Myslim Musa Cami (1934 – 2004), Mjeku që tërë jetën e tij punoi në Zonën e Gjoricës dhe të Shupenzës dhe ua kushtoi jetën bashkëfshatarëve të tij

1589

Ishte vetëm 7 vjeç kur fashistët italianë i vranë babain, Musain më 11 prill 1941 në Miresh të Dibrës.  Musa Cami (Dëshmor i Atdheut) së bashku me Ejup Camin, Mexhit Lezin dhe Sefer Camin, u pushkatuan nga italianët, pasi së bashku me kushurinjtë e tjerë dhe me bashkëfshatarët e tij, ngritën krye dhe sulmuan kampin fashist të vendosur në fushën e Vanastranës në Miresh. Musait nuk i dilte shpirti sepse të shoqen e kishte me barrë dhe dëshironte të shihte fëmijën e fundit, atë që do të merrte më vonë emrin e Musait. Së bashku me vëllezërit Xhelalin, Fiqiriun, Mehdiun, Nadiren  dhe Musain u rritën me fukarallëk, por me ndershmëri nga nëna e tyre, bijë e fisit të shquar Dumani.  Myslim Cami lindi në fshatin Viçisht të rrethit Bulqizë, Qarku Dibër, më 09.08.1934. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, në vitin 1952 do t’i jepet e drejta e studimit të një kursi një mujor në Tiranë, “Kursi i rinisë”, për të vazhduar më pas, më 1953, shkollën  1-vjeçare të infermierisë, dega “Infermieri”.
Fillimisht ai nisi punën si Infermier në spitalin e Peshkopisë, duke punuar atje nga viti 1954-1955. Në vitin 1955 do të nisë edhe shërbimin ushtarak ku do të caktohet si kryeinfermier në repartin ushtarak 9901 në Shkodër. Më pas do të rikthehet përsëri në vendin e tij të lindjes për të vazhduar me pasion profesionin e tij dhe për t’i shërbyer me devotshmëri të gjithë komunitetit të rrethit të Dibrës. Kështu, do të nis punën në spitalin e Bulqizës nga viti 1956-1958, për të vijuar më pas në të njëjtin pozicion në spitalin e Shupenzës.
Eksperienca si infermier dhe dëshira për t’u kualifikuar më tej do të bëjnë të mundur që nga viti 1958 deri në vitin 1960 ai të ndjekë shkollën e mesme 2-vjeçare “Politeknikumi Mjekësor” në Tiranë për Ndihmësmjek. Gjatë kësaj kohe u dallua si një nxënës me aftësi shumë të mira profesionale dhe menaxhuese, duke arritur një performancë shumë të mirë studimore dhe etike.
Pas mbarimit të studimeve në “Politeknikumin Mjekësor” të Tiranës rikthehet në rrethin e Dibrës, tashmë me një formim më të lartë profesional duke iu përkushtuar profesionit të tij si ndihmësmjek. Nga viti 1960-1962 punoi si ndihmësmjek në komunën Ostren i Madh, për të vazhduar më pas nga 1962-1966 ndihmësmjek në spitalin e Shupenzës dhe të Gjoricës. Me gjithë eksperiencën e këtyre viteve në ushtrimin e profesionit, disponimin e vazhdueshëm në shërbim të komunitetit si dhe gatishmërinë për të qenë gjithmonë pranë   komunitetit, ai nuk do të mjaftohet me kaq. Në vitin 1970 do t’i jepet e drejta për të ndjekur  studimet e larta në  Universitetin Shtetëror  të Tiranës në Fakultetin e Mjekësisë. Në këtë periudhë ai do të vazhdojë një tjetër rrugë të gjatë, për t’u përballur edhe me mjaft sfida të tjera të profesionit sa të vështirë aq edhe të bukur, tashmë si mjek i përgjithshëm. Një ndihmë të konsiderueshme i dha bashkëshortja e tij, Lirie Kurti (Cami)  infermjere në spitalin e Shupenzës, e cila ndonëse kishte edhe dy djem për të rritur ishte një partnere e shkëlqyer.   Studimet e larta i mundësuan atij një kualifikim akoma më të specializuar lidhur me fushën të cilën ai kishte kohë që e kishte nisur. Duke pasur parasysh eksperiencën e fituar gjatë këtyre viteve si dhe këmbënguljen e tij për të arritur rezultate sa më të larta ai do të dallohet si një student i shkëlqyer dhe me mjaft dëshirë dhe pasion për të ushtruar profesionin e mjekut.
Mbas mbarimit të fakultetit  do të ushtrojë profesionin e tij si Mjek i Përgjithshëm në spitalin e Gjoricës nga viti 1977-1978 dhe më pas në Qendrën Shëndetësore të Shupenzës nga data 30.08.1978 deri në vitin 1996.
Gjatë kësaj kohe ai do t’i përkushtohet tërësisht punës dhe profesionit të tij për t’u dalluar  jo vetëm si një mjek profesionist, por edhe njeri human që nuk kishte kohë dhe orar për punën dhe shërbimin e tij në ndihmë të të gjithë banorëve, pa dallim moshe apo kategorie.
Në vitin 1996 ai do të mbushë moshën për daljen në pension, por kjo gjë nuk do ta pengojë aspak që ai të vazhdojë punën e tij, duke mos e ndërprerë atë për asnjë çast. Kështu, nga viti 1999-2003 ai do të shërbejë si mjek në spitalin e Gjoricës e më pas  në 2003 do të trasferohet në Qendrën Shëndetësore të Shupenzës duke ushtruar të njëjtën detyrë deri në momentet e fundit të jetës së tij.  Çdo ditë e më shumë ai fitonte respektin e të gjithë banorëve të zonës së Bulqizës, duke u bërë jo vetëm si një mjek profesionist në punën e tij, por edhe një emër mjaft i nderuar dhe i respektuar për të gjithë.
Ai do të ndërrojë jetë më 15.05.2004, por emri dhe vepra e tij kanë lënë gjurmë në kujtesën e çdo banori të rrethit të Dibrës dhe  do të mbahet mend gjatë si mjek, si profesionist, si intelektual, por mbi të gjitha për anën e tij humane dhe njerëzore. Qendrës Shëndetsore të Shupenzës në nderim të mjekut që e themeloi dhe i kushtoi jetën,  Komuna e Shupenzës, Bashkia e Bulqizës dhe Qarku i Dibrës i ka vënë emrin “Myslim Cami” .

S'KA KOMENTE