Rruga e Arbërit, premtimi i radhës apo fundi i premtimeve?

1150

Nga Edison BALLA

Rruga e Arbërit është me padyshim, një nga veprat dhe asetet më të rëndësishme në rang kombëtar. Madje jo vetëm kaq, por kjo vepër pritet të ketë një rëndësi të veçantë edhe në trevat shqiptare, specifikisht për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni.
Rruga e Arbërit do të afrojë Tiranën me Shkupin, duke e shkurtuar distancën me 100 km, dhe duke i sjellë më afër se kurrë më parë shqiptarët me njëri-tjetrin. Kjo rrugë thuhet që e ka origjinën që nga Perandoria Romake, duke kthyer kështu edhe njëherë vitet e lavdishme të asaj epoke.
Fatkeqësisht, si shumë vepra të tjera me rëndësi kombëtare edhe Rruga e Arbërit nuk i “shpëtoi” dot përdorimit dhe anatemimit nga krerët e politkës, duke e kthyer kështu në një instrument mjaft tundues në fushatat elektorale që u zhvilluan e do të zhvilloheshin në Dibër. Në të gjitha fushatat elektorale, nga çdo kamp politik, Rruga e Arbërit i’u premtua dibranëve, si ëndërra e madhe amerikane që mesa dukej do të mbetej e tillë edhe për më shumë vite, pra vetëm një ëndërr në sirtarë.
Tashmë, në çdo fushatë elektorale qoftë qendrore apo lokale, në Dibër ishte zbuluar “formula” për t’u marrë votën këtyre qytetarëve. Pas çdo premtimi, pas çdo zhgënjimi, dhe pas çdo “rrene elektorale” dibranët besonin e besonin sërish se dikush nga politikanët qendorë do ta merrte seriozisht ndërtimin e Rrugës së Arbërit, edhe pse kjo nuk ndodhi kurrë. Të dyja kampet politike, si e majta dhe e djathta në momentin kur dilnin në opozitë bënin “garë” shifrash dhe premtimesh për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, duke e shtuar akoma më shumë tymnajën e krijuar ndër vite dhe nga qeveritë e majta dhe të djathta në politikën shqiptare.
Rruga e Arbërit, filloi të përdoret politikisht pothuajse që në vitin 2002, kohë në të cilën qeverinë shqiptare e drejtonte Fatos Nano, ku do të hartohej një projekt për këtë rrugë i njohur si “Projekti Nano”. Që nga ajo kohë e deri më sot punimet për Rrugën e Arbërit vazhduan me ritme shumë të ngadalta, ndoshta me qëllimin e pastër politik për ta përdorur si një “gomë rezervë” në fushatat elektorale pasardhëse të kampeve politike. Dibranët, nuk kërkojnë asgjë përveç ndërtimit të Rrugës së Arbërit, dhe mbase për këtë arsye edhe politika luan ping-pong me këtë premtim, se mbase pasi të ndërtohet kjo rrugë nuk do ketë më premtime boshe e as justifikime për t’iu thënë dibranëve, në mënyrë që t’i mbajnë akoma të lidhur për një mandat tjetër.
Në tetë vite qeverisje edhe qeveria e djathtë do të vazhdonte projektin e Nanos, jo atë të ndërtimit të Rrugës së Arbërit, por të zvarritjes pafund të tentativave të dështuara politike kinse për ndërtimin e kësaj rruge. Në tetë vite qeverisje Rruga e Arbërit u përdor si kryefjalë në çdo dalje a takim politik me banorët e Dibrës, të cilët mesa duket tashmë i kishin humbur përfundimisht shpresat se e djathta me në krye Partinë Demokratike do të finalizonte ndërtimin e rrugës. Ndaj në këto rrethana, dibranët ja kaluan “stafetën” e premtimeve qeverisë së Majtë, e njohur në zgjedhjet e qershorit të 2013-ës si “Rilindja”. Për hir të së vërtetës duhet thënë, që në muajt e parë të qeverisjes u mor shumë seriozisht premtimi për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, dhe për këtë filluan kontraktimet edhe me kompaninë e njohur konçensionare kineze “China State Construction”.
Në katër vite qeverisje ndërtimi i rrugës vazhdoi me ritme shumë të ngadalta, ku si justifikim u theksua dështimi i marrëveshjes së qeverisë me kompaninë kineze, si pasojë e kostos së lartë për ndërtimin e kilometrave të mbetura.
Kur na ndajnë edhe disa muaj nga zgjedhjet e ardhshme, premtimi për ndërtimin e Rrugës së Arbërit vazhdon akoma të reklamohet në media si një “punë e mbaruar” në vitin që kemi hyrë. A nuk kishte kohë të mjaftueshme kjo qeveri për ta çuar përpara ndërtimin e kësaj rruge, në mos për ta përfunduar ? A mos është vallë ky premtimi i radhës në vazhdën e gjatë të premtimeve elektorale për ndërtimin e Rrugës së Arbërit ? A do të sakrifikojnë sërish dibranët gjënë më të shtrenjëtë që kanë, pra votën në emër të një premtimi që ka dekada që përsëritet ? Apo do t’i jepet fund përdorimit të këtij premtimi ?
Këtë e dinë më së miri dibranët, por ajo që unë uroj dhe shpresoj, është që qeveria shqiptare ta ketë shumë seriozisht premtimin e saj për ndërtimin e kësaj rruge, pasi në të kundërt të jeni të sigurt se qytetarët dibranë, do dinë mirë të “fshikullojnë”, të paktën këtë herë.

S'KA KOMENTE