KROMI I BULQIZËS KA PUSHTUAR TREGJET E BOTËS

2022

Ing.KURT SKARRA

Nga miniera, që nga viti 1948, janë nxjerrë mbi 15 milion ton krom dhe për të nxjerrë këtë sasi janë kryer mbi 100 mijë km punime minerare. Në vitet 1975-1990 intensiteti punës dhe trysnia për rritjen e prodhimit kanë qenë në kulmin e veprimtarisë. Në këto vite pushtetarët e të gjitha rangjeve qëndronin në Bulqizë dhe kërkonin rritje të prodhimit sepse përbënte të ardhurat kryesore për ekonominë e vendit
Bulqiza është një trevë e cila shtrihet në pjesën verilindore të vendit  dhe përfshihet në prefekturën e Dibrës.  Jeta në këtë zonë zhvillohet në dy dimensione. Në të vërtetë janë dy Bulqiza, Bulqiza që shtrihet gjeografikisht dhe Bulqiza e nëntokës. Nëntoka e Bulqizës përfaqëson, pjesë të jetës dhe dinamizmit të punës ku ushtrojnë profesionalizmin e tyre mbi 3000 punonjës të cilët ushqejnë mbi 15 000 jetë njerëzish, gjithashtu i ka dhënë Bulqizës, emër dhe zhgënjim. I ka dhënë emër sepse minerali kromit i nxjerrë nga nëntoka ka pushtuar tregjet e botës dhe ka krijuar tek të huajt,  imazhin  e një qyteti dhe treve shumë të zhvilluar, zhgënjimi qëndron në faktin se minerali kromit është përdorur për të investuar në zonat e tjera të vendit dhe jo në vetë Minierën dhe Bulqizën.
Miniera e kromit  Bulqizë është unikale në botë për pozicionin gjeografik të saj, për sasinë dhe cilësinë e rezervave, për pozicionin dhe formën e shtrirjes mineralizimit të kromit, për metodat  hapjes së vendeburimit si dhe për  mënyrën e shfrytëzimit, është vendburimi më i madh i Shqipërisë dhe ndër më të mëdhenjtë në botë.

Vendburimi kromit ndodhet në qendër të masivit ultrabazik me të njejtin emër. Eshtë një vendburim me shtrirje dhe përmasa të mëdha. Trupi xeheror i kromit ka formë damarore shtresore me elementë të rregullt në shtrirje dhe në rënje. Në  shtrirje  shkon mbi 2.5 km dhe në rënje nga pjesa jugore +1440 ml Traverbanku C deri në horizontin – 400 ml nën nivelin e detit  në Pusin nr 2.Trupi xeheror i kromit ka trashësi nga 1.5 ml deri në 3 ml dhe në sinklinale ( lidhjen e krahëve ) ose Ulluqe shkon 8 – 10 ml trashësi.

Cilësia e kromit varion sipas krahëve të tij, por në përgjithësi cilësia është e grupit 40 – 42 % Cr2O3
Për arsye të pozicionit gjeografik dhe të shtrirjes së vendburimit në këtë minierë janë përdorur të gjitha metodat e hapjes së minierës, fillimisht në pjesën jugore e qendrore nga horizonti + 720 deri në kuotën +1440 janë hapur punime horizontale nga sipërfaqja në drejtim të trupit të kromit, është përdorur në pjesë të vogla shfrytëzimi me karier, në pjesën veriore nën kuoten +720 ml është përdorur metoda e hapjes me puse vertikalë me Dishenteri dhe ka  ka filluar hapja e rampave ( punime të pjerrta në formë spiralje) të cilat bëjnë të mundur transportin nga nëntoka në drejtim të sipërfaqes me automjete si dhe zgjidhjen e një sërë problemeve të tjera të domosdoshme për Minierën.

Pak radhë nga historiku i minierës
Jeta e kësaj miniere ka filluar në kohën e pushtimit fashist kur nga italianët është nxjerrë kromi nga daljet në sipërfaqe të trupit të kromit  dhe është transportuar  me mushka nga zona Qendrore për në Qaf Buall e më pas është transportuar për në Itali, por pas çlirimit të vendit miniera e ka filluar aktivitetin  në shkurt të  vitit 1948. Në atë kohë janë sjellë grupe të vogla specialistësh ( minatorë ) nga minierat e bakrit të Mirditës të cilët u bënë pjesë e startit të  punës në minierë. Me fillimin e aktivitetit organizimi punës, në funksion të rritjes së prodhimit  ka ndryshuar  nga viti në vit. Fusha minerare  në funksion të të dhënave   është rritur dhe në shumë vite minerali kromit zinte peshën  kryesore në ekonominë shqiptare.
Zhvillimin më të madh miniera e ka marrë në vitet 1970-1995 ku krahas shtimit dhe zbulimit të rezervave  nga shërbimi gjeologjik, hapjes së Punimeve Kapitale nga ish Ndërtim Miniera, hapjes së punimeve të kërkimit përgatitjes dhe shfrytëzimit nga Miniera u bë e mundur të rritet shkalla e përgatitjes  dhe shfrytëzimit të Minierës.
Tre parimet kryesore të asaj kohe si: Miniera të ishte e garantuar me 5 vjet  me rezerva të hapura, 2 vjetë me rezerva të përgatitura dhe 1 vit me rezerva të gatshme për shfrytëzim, u realizua dhe përbënin një garanci për ecurinë e saj.

Në hapjen dhe shfrytëzimin e minierës janë zbatuar parimet e artit minerar
Miniera në të gjithë përbërjen e saj është një universitet, në fakt është një vepër arti me dimensione të larmishme, por për fat të keq kjo është e kuptueshme dhe e prekshme vetëm nga specialistët të cilët e kanë ndërtuar dhe e kanë shfrytëzuar atë me shumë mundë e djersë nën trysninë e një sistemi totalitar, për vite me radhë në interes  të ekonomisë shqiptare por jo të vetë Bulqizës.  Kjo vepër për nga ana  arkitekturale do të kishte dalë në pah në qoftë se do të ishin reklamuar aspekte të veprave të veçanta dhe mediat  të ishin futur në thellësitë e nëntokës e të bënin të mundur paraqitjen e të gjithë aspekteve dhe elementëve të punës në nëntokë. Arti minerar në minierë gjen zbatim në çdo aspekt dhe është shumë i domosdoshëm në momentet e shfrytëzimit të humbjeve të mbetura në vitet e mëparshme për shkak të trysnisë së sistemit totalitar. E themi këtë sepse përveç humbjeve të cilat njihen teknikisht në shfrytezimin e mineralit një sasi të madhe humbjesh kanë ngelur për efekt të trysnisë nga sistemi komunist. Në shumë raste personeli për t’ju shmangur  këtij presioni për rritjen e prodhimit, sepse mund të përfundonin dhe në burg, kur fronti i prodhimit binte në gurë zhvendosej në frontin e radhës duke lënë një sasi rezervash të pa shfrytëzuar.
Sot e gjithë pjesa Jugore e vendburimit punon për marrjen e këtyre humbjeve dhe prodhohen mbi 18 000 ton krom. Humbje të konsiderueshme ka edhe në zonën veriore ( Pusi nr 2), veçanrisht mbi nivelin nr 12 deri në sipërfaqe.
Kulmin miniera e Bulqizës e ka arritur në vitin 1986 ku janë realizuar 480 600 ton krom, ndërsa punimet minerare kulmin e kanë arritur në vitin 1987 me 43 492 ml
Miniera e kromit në Bulqizë ka qene një thesar i  çmuar, ku të ardhurat e kësaj miniere janë përdorur nga të gjitha qeveritë në të gjitha kohët në forma të ndryshme, por vetëm për qytetarët e asaj treve nuk janë përdorur.

Që nga viti 1948, nga nëntoka e Bulqizës janë nxjerrë mbi 15 miljon ton krom
Nga miniera që nga viti 1948 janë nxjerrë mbi 15 miljon ton krom dhe për të nxjerrë këtë sasi janë kryer mbi 100 mijë km punime minerare. Në vitet 1975-1990 intensiteti punës dhe trysnia për rritjen e prodhimit kanë qenë në kulmin e veprimtarisë. Në këto vite pushtetarët e të gjitha rangjeve qëndronin në Bulqizë dhe kërkonin rritje të prodhimit sepse përbënte të ardhurat kryesore për ekonominë e vendit. Jo vetëm personeli inxhiniero-teknik por edhe punonjësit e thjeshtë merreshin në analizë në çdo turn në rastet e mosrealizimit të planit që kishte caktuar partia në pushtet. Presioni ka qenë aq i madh sa në vitet 1983-1990 në Bulqizë u instaluan struktura të posaçme të sigurimit të shtetit të cilat në disa raste inskenuan veprime gjoja armiqësore për të dërguar pas hekurave kuadrot drejtues të minierës, të cilët në një rast edhe e realizuan.
Ne trusninë e atëherëshme për rritjen e prodhimit një ish sekretar partie, të cilit nuk po ja zë emrin, në vitin 1986 na u drejtua me shprehjen : Nga shtetet imperialist-revizioniste po organizohet kampionati botëror i futbollit me qëllim për të sabotuar realizimin e prodhimit nga miniera, prandaj merrni masa që punëtorët të mos u ikin nga puna për të parë ndeshjet e futbollit, por të  realizojnë detyrat e prodhimit.

Në krah të minierës kanë qenë:
–    Shërbimi gjeologjik Shqiptare i cili ka punuar me intensitet dhe ka dhënë shumë rezultate duke shtuar rezervat e kromit si në thellësi të vendburimit ekzistues ashtu dhe në krahët e tij e zonat e tjera përreth Bulqizës. Fal asaj pune të kryer në ato vite nga ky shërbim, miniera ka punuar, po punon dhe do të punoi edhe mbi 50 vite të tjera.
–    Ish Ndërtim miniera e cila ka kryer të gjitha punimet e hapjes, si Traverbangjet e pjesës jugore të vendburimit; Traverbanku A,B,C, Gal nr 12, Galerit nr 58, Galerinë nr 1050, Gal 41, si dhe puset vertikale ne pjesen veriore; Puset nr 2,3, A1 nga sipërfaqja, puset nr A2, 8 nga niveli 5, një sërë Dishenterish që bënë të mundur hapjen e nivelit të 15 dhe 16, të cilat kanë qenë punime me standarte shumë të larta që i kanë shërbyer minierës, i kanë rezistuar kohës dhe do të shfrytëzohen gjatë gjithë jetës që do ketë kjo minierë.
–    Instituti i Studimit dhe Projektimit të Minierave. Të gjitha punimet kapitale të hapjes janë studiuar dhe projektuar nga specialistët e institutit me një lidhje të ngushtë me specialistët e minierës. Në çdo kohë studimet dhe projektimet i kanë paraprirë punës për hapjen dhe shfrytëzimin e minierës. Nga specialistët janë hedhur shumë variante për hapjen e vendburimit por në atë kohë lidheshin edhe me buxhetin që liheshe nga shteti për këtë qëllim. Eshtë diskutuar shumë që Pusi A 1 të hapej deri në 1000 ml thellësi, gjë që do të përmirësonte shumë teknologjinë e nxjerrjes dhe të lëvizjes së punonjësve, por avancimi u ndërpre në nivelin nr 5.

Krahas punës së përditshme për hapjen e Minierës dhe realizimin e prodhimit një rëndësi shumë të madhe i është kushtuar  punës për mbrojtjen e jetës së njerëzve, ose puna e përditëshme për problemet e sigurimit teknik në minierë. Në të gjitha operacionet e punës janë të përcaktuara rregullat të cilat duhet të zbatohen. Por krahas përkushtimit për mbrojtjen e jetës së punonjësve ka patur raste fatale të cilat u kanë kushtuar jetën punonjësve. Këto raste kanë qenë dhe do të jenë të pa shmangshme edhe në të ardhmen. Në përgjithësi puna në minierë është brenda standarteve të sigurisë, por aksidentet që ndodhin kanë shkaqet e tyre të cilat duhet të trajtohen me qetësi dhe jo të politizohet me fatkeqesinë e tjetrit.
Problemi më i madh për jetën e punonjësve është fakti se ato punojnë ne ambjente me lagështi nënetoke  e cila u sjell problem të mëvonshme në shëndetin e tyre.
Një eveniment shumë i rëndësishëm gjatë punës për shfrytëzimin e kësaj miniere ka qenë puna e specialistëve të minierës për hartimin dhe mirëmbajtjen e materialit grafik. Materialin grafik  të  minierës te krijuar me shumë mund e djersë nga specialistët, para viteve 2000, mund ta krahasoj si një aset shumë të çmueshem i cili për fat të keq, pas privatizimit të minierës  është nxjerrë nga  arshiva dhe  nuk është ruajtur kopja origjinale për ta përdorur këtë aset në dinamikën e zhvillimit në tërsi të Minierë.  Në traditën e asaj kohe  çdo të premte në orën 16  të gjithë specialistët mblidheshin në zyrën Gjeologo Makshejderike në krye të secilës ka qëndruar gjithmonë inxhinieri Jorgo Kola, bëhej një debat i ashpër për ecurinë e punimeve të veçanta, kontrollohej plotësimi materialit grafik në të tre pamjet, bëheshin azhornimet dhe përgjithësimet, bëhej interpertimi trupave duke u nisur nga e njohura në horizontet e më sipërme si dhe projektoheshin punimet dhe  diskutohej për ecurinë e mëtejshme të punës në çdo sektor të minierës. Në materialin grafik përfshihen  planimetritë e hapjes së punimeve minerare, projeksionet si dhe profilet në shkallë të ndryshme. Ishte një material i plotësuar mirë nga ana minerare, gjeologjike dhe makshjederike i cili fliste me gjuhën e teknikës dhe të krijonte mundësi për të interpertuar e shfrytëzuar edhe thërrimet e fundit të nëntokës.
Materiali grafik ishte pjesë e artit minerar, që përdorej me efikasitet  në realizimin dhe zbatimin e të gjitha projekteve që hartoheshin për shfrytëzimin e kromit.
Në vitet e të ashtuquajturës Demokraci si në të gjithë sektorët e tjerë puna ra totalisht. Në krye të minierës qëndronin ithtaret e partive të cilët e manaxhonin, ose drejtonin atë nëpër kafene. Ka patur raste që luftën e klasave e zhvillonin në forma të tjera, me ndërrimin e vendit të punës, heqje nga puna, duke përndjekur edhe minatoret, me të vetmen arsye se nuk votonin për partinë e tyre. U krijuan vështirësi në trajtimin dhe shpërblimin e pagës për punonjësit.
Në këto kushte u krijuan shumë vështirësi si për menaxhimin e Minierës dhe për hapjen e perspektivës. Hapja e minierës në thellësi u pezullua, për t’i dhënë shtysë hapjes së vendburimit, në vitin 1998 kemi projektuar nga niveli nr 14 hapjen e dy Dishenterive për hapjen e nivelit të 15 dhe të 16. Këto punime u hapen në një kohë rekord dhe i dhanë jetë minierës veriore deri në ditët e sotme.  Nga diskutimet e herë pas herëshme u arrit në konkluzionin se miniera duhej të privatizohej nga një investitor strategjik. Këto ishin punëra që vetëm qeveritarët dinë t’i bëjnë mirë. Në Korrik të vitit 2001 Miniera ju dhe me koncesion një shoqërie. Kufijtë e koncesionit përfshinin hyrjet e punimeve kryesore të minierës së bashku me një pjesë të vendburimit, duke lënë jashtë këtij konfigurimi pjesën më të madhe të zonës ku shtrihej mineralizimi. E them këtë sepse në atë kohë një grup specialistësh të Ministrisë Minierave dhe Albkromit bënë konfigurimin më të keq të pjesës së dhënë me koncesion, nuk patën një strategji të mirëfilltë dhe për këtë arsye u krijuan shumë vështiresi në menaxhimin e pjesës Jugore të vendburimit, u krijuan shumë probleme të cilat janë përfolur disa herë edhe në medja. A nuk do ishte me mirë që pjesa veriore të jepej me koncesion dhe  pjesa jugore të privatizohej sipas kuotave dhe galerive me pozicone të mirëfillta topografike dhe të pavarur nga njëri-tjetri, pa mbivendosje, pa servitut në ligjin minerar. Servituti u shtua në ligjin minerar per t’i dhënë zgjidhje zonës” D” në Bulqizë. Deri tani janë ndërruar 3( tre) pronarë koncesioni, ku dy të parët vetëm kanë shfrytëzuar duke lënë me një anë investimet,  por shyqyr nuk thonë kot i treti i vërteti. Aktualisht si specialist shpreh besimin se kocensionari “ALBCHROM”sh.p.k është shumë serioze, po punon me prespektivën që kërkon zhvillimi i punimeve në minierë dhe në menaxhimin në tërsi të zonës së licensuar. Miniera po futet në zhvillimin e saj dinamik dhe po hapet perspektiva e saj. Për zhvillimin e qytetit dhe të zonës urbane në përgjithësi duhet të verë dorë shteti. Nuk duhet të krenohemi se po rregullohet e sistemohet bulevardi kryesor a po disa rrugica, kur vetëm 10 ml më tutje shtrihen disa pallate punëtorësh të cilat ngjajnë me getot, me kushte mizerabël. Ne fakt tani në fasadë po bëhet diçka, por a nuk e meritojnë ato punonjës dhe qytetarë që këto banesa të përshtateshin  në kushte normale.
A është normale që i gjithë ai vendburim, e gjithë ajo punë e kryer, e gjithë ajo pasuri e nxjerrë në vite me qindra të rënë në krye të punës, nuk janë përditësuar a po vlerësuar me ndërtimin e një objekti madhështor muzeal në qendër të qytetit që të tregonte e të fliste për jetën dhe veprimtarinë e minierës.
Deri më tani për Bulqizën shkon përshtat thënja:

“Bulqizë,  moj e  mjerë/ S’të kuptuam asnjëherë/ Ke punuar për të tjerë”. 

Miniera vazhdon dhe jeta e saj është e garantuar për vite me radhë
Gjatë viteve të monizmit pjesa e vendburimit e shfrytëzuar nga niveli nr 9 në pusin nr 2 deri në kuotën +1400 në zonën D është një pjesë që mbarte me vete shumë humbje të cilat shkojnë deri në 30 % të sasisë së rezervave. Në atë kohë nëqoftëse ky fakt do të dilte në pah do të përfundonin në burg të gjithë inxhinierët e minierës dhe specialistët makshejdra.
Humbja e rezervave  janë edhe për shkaqe teknike si: Të sistemit të shfrytëzimit, hidraulike, gjeologjike por të shumta këto humbje kanë qenë të sistemit monist.
Humbjet e sistemit monist janë të lidhura me presionin që u bëhej administratave të sektorëve  për realizimin e prodhimit. Në këto kushte për t’ju shmangur presionit por dhe nga frika, në rastet kur fronti i prodhimit binte në gurë detyroheshim ta braktisim duke lënë shumë rezerva të pa shfrytëzuara për momentin dhe kalonim në frontin e radhës. Këto humbje kanë qenë shumë të mëdha dhe përfshinë të gjithë zonën e shfrytëzuar të minierës. Falë këtyre humbjeve sot të gjitha subjektet private që punojnë në këtë minierë.
Në punën e përditeshme në minierë një rëndësi shumë të veçantë duhet t’i kushtohet punës se specialistëve përkatës të fushës minerare. Aktualisht ka rënë puna bashkëvepruese midis specialistëve.
Që një sektor minerar në minierën e kromit të ketë ecuri duhet që specialistët Ing. Miniere, gjeologë dhe makshjeder të plotesojnë, diskutojnë dhe të projektojnë së bashku të gjitha punimet minerare.Të diskutojnë me specialistët e tjerë të nëntokës për detaje të veçanta me qëllim që shfrytëzimi të jetë sa me efktiv, sepse minerali kromit është i magjishëm, Specialistët e nëntokes: minatori, brigadier, tekniku dhe inxhinieri në frontin e punës ( shfrytëzimit ) debatojnë për mënyrën dhe metodën që duhet zbatuar për marrjen e një pjesë të kromit që mund të ketë ngelur diku në një cep hapsire të shfrytëzuar më parë. Ka raste që në këto situata me  besimin se  do ta shfrytëzoj dhe këtë pjesë pa u rrezikuar kanë ndodhur aksidente me pasoja fatale. Magjia e këtij minerali ka të bëjë edhe me faktin se të gjithë këto specialistë nuk e kanë konceptin e fitimit për vete, ato, as konceptin se me këtë punë pasurohet dikush nuk e kanë e prandaj do të dëshiroja  që këtë fakte Administratorët e Subjekteve ta merrnin në konsideratë të vlerësonin më mirë punën e tyre, se pse në shumë periudha fitimet e tyre janë të majme.
Minerali kromit është një pasuri më shumë vlerë dhe në kompleksitetin e saj duhej të trjtohej ndryshe nga të gjitha qeveritë. Janë krijuar disa sektorë e administrata publike, janë tjetërsuar edhe ish Instituti i Minerave e disa institucione të tjera, ku gjatë këtyre viteve janë punsuar në to, punonjës partiakë, jashtë profesionit të tyre, ose punonjës pa përvojë në fushën përkatëse. Ka patur dhe ka  raste që në krye të këtyre institucioneve të vihen njerëz jashtë profesionalizmit.  A nuk do të ishte me interes që për këtë vendburim të paktën të kishte një zyrë me specialistë të fushave përkatëse në vartësi të MEI për të mennaxhuar ecurinë në proçes të kësaj pasurie. Me këtë dua të them, të menaxhohet vendburimi në aspektin teknik dhe jo në aspektin ekonomik të bizneseve private. E gjithë zona veriore e lindore e Shqipërisë që nga Pogradeci deri në Has e Kosovë është e pasur me krom. Përse të ndërpritet puna kërkuese e zbuluese e këtij minerali.
Duke falenderuar stafin e gazetës që më kërkuan të bëj një përshkrim të jetës së minieres në vite, i kërkoj ndjesë lexuesit se jam i bindur se sa do të përpiqem e të mundohem është shumë e vështirë të përshkruash historinë e plotë të kesaj miniere gjigante. Të përshkruash jetën dhe dinamizmin e punonjësve dhe specialistëve nga të gjitha trevat e vendit, në qytetin e nëntokës.  Në këtë minierë kanë derdhur djersën e tyre me 10 mijra punonjës dhe me mijëra specialistë, kanë dhënë jetën qindra punonjës, për të cilët nuk është bërë e mundur përjetimi i tyre. Specialistët e drejtuesit e minierës të gjithë  kanë qenë gjithmonë nën trysni dhe secili ka dhënë kontributin e vet.

S'KA KOMENTE