Degradimi i rrugës Rrëshen-Burrel dy vite pas rikonstruksionit

138

Ergi Picaku

Para dy-tre vitesh, furgonët e udhëtarëve të linjës Peshkopi-Bulqizë Tiranë, nisën të devijojnë nga një tjetër segment i sapopërfundur.
Segmenti rrugor Rrëshen-Urakë, pjesë e rrugës Rrëshen-Burrel filloi rikonstruksionin e saj në Korrik të vitit 2012. Rehabilitimi i këtij segmenti rrugor është kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me projekt të hartuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Kjo rrugë u financua me fonde të Qeverisë Shqiptare, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Europiane të Investimeve në shumën prej 1.3 miliard lekësh.
Rikonstruksioni i këtij segmenti rrugor është mundësuar në kuadër të Projektit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale. Loti i Parë (Rrëshen-Urakë) ka një gjatësi prej 18,7 km dhe kalon nëpër fshatrat Prosek, Perlat Qendër të komunës Kthellë (sot pjesë e Bashkisë Mirditë) dhe përfundon në fshatin Urakë të komunës Rukaj (Bashkia Mat) si dhe është rruga e vetme për në komunat Selitë (Bashkia Mirditë) dhe Lurë( Bashkia Dibër). Rruga është e pajisur me të gjithë elementet e infrastrukturës duke përfshirë sinjalistikën horizontale dhe vertikale.
Inagurimi i kësaj rruge u bë në muajin maj të vitit 2013 nga qeveria Berisha, por vetëm dy vite e gjysëm pas rikonstruksionit të saj, rruga që parashikohej t’u vinte në ndihmë banorëve të zonës duket se ka “ngelur në rrugë” pasi gjendja e saj është rënduar shumë.
Ishull.com në një kërkesë drejtuar Ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës kërkoi informacion në lidhje me firmën e cila ishte tenderuar për kryer riknstruksionin e rrugës dhe se cila ka qenë garancia që kjo firmë ofronte për jetëgjatësinë e këtij segmenti rrugor, por pa mundur të marrë një informacion të tillë. Shqetësim për gjendjen e rënduar të rrugës shprehin edhe banorët e zonës të cilët janë të zhgënjyer për cilësinë e dobët të saj.
Në një vizitë për të inaguruar fillimin e punimeve (2012), Drejtori Ekzekuti i Fondit Shqiptar të zhvillimit zoti Benet Beci shprehej se ky segment rrugor po ndërtohet me të gjitha parametrat teknikë bashkëkohorë, si edhe me elementet e plotë të sigurisë rrugore. Këto standarte bashkëkohore, aplikohen në të gjitha investimet që ne kryejmë në kuader të Rrugëve Dytësore dhe Lokale.
Por duket se për rrugën e cila parashikohet të lidhë rrugën e kombit me atë të Arbërit financimet nuk kanë të mbaruar, pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar shprehet se segmenti rrugor Rrëshen-Urakë është në inventarin e këtij autoriteti si pjesë e aksit rrugor “Ura e Matit-Rreshen-Urakë-Shpal-Reps”dhe si i tillë mirëmbahet nga Autoriteti Rrugor Shqipar. Sipas këtij autoriteti, ky i fundit ka kontraktuar kompaninë “AEK MUNELLA” shpk për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor me kontratë tip “Mirëmbajtje rutinë me performancë” me vlerë të kontraktuar prej 115 882 102 lekë (me tvsh) për një periudhë dy vjeçare 2015-2017.
Me sa duket taksat e qytetarëve nuk janë investuar aspak në mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor, pasi përveç mbushjesh me dhe të gropave të shumta nuk është bërë asgjë tjetër. Për më tepër, sinjalistika vertikale është pjesërisht e dëmtuar dhe deri më tani nuk është bërë asnjë përpjekje për zëvendësimin apo ruajtjen e saj.

S'KA KOMENTE