Dhe një nxënës në klasën tuaj

168

(Vështrim tiflopedagogjik)

 

Dr.Hajri Mandri

Përjetimi emocional i fëmijëve me dëmtime pamore është i ndryshëm në momente të ndryshme gjatë stadeve  të edukimit të tij. Kështu mund të përmendim kalimin e tij nga jeta parashkollore në atë shkollore, periudhë kjo tepër e vështirë për fëmijën pasi institucioni i specializuar arsimor ndodhet vetëm në një qytet  dhe “migrimi” i tyre në moshë tepër të vogël shkakton tronditje të forta emocionale duke u  transferuar  nga shkolla speciale në atë publike.
Elementët (dukuritë)  që çojnë në përballimin sa më të suksesshëm të këtij fenomeni emocional janë a) ngrohtësia prindërore
b) ambienti i pranueshëm social të cilët çojnë në mënyrë krejt të pa vetëdijshme në transmetimin tek ai të energjisë së pazëvendësueshme shpirtërore (energji pozitive) që shërben si instrument dhe katalizator shtesë në procesin e të nxënit,
c) profesionalizmi i  mësuesit pedagogjik ndihmës i cili është i pajisur me njohuritë e nevojshme mbi pedagogjinë speciale, që shërben si pikë e fortë mbështetëse për nxënësin kur ai është në fazën e dytë të edukimit të tij dhe kalon nga shkolla speciale në atë publike.  Për rrjedhojë në vetëdijën e tij, afirmohet ideja e barazisë brenda rrethit të tij social-natyror. Në këtë mënyrë i kundërqëndrohet streotipit të krijuar se për këtë paaftësi ai duhet të shkollohet vetëm me fëmijët që kanë të njejtin status klinik.  Përgatitja dhe arritja e kompetencave që mundësojnë integrim dhe punësim është shërimi i tij, është ringjallja e besimit, shpresës, sigurisë së jetës, pavarësi ekonomike dhe çlirim psikologjik, ekuilibër moral dhe motivim në jetë.  Konkretisht çfarë duhet të bëjë mësuesja me këtë nxënës qysh në ciklin fillor për të arritur sukses në procesin e të nxënit?  Po japim këtë parashtrim tiflopedagogjik.
Në klasën tuaj vjen një nxënës me shikim të kufizuar.  Ju  patjetër që do të keni një përjetim emocional tronditës. Frustimi vjen në radhë të parë nga mëdyshja nëse jam unë një mësuese  kompetente dhe si duhet të veprojë në përputhje me nevojat e veçanta arsimore për këtë nxënës në klasë të rregullt.  Si do veprojë për akomodimin e tij psikologjik e social në klasë që të pranohet dhe të ndjehet i përfshirë në tërë procesin mësimor edukativ si gjithë të tjerët. Cilat janë barrierat dhe vështirësitë në të nxënë dhe çfarë duhet të bëj unë për t’i kapërcyer ato.  Çfarë plani individual  do të hartohet në mënyrë të posaçme për  të.  Si do ta presin nxënësit e tjerë  prezantimin para klasës, po mjedisi shkollor, po mësuesit e tjerë, po nxënësi vetë si do të ndjehet. Çfarë duhet thënë dhe çfarë nuk duhet thënë para tij. Si do të realizoj mobilitetin dhe si do t’i kapërcejmë testet psikomotorike, orientimi në klasë dhe shkollë.  Në fakt ky është  një nxënës që   ka disa nevoja të veçanta të cilat unë duhet t’i  identifikoj dhe  t’ia ofroj përgjatë procesit të të nxënit.     Kam edhe  një fëmijë të rritur pa prind  por ka të tjera nevoja të veçanta sepse ky është një rast social. Ka tjetër planprogram dhe të tjera vështirësi. Me siguri mungesa e shikimit është një pengesë më e rëndë.  Në zë i brendshëm sikur më shungullon nga thellësitë e ndërgjegjes.
Shfletoj literaturë tiflopedagogjike  dhe gjej mesazhe të mrekullueshme të fëmijëve me dëmtime pamore: “Mos më trajtoni si nxënës të verbër, por kurrë mos harroni se unë jam i verbër”
Nga vëzhgimet te  nxënës me dëmtime pamore, në moshën gjashtë vjeçare, kur ka nevojë më shumë për ngrohtësinë familjare, ndahet  nga familja për të vazhduar shkollën në Tiranë në institucion të specializuar arsimor, nxjerrim disa konkluzione psikologjike. Mungesa për një kohë të gjatë e familjes përbën një dramë të dytë për këtë nxënës.  Në netët që qëndron me leje pranë familjes, takimin me prindër ai e  përjeton si një gëzim të brendshëm, si një stimul që prodhon mjedisi familjar dhe një përmbushje morale. Atmosfera që krijojnë  njerëzit e gjakut përbëjnë një energji të pazëvendësueshme shpirtërore të çdo fëmije.
Kalimi i nxënësve nga shkolla speciale në shkolla publike me përkujdesin e mësueve ndihmës, me njohuritë e nevojshme mbi pedagogjinë speciale është një arritje e sistemit tonë të edukimit në rrafshin e gjithëpërfshirjes.  Produkti edukativ tek ky nxënës është shumë i madh. Fëmija rritet i lumtur në familjen e tij, ndjen ngrohtësinë familjare, nga dashuria e të afërmëve, lidhet me shokët dhe shoqet e lagjes dhe të të njejtit mjedis, dhe ndjehet më i sigurtë brenda rrethit të tij social natyror. Në vetëdijën e tij afirmohet ideja e barazisë dhe e trajtimit të njëllojtë duke mos u ndjerë i diferencuar,  zhvillon një personalitet bazuar mbi ndjenjën e të qenit pjesë e barabartë në një shoqëri që e ka pranuar si  të tillë.  Duke u rritur, ai kupton se nuk është një barrë e rëndë për familjen e tij. Nga ana tjetër gjithë rrethi familjar, prindërit, vëllezërit, motrat, shokët, shoqet, të afërmit përbëjnë kontekstin edukativ që fiton të drejtën të veprojë edhe mbi këtë fëmijë si gjithë fëmijët e tjerë, si instrument dhe katalizator shtesë në procesin e të nxënit dhe formimit të nxënësit  me dëmtime pamore. Në këtë mënyrë i kundërqëndrojmë streotipit të krijuar se për këtë paaftësi duhet të shkollohesh me fëmijët që kanë të njejtin status klinik. Natyralizimi i këtyre fëmijëve në mjedisin e hapur social, pavarësisht nga pengesat dhe vështirësitë që hasen, është e vetmja metodë edukative që krijon përvoja jëtësore dhe e aftëson nxënësin me aftësi të veçanta  të fitojë kompetenca të nevojshme jetësore dhe të mund të jetojë i çliruar nga komlekset dhe inferioriteti. Familja, mësuesi special, shkolla dhe instituti i specializuar janë katër komponentë që kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi arsimin dhe edukimin e nxënësit me dëmtime pamore.
Arritja e kompetencave që mundësojnë integrim dhe punësim është faktikisht shërimi i tij.
Tek nxënësi me dëmtime pamore është e rëndësishme që të ringjallet besimi, shpresa, gëzimi për jetën, siguria dhe shpresa, pavarësia ekonomike çlirimi psikologjik për të vendosur një ekuilibër moral, motivim dhe besim se është në gjendje ta përballojë jetën në një mënyrë të pranueshme.  Diagnostikimi i gjendjes klinike përcaktohet nga mjeku specialist: miopia, hipermetropia, astigmatizma, strabizma, verbëria e ngjyrave, nistagmus etj.
Mësuesi ka parasysh se përdorimi i syzeve, kohëzgjatja për të kryer një detyrë, ndriçimi i mirë në klasë, libra të zmadhuar ose brajl  janë disa mjete që duhen mbajtur parasysh nga mësuesi.
Literatura mbi Defektologjinë si shkencë dhe mbi Tiflopedagogjinë si degë e saj, ndihmon mësuesin për të kuptuar më mirë nevojat dhe metodologjinë e punës pedagogjike me këtë nxënës. Eshtë mjaft e rëndësishme që të nxirren të dhëna psikometrike dhe pas ekzaminimit, bazuar në nivelin e njohurive, përshtatet përshkallëzimi i njohurive që do të marrë në progres.
Me rigorozitet duhen zbatuar rregullat që kushtëzojnë mundësitë në procesin e të nxënit dhe në aftësitë psikomotore dhe fizike të nxënësit me dëmtime pamore. Duke njohur barrierat, ne mund të orientojmë procesin pedagogjik drejt rehabilitimit kulturor.
Shkolla dhe mjedisi social a janë të përgatitur për të realizuar këtë objektiv arsimor ?
Mungesa e stafit të kualifikuar disaprofilësh në mënyrë të veçantënë fushën e pedagogjisë speciale duhet të shtrihet në rrjet të gjerë tek mësuesit dhe në mënyrë të vecantë te profili i Ciklit Fillor. Në këtë moshë shërbehet më mirë dhe efektiviteti rehabilitues është më i madh.  Klasat, kur janë  të mbingarkuara me mbi 35 nxënës nuk janë të përshtatshme për të akomoduar një nxënës me probleme të veçanta.
Situate psikologjike e nxënësit  që nuk shikon  është më pak tragjike se ajo e nxënësit që nuk dëgjon.  Mungesa e shikimit pavarësisht barrierave të lejon ta  gëzosh jetën duke përjetuar kënaqësi të shumta shpirtërore. Mjafton të integrohen dhe të mos lihen të vetmuar. Duhen aktivizuar dhe kualifikuar. Ata duan edukim special, që do të thotë përkujdesje më e madhe, natyrisht dhe me kosto më të lartë se  arsimimi i nxënësit  normal.
Akomodimi në shkollat publike, aty ku ka mundësi të arsimohet nxënësi me kufizim pamor, është një synim i arsimit të sotëm modern dhe i pedagogjisë së sotme bashëkohore. Në planin ndërkombëtar është një detyrim për shtetet dhe shoqëritë dhe për rrjedhojë edhe për Shqipërinë, në reformat e saja për një arsim modern, cilësor e gjithpërfshirës.
“Shkollat e rregullta me orientim gjithpërfshirës janë mjeti më i mirë për të luftuar qëndrimet diskriminuese, për të ndërtuar komunitete pranuese, për të ndërtuar shoqëri gjithpërfshirëse dhe për të arritur arsimin për të gjithë; përveç kësaj, ato sigurojnë arsim efikas për shumicën e fëmijëve dhe përmirësojnë efikasitetin dhe në fund të fundit edhe koston e gjithë sistemit arsimor.  ”   Sistemet më të avancuara të arsimit në Evropë kanë hyrë në dekadën e tretë të zbatimit të politikave gjithpërfshirëse. Më tej në dokumente ndërkombëtare përcaktohet qartazi vizioni dhe reforma në arsimin special.
Në Konventën e KB për të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara, ( 2006) theksohet : “Personat me aftësi të kufizuara nuk janë të përjashtuar nga sistemi i përgjithshëm arsimor në bazë të aftësisë së kufizuar”, atyre duhet t’u sigurohet “akomodim i arsyeshëm” dhe “përkrahje e nevojshme” për mësim…  Po kështu në Udhëzimet e UNESCO-s për gjithëpërfshirje (2005) ku flitet për  qasjen në arsim për të gjithë  cilësohet që “ të sigurohet që të gjithë fëmijët kanë qasje në edukim themelor të cilësisë së mirë. Kjo nënkupton krijimin e një mjedisi në shkolla dhe programe të arsimit themelor, ku fëmijët kanë mundësi dhe u mundësohet mësimi”; Ndërsa te  Programi Kryesor i UNESCO “Arsim për të gjithë” (2001 nënvizon të drejtën për arsim për personat me aftësi të kufizuara ndaj përfshirjes; Shkolla  duhet dhe ka për detyrë  t’i akomodojë të gjithë fëmijët pavarësisht nga gjendja e tyre fizike, intelektuale, sociale, emocionale, gjuhësore apo ndonjë gjendje tjetër. Kuptohet rëndësia që merr edukimi i specializuar. Ndaj del problemi që mësuesi dhe shkolla të jenë në lartësinë e këtij misioni.
Një varg aktivitetesh që duhet ndërmarrë nga  mësuesi i cili në klasë ka një nxënës me dëmtim pamor.  Përfshirja në procesin mësimor dhe në klasë nuk ka shumë vështirësi, sepse mungesa vetëm e të parit, është më e lehtë në aspektin arsimor sesa për dëmtimet tjera. Nxënësit që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin  kanë shumë lehtësi në pavarësimin e tyre në kuptim të lëvizjes dhe plotësimit të nevojave të veta, vetëm se për ta, duhet një qasje e veçantë në komunikim, duke përdorur gjuhën e shenjave, që i veçon ata nga pothuaj i tërë komunikimi që zhvillohet në klasë.
Ndryshe është për nxënësin  me dëmtime intelektuale, ku procesi është mjaft më i vështirë dhe më i komplikuar, që kërkon qasje të mësuesve me njohuri specifike në pedagogji speciale me program të individualizuar mësimi dhe aktiviteti sipas fushavë të veprimit dhe llojit dhe nivelit të paaftësisë.
Për nxënësin me dëmtim pamor me pak mbështetje dhe bashkëpunim, integrimin e tyre në një klasë të rregullt mund ta bëjë çdo mësimdhënës që është kompetent për mësimdhënie në një klasë. Ata nxënës që nuk kanë dëmtime të tjera, e realizojnë tërësisht planprogramin arsimor, pa  reduktim, atyre vetëm u duhen përshtatur mënyrat dhe mjetet e mësimdhënies, por jo edhe objektivat që synohen të arrihen. Mbështetja nga inistitucione të specializuara dhe nga mësuesi ndihmës me metoda bashkëkohore,  si dhe puna ekipore për Planin individual arsimor dhe përkrahja nga shkolla  dhe familja, e bën secilin mësues efektiv dhe të motivuar për të menaxhuar një klasë ku ka një ose disa nxënës me dëmtime pamore.
Mësuesi duhet ta përgatisë klasën, në mënyrë që ata ta presin sa më mirë nxënësin me atësi të kufizuar që ai të mos ndjehet i veçuar.  Nxënësve u duhet shpjeguar për kufizimet, potencialin intelektual dhe  mundësitë që ka nxënësi i ardhur.  Të arrihet ndjenja e solidaritetit, respektit, duke mos përdorur fjalë që stigmatizojnë dhe fyejnë personalitetitn e nxënësit me probleme. Në këtë rast nxënësi fiton besim, motivohet dhe ndjehet i barabartë. Keqkuptimeve që mund të ndodhin nga pyetjet naive dhe stigmatizuese, mësuesi duhet t’u paraprijë me përgatitjen psikomorale të klasës.
Njohja me mjedisin është i rëndësishëm se i siguron nxënësit siguri në lëvixje. Mjediset që nuk i njeh dhe janë të pa strukturuar në memorje, nxënësin me problem pamore e stresojnë dhe e lodhin, sistemimi i klasës duhet të ruaj sa më gjatë gjendjen pasi çdo ndryshim prek skemën mendore të orientimit. Të ruhet renditja e tavolinave  dhe nxënësve si dhe  mjetet materiale që përdoren në klasë si rafte, komedina, kondicionerë lëvizës, aparate projeksioni, po kështu edhe mjedisi i jashtëm si shkallët, pragu, pengesat në oborrin e shkollës etj., të cilat duhet t’i bëhen të ditura nxënësit.
Vendosja e nxënësit me shikim të kufizuar në bankën e parë është më e përshtatshme, me përjashtim kur duam të akomodojmë një kompjuter që mund ta vendosim në bankën e fundit, por dhe kërkon zmadhim figure në ekran apo me libra të zmadhuara. Nëpërmjet kamerës ai manipulon në kompjuter dërrasën e zezë dhe kontrollon derën e klasës dhe hyrje-daljet.  Një detyrë e përherëshme e mësuesit që punon me nxënësit me dëmtim pamor është verbalizimi i narrativës. Ai duke mos i parë lëvizjet dhe gjestet tona , ka nevojë që ta përshkruajmë me fjalë sa më hollësisht veprimin me qëllim që të mos krijojmë përfytyrim të gabuar në situatë ligjërimore. Në mësimdhënie, ne përshtasim format e mësimdhënies në programet individuale, por nuk  ulim kriteret. Ai nuk do të jetë i privilegjur, por të jetë i barabartë.
Duhet ta mësojmë nxënësin të rrisë pavarësinë dhe të fitojë kompetenca vetjake pasi në jetë nuk do të ketë gjithmonë një mësues që ta instruktojë. Jepi mundësi që nxënësi të ndërtojë vetë ide realizuese në kontekst duke i thënë së pari si mund ta realizosh këtë apo atë veprim. Do të bindesh që ai ndërton ide dhe është mjaft konstruktiv, dhe ne në këtë rast jemi nën veprimin e një metode pedagogjike moderne dhe bashkëkohore të edukimit. Mësuesi dhe bashkëbiseduesit kur komunikojnë me nxënësin pa shikim duhet të bëjnë kujdes që të mos përdorin shprehjet   “e keni parë”,  ose “ Shiko këtu…” etj. , të cilat do ta lëndonin dhe do t’i kujtonin atij gjendjen e rëndë kufizuese.
Plani individual arsimor është një pjesë e rëndësishme e punës me një fëmijë me dëmtime pamore. Ky dokument pedagogjik është platforma e punës individuale që planifikon sistematikisht  mësimdhënien e nxënësit me aftësi të kufizuar. Ka një model strukturor për këtë dhe nuk bëhet vetëm nga mësuesi. Programi përqëndrohet në pjesën administrative, pedagogjike dhe rehabilituese. Ky program hartohet nga një grup pune i veçantë pranë DAR-eve. Mjetet ndihmëse tifloteknike ofrohen nga institucioni i specializuar si llupa, banka portative, librat e zmadhuar, librat në brajl, programi i instaluar në telefon për komunikim (elektroorganizeri), librat akustikë, fletë në termoforma  etj

Përfundime:
-Integrimin social është një hap para drejt arsimit gjithëpërfshirës, por ende mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim.
-Të kalojmë nga modeli mjekësor në modelin social, si një qasje e re dhe moderne për të afrur një shërbim cilësor edhe për nxënësit me vështiësi në të nxënë
-Mësuesi që punon me nxënës me probleme pamore duhet të shfrytëzojë literaturë dhe të rrisë njohuritë mbi tiflopedagogjinë
-Të bashkëpunojë në grup me komisionin e ngritur në bazë shkolle për vlerësimin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor në zbatim të programit të individualizuar.
– Të krijojë një mjedis të përshtatshëm psikologjik, social dhe tifloteknik në klasë.
– Të vendos bashkëpunim të ngushtë me prindin e nxënësit për të arritur kompetencat sipas objektivave të vendosura në planprogram.

Literatura dhe burimet:
– UNESKO, 1994. Deklarata Salamanca  dhe Korniza për Veprim në nevojë për arsim special.
– UNICEF, social monitor 2002. Prirje social në tranzicion.
– Cilëia e jetës në shkollë, projekti Monee, Firence 2002.
– Instituti arsimi special Genspool, Bruksel, Belgjikë. ( Nga vizita për shkëmbim përvoje )
– Instituti i Nxënësve që Nuk Shikojnë Tiranë. (Përvojë në drejtim dhe mësimdhënie.)
– H. Mandri. Tiflopedagogjia. Tiranë 2011

S'KA KOMENTE