Dymbëdhjetë vjet në udhëkryq të historisë

288

Rezistenca antiserbe e popullit të Trebishtit dhe Gollobordës gjatë viteve 1912 – 1924

Nga Agim BEKTESHI

Që në fëmijërinë e hershme, shpesh kam dëgjuar tregime rrënqethëse mbi masakrat e kryera nga ushtritë serbe në viset e Dibrës e të Gollobordës. Kam dëgjuar rrëfenja për sa e sa raste çnderimesh e poshtërimesh, që ushtarët serbë i bënin mbi popullin e pambrojtur të Trebishtit. Njerëzit dridheshin kur rrëfenin barbaritë e ushtarëve serbë, kur flisnin për ekspeditat e tyre ndëshkuese dhe për sekuestrimin e pasurive ushqimore të popullit, të cilat shkonin pastaj si ushqim për ushtarët serbo – malazezë. Përmendnin emra njerëzish të vrarë pa asnjë shkak në Trebisht e në Gjinovec, në Klenjë e në Steblevë, në Sebisht e në Okshtun, në Borovë, në Ostren, në Zabzun, në Lejçan dhe kudo nëpër Gollobordë e Dibër. Kur gjyshërit e fiknin kandilin e vogël ku digjej pak vaj përmes një cope tekstili, ose pishën që më shumë tymoste sesa ndriçonte dhe ne shtriheshim për të fjetur, mbi faqet e mureve të shtëpisë lodronin hijet e degëve të mollëve dhe kumbullave të kopshtit të shtëpisë, që formoheshin prej dritës së hënës. Herë – herë mbi mure krijoheshin figura të çuditshme që ngjasonin me silueta ushtarësh serbë, të cilët me helmetat metalike të ngjeshura mbi kokë dhe me bajonetat e përgjakura, rendnin mbi njerëzit e pambrojtur të Trebishtit dhe Gollobordës. Aq i madh ishte tmerri prej krimeve të serbëve. Mallkimi më i madh në Trebisht e Gollobordë, edhe sot e kësaj dite është ai që thotë: “Serbi ta preftë kokën”, dhe një mallkim tjetër që thotë: “Montonegra të vraftë”. Montonegra është emri i shtetit malazez, por dhe i një shenjtoreje të atij populli të vogël e dikur tepër agresiv, ushtria e të cilit ka bërë shumë zullume, kudo ku ka shkelur shputa e përgjakur e ushtrisë serbe. Bëmat e serbo – malazezëve mbi Gollobordën e Dibrën në fillimshekullin e kaluar janë nxitur nga pangopësia për të zaptuar territore të huaja, por dhe nga urrejtja fetare e etnike, duke synuar spastrimin etnik e fetar të atyre viseve ku fati i jetës na ka vendosur ne gollobordasve. Kështu rezulton nga analiza e ngjarjeve dhe fakteve, kur duam të mësojmë se për çfarë arsye serbët vinin që nga Beogradi gjer në Gollobordë e Dibër, dhe silleshin aq keq e egërsisht me popullin e pambrojtur, sa dridhej fëmija në barkun e nënës. Për aq kohë sa perandoria osmane sundoi në ato vise ku ndodhet edhe Golloborda, serbët jo vetëm që nuk kishin mundur të afrohen, por dhe vetë qenë të nënshtruar, ashtu si krejt gadishulli Ballkanik. Kalbëzimi i perandorisë osmane dhe shpallja e pavarësisë së shtetit serb, krijuan kushte të favorshme që shovinizmi serb pasi shpëtoi për vete nga kthetrat e zgjedhës osmane, të hidhte edhe ai sytë për ekspansion e revansh mbi fqinjët e tij. Në këto rrethana në Gollobordë, si në gjithë trojet rreth e qark saj të banuara kryesisht me shqiptarë, nuk ekzistonte ende faktori shtetëror, prandaj barra e rezistencës i mbeti popullit të viseve nga do të kalonte ushtria pushtuese serbo – malazeze.

Golloborda e Trebishti gëlojnë nga historitë dhe  tregimet për atë moment të rezistencës antiserbe

Populli i Gollobordës dhe ai i mbarë viseve të Dibrës në këto zhvillime luftarake pati rolin e vet, një rol i njohur dhe i shënuar në analet e historisë. Golloborda e Trebishti gëlojnë nga historitë dhe tregimet për atë moment të rezistencës antiserbe. Qëndresa antiserbe e popullit të Trebishtit e të Gollobordës dhe kontributi i tij në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe në konsolidimin e shtetit shqiptar gjatë periudhës së turbullt të viteve 1912 – 1924, ka qenë dhe është temë bisedash e rrahjeje mendimesh midis gollobordasve, sa herë mblidheshin e mblidhen në sebepe, në dasma apo ndodhi të kësaj jete. Edhe për mua ka qenë e është një preokupacion i pandërprerë që të hulumtoj sa të mundem mbi këtë temë, jo vetëm duke dëgjuar nga goja e popullit ato që tregoheshin e tregohen, por dhe të verifikoj ndodhitë që i kam dëgjuar në popull me burimet e botimet historike. Tani që besoj se kam mundur të formoj një pamje besnike të asaj periudhe përmes leximeve që kam bërë dhe rrëfimeve që kam dëgjuar, kam mendimin se është në të mirë të historisë së Trebishtit e të Gollobordës, të ve në dispozicion të njerëzve pamjen që kam formuar për atë periudhë të historisë. Është rasti për të thënë se rezistenca antiserbe dhe kontributi i popullit të Gollobordës në periudhën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nuk kanë qenë objekt i ndonjë studimi publik, apo botimi të mirëfilltë shkencor në pesëdhjetë vitet e sistemit të shkuar. Historia e Gollobordës në pesëdhjetë vitet e atij sistemi ishte një temë e rezervuar. Për këtë arsye nuk kanë gjetur jehonën e merituar qëndrimet dhe veprat e gollobordasve gjatë periudhës së zgjimit dhe afirmimit të popujve ballkanikë, e posaçërisht të zhvillimeve në arealin dibran, rreth e qark Gollobordës. Si të gjithë njerëzit, edhe ne gollobordasit kemi të drejtën e natyrshme të pyesim e të marrim vesh se cili ishte vendi dhe roli i Trebishtit e Gollobordës në ato kohëra kur vendosej fati i shtetit shqiptar? Cili është kontributi i etërve tanë për fatet e këtij vendi, ku lindim, jetojmë e shuhemi? Kemi apo jo të drejtën që të themi se për këtë vend e për këtë shtet kemi derdhur edhe ne, jo vetëm lumenj djerse, por dhe shumë gjak? Këto pyetje nuk mund të gjejnë përgjigje pa hedhur vështrimin sado shkarazi mbi kuadrin e gjërë shqiptar, ku ishte e është vendi dhe roli i Gollobordës. Nuk mund të kuptohen e të gjejnë përgjigje këto pyetje pa kuptuar kontekstin ballkanik të kohës, e sidomos të viseve rreth e qark Gollobordës, krahinë të cilën e kemi në qendër të këtij punimi. Lufta e Parë Ballkanike si konflagracioni i parë i përgjakshëm mbarëballkanik e gjeti popullin shqiptar dhe territoret e banuara prej tij në një pozitë të disfavorshme në raport me popujt e tjerë të Ballkanit, të cilët kishin mundur të ndërtonin shtetet e tyre kombëtare, të organizoheshin e të hynin në aleanca luftarake, të hapura e të fshehta. Mbi bazën e interesave të tyre kombëtare këto shtete kishin krijuar Lidhjen Ballkanike midis Serbisë, Bullgarisë, Greqisë  e Malit të Zi, lidhje e cila drejtohej kundër perandorisë osmane. Populli shqiptar dhe territoret e banuara prej tij në këtë periudhë akoma bashkëjetonin formalisht nga pikëpamja administrative me perandorinë osmane. Ky fakt përdorej si një shkak i fortë, si një alibi pas së cilës fqinjët e Shqipërisë maskonin qëllimet e tyre shekullore për të zhvatur sa të mundnin territore shqiptare. Ishte interesi dhe qëllimi i fuqive ballkanike, ai që e njëjtësonte qëllimisht Shqipërinë dhe popullin shqiptar me Turqinë. Tërheqja e ushtrive osmane i dha hov marshimit brutal të aleatëve ballkanikë, sidomos ushtrive serbo – malazeze. Tokat e banuara me shqiptarë në Kosovë, brenda pak ditëve u pushtuan e u vunë nën pushtetin e armatës serbe. Trupa të tjera serbe pasi pushtuan territore të gjëra në Maqedoni, morën Shkupin e Manastirin dhe marshuan duke pushtuar Ohrin, Dibrën, Gollobordën, Elbasanin, dhe drejtuan sytë drejt bregdetit në Durrës. Fushat shqiptare të Adriatikut kishin qenë ëndrra shekullore e shovinistëve serbë. Burimet historike duke prezantuar situatën pas pushtimit që u bënin serbët këtyre viseve, tregojnë se kudo ishte krijuar një situatë e frikshme. Njerëzit nuk guxonin të dilnin në rrugë nga frika se pushtuesit serbë do ti vrisnin, sikurse kishin vrarë e masakruar shumë njerëz, kudo ku kishin kaluar. Në këtë klimë terrori të egër, pushteti shekullor osman u zëvendësua shumë shpejt me pushtuesin e ri serb, i cili për ironi e hiqte veten si bamirës dhe çlirimtar. Sipas planeve të përpunuara nga ideologët e shovinizmit serb, ushtritë serbo – malazeze ndoqën një politikë të hapur brutale e genocidiste, sidomos mbi popullsitë e përkatësisë muslimane, duke i identifikuar qëllimisht ato popullsi me sundimtarët osmanë, e duke i konsideruar si bashkëpunëtorë të tyre. Shqiptarët, boshnjakët, turqit e Maqedonisë dhe të mbiquajturit Torbeshë, banorë të disa viseve të Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore, iu nënshtruan kryqëzatës së organizuar ortodokse serbo – malazeze, duke u detyruar të mërgonin masivisht drejt Turqisë. Filloi në këtë kohë një betejë e re, krejtësisht e pabarabartë për mbrojtjen e jetës njerëzore dhe të territoreve të banuara me shqiptarë, por dhe me popullsi të tjera të besimit musliman, sidomos në viset e Maqedonisë Perëndimore e të Kosovës. Për hir të së vërtetës historike, duhet thënë se brenda Lidhjes Ballkanike kishte diferenca të dukshme në qëndrimin ndaj shqiptarëve, diferenca që kushtëzoheshin nga raportet e interesave të secilit vend kundrejt njëri – tjetrit, dhe në raport me shqiptarët specifikisht. Këto diferenca na i njoftojnë studimet historike shqiptare. Dokumentet e botuara venë në dukje se “Për Serbinë, Greqinë dhe Malin e Zi, Shqipëria ishte e vdekur, të cilën fshehurazi nga Bullgaria e kishin ndarë midis tyre, kur dy nga Fuqitë e Mëdha: Austria me Italinë propozojnë në Konferencë të Londrës të formuarit e shtetit shqiptar”. (1) Për specifika që lidhen posaçërisht me të, Golloborda ishte përzgjedhur nga serbët dhe veglat e tyre për tu përdorur qysh në fillim si një placdarm kundër Shqipërisë. Të gjitha zhvillimet që i kanë shënuar analet e historisë, e provojnë këtë të vërtetë. Për lexuesin e këtij punimi është e nevojshme të qartësojmë kalimthi qysh në fillim se cilat ishin ato specifika që lidhen posaçërisht me Gollobordën, për të kuptuar pastaj si duhet historinë fort të trazuar të Gollobordës në këtë udhëkryq të historisë.

Në zonën e Gollobordës, në jug të Peshkopisë  ndodhen 16 fshatra me popullsi sllavofolëse

Ka qenë dhe është një fakt historik i njohur, se “Në zonën e Gollobordës, në jug të Peshkopisë ndodhen 16 fshatra me popullsi sllavofolëse. Këto fshatra janë: Stebleva, Klenja, Gjinoveci, Trebishti, Vërnica, Tuçepi, Lladomerica, Pasinka, Radoveshi, Ostreni i Vogël, Ostreni i Madh, Orzhanova, Lejçani, Kojoveci, Smollniku, Sebishti. Dy të fundit janë me popullsi të përzier sllavofolëse dhe shqipfolëse”, – ve në dukje një burim akademik shqiptar.(2) Historisë së popullsisë të këtyre fshatrave, që duket edhe nga ky fakt sesa e komplikuar është, por dhe të fshatrave të tjerë që bëjnë pjesë në krahinën e Gollobordës, i kushtohet ky studim që përpiqet të evidentojë kontributin e tyre të përbashkët në periudhën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, gjatë viteve 1912 – 1924. Llogaritë e serbëve të ndërtuara për të përfituar mbi këtë realitet që përmendëm, qysh në fillim ndeshën me refuzimin kategorik të popullsisë së këtyre fshatrave të Gollobordës, e cila nuk pranoi të bëhet shkak dhe mashë në duart e serbëve kundër Shqipërisë. Ngjarjet dramatike që zhvilloheshin kudo ku kalonin ushtritë serbo – malazeze, përhapeshin plot panik nëpër viset që kufizonin me itinerarin e lëvizjes së tyre. Popullsitë e përkatësisë muslimane që nuk pranuan të lëshojnë trojet e veta nën dhunën e kryqëzatës ortodokse serbo – malazeze, pavarësisht përkatësisë etnike u afruan me njëra – tjetrën kundër okupatorit serb, që i kërcënonte me zhdukje fizike dhe me deportim masiv nga trojet amtare. Qëndrimi i mbajtur nga Golloborda në këtë periudhë të vështirë për veten e saj dhe për Shqipërinë, e ngre lart emrin dhe lavdinë e Gollobordës, ndaj brezat e sotëm gollobordas duhet të mësojnë e të krenohen me qëndrimet dhe zgjidhjet që i dhanë fatit tonë historik të parët tanë, në atë udhëkryq të rrezikshëm të historisë ballkanike. Përmes gojëdhënave, por sidomos përmes dokumenteve fragmentare të botuara, historia tregon se gollobordasit të udhëhequr nga bijtë e vet më të mirë, rezistencën e tyre ditën dhe mundën ta inkuadrojnë në një të vetme me rezistencën e gjithë viseve dibrane rreth e qark Gollobordës, duke shënuar një vijë të qartë demarkacioni me serbët dhe kukullat e tyre. Kjo u gjykua si zgjidhja më e drejtë, e cila duhet evidentuar dhe nxjerrë sa më mirë në dritë, sepse pikërisht për këtë arsye, në shenjë hakmarrjeje Serbia e dogji dhe masakroi disa herë me radhë Gollobordën. Lufta për mbijetesë kundër ushtrive serbo – malazeze, në kohë të reja farkëtoi më tej lidhjet e vjetra që vinin nga koha e Gjon dhe Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kur Golloborda dhe Dibra e mbrojtën me gjak kryeportën arbërore, duke farkëtuar lidhjet midis popullsive të të gjitha viseve dibrane, jo vetëm kundër pushtuesit turk, por më herët edhe kundër pushtuesit mesjetar serb. Refuzimi i popullsisë së atyre 16 fshatrave të Gollobordës që i kemi shënuar më parë, për tu identifikuar me serbët e Serbinë, zanafillën e kishte qysh herët në mesjetë kur një pjesë e gollobordasve, pikërisht të quajturit heretikë Bogomilë, në viset e Maqedonisë së Egjeut u ishin nënshtruar krimeve monstruoze me përmasa biblike, që u kryen mbi ta prej hordhive të komanduara nga Toma Preljuboviç. Ky pozicionim i popullsisë së atyre fshatrave të Gollobordës i egërsoi shumë serbët, të cilët i njihnin hollësisht realitetet në terrenin e Gollobordës, dhe mbi ato realitete kishin menduar të përfitojnë. Edhe në këto kushte, në jetën e tij të përditshme populli i atyre fshatrave të Gollobordës jo vetëm që nuk i mohoi, por as nuk i barazoi traditat e tij me serbët dhe Serbinë. Traditat e tij etnokulturore, populli i atyre 16 fshatrave të Gollobordës i përdori e i përdor edhe sot sipas ligjeve të së drejtës hyjnore, pa i kërkuar leje askujt. Në këto rrethana hyrja e serbëve në truallin e Gollobordës, ashtu sikurse në gjithë viset e tjera dibrane, ndodhi përmes raprezaljesh e sjelljesh mizore, të njohura e të provuara dhe herë të tjera në histori, pa bërë kurrfarë dallimi; mbi pleqtë e plakat, mbi gratë shtatzëna, mbi të sëmurët dhe të pamundurit, deri dhe mbi fëmijët e mitur. Kudo ku kalonin, ushtritë serbe kryenin masakra, therje, mbytje, djegie, vjedhje e përdhunime. Pasiguria dhe tmerri mbretëronin kudo. Shtypi i asaj kohe duke përshkruar situatën në Gollobordë pas hyrjes së ushtrive serbe aty, shkruante: “Mund, një ushtri e qytetëruar, një komb që ka qenë për kaq vite të tëra, një komb që rron në zemër të qytetarisë evropiane, të bëjë gjithë ato gjëra që na treguan këta njerëz të tmerruar? Vrasje, djegie, rrëmbime e turpërime, që s`ishin parë që në kohë të Tamerllanit”. (3) Të shumta janë krimet e kryera nga ushtritë serbo – malazeze mbi popullsinë e pafajshme të viseve të Dibrës dhe Gollobordës, por për të kuptuar karakterin e tyre gjakatar është e mjaftueshme të sjellim në vëmendje të bashkëkohësve vetëm dy raste; rastin e vrasjes së njërit nga krerët e parisë së qytetit të Dibrës së Madhe, kur ushtritë serbe u instaluan brenda në atë qytet, dhe atë të vrasjes së dy burrave në fshatin Trebisht – Muçinë të Gollobordës, kur serbët u instaluan aty. Me qëllim që ti merrnin me të mirë, disa nga krerët e parisë së qytetit të Dibrës së Madhe dolën në qendër të qytetit, për ta pritur komandantin e ushtrisë serbe dhe suitën e oficerëve që e shoqëronte atë. -“Kush është i pari midis jush”? – pyeti gjithë tërsëllimë komandanti serb grupin e burrave të parisë së qytetit të Dibrës. I pari i parisë dibrane u prezantua. Sakaq komandanti serb nxori pistoletën dhe me një shkrepje të vetme, duke e gjuajtur në kokë e shtriu të pajetë përtokë njeriun që kishte dalë për ta marrë me të mirë. Gjithçka ishte e qartë: “Jemi këtu për të imponuar forcën, e jo për të kërkuar miqësinë. Mund të bisedojmë vetëm me grykën e armës, pra me gjuhën e forcës”, – ishte mesazhi i aktit të komandantit serb. Rasti i dytë që duam ta bëjmë të njohur për lexuesin e ditëve tona, ishte e kundërta e këtij qëndrimi dhe ndodhi në Trebisht – Muçinë të Gollobordës. Kishte hyrë ushtria serbe në qendër të Trebishtit, tek pazari. Komandanti serb, një ditë prej ditësh kishte pyetur një burrë nga Muçina; përse ishte i pakënaqur populli i Trebishtit me faktin se aty ishte vendosur ushtria serbe? Burri nga Trebisht – Muçina, që besohet se ka qenë Zylfi Haxhija (Muçina), i kishte thënë komandantit serb se populli kishte frikë për jetën e vet nga prania e ushtrisë serbe brenda në fshat, sepse dëgjonin që ushtritë serbe kudo ku kalonin, vrisnin e thernin pa mëshirë. Komandanti serb i befasuar me sinqeritetin naiv të gollobordasit, kishte dhënë urdhër që burri në fjalë bashkë me një person tjetër, i cili ndodhej aty krejt rastësisht, të ekzekutoheshin. Një patrullë serbe i mori dhe i ekzekutoi të dy burrat tek disa gurë, pranë ujit të Rekës së Trebishtit. Komandanti serb kishte thënë: “Gjithë populli është i kënaqur e i lumtur nga ardhja jonë, ndërsa ju paskeni frikë! Që të mos trembeni, do t`ju mësojmë ne”. I vranë të dy burrat pa asnjë arsye. Kjo sjellje agresive e serbëve tregoi sesa të drejtë kishin patur patriotët gollobordas në përcaktimin e qëndrimit të tyre, duke bashkuar qysh në fillim luftën e vet me atë të mbarë viseve dibrane. Për pasojë të këtij qëndrimi të mbajtur përkrah gjithë popullit dibran, në mbështetje të shtetit të ri shqiptar, Golloborda iu nënshtrua goditjes së pamëshirshme serbe. Ja çfarë thotë një burim tjetër i asaj kohe, kur tregon për hyrjen e ushtrive serbe në krahinën e Gollobordës: “Flitet se serbërit si hynë në Strugë, muarrën krahun e Deburcës (Gollobordës, A.B.), ku po djegin me top katundet e bullgarëve, pse ata muarrën pjesë në këtë kryengritje, të cilët i paska çue peshë kapedan Millan Matev. Kësish gjepura çpikin serbët dhe djegin fshatrat, me qëllim që ti mbushin me serbë të besës.

Emrin Deburcë krahina e Gollobordës e ka  marrë qysh në shekullin e dytë para Krishtit

Siç dihet Deburca qëndron ndërmjet Dibrës dhe Strugës”(4), – përfundon informacioni, duke mos lënë asnjë dyshim se bëhet fjalë për Gollobordën, e cila është e vetmja krahinë midis Strugës dhe Dibrës, brenda e jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, ku jetonte e jeton edhe sot një popullsi, banorët dhe fshatrat e së cilës ky burim shqiptar i kohës i quante bullgarë. Emrin Deburcë krahina e Gollobordës e ka marrë qysh në shekullin e dytë para Krishtit, kur në viset e saj erdhën e u ngulën popullsitë e Deborëve dhe Besëve, fise nga pllajat e maleve Rodope, vazhdues të drejtpërdrejtë të të cilëve janë të mbiquajturit Pomakë, një popullsi e cila konsiderohej si e shenjtë nga studiuesit antik të historisë. Emërtimi Deburcë në pikëpamje kohore është i njëkohshëm me emrin Debor, që mbante qyteti i Dibrës së Madhe. Emërtime të tilla si: Gollobordë, Trebisht, Steblevë, Herbel e ndonjë tjetër, janë toponime antike të vendosura pikërisht nga ato popullsi, të cilat vinin prej vendbanimesh ose visesh që mbanin emra të tillë, vendbanime të cilat edhe sot e kësaj dite janë të populluara dhe ekzistojnë në hartën e rajonit të Rodopeve të Bullgarisë. Ndërsa kapedani Millan Matev i përmendur pak më parë, ishte një vojvodë i njohur bullgar, i cili bashkë me shokun e tij Petrush Çaulov, qenë gjërësisht të njohur në ato kohë në viset e Maqedonisë Perëndimore. Populli i Trebishtit, Ostrenit, Gjinovecit, Klenjës, Steblevës, Zabzunit, Borovës, Sebishtit, etj, i ndodhur përballë raprezaljeve serbe dhe programeve të tyre deportuese për ti mbushur fshatrat e Gollobordës me “serbë të besës”, – sikurse thotë burimi që sapo kemi cituar, u vetëorganizua për ti bërë ball invazorit serb. Hasan Berexha nga Ostreni i Madh dhe Ramadan Kanxha nga Trebisht – Çelebia, qysh me largimin e turqve kishin nisur të mendojnë për fatin e Gollobordës, duke hyrë në lidhje me patriotë të tjerë dibranë, siç ishin Elez Isufi , Selman Alia, Sufë Xhelili, Mersin Dema, etj. Kohët e errëta dhe mjaft të rrezikshme kërkonin armatosjen e popullit, prandaj ishte bërë imperative ngritja dhe mbajtja në këmbë e një force të përhershme luftarake, e cila të qëndronte në gatishmëri të vazhdueshme luftarake. Në mbarë trojet shqiptare kishte filluar e po konsolidohej dita – ditës një lëvizje gjithnjë e më intensive e patriotëve, të cilët pa kaluar as dy muaj nga fillimi i Luftës së Parë Ballkanike, përmes gojës së Ismail Qemalit më 28 Nëntor të vitit 1912 shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Por pavarësia e saposhpallur e Shqipërisë nuk i referohej një sipërfaqeje territoriale ndërkombëtarisht të njohur e të kufizuar si shtet shqiptar. Trojet shqiptare nga Fuqitë e Mëdha europiane vazhdonin të cilësoheshin si një “shprehje gjeografike”. Përcaktimi i kufijve shtetërorë të Shqipërisë do të ndodhte më vonë, e deri sa të vinte ajo kohë, serbët dhe fqinjët e tjerë kishin kohë dhe do të gjenin “arsye” që të justifikonin aktet e tyre shoviniste mbi tokat e banuara me shqiptarë. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe formimi i Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës nën drejtimin e Ismail Qemalit, ishte një akt madhor i patriotëve shqiptarë, që shenjoi historinë duke i bërë të ditur mbarë botës, por sidomos serbëve e grekëve, se Shqipëria ekzistonte. Lindi për herë të parë ajo forcë institucionale kombëtare shqiptare që do të kishte autoritetin e domosdoshëm për të koordinuar rezistencën e popullit nëpër krahina e qytete, kundër gjithë atyre që lakmonin pjesë nga trojet e Shqipërisë. Pikërisht në këtë kohë kur Golloborda ishte përzgjedhur si vendi i parë që do të shkëputej nga ajo që ishte quajtur “Shqipëria e lirë e këndej Drinit”, shumë bij të Gollobordës në çastin e duhur historik u vetëorganizuan për rezistencë popullore, duke bashkuar forcat dhe rezistencën e tyre me forcat e vetëmbrojtjes popullore mbarëdibrane e mbarëshqiptare, duke bashkuar fatin e vet me fatin e gjithë Shqipërisë. Në Gollobordë u krijuan dhe filluan të veprojnë forcat e vetëmbrojtjes popullore, në krye të të cilave u vunë Hasan Berexha dhe Ramadan Kanxha, ndërsa në Trebisht u ngrit një çetë tjetër luftëtarësh vullnetarë nën komandën e luftëtarit Hysen Destani. Trebishti është fshati i vetëm në Gollobordë dhe një nga të rrallët në Shqipëri, që thuajse gjithmonë ka mbajtur në këmbë një çetë vetëmbrojtëse, e cila rakordonte veprimet dhe bëhej pjesë e forcave luftarake të Gollobordës e të Dibrës. Midis eksponentëve dhe veprimtarëve më të afirmuar të rezistencës antiserbe në fshatin Trebisht, meritojnë të përmenden: Iljaz Hoxha, Hysen Destani (i Pari), Ramadan Kanxha, Veli Balla, Nasuf Kanxha, Sali Salla, Zylfi Haxhija (Muçina), Ali Veizi (i Pari), Sali Sadiku (i Pari), Liman Bekteshi (i Pari), Zeqir Shahinaj, Agush Salla e të tjerë burra patriotë, një pjesë e të cilëve u kapën dhe u masakruan gjer në vdekje prej serbëve. Situata politike dhe administrative në terrenin e Gollobordës, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe formimit të Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali, për herë të parë filloi të kontrollohet nga Qeveria e Vlorës.

Përzgjedhja e Bullgarisë për një aleancë të mundshme nga ana e shtetit shqiptar

Gjendja e rëndë dhe komplekse e realiteteve në terrenin shqiptar e ballkanik kërkonte që sa më parë shteti shqiptar të gjente vendin e vet midis fqinjëve ballkanikë, e të pozicionohej qartë në skakierën ballkanike e atë evropiane, duke integruar luftën e vet në kuadrin e zhvillimeve rajonale dhe evropiane, për të dëshmuar ekzistencën e Shqipërisë si faktor veprues konstruktiv. Dokumentet dhe studimet e botuara, të cilat i referohen atyre kohëve, na informojnë se për këtë arsye: “Formimi i një aleance politike e ushtarake ka qenë tema e bisedimeve të fshehta të Ismail Qemalit me përfaqësues bullgarë të nivelit të lartë, gjatë udhëtimit të tij nëpër Europë”.(5) Ndonjë studiues i sotëm i historisë e gjykon si një lëvizje të gabuar përfshirjen e Ismail Qemalit në aleancën bullgaro – turke të asaj periudhe, por duket se ajo ishte e vetmja hapësirë që gjeti plaku vlonjat për ta inkuadruar luftën e popullit shqiptar me një bosht, i cili i kundërvihej atyre fuqive që kishin synime territoriale edhe ndaj Shqipërisë. Përzgjedhja e Bullgarisë për një aleancë të mundshme nga ana e shtetit shqiptar, sikurse evidentohet në botimet shqipe që i referohen asaj periudhe, lidhej me qëndrimin miqësor të popullit dhe shtetit bullgar ndaj popullit dhe shtetit të ri shqiptar. Ky konkluzion, siç mësojmë nga dokumentet shqiptare të kohës, rezultonte i verifikuar në rrjedhat e historisë në gjithë ato treva ku këto dy popullsi kishin luftuar kundër armiqve të përbashkët. Nuk ishte hera e parë që shqiptarët dhe bullgarët bashkonin armët në të njëjtin front kundër armikut të përbashkët. -“Gjaku që u derdh nga shqiptarët dhe bullgarët e Maqedonisë, u bë shkak që të humbasë Turqia e të fitojnë armiqtë tanë, të cilët sot u bënë zotërinj përmbi Atdhe të tyre, – shkruante shtypi shqiptar i asaj periudhe. Dhe sot në vend të mirënjohjes e paguen me barbarizma, sharje, burgime, vrasje dhe të përzenurit nga Atdheu. Burgjet e Kosovës janë mbushur me shqiptarë e bullgarë të qetë, të cilët mundohen më keq se në kohë të Inciziqies (Inkuizicionit, A.B.). Qeveritari i Shkupit; Ceroniçi, një barbar i egër, ka shtirë tmerr ndër shqiptarët dhe bullgarët. I thërret në qeveri dhe u thotë që do tua shkurtojë këmbët e kryet, po të mos bëhen të gjithë serbë. Gjithë këto veprohen edhe nga malazezët”.(6) Afërsia e Gollobordës me Maqedoninë, historikisht e kishte përfshirë dhe e involvonte edhe tani Gollobordën me ato zhvillime, të cilat shkonin hapur kundër pushtimit serb. Nga ana e saj makineria serbe vepronte duke goditur çdo kohezion të brendshëm midis popujve të zaptuar; përçante, blinte njerëz me ndikim në popull, të cilët i përdorte si vegla qorre. Të tillë njerëz ajo kishte gjetur në Kosovë e në Maqedoni. Të tillë njerëz gjeti edhe në Shqipëri, në Dibër e në Gollobordë; gjeti në çdo fshat të Dibrës e të Gollobordës. Ishin këta elementë që u ngarkuan dhe kryen turpërisht misionin e Kolonës së Pestë, duke spiunuar bashkëfshatarët e vet, të cilët i vendosën përpara masakrave serbe për një korre bukë. Nga ana tjetër me dinakëri të madhe, si një kundërgoditje ndaj përpjekjeve të qarqeve të shëndosha patriotike shqiptare, më 12 tetor 1913 Serbia frymëzoi dhe sponsorizoi krijimin e asaj që u quajt “Pleqësia e Shqipërisë së Mesme”, nën drejtimin e Esat Pashë Toptanit, krijesë e bindur e qëllimeve të Serbisë në Shqipëri. Brishtësia e shtetit të sapoformuar shqiptar shfaqi përpara opinionit ballkanik dhe atij evropian kalbëzimin e shoqërisë feudale shqiptare, si dhe gatishmërinë e një pjese të saj për ta shitur Shqipërinë si plaçkë tregu, mjaft që të plotësonte ambicjet e veta politike dhe ekonomike. Krijimi i “Pleqësisë” u bë veç të tjerash edhe për të zhvlerësuar faktorin shqiptar në relacionin Shqipëri – Bullgari – Turqi, duke e shndërruar atë në apendiks të faktorit serb, ashtu siç ishte plani strategjik serb. Më poshtë do të shikojmë më hollësisht se çfarë ishte në gjendje të bënte Esat Toptani dhe Serbia në zonën e Gollobordës e të Dibrës, krahina të cilat i përzgjodhën si vendin ku do të vinin fillimisht në jetë planet aneksioniste ndaj Shqipërisë. Situata komplekse në Shqipëri ishte pasqyrë e situatës komplekse ballkanike, ashtu sikurse situata në Ballkan ishte pasqyrë e situatës në Evropë dhe e duarve të zgjatura të kësaj të fundit, që trazonte problemet e ngatërruara ballkanike dhe ato shqiptare. -“Nja dy ditë mbas formimit të “Qeverisë së Durrësit”, …..përfaqësuesi francez (në K.N.K.) ia njoftonte Ministrisë së tij në Paris me një kënaqësi të qartë formimin e Pleqësisë së Esat Toptanit në Shqipërinë e Mesme”. (7) K.N.K. -ja ishte administrata ndërkombëtare në Shqipëri, deri sa të përcaktohej statusi i saj i ardhshëm. Simpatia tradicionale e Francës për Serbinë, në situatën ballkanike e atë shqiptare mori pamjen edhe të simpatisë për aleatin e serbëve; Esat Pashë Toptanin, i cili Parisin e kishte vendin e tij më të preferuar. Franca kishte përfaqësuesin e saj në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, i quajtur shkurt K.N.K. Ky ishte Krajevski, i cili vetëm pas dy – tre ditësh që ishte krijuar Pleqësia e Esat Pashë Toptanit, informonte gjithë kënaqësi Parisin se: “Esati ka fituar shumë përkrahës në sajë të kundërshtimit që i bën Ismail Qemalit, influenca e të cilit bie çdo ditë e më shumë. Rëndësinë më të madhe të kësaj, delegati francez e shihte doemos në faktin se ndërsa më parë Ismail Qemali kishte shpresë të dilte përpara Komisionit si Qeveria e vetme e gjithë vendit, Esati ia prishi planet duke krijuar Pleqësinë e tij, pikërisht në çastin e mbërritjes së K.N.K”. (8) Kuadri ballkanik i marrëveshjeve dhe mosmarrëveshjeve u shtri gradualisht me gjithë kompleksitetin dhe intensitetin e vet në terrenin konkret, aty ku elita e shovinizmit serb e kishte menduar dhe projektuar të ndodhte. Veprimtaria e dokumentuar e Esat Pashë Toptanit në Gollobordë e Dibër, shpreh qartë synimin e hapur serb për të shkëputur Gollobordën dhe disa vise të tjera shqiptare nga trupi i shtetit të ri shqiptar, por njëherësh nxjerr në dritë edhe mbështetësit evropianë dhe veglat e politikës serbe në terrenin shqiptar. Për këtë qëllim, me sponsorizim të Serbisë, rrotull Esat Pashë Toptanit u grumbullua elementi më i shthurur e antikombëtar shqiptar, i cili inspirohej e përgatitej kryeqyteteve ballkanike dhe atyre evropiane. Turma cubash dhe kriminelësh pseudopatriotë nga vise të ndryshme të Dibrës, të Librazhdit dhe Shqipërisë, u vunë në krah të Esat Pashës e të Serbisë. Të tillët nuk munguan sidomos nga disa fshatra të njohur në kufirin administrativ të Librazhdit me Gollobordën, ku lulëzonte e vepronte elementi i egër reaksionar që i kundërvihej hapur Qeverisë së Ismail Qemalit. Ishte 2 tetori i  vitit 1914, koha kur u formua dhe nisi nga aktiviteti i saj e ashtuquajtura “Qeveri e Esat Pashë Toptanit”, një krijesë e sofistikuar separatiste nën drejtimin e Esat Pashë Toptanit, i cili lëvizte në skenën e politikës shqiptare në mënyrën më të paskrupullt. Kjo qeveri funksionoi deri më 27 janar të vitit 1916. Temat që ngrinte si probleme për “zgjidhje” qeveria në fjalë e Esatit, e frymëzuar dhe orkestruar nga Serbia, ndryshonin katërcipërisht nga ato që kishte shtruar për zgjidhje Qeveria e Vlorës e Ismail Qemalit. Qeveria e Esatit ishte e preokupuar të ndajë Gegërinë nga Toskëria, pra të copëtojë vendin e vet, ndërsa ajo e Vlorës ishte përpjekur të ruajë unitetin kombëtar. Qeveria e Esatit me njerëzit e saj në terren vazhdoi t’ia nxijë jetën popullit, duke mbjellë urrejtje, vjedhje, çnderime, vrasje e spiunime, ndërsa ajo e Vlorës kishte marrë vendime për hapjen e shkollave, ku të arsimohej e kulturohej populli i thjeshtë i Shqipërisë.(9) Në zbatim të këtij vendimi madhor, në fshatin Trebisht të Gollobordës më 15 prill 1914 u hap njëra nga shkollat e para shqipe të Dibrës. Esat Pashë Toptani në shkëmbim të mbështetjes që siguronte nga Serbia për veten e tij, më 17 shtator 1914 nënshkroi një marrëveshje tjetër me Serbinë, me anë të së cilës i njihte Serbisë privilegje territoriale mbi Shqipërinë. Duke kundruar raportet e K.N.K. -së me Qeverinë e Vlorës dhe me Pleqësinë e Esat Pashë Toptanit, mund të thuhet se: “K.N.K. – ja i dha dorë më shumë Esat Pashë Toptanit si përfaqësues i elementit antikombëtar”. (10) Përmes këtij konstatimi të hidhur por të vërtetë, mund të kuptojmë rolin e Europës plakë në ngatërresat e shumta ballkanike dhe në fatin e popujve të Ballkanit, sidomos mbi fatin tragjik të shqiptarëve. Si i hodhëm këtë vështrim të shkurtër e mjaft të përgjithshëm kuadrit ballkanik në raport me çështjen shqiptare, planeve e synimeve të fuqive ballkanike dhe relacioneve midis tyre, është më e lehtë të kuptojmë se cilat ishin ato forca të hapura e të fshehta që vepruan për të goditur dhe destabilizuar shtetin e ri shqiptar në territorin e Gollobordës. E kemi më të lehtë pastaj të kuptojmë kontekstin e ngjarjeve në Dibër e Gollobordë, dhe të vendosim drejt në kohë e hapësirë kontributin e gollobordasve në këto situata të trazuara. Duke qenë se Golloborda dhe Dibra janë pjesë e viseve verilindore të Shqipërisë, po vazhdojmë vështrimin tonë me situatat në zonat verilindore të Shqipërisë.

(Vijon nr. e ardhshem)

S'KA KOMENTE