Vdekja tragjike e tre minatorëve kinezë, lajm i kobshëm. Nishani: hetim përgjegjësve

135

PRESIDENTI NISHANI: Gjej rastin të përsëris apelin tim institucional, por edhe njerëzor, që të merren të gjitha masat e nevojshme teknike në mënyrë që ngjarje të tilla të rënda e tragjike të mos përsëriten më në galeritë e minierave shqiptare si dhe të vënies para përgjegjësisë së shkaktarëve të mundshëm

 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur ngushëllimet për humbjen tragjike të jetës së tre minatorëve kinezë në Bulqizë. Kreu i shtetit shqiptar ka shprehur ngushëllimet dhe dhimbjen për humbjen tragjike të jetës nga tre minatorët kinezë në minierën e Bulqizës, trupat e të cilëve u gjetën më 9 shkurt 2017 në mbrëmje, pas gjashtë ditë kërkimesh intensive.
Nishani apelon institucionet përgjegjëse të merren të gjitha masat e nevojshme teknike në mënyrë që ngjarje të tilla të rënda e tragjike të mos përsëriten më në galeritë e minierave shqiptare si dhe të vënies para përgjegjësisë së shkaktarëve të mundshëm.
“Tragjedia e papritur e ndodhur në minierën e Bulqizës ditën e shtunë (më 4 shkurt) si pasojë e shpërthimit të gazit hidrogjen, që fatkeqësisht bllokoi nëntokë në krye të detyrës tre minatorë, duke plagosur edhe tre të tjerë, për më tepër qytetarë kinezë, të cilët punonin dhe jetonin në vendin tonë, duke u përpjekur të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, më ngjalli një ndjenjë ankthi të parrëfyer për fatin e tyre.
Gjatë gjithë këtyre ditëve i kam ndjekur me vëmendje dhe shqetësim, pse jo edhe me shpresë, përpjekjet e mundimshme që po bëheshin për shpëtimin e tyre, por mbrëmë më mbërriti lajmi i kobshëm për gjetjen e trupave pa jetë të tre minatorëve, të cilin e prita me hidhërim të madh.Gjej rastin të përsëris apelin tim institucional, por edhe njerëzor, që të merren të gjitha masat e nevojshme teknike në mënyrë që ngjarje të tilla të rënda e tragjike të mos përsëriten më në galeritë e minierave shqiptare si dhe të vënies para përgjegjësisë së shkaktarëve të mundshëm.
Me këtë rast të dhimbshëm dëshiroj të shpreh si Kryetar i Shtetit, por edhe në emër të gjithë qytetarëve ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin për familjet dhe të afërmit e viktimave dhe të ndaj me ta solidaritetin e mbarë popullit shqiptar për ata tre njerëz punëtorë dhe të sakrificave”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të presidentit Nishani.

Ngjarja tragjike  e 4 shkurtit në minierën e Bulqizës
Ka përfunduar tragjikisht ngjarja e ndodhur në nivelin e 21-të të minierës së  Bulqizës,  të shtunën e 4 shkurtit 2017, ku nga shpërthimi i gazit mbetën të bllokuar tre minatorë kinezë. Burime nga kjo minierë bënë të ditur se të enjten, më 9 shkurt në mbrëmje, janë gjetur trupat e tre minatorëve fatkeqë. Tashmë pritet ekspertiza mjekësore. Grupet e ekspertëve të Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave së bashku me kompaninë koncesionare dhe nënkontraktorin kinez, u përpoqën shumë gjatë katër ditëve për të shkuar në zonën e nivelit 21, por pa sukses. Bilanci përfundimtar i kësaj ngjarje tragjike është tre të vrarë dhe tre të plagosur.
Më 6 shkurt  RISHM-i arriti të fusë tubacionet, duke rregulluar sistemin e ventilimit dhe të ajrimit për pastrimin e ajërit nga gazi, si dhe të lirimit të grykës së pusit nga dherat e shembura. Kështu është bërë e mundur që të lokalizohej vendodhja, duke gjetur të pa jetë 3 shtetasit kinez, R.G, specialist sigurimi i pusit, H.J, kryepunëtor, dhe H.A punëtor.
Më 4 shkurt, rreth orës 13.00 në pusin 41, niveli 21 në minierën e kromit në Bulqizë ndodhi një shpërthim, ku u dëmtuan fizikisht tre punëtorë kinezë, për shkak të gazit helmues dhe shembjeve të mëdha, ndërsa mbetën të bllokuar në minierë tre minatorët kinezë, të cilët humbën jetën.

Ambasadorja kineze, në Bulqizë

Për të ndjekur situatën nga afër në ambjentet e minierës së Bulqizës ishte edhe Ambasdorja e Kinës në vendin tonë, Jang Ju.  Ajo shprehu respekt për qeverinë shqiptare, për përpjekjet e saj në këtë situatë të krijuar, duke theksuar se jeta e minatorëve është parësore dhe se duhet të bëjmë përpjekjet maksimale për mbrojtjen e jetës së tyre.
Në fjalën e saj Ambasdorja kineze shprehu respekt për qeverinë shqipatare për përpjekejet e saj në këtë situatë të krijuar, duke theksuar se jeta e minatorëve është parësore dhe se duhet të bëjmë përpjekjet maksimale për mbrojtjen e jetës së tyre.
Ambasdorja Jang Ju ka mbërritur pasditen e së shtunës  (4 shkurt) në Bulqizë, për të ndjekur nga afër operacionet e kërkimit të tre minatorëve kinezë të bllokuar në minierën e kromit, pas incidentit që la të plagosur tre minatorë të tjerë, edhe ata kinezë.
Për të ndihmuar kërkimet, në vendin e ngjarjes mbërritën ekipet e seksionit të Avari-Shpëtimit, specialistë të RISHMIT, por edhe specialistë të policisë nga komisariati i Bulqizës, që ka ngritur një grup hetimor.
Rreth orës 18 e 30, tre inxhinierë, dy oficerë të Krimeve dhe një i kriminalistikës në komisariatin e Bulqizës kanë zbritur në galeritë e minierës deri në nivelin e pestë, ku fillon gryka e pusit 21, ku po kryhen punime.
Mësohet se ata e kanë patur të pamundur të vijojnë lëvizjen në brendësi të pusit, pasi rrjedhja e gazit në vëllim të madh vazhdonte.  Nga mbikëqyrja që i kanë bërë vendit të ngjarjes ka rezultuar se, nga shpërthimi i gazit të hidrogjenit janë dëmtuar sistemi i ajrimit dhe ventilimit, si dhe bazamenti anësor i pusit.
Në këto kushte, inxhinierët dhe grupi hetimor i policisë kanë dalë në sipërfaqe, për t’ua lënë vendin specialistëve të RISHMIT, të cilët kanë nisur punën për riparimin e ajrimit dhe ventilimit, si dhe për largimin e dheut që ka vërshuar pas shpërthimit.

Ekipet e Avari-Shpëtimit, gjashtë ditë kërkime

Rreth 40 punonjës të ekipeve të avari – shpëtimit, të ardhur nga Tirana dhe ata të minierës së Alb Chrome kanë nxjerrë  më 9 shkurt 2017, pas gjashtë ditë kërkimesh tre trupat e pajetë të minatorëve kinezë nga miniera e Bulqizës. Duke humbur çdo shpresë për gjetjen e tyre gjallë, pas shpërthimit të gazit në minierë, tre minatorët kinezë ngelën të bllokuar që prej ditës së shtunë, (4 shkurt), ku si pasojë e shpërthimit të gazit hidrogjen u plagosën tre minatorë kinezë dhe mbetën të bllokuar tre të tjerë, edhe ata shtetas kinezë. Për të monitoruar sitauatën prej një jave, i pranishëm për ngjarjen e ndodhur në minierën e Bulqizes ka qenë dhe vetë zv/ ministri i Energjitikës dhe Industrisë, Gëzim Musabelli.
Zv ministri Gëzim Musabelli pasi shprehu ngushëllimet për familjarët e minatorëve kinezë, të cilët humbën jetën në këtë minierë, tha që shkaku i shpërthimit të gazit hidrogjen nuk ka qenë mungesa e moszbatimit të rregullores së sigurimit teknik nga ana e specialistëve kinezë, por e ka quajtur një fenomen që mund të ndodhë edhe në miniera të tjera. Ndërkohë zv/ ministri është shprehur se do të ketë një analizë të thelluar nga ana e ministrisë me të gjthë instacat, për zbardhjen e këtij aksidenti.
Sipas Policisë lokale të Bulqizës bëhet me dije se tre trupat e pajetë të minatorëve kinezë, të cilët u nxorën nga thellësia e nëtokës janë dërguar drejt IML, (Instituatit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë).  Ndërkohë puna në minierën e Bulqizës vijon të jetë e bllokuar edhe për minatorët e tjerë të kompanisë Alb Chrome, të cilët punojnë për nxjerrjen e mieralit të kromit.

S'KA KOMENTE