BULQIZA, NJË MINIERË ME HISTORI

496

Prof.Dr.Gafur MUKA

Ishte vjeshta e vitit 1977 kur unë e kam takuar për herë të parë inxhinier Hamzanë. Por për të kisha dëgjuar që kur isha nxënës në shkollën tetëvjecare të Zerqanit. Ai ishte një nga emrat e grupit të atyre djemve që fshati i kishte nisur “për shkollë”. Dhe “të niseshe për shkollë” në ato vite do të thoshte jo vetëm të futeshe në rrethin e njerëzve që do të bëheshin diçka por edhe të ishe model për më të rinjtë që ëndërronin të bëheshin dikushi. Atëbotë emri i Hamza Gurrës përmendej së toku me emrat e Medi Canit, Zenel Sulës, Veli Zogut, Ahmet Kamberit, Përparim Sinanit, Luftim Kukës e plot të tjerëve që, pas studimeve kishin arritur të bëheshin djem të zot. Kujtoj, që kur këta djem,  psh me rastin e festës së vitit të ri, ktheheshin në fshat, vetë fshati merrte tjetër nur.
Sidoqoftë, në vitin tashmë të largët 1977 unë kisha filluar stazhin e punës si inxhinier markshejdër në Minierën e Bulqizës, biles në një nga sektorët më të mëdhenj të saj-sektorin e dytë të Zonës D. Ditën kur takova inxhinier Hamzanë më erdhën në mendje gjithë kujtimet e moshës shkollore dhe, më së pari, shijova kënaqësinë e realizimit të dëshirës për të njohur  një person impresionues, jo vetëm nga kujtimet e hershme por edhe të një inxhinieri tashmë vërtet me emër. Hamzai me trupin e tij të ngjeshur, disi të shkurtër, me fytyrën e qeshur dhe humorin e këndshëm binte në sy edhe me flokët e tij kacurrela por, ama, krejt të thinjur. Këtë cilësinë e fundit e kisha, natyrisht pa dashjen time, edhe unë.
-Unë jam Hamzai- tha shkurt ai, dhe vazhdoi: flokët nuk i kemi krejt njëlloj por, sidoqoftë, në këtë pikë jemi shumë afër njëri tjetrit.
-Dhe të dy jemi nga e njëjta krahinë- shtova unë. Biles, si nip Zerqani, mund të shpresoj të kem favore më të mëdha se flokët- vazhdova më tej.
-Favore thua, as që bëhet fjalë për to. Më mirë thuaj kemi një rrugë të përbashkët, pasi rrugës njihen tamam huqet- vazhdoi ai me një humor vërtet të këndshëm.
Dhe, në rrjedhën e viteve unë mendoj se kam njohur shumë “huqe” të inxhinier Hamzait. Me këtë rast më lejohet ti përmend disa prej tyre….
Hamza Gurra është një inxhinier që e ka bërë “jetën dhe veprën” në galeritë e Bulqizës. Jo vetëm pse ka punuar e jetuar “50 vjet në Bulqizë”, siç shkruan vetë ai në këtë libër por, në rradhë të parë sepse me punën e tij ai është evidentuar gjithnjë si inxhinier i zoti. Nuk janë vetëm shokët dhe miqtë e tij që e vlerësojnë kështu por, edhe ato që e kanë pasur “ferrë” në realizimin e prapaskenave janë të detyruar ta pohojnë këtë.
Mendimet e pjekura profesionale, erudicioni i madh, gatishmëria për të marrë përsipër punë të vështira dhe për tua dalë mbanë, njëkohësisht edhe për të ndihmuar të tjerët, rigoroziteti në punë por edhe çiltërsia në komunikim, zëri i tij i lartë në biseda dhe e qeshura gurgulluese në situata humori, portretizojnë mbi të gjitha një individ për tu respektuar.
Duke u bërë një nga miqtë e tij unë i kam njohur edhe një “huq” të vecantë: atë të të pasionuarit pas muzikës klasike. Unë e di se cfarë kanë “hequr” Bethoveni, Vivaldi, Verdi e plot të tjerë në galeritë e Bulqizës. Me këtë pasion Hamzai demostronte një shpirt të veçantë artisti. Jam i bindur se ka qenë vetëm koha (kupto sistemi) ai që e mbajti vendosmërisht larg ëndrrës për tu bërë njeri i skenave. Sidoqoftë ai hyri në skenën e nëntokës… Dhe këtu shpalosi angazhimin e tij për të bërë më të mirën. Edhe pse qe- tani na lejohet ta themi troç- inxhinier “ me njollë” pse i ati kishte bërë burg, vetëm për fajin se ishte njeri i kulturuar, tamam në kohën kur kultura jashtë skemave të rregjimit  ishte mëkat i madh, ai arriti me punën e tij të fitonte atë rrespekt që lind vetiu tek njerëzit që të rrethojnë dhe jo rrespektin e të emëruarit në poste e të ushtruarit të posteve.
Po ja, një “huq” nuk ia paskam njohur . Pikërisht këtë të të shkruarit. Jo se më befasoi shumë kur më tha se dua të shkruaj diçka për qytetin e Bulqizës por, kur ma dha të përfunduar dorëshkrimin përjetova emocionin e një dhurate që nuk e prisja. Tani që e kam lexuar jam i kënaqur që nuk më kishte shkuar mendja për këtë. E para sepse ndjeva kënaqësinë e një suprize të këndshme dhe e dyta sepse mësova plot histori të dobishme.
Hamza Gurra e ka shkruajtur këtë libër më së pari me ndjesinë e një artsti. Ai ka ekspozuar në të këndvështrimin e tij ndaj punës e jetës në minierë dhe në gjithë peisazhin socio-kulturor të zonës. Qyteti i Bulqizës me banorët e tij , Zerqani, Fushë Bulqiza, Maqellara, Shupenza, Luznia, Mirdita e… gjithë Shqipëria hyjnë natyrshëm në gjeografinë e përshkrimit. Të njohurit e miqtë e tij, së toku me plot bashkëkohës popullojnë po natyrshëm lagjet e kujtesës së autorit.
Përditshmëria e aktivitetit brenda e jashtë minierës, vështërsitë e një pune gjithsesi të pavlerësuar , vetë jeta e kuadratuar në ecejake rutinë po edhe me tragjizmin e humbjes së saj,  lënë gjurmë emocionuese në kujtesën e lexuesit. Portretizimet e thjeshta dhe të ngrohta, të shkurtëra dhe  të qëlluara, me pamje nga larg apo në ambiente pune, fokusohen tërësisht në angazhimin njerzor për të bërë detyrën edhe pse, shumë prej tyre e humbën jetën pikërisht atje ku ata derdhën djersën për të mbajtur gjallë familjet e tyre. Libri është një homazh i merituar për ta. Ai vjen edhe si një dhuratë modeste për të gjithë ata që punuan e jetuan në Bulqizë si punonjës miniere apo të punësuar në aktivitetet e tjera në shërbim të minierës.
Hamza Gurra e ka shkruajtur këtë libër edhe me përgjegjësinë e specialistit. Ai është angazhuar ta paraqesë të plotë Bulqizën si një trevë me pasuri të shumta ku, padyshim, minerali i kromit është më i rëndësishmi dhe njëkohësisht më i çmuari. Duke e lexuar librin informohesh me saktësi inxhinierike mbi gjeologjinë e vendburimit, strukturat mineralmbajtëse , sistemet e shfrytëzimit e… plot të tjera. Në këtë paraqitje duket sikur inxhinier Hamzai është akoma atje në zyrën e tij me merakun për të bërë një projekt sa më të mirë, duke i inventarizuar të gjithë faktorët ndikues dhe duke llogaritur me laps në dorë gjithë çfarë i duhet për këtë. I papërtueshëm të japë shpjegime mbi idetë e tij edhe në libër bie në sy përkushtimi për të thënë e argumentuar gjithshka duke i dhënë përmbajtjes natyrë të spikatur inxhinierike.
Hamza Gurra e ka shkruajtur këtë libër edhe me angazhim qytetar. Bulqiza dhe qytetarët e saj kaluan një kohë bukur të gjatë kur vlerësimi për kontributin e tyre ishte thjesht një “kartolinë respekti”. Në këtë “kartolinë” binte menjëherë në sy slloganiteti standart. Shpërblimi për qytetin ishin vetëm ato pallatet ku mund të strehoheshe sa për të mos qenë jashtë, ndërsa shpërblimi për “heronjtë e kohës” ishte thjesht mbijetesa.
Produktin e këtij vlerësimi e konstaton kushdo që e viziton Bulqizën. Por, për ata që kanë punuar e jetuar në Bulqizë ajo mbetet Hirushja e Andersenit që, gjithsesi pret ti vijë ndonjë ditë “djali i mbretit” për ti dhënë gjithë çfarë ajo meriton.  Libri i inxhinier Hamzait është një mesazh, përmbajtja e të cilit informon qartazi për shumëçka ka dhënë Bulqiza por edhe për shumëçka ajo ofron, duke mbetur akoma në pritje të….”djalit të mbretit”.

S'KA KOMENTE