend të nderuar në historinë e Shqipërisë me gjakun dhe kontributin e vet luftarak. Tokën në të cilën lindën e jetojnë, gollobordasit e mbrojtën me gjakun e tyre. Këtë e provon qartësisht historia kur dëshmon për praninë masive dhe të përhershme të gollobordasve në ushtritë e Skënderbeut, por dhe më vonë, gjatë periudhës së mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë, kur vetëm në një fshat të Gollobordës; pikërisht në Trebisht, funksiononte një çetë me mbi 70 luftëtarë, apo në Luftën e Dytë Botërore, kur vetëm nga një fshat i Gollobordës, sikurse ishte përsëri Trebishti, morën pjesë në luftë mbi 120 luftëtarë. Historia dëshmon edhe krimet monstruoze mbi baza fetare e botëkuptimore, por dhe etnike, që janë kryer mbi popullsinë e Gollobordës nga kishat dhe disa shtete fqinje, duke zënë fill që nga epoka e pogromeve dhe përndjekjeve Bogomile të shekullit të nëntë e këndej. Marshimi biblik i heretikëve Bogomilë që nga zonat e Rodopeve midis Bullgarisë e Greqisë, kur u përndoqën gjer në malet dibrane e gollobordase të Ilirikumit sepse refuzuan dogmën e krishterë, nuk është i harruar akoma. Në vitin 1043 këtyre anëve të Ilirikumit erdhi Voisllavi, i mbiquajtur Stefani, një burrë skithas, i cili mbasi dezertoi nga Bizanti, mblodhi një ushtri dhe bëri strofullën e tij në këto male të Ilirikumit, ku si një bishë e egër plaçkiti dhe vrau barbarisht popullsitë e atyre anëve; tribalët, serbët dhe gjithë sa ishin bashkëfisas të tyre, të cilët nuk pranuan dogmat e krishterimit bizantin, por preferuan heretizmin Bogomil.
Po ashtu nuk janë harruar të mbiquajturit Torbeshë, të masakruar barbarisht pas thyerjes së tyre më 14 shtator të vitit 1377 në viset e Maqedonisë së Egjeut prej hordhive të Toma Preljuboviçit, të cilët mbërritën në Gollobordë me sytë e nxjerrë nga zgavrat, me gjuhë, veshë, hundë e duar të prera, për të gjetur aty strehë për vete e vend për varret e të dashurve të tyre të masakruar, kokat e të cilëve i mbajtën në torbat e dhimbjes dhe mundimit.

PAKËNAQËSIA DHE URREJTJA E GOLLOBORDASVE NDAJ SERBËVE
Pakënaqësinë dhe urrejtjen e gollobordasve ndaj serbëve e shtonin edhe vjedhjet, përdhunimet e bandave të popujve fqinjë sllavo – serbë, etj. Duke bërë fjalë mbi këto paudhësi që bëheshin nëpër Gollobordë e mbi gollobordasit, në një dokument të kohës shkruhet: “Fshatarëve u janë marrë edhe sendet më të nevojshme, u është plaçkitur gjithçka, popullsia nuk guxon të mbajë orë e unaza të çmueshme, se ua grabisin”. Kështu silleshin serbët dhe miqtë e tyre grabitqarë në Gollobordë gjatë gjithë kohëve sa ishin prezent ushtarakisht, por dhe kur mësynin rrufeshëm me çetat e tyre grabitqare. Vjedhjet dhe përdhunimet e popullsisë së pambrojtur të Gollobordës ishin në përditshmërinë e serbëve dhe miqve të tyre. Dokumentet e botuara që i takojnë periudhës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e në vazhdim, na njohin me zullume të tjera të ushtrive serbe nëpër shumë fshatra të Gollobordës, ashtu si në Dibër, Elbasan e kudo ku kalonin. Për këto vjedhje e përdhunime, në një dokument të kohës shkruhet: “Fshatra të tëra, si Cërriku, Allajbeja, Babje, Shtëpani, Klenja, Okshtuni, Trebishti, Stebleva, etj, u dogjën pasi iu grabitën ushqimet dhe bagëtitë”.  Këto veprime të ushtrive serbo – malazeze rritën e forcuan dita – ditës urrejtjen dhe qëndresën e popullit të Gollobordës ndaj serbëve, duke konkluduar në armatosjen për vetëmbrojtje si rruga e vetme dhe më e drejtë. Ura e Spiles dhe Shkëmbi i Vrabcit në Trebisht u bënë varri i ushtrive serbe. Ushtria popullore e Gollobordës jepte kushtrimin sapo merrej lajmi se ushtritë serbe po afroheshin dhe hynte në lidhje e rakordim veprimesh me Shtabin e rezistencës mbarëdibrane. Dhjetëra burra të Trebishtit e të Gollobordës pozicionoheshin në lartësitë sunduese të “Vrabci Kamenit” (Shkëmbi i Vrabiçit). Në qendër të Trebishtit, në lagjen Muçinë ishte organizuar dhe funksiononte çeta e vetëmbrojtjes popullore të Trebishtit, nën komandën e luftëtarit Hysen Destani, i cili qëndronte në krye të luftëtarëve trebishtas të armatosur. Patrioti e luftëtari Hysen Destani nga Trebisht – Çelebia e Gollobordës është një figurë luftarake, jeta dhe vepra e të cilit meritojnë studime të mëvetshme. Numri i luftëtarëve të çetës së Trebishtit rritej menjëherë dhe shkonte deri në 70 luftëtarë, kur jepej kushtrimi i afrimit të trupave serbe. Aftësia luftarake e kësaj çete dhe pozicioni strategjik ku vendosej për të luftuar, u bënë tmerr për serbët. Aq shqetësuese u bë për serbët alternativa e depërtimit të ushtrive të tyre drejt Dibrës së Madhe dhe Peshkopisë nëpërmjet luginës së Drinit të Zi, saqë strategët serbë filluan të dyshojnë në parashikimet e tyre se do të zinin shpejt e shpejt fushat dhe bregdetin e Shqipërisë. Prandaj njësi ushtarake të armatosura gjer në dhëmbë, siç ishte Regjimenti i 14-të i forcave ushtarake serbe, u nisën për tu stacionuar në fshatrat e Dibrës e të Gollobordës, duke vënë nën goditje të fortë gjithë gjatësinë e rrugës, që zinte fill nga Ura e Spiles në Trebisht, gjer tek Ura e Topojanit. Dokumentet shqiptare tregojnë se nuk ekzistonte ndonjë fuqi shtetërore që i organizonte, furnizonte, komandonte dhe printe luftëtarët dibranë e ata gollobordas në rezistencën e tyre kundër ushtrive serbe. Populli ngrihej vet në këmbë për ti bërë ballë të keqes që e kanoste, armatosej, zinte pozicionet dhe luftonte për lirinë dhe nderin e vet, në truallin e vet. Të rrallë janë ata popuj që reagojnë e u dalin për zot fateve të veta në këtë mënyrë. Nuk duhet të harrojmë se ata që i dolën zot shtetit shqiptar në pjesën e tokës ku jetonin, ishin fshatarë të thjeshtë e mjaft të varfër. Ata nuk ishin një ushtri e rregullt, e stërvitur normalisht dhe e armatosur ashtu si do të duhej. Këta fshatarë nuk kishin kohë e mundësi të kërkonin e të siguronin ndihma dhe aleatë. Aleat i pathyeshëm e i vetëm i tyre ishte Shkëmbi i Vrabcit që ngrihet thikë mbi Drinin e Zi, dhe shpina e sigurtë, sepse pas shpine luftëtarët e Trebishtit kishin një popull prej 3000 – 4000 banorësh, që bënte ç’kishte në dorë për ti mbështetur bijtë e vet luftëtarë. Edhe në fshatra të tjerë të Dibrës populli u organizua e u zhvilluan ndeshje dhe rezistencë e denjë popullore. Dokumentet historike tregojnë se qysh në fillim, Golloborda ashtu si krejt Dibra u gjend nën thundrën e ushtrisë serbe, e cila zëvendësoi pushtetin turk. Repartet ushtarake serbe me një sulm të rrufeshëm rreth datës 25 të dhjetorit 1912, deri në dhjetë ditëshin e parë të janarit të vitit 1913, u instaluan në të dy anët e Drinit të Zi. Në Lindje u vendosën përgjatë vijës Lugjaj, Shumbat, Qenok, Popinar, Llasen, Kodra e Pijanecit e gjer në Dibër të Madhe. Ndërsa në krahun tjetër, atë perëndimor të Drinit të Zi, u vendosën sipas vijës që formohet që nga Prati i Selishtes, Kepi i Gjuras, Zerqani, Çereneci, Shkëmbi i Vrabcit në Trebisht, te Ura e Spiles, tek Hanet e Trebishtit e gjer në Ostren dhe Studën. Dibra e Golloborda u vendosën nën presion të egër, duke ndezur rezistencën popullore.

FLAKA E URREJTJES POPULLORE NË MBARË DIBRËN DHE GOLLOBORDËN
Sjelljet e ushtrisë serbe i vunë flakën urrejtjes popullore në mbarë Dibrën dhe Gollobordën. Taksat e rënda, sekuestrimet, arbitrariteti, por sidomos morali i ulët i trupave serbe që praktikonin qëllimisht rrënimin dhe poshtërimin e moralit e të dinjitetit njerëzor, u bënë të padurueshme. Ndonëse ishte dimër i ashpër, luftëtarët dibranë e gollobordas rrokën armët. Në Trebisht, te Ura e Spiles trupat e rezistencës antiserbe i komandonin luftëtarët trima Hasan Berexha, Ramadan Kanxha dhe Hysen Destani, ndërsa tek Hanet e Trebishtit ishte instaluar një njësit tjetër luftëtarësh trebishtas, i cili ishte nën ndikimin e Sali Sadikut. Përleshjet me ushtritë serbe gjatë muajve dhjetor 1912 – janar 1913, farkëtuan unitetin e popullit të Trebishtit e të Gollobordës brenda për brenda vetes dhe me krejt rezistencën popullore mbarëdibrane. Burrat e Trebishtit të veshur me rrobe të trasha dimërore, u vendosën mbi shkrepat e Vrabci Kamenit. Sipas një organizimi perfekt, turnet e luftëtarëve trebishtas e gollobordas ndërroheshin për të mbajtur pandërprerë nën goditje rrugëkalimin përmes luginës së Drinit të Zi. Në këtë rezistencë mbarëpopullore dhanë kontributin e tyre edhe gratë e Trebishtit, sidomos ato të Çelebisë e Muçinës, të cilat gatuanin ushqime të ngrohta për luftëtarët dhe u përgatisnin tesha të përshtatshme dimërore burrave, djemve e vëllezërve të tyre luftëtarë. U ngritën në këmbë gratë e Trebishtit e të Gollobordës, sepse në një nga zhvillimet dramatike të atyre kohëve, në vendin e quajtur Kolishte në Trebisht – Çelebi, ushtarët serbë pasi çnderuan një grup prej pesë – gjashtë femrash, njëra prej të cilave ishte shtatzënë, i dhunuan egërsisht dhe u morën jetën duke u çarë barqet me bajonetat e pushkëve. Urrejtja dhe revolta popullore ishte gati të ndiznin gurët dhe tokën. Në mbarë Dibrën dhe Gollobordën u zhvilluan ndeshje të përgjakshme me ushtritë serbo – malazeze. -“Ndeshjet më të rrepta midis palëve ndërluftuese u bënë gjatë ditëve të para të janarit të vitit 1913, kur serbëve u erdhën përforcime të reja të dërguara urgjentisht me urdhër të Komandës Supreme serbe. Detyra strategjike e kësaj komande ishte shtypja e rezistencës dibrane, e në pamundësi të kësaj, të pengohej shtrirja e mëtejshme e saj. Në luftimet e njëpasnjëshme të zhvilluara në itinerarin Ura e Topojanit – Ura e Spiles në Trebisht të Gollobordës, serbët pësuan humbje të ndjeshme në përpjekjet e atyre ditëve”.(16) Krejt periudha e vitit 1913 ishte e ngarkuar me tension dhe përplasje të ashpra shqiptaro – serbe, me raprezalje, djegie e vrasje, por fryma e rezistencës popullore në Dibër e Gollobordë, në vend që të fashitej sikurse shpresonin serbët, ngrihej e forcohej. Emri i Trebishtit, për shkak të pozicionit të tij strategjik në raport me lartësitë nga ku sundohej rrugëkalimi nëpër luginën e Drinit të Zi, te Ura e Spiles ku derdhet Reka e Trebishtit, u bë i njohur e i dëgjuar gjer në shtabet ushtarake serbe. Në analizat që bënte komanda ushtarake serbe lidhur me zhvillimet e asaj që e quajti  “Bunt na allbancite” (Kryengritja e shqiptarëve) të vitit 1913, mori në shqyrtim gjendjen dhe perspektivat e situatës luftarake te Ura e Spiles në Trebisht. Kryengritja mbarëdibrane të cilën serbët e quajtën “Bunt na allbancite”, i krijoi kokëçarje të pariparueshme ushtrive serbe. Më shumë sesa një kryengritje, situata luftarake e krejt vitit 1913 ishte një zinxhir kryengritjesh. Shkatërrimtare do të ishte goditja e dibranëve dhe gollobordasve mbi serbët në muajt janar e shkurt të dimrit të vitit 1913, kur serbët u zunë si në çark në luginën e Drinit të Zi, tek vendi që quhet “Ura e Spiles”, nën Vrabci Kamen. Por shpëtuan falë një mashtrimi që u bënë drejtuesve të Shtabit mbarëdibran. Pastaj e vunë Dibrën dhe Gollobordën nën terror të pashembullt, sikurse do ta shikojmë më tej. Në situatat luftarake të dimrit të vitit 1913, kur ushtritë serbe u shtrënguan të largohen nga Dibra, rruga nga do të kalonin ishte vetëm një; ajo që kalonte te Ura e Spiles, nën Vrabci Kamen të Trebishtit, të cilin në disa dokumente të kohës e gjejmë të shënuar me emrin “Shkëmbi i Vrabiçit”. Aty ishte bërë e pamundur të kalohej për të depërtuar në thellësitë e viseve dibrane, por po aq e vështirë ishte edhe për të dalë që andej. Lartësia nga ku dominoheshin ushtritë serbe; Shkëmbi i Vrabcit, ishte e pamposhtëshme, sepse ishte një fortesë natyrale. Asnjë rrethanë nuk i favorizonte ushtritë serbe kur afroheshin në atë vend. Sulmuan disa herë, por sa herë sulmuan, aq herë dhe u thyen duke lënë shumë të vrarë. Tentuan të provojnë dinakërinë për të dalë nga rrethi vicioz ku ishin futur. I ftohti siberian dhe dëbora e madhe vepronin kundër serbëve, prandaj Komanda serbe hyri në bisedime me Shtabin Qendror të kryengritësve dibranë, të cilit i deklaroi se repartet e ushtrisë serbe kishin marrë urdhër të largoheshin, bile edhe nga pjesa tjetër e Dibrës, por meqenëse tërheqja në kushtet e dimrit nuk mund të bëhej veçse nga ana e rrugës Dibër – Ohër, për të kaluar më tej për në Manastir, kërkoi të urdhëroheshin prej atij Shtabi  dibranët dhe gollobordasit që ta lironin Shkëmbin e Vrabcit në Trebisht. Komanda serbe premtoi se do të kishte dhe një amnisti për kryengritësit dibranë e gollobordas nga ana e Beogradit. Shtabi mbarëdibran mori vendim dhe urdhëroi kryengritësit dibranë e gollobordas që tu hapnin rrugën serbëve te Ura e Spiles dhe tek Hanet e Trebishtit. Shtabi i besoi premtimeve serbe për një gjoja amnisti, e cila ishte një mënyrë e stërholluar për ti gënjyer dibranët. Kur kryengritësit gollobordas të instaluar tek Shkëmbi i Vrabcit në Trebisht dhe ata dibranë e gollobordas të vendosur tek Hanet e Trebishtit, e zbatuan këtë kërkesë që vinte si vullnet i Shtabit mbarëdibran, trupat serbe u hodhën në pabesi me forca të mëdha në shpinë të tyre, duke i detyruar të mbroheshin në kushte shumë të vështira e të disfavorshme. Tanimë ishte humbur Shkëmbi i Vrabcit në Trebisht, fortesa natyrale nga ku ushtritë serbe goditeshin dhe asgjësoheshin poshtë në luginën e ngushtë të Drinit të Zi. Ushtritë serbe i shpëtuan dinakërisht çarkut vdekjeprurës. Në kujtesën e populllit të Gollobordës e të Dibrës është akoma e gjallë tabloja e mizorive dhe barbarizmave serbe që pasuan mbas kësaj. Luftëtarët popullorë të Trebishtit, të Ostrenit, Steblevës dhe mbarë Gollobordës, të zhgënjyer, të dërmuar fizikisht e moralisht, të ndodhur në kushte krejt të disfavorshme pasi e lëshuan Shkëmbin e Vrabcit, përpiqeshin të luftonin duke u përpjekur që populli të fitonte kohën e mjaftueshme për të marrë malet e mbuluara me dëborë. Nuk bëhej fjalë vetëm për jetën e tyre si luftëtarë, por ishte çështja se pas shpinës së luftëtarëve gollobordas qëndronin mijëra njerëz, të cilët ishin nënat, baballarët, gratë dhe fëmijët e tyre. Populli i Trebishtit, ashtu si populli i mbarë Gollobordës dhe Dibrës, duke parë ushtritë serbe që po aviteshin, mori malet nëpër dëborë, përmes të ftohtit të madh. Pleq e plaka, gra me fëmijë të vegjël për dore e me djepe foshnjesh mbi kurriz, të sëmurë që zvarriteshin e rrënkonin nga dhimbjet dhe mundimet, e lanë fshatin e Trebishtit dhe u vendosën në mal, tek vendi që njihet me emrin “Vo Korenjeno”. Trupat serbe në çdo avancim që bënin, ulërinin me klithma frikësuese: “na nozh”, – që do të thoshte  “në thikë”, dhe “majku vashe”, – që do të thotë “nënën tuaj”. Aspak më e mirë nuk ishte situata në viset e tjera të Gollobordës e të Dibrës.

MASAKRAT E PASHEMBULLTA SERBE NDAJ POPULLSISË SË PAFAJSHME
Burimet e shkruara të historisë që i referohen situatave luftarake të atyre kohëve në terren, njoftojnë se “Beteja të ashpra u zhvilluan veçanërisht në Grykën e Vogël. Fshatrat Serpetovë, Miresh, Golevisht, Tërbaç, Viçisht, Izvir, Çerenec, Mallakasta, Gjorica, Homeshi, Buçeva, Shupenza, Vlasha, Topojani, Mazhica, Zogaj, Bllaca e Gjurasi, nuk u mposhtën veçse pas luftimesh të ashpra”. (17) Edhe fshatra të tjerë të vargmalit që shoqëron Drinin e Zi, nga Shkëmbi i Vrabcit deri në Llakavicë të Steblevës, që janë: Gjinoveci, Klenja, Sebishti, Zabzuni, Borova, Okshtuni, Stebleva, Llakavica, etj, u ndodhën përballë një terrori e raprezaljesh të egra. Në këtë kohë zhvillimesh dramatike, “Serbianët, pa asnjë shkak dogjën shtatë fshatra këtej Drinit. Fshatrat janë: Ostreni i Madh, Ostreni i Vogël, Barova, Zabzuni, Okështuni, Stebleva dhe Sebishte”, – informon shtypi shqiptar i asaj kohe, duke folur për mizorinat serbe ndër viset e Gollobordës martire. Në “Visaret e Kombit”, një botim prestigjioz i historiografisë shqiptare të atyre viteve, shkruhet: “Lufta kundër serbëvet”. “Më 17 kallnuer 1913 Malsija e Dibrës së Madhe ngriti krye dhe i vu pushkën ushtrisë serbe, që po bante përdhunime. Lufta vazhdoi disa ditë. Në luftë e sipër u vra komandanti i fuqivet serbe dhe ma shumë se 1500 ushtarë serbë. Prej shqiptarëve mbetën dëshmorë nja 170 vetë. Ushtritë serbe mundën të ngadhnjejnë vetëm mbas njij tradhëtie që u banë shqiptarëve, të cilëve u dhanë fjalën e nderit e n’emën të Mbretit të tyre, dhe mandej e ndynë këtë premtim që u dha n’emën të një sovrani. Mbas pushtimit banë shumë masakra, tue vramë e therë me qindra gra e burra, pleq e plaka dhe fëmijë të vegjël”. (19) Materiali i sapocituar është informacioni që bën fjalë për premtimin mashtrues të ushtarakëve serbë në emër të sovranit të tyre, është momenti i dinakërisë serbe që ia doli të mashtrojë Shtabin e rezistencës mbarëdibrane, duke thënë se ata (serbët) vetëm sa donin të kalonin nëpër Urën e Spiles në Trebisht të Gollobordës. Në fakt, deri në momentin që serbët e siguruan kalimin përmes mashtrimit, gjendeshin në pozitë të vështirë dhe mund të likuidoheshin nga luftëtarët dibranë e gollobordas. Populli i Dibrës i ka thurur këngë këtij momenti që shprehte epërsinë e plotë të ushtrive popullore dibrane mbi ato serbo – malazeze. Ja edhe teksti i një kënge të popullit dibran, që përshkruan situatën e vështirë në të cilën ndodheshin ushtritë serbe në atë moment:
“Rafti teli kaj Serbija,
Në Malësi ka dalë devrija.
Ka dalë devrija, ka dalë pa mend,
Se s’kish izëm me shkel n’at vend.
Ditën e Diell, nji ditë pazari,
N’Shehër t’Dibrës u thirr tellalli.
Emër bani ç’ai komandari,
Për tre ditë mos t’çilet pazari.
Se asht vra një nejp krajli,
Nji kollas, nji zog mali.
Rafti teli kaj Serbija,
U shemb Dibra, u shemb Malcija.
Po s’çuat fuqi në imdat,
Do t’vijë Dibra në Beligrad”. (20)
Dinakëria serbe gjeti mënyrën dhe e mposhti trimërinë e zgjuarsinë dibrane. Populli mbeti në mëshirë të fatit, nën thundrën serbe. Por fryma e rezistencës popullore nuk u shua. Në shumë vise të Dibrës e të Gollobordës u zhvilluan ndeshje të ashpra me ushtritë serbe, derisa u organizua kryengritja e shtatorit 1913. Shumë e nderon pushkën dibrane e gollobordase kryengritja e shtatorit të vitit 1913. -“Kryengritja e shtatorit 1913 është kryengritja e parë e armatosur kundër pushtuesve serbë për çlirim e bashkim kombëtar. Shpërtheu më 20 shtator në Dibër, përfshiu Gollobordën, Strugën, u përhap në Kosovë, në rrethet e Gjakovës, Prizrenit, Drenicës e deri në afërsi të Prishtinës”. (21) Disa autorë të tjerë shkruajnë se kryengritja e shtatorit shpërtheu më 1 shtator, por ka që thonë se ka shpërthyer më 19 ose më 21 shtator të vitit 1913, herët pa aguar mirë drita, rreth orës katër të mëngjezit. Aq e egër dhe shkatërrimtare ishte goditja e ushtrive dibrane, saqë serbët nuk deshën më shumë se një orë për të kuptuar se duhej t`ia mbathnin nga sytë këmbët, po të donin jetën e tyre. Studimet historike shqiptare kushtuar heroizmit dibran gjatë kryengritjes së shtatorit të vitit 1913, kanë nxjerrë denjësisht në dritë luftën heroike të popullit dibran kundër serbëve, por na duket me vend të sjellim në vëmendje të lexuesit një raport të naçallnikut serb të Dibrës së Madhe, N. Çirkoviq, i cili kur ka raportuar për eprorët e vet në Beograd, ka bërë përshkrime që e ngrenë shumë lart trimërinë luftarake dhe heroizmin popullor mbarëdibran. Sipas raportit të kryetarit të Qarkut (naçallnikut serb) të Dibrës, N. Çirkoviq, dërguar më 8 tetor 1913 qeverisë serbe në Beograd, saktësohet se kryengritja dibrane ka nisur në fillim të shtatorit të vitit 1913. Naçallniku i Dibrës së Madhe N. Çirkoviq, në raportin e gjatë për qendrën e tij në Beograd, thotë se “Më 1 shtator 1913 shqiptarët kishin filluar për ti nxitur pararojat (serbe) afër Pogradecit. Më 3 shtator në mes të pozitave dhe fshatit Rinakaj, shqiptarët sulmuan patrullën serbe dhe me atë rast një ushtar e vranë dhe një e plagosën. Për këtë është lajmëruar inspektori në Shkup. Më 4 shtator është dhënë urdhër që të lëshohen pozitat e largëta dhe ushtria të tërhiqet afër kufirit të paraparë me Konferencën e Londrës. Më 5 shtator u bë proklamata e aneksimit të Dibrës. Më 7 shtator, një njësi e fortë shqiptare e kishte sulmuar pararojën serbe te Ura e Arrasit. Ajo e shpërndau atë dhe kishte kaluar në anën e djathtë të lumit Drin”, – thotë naçallniku serb në informacionin e tij për eprorët në Beograd. -“Më 8 shtator shqiptarët me forca të mëdha e sulmuan Peshkopinë dhe atë sulm e morën në orën 6 të mëngjezit. Naçallniku i rrethit vërteton se në luftime ishin rreth 1200 shqiptarë…..Prej Peshkopisë shqiptarët kryengritës janë orientuar në dy drejtime; njëri kah Dibra, ndërsa orientimi tjetër kah Zhirovnica”, – ka vënë në dukje autori i studimit që ka punuar mbi raportin e naçallnikut serb. ……..“Naçallniku i rrethit në ato rrethana lajmëron se ai sulm ishte i tillë, saqë ai s`ka mundur as teshat e veta për ti veshur. Prandaj në Peshkopi i ka mbetur e tërë arkiva me shifra”, – ka shkruar autori i punimit. …“Njësia shqiptare që ka qenë në front kah Zhirovnica, aty – këtu i ka shkatërruar çetat tona (serbe)”, – ka raportuar naçallniku serb, – “ndërsa në orën 8 në mbrëmje ishte në majë të Zhirovnicës”. ……“Në Zhirovnicë shqiptarët hynë në orën 9 të mëngjezit”, – thotë autori i punimit….“Udhëheqësi i njësive të tyre (shqiptare) udhëhiqte 300 veta. Me këto forca udhëhiqte Maliq Kroqishta, ndërsa me 350 forca të tjera udhëhiqte Halil Kaloshi prej Dibrës së Poshtme. Njësia tjetër që e ndiqte ushtrinë tonë (serbe) në drejtim të Dibrës më 9 shtator 1913, në mëngjez ishte nja dhjetë kilometra larg Dibrës”, – thotë naçallniku serb , i cili raporton se për këto ka vënë në dijeni inspektorin e Beogradit në Shkup…… “Sipas marrëveshjes së lidhur me komandantin e Regjimentit të XIX në Dibër, Dibra nuk ka guxuar të lëshohet pa luftë, prandaj unë (raporton naçallniku) menjëherë i kam dhënë disa udhëzime që në qytet të sigurohet rendi, dhe së bashku me nëpunësit të lëshohet qyteti vetëm atëherë kur ushtria të tërhiqet prej aty”. -“Rreth orës 10 e 30 minuta (të 9 shtatorit 1913) lufta zhvillohet në qytet, asisoji që plumbat kishin filluar të bien edhe në zyrën e naçallnikut. Në orën 11 paradreke ushtria kishte filluar të tërhiqet”, – ka treguar autori i studimit…..“Në anën tjetër qytetarët shqiptarë na sulmonin, si prej dritareve, ashtu edhe prej dyerve, ashtu që as sytë nuk kemi mundur ti hapim prej zjarrit të pushkëve, dhe me vështirësi të madhe kemi shpëtuar kokën”, – raportonte më tej naçallniku serb…..Aq ka pasur plumba, saqë në rastin e hypjes në kalë, një plumb e ka goditur mbrojtësin e naçallnikut dhe ai ka vdekur në vend……Saktësisht në orën 12 në mesditë, Dibra kishte rënë në duart e shqiptarëve. Sipas të dhënave, në ball të udhëheqësve shqiptarë ishin Elez Isufi dhe Mersim Dema, si Komandantë të Përgjithshëm. Ndërsa si udhëheqës më të ulët kishin qenë Selman Alia, Halil Kaloshi, Haxhi Llan Kaloshi, etj. Atë ditë kryengritësit shqiptarë të drejtuar nga Elez Isufi dhe prijësit e tjerë popullorë: Sefedin Pustina, Selman Alia, Haxhi Llan Kaloshi, Isuf Xhelili, Mersim Dema, Ijaz Hoxha, Hazis Lila, Elez Koçi, Sheh Sula, Dan Cami, etj, organizuan sulmin e mëtejshëm të ndarë në tre kolona, si në drejtim të Strugës e Ohrit, të Mavrovës e Gostivarit. Me betejat e njëpasnjëshme luftëtarët shqiptarë çliruan Gostivarin, Tetovën, Strugën, Ohrin…ndërsa forcat serbe u tërhoqën me shpejtësi duke lënë 1000 ushtarë të vrarë, 300 ushtarë të zënë rob, si dhe u kapën 12 topa e materiale të tjera luftarake. Pas çlirimit të këtyre krahinave shqiptare, kryengritësit ngritën administratën në qytete e fshatra”, – shkruan autori i studimit. Naçallniku N. Çirkoviq në raportin e tij dërguar autoriteteve qeveritare në Beograd, shkruan se “Me të hyrë të kryengritësve në qytet (Dibër) bejlerët e këtushëm menjëherë e formuan qeverinë, ku për kryetar është zgjedhur Sejfedin Pustina”. “Zoti Çirkoviq tregon edhe për mirësjelljen e kryengritësve shqiptarë ndaj ushtarëve serbë, të plagosurve dhe atyre të zënë robër”, – ka konstatuar prej raportit të naçallnikut serb, autori shqiptar i studimit. Autori i studimit sjell në vëmendje fjalët e naçallnikut serb, i cili ka shkruar se “Shqiptarët menjëherë e rregulluan telefonin në mes të Peshkopisë dhe Dibrës, e vunë në përdorim aparatin që nuk përdorej në ushtrinë tonë. Menjëherë e themeluan edhe spitalin dhe filluan për ti shëruar të plagosurit tanë (serbët)”. …..“Shqiptarët ndaj të plagosurve dhe të zënëve robër janë sjellë me një korrektësi humane, ndërkohë që krejt ndryshe do të silleshin ushtarët serbë me popullsinë e pambrojtur, me gratë dhe fëmijët, që i therën me bajoneta dhe i dogjën të gjallë në zjarr”, – ka shkruar studiuesi i raportit. (22) Në këto zhvillime luftarake Golloborda ka dhënë kontributin e saj të dëshmuar. Kur i gjejmë të përmendur përfaqësuesit e Trebishtit, Steblevës dhe Ostrenit, përkatësisht emrat e Iljaz Hoxhës, të Hazis Lilës dhe Elez Koçit, përkrah atyre nga gjithë viset e tjera gollobordase e dibrane, kuptojmë jo vetëm pjesëmarrjen e trupave gollobordase që drejtoheshin prej tyre, por mësojmë se përfaqësues të Gollobordës kanë qenë të pranishëm edhe aty ku merreshin vendimet e goditjes mbi serbët. E kemi ditur se Hazis Lila dhe Elez Koçi janë dy veprimtarë me emër të dëgjuar për kontributin e tyre gjatë rezistencës antiserbe të viteve 1912 – 1914, por në shkrimet shqiptare jo një herë është përmendur edhe emri i patriotit Iljaz Hoxha nga Trebishti, si njëri nga organizatorët e spikatur të kryengritjes dibrane. Po kush ishte Iljaz Hoxha i rezistencës antiserbe të viteve 1912 – 1914? Jemi përpjekur ta identifikojmë këtë njeri, por kemi hezituar të prononcohemi prej mungesës së të dhënave të mjafta. Emrin e këtij veprimtari dhe luftëtari trim e kemi gjetur të shënuar në listën emërore të dëshmorëve të rezistencës antiserbe të popullit të Trebishtit që na u shërbye pranë Komitetit Kombëtar të Veteranëve të L.A.N.Ç. -it në Tiranë. Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Dibrës, Iljaz Hoxha është shpallur dëshmor i popullit shqiptar. Ishte i biri i Ismail Hoxhës nga Balaja e Trebishtit. Ka lindur në vitin 1875 në Trebisht – Bala dhe është vrarë në vitin 1913 në betejën e Topojanit, ku mori pjesë në krye të luftëtarëve nga Trebishti e Golloborda kundër ushtrive serbe. Duke e identifikuar Iljaz Hoxhën e Trebisht – Balasë si një ndër figurat më të shquara drejtuese të rezistencës antiserbe të Trebishtit, Gollobordës dhe Dibrës gjatë kryengritjes dibrane të shtatorit të vitit 1913, besojmë se i bëjmë një shërbim të vyer historisë së lavdishme të popullit të Trebishtit dhe Gollobordës. Por ndërkohë kemi qenë në dijeni se një tjetër njeri, i cili edhe ai mbante emrin Iljaz Hoxha, ka pas qenë një veprimtar i shquar i lëvizjes patriotike shqiptare, dhe ishte nga Trebishti. Një burim i mirëinformuar, për këtë njeri ka shkruar këto fjalë: “Në fund të shekullit të njëzetë, përkatësisht prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku Dibra e Madhe pëfaqësohej nga hoxhë Iljaz Hoxha nga Trebishti, e gjer në ditët tona kuadri fetar është në vazhdën e afirmimit dhe prezantimit të çështjes kombëtare shqiptare në përgjithësi”. (23) Duke gjykuar mbi moshën e Iljaz Hoxhës që ka lindur në Trebisht – Bala në vitin 1875 dhe ka rënë dëshmor më 1913 në luftën e Topojanit, na rezulton se ky veprimtar e luftëtar nuk është i njëjti me hoxhën Iljaz Hoxha nga Trebishti, i cili kishte qenë përfaqësues i Dibrës së Madhe në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 Qershor të vitit 1878. Është krejt e qartë se kemi të bëjmë me dy Iljaz Hoxha, por kemi të dhënën se të dy ishin nga Trebishti. Evidentimin dhe nxjerrjen në dritë të veprimtarisë së hoxhës Iljaz Hoxha nga Trebishti, që ka marrë pjesë në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e konsiderojmë si një ngjarje me vlerë tepër të madhe për historinë e Trebishtit dhe Gollobordës. Burra të moshuar nga Balaja e Trebishtit që i kemi kontaktuar për të marrë vesh mbi këto dy figura patriotike, hamendësojnë se Iljaz Hoxha i rezistencës së viteve 1912 – 1913 duhet të jetë një emnak trashëgimtar i hoxhës Iljaz Hoxha, që kishte qenë delegat në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

S'KA KOMENTE