Bashkia Bulqizë, buxheti i vitit 2017 miratohet pa praninë e opozitës

351

Kryebashkiaku Damzi: Është e natyrshme që prioritet kryesor të jetë infrastruktura, kryesisht në qytetin e Bulqizës me 13 mijë banorë, por edhe përmirësimi i sistemit të Ujësjellësit e atij të vaditjes në Njësitë Administrative ish-komuna. Gjithashtu kemi rritje të buxhetit për ndërmarrjen e pastrim-gjelbrimit, me qëllim përmirësimin e  shërbimeve nga kjo ndërmarrje, jo vetëm në qytet por deri në fshatrat më të thellë të bashkisë Bulqizë

Në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, u zhvillua mbledhja e radhës e këtij Këshilli e muajit shkurt, ku u miratua projekt buxheti i vitit në vazhdim, 2017- të. Në fillim të mbledhjes, kryetari i grupit të këshilltarëve të djathtë, Mentor Lala, kërkoi fjalën në emër të grupit,  ku kontestoi zhvillimin e kësaj mbledhje, duke kërkuar që ajo të shtyhet, pasi sipas tij, më parë duhej zhvilluar analiza ekonomiko-financiare e vitit të kaluar. Por me gjithë insistimin e këshilltarëve të opozitës nuk është gjetur mirëkuptimi për këtë çeshtje jetike. Për propozimin e këshilltarëve të djathtë, drejtori i Financës, Rustem Biçi, ka thënë se  nuk ka bazë ligjore dhe si i tillë u hodh poshtë nga  shumica e këshilltarëve të majtë. Pas këtij qëndrimi absurd, këshilltarët e djathtë  detyrohen të largohen nga mbledhja. Kështu,  mbledhja më e rëndësishme e “parlamentit” lokal të bashkisë vijoi vetëm me përfaqësuesit e majtë, të cilët plotësonin kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e saj.
Raportin për buxhetin e mbajti drejtori i Financës së Bashkisë, Rustem Biçi. Më pas këshilltarët e pranishëm bënë pyetje e diskutime, ku ngritën çështje konkrete që kishin të bënin kryesisht me investimet e planifikuara për 2017-tën.
Në fund, me 50 përqind plus 1 të votave projekt buxheti u miratua.
Për të qartësuar pozicionet dhe prioritetet e këtij buxheti, për  mikrofonin e TV Bulqizës folën kryebashkiaku Melaim Damzi dhe këshilltari Munir Sinani.
Kryebashkiaku Damzi, duke u shprehur për prioritetet e buxhetit të këtij viti e vuri theksin tek mirëshpërndarja e tij, në funksion të garantimit të shërbimeve për qytetarët. Ai tha se është e natyrshme që prioritet kryesor të jetë infrastruktura, kryesisht në qytetin e Bulqizës me 13 mijë banorë, por edhe përmirësimi i sistemit të Ujësjellësit e atij të vaditjes në Njësitë Administrative ish-komuna. Gjithashtu ai u fokusua tek rritja e buxhetit për ndërmarrjen e pastrim-gjelbrimit, me qëllim përmirësimine  shërbimeve nga kjo ndërmarrje, jo vetëm në qytet por deri në fshatrat më të thellë të bashkisë Bulqizë.
Ndërsa këshilltari Munir Sinani, pasi e konsideroi një buxhet për të gjithë qytetarët tha se duhet punuar për të thithur sa më shumë investime nga qeveria për projektet prioritare për Bulqizën.

S'KA KOMENTE