Rruga e Arbërit, paraqitet ofertë financiare nga kompania “Gjoka Konstruktion”

767

Ka mbërritur më në fund një ofertë për kompletimin e segmenteve të mbetura pa ndërtuar në Rrugën e Arbërit, që lidh Tiranën me Peshkopinë në një trase krejtësisht të re. Burime nga Mministria e Transportit bënë të ditur se ka qenë kompania “Gjoka Konstruktion” e vetmja që ka paraqitur interes për të përfunduar një ndër veprat e mëdha të infrastrukturës rrugore në vend, që qeveria e ka vënë në krye të listës së projekteve prioritare, Rrugën e Arbërit.
Burimet sqarojnë që në datën 7 shkurt, afati i fundit i paraqitjes së ofertave ekonomike, është paraqitur oferta e kompanisë “Gjoka Konstruktion”.
Kjo rrugë do të jetë edhe projekti i parë i programit “1 miliard për rindërtim” që do të realizohet sipas formulës së Partneritetit Publik- Privat (PPP).
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka afat 1-2 muaj për të shqyrtuar kriteret teknike dhe ekonomike dhe më pas të dalë me një vendim.
Kompania do të paguhet nga buxheti i shtetit për 10-15 vite për të kompensuar vlerën e investimit të saj.  Ajo ka propozuar që të bëjë përfundimin e rrugës për 190 milionë euro ose 203 milion dollarë.
Rruga e Arbërit do të lidhë Tiranën me Dibrën në Maqedoni me një gjatësi prej rreth 75 kilometra. Oferta e kompanisë “Gjoka Konstruktion” lidhet me segmentin më të vështirë të kësaj rruge, Tujan-Ura e Vashës rreth 27 km, ndërtimi i së cilës do të bënte më në fund të mundur që nga Tirana të udhëtoje vetëm për një orë deri në kufirin maqedonas. Aktualisht, për të shkuar nga Tirana në qytetin e Peshkopisë duhen rreth tri orë udhëtim në një rrugë tejet të keqe.
Sipas të dhënave në faqen zyrtare të kompanisë ‘Gjoka Konstruktion’, ARRSH ka kontraktuar këtë kompani edhe për Lotin e parë të rrugës , dalje Ura e Vashës – Bulqizë.
Më parë, opinioni ishte njohur me një tjetër projekt për ta përfunduar rrugën në fjalë, nga një kompani e madhe shtetërore kineze. Por, mësohet se, para se të hapte sërish tender, qeveria shqiptare i ka nisur një letër kompanisë kineze “China State Construction” dhe qeverisë së Kinës, duke u shprehur se nuk ishte dakord me ofertën që është dhënë për ndërtimin e Rrugës së Arbëritas kësaj, në tetor të vitit të kaluar, kompania kineze njoftoi tërheqjen e saj nga projekti. Prej dy muajsh, ministria e Transportit nisi negociatat me firmën që kishte ndërtuar disa nga akset e kësaj rruge, “Gjoka Konstruksion”.
Oferta për të përfunduar Rrugën e Arbërit e cila përfshinte ndërtimin e dy urave dhe një tuneli nga ana e palës kineze ishte 215 milionë dollarë, pak më e lartë se ajo që bëri kompania “Gjoka Konstruksion”.
Ashtu si edhe në rastin e Rrugës së Kombit, tenderi për përfundimin dhe mirëmbajtjen e së cilës u përsërit disa herë, edhe këtu duket se problemi më i madh ka qenë të bihet dakord për mënyrën e financimit të punimeve. Pra vendosja apo jo e tarifave për kalimin e automjeteve. Deri tani, ende nuk dihet nëse tarifimi është një nga pikat për të cilat shteti dhe privati kanë rënë dakord.

S'KA KOMENTE